Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, njëherit deputet i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se numri i takimeve ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe është në shpërputhje të madhe me numrin e raportimeve për këto takime në Kuvend. “Janë rreth 40 takime në Bruksel, ndërsa janë bërë vetëm 5 apo 6 raportim. Pra është një shpërputhje e madhe, nuk ka transparencë në këtë proces”, tha Konjufca. Ai më tej tha se nëse lexohet raporti 40 faqësh i Qeverisë për dialogun me Serbinë, është e pamundur të vlerësohet si i suksesshëm dialogu me Serbinë. “Si mund të thotë Qeveria se pret se do të shuhen strukturat paralele në Kosovë”, është shprehur Konjufca. Ai më tej ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si janë pranuar rreth 280 ish-pjesëtarët e MUP-it në institucionet e Kosovës. Konjufca tha se me marrëveshjet e Brukselit Serbia ka fituar pushtet në Kosovë. “Në marrëveshje thuhet se Serbia e propozon emrin e komandantit të Policisë për veriun, ndërsa Kosova e shqyrton dhe vendos. Pra edhe pse Kosova vendos, ai është propozuar nga Serbia. Nëse kjo nuk është ‘power sharing’, nëse kjo nuk është ndarje e pushtetit me Serbinë, unë nuk e di çka tjetër mund të jetë ndarje e pushtetit”, u shpreh Konjufca. Deputeti i Vetëvendosjes më tej ka dhënë kritika edhe për marrëveshjet tjera me Serbinë. Sipas tij është skandaloze se si po fshihet nga opinioni aneksmarrëveshja për drejtësinë, në bazë të së cilës Kosova i njeh vendimet e gjykatave të Serbisë deri në pesë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Komisioni për Punë të Jashtme është duke e shqyrtuar raportin e Qeverisë për dialogun me Serbinë.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …