Ismet Rashiti: Fytyra e vërtetë e një Akademie

Sa shumë më paska pas marrë malli për t’ia dëgjuar  zërin Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për të cilën kam shkruar në kohët më të vështira në shtypin ilegal. Atëherë kur regjimi i egër i Beogradit kishte filluar t’i diferenconte disa nga profesorët dhe akademikët tanë më të mirë si Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Rexhep,Qosja, Ukshin Hoti etj. Në pranverën e vitit 1981, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte në thumb të kritikave për shkak të kontributit të madh që jepte në zhvillimin dhe përparimin e shkencës, gjuhës, historisë, arsimit, kulturës, ekonomisë etj. Atë botë ishte bërë një ndër akademitë më të zëshme në ish-Jugosllavi dhe më gjerë. Ne të rinjtë, studentët e demonstruesit për Republikën e Kosovës, me të drejtë frymëzoheshim e krenoheshim me disa nga emrat e nderuar të akademikëve shqiptarë të cilët karshi punës së madhe shkencore, iu kishin bashkangjitur kërkesës së drejtë të demonstruesve për Republikën e Kosovës, pavarsisht  pasojave dhe rreziqeve të shumta që i prisnin .


 


Pas demonstratave të vitit 1981, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës bashkë me Universitetin e Prishtinës, Institutin e Historisë dhe Institutin Albanologjik ishin shpallur: „bastione të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar“ nga politika unitariste e thellësisht antishqiptare serbe, ndërsa një pjesë e akademikëve tanë të nderuar „frymëzues të ndjenjave kombëtare të shqiptarëve“. Atë botë ASHAK falë këmbënguljes së një pjese të akademikëve, tanë të nderuar, ndër të cilët edhe akademik Rexhep Qosja, kishte marrë një hov të madh në shkrimin e librave artistik e shkencorë, përmes së cilave thuhej e vërteta për Kosovën dhe shqiptarët. Mund të thuhet se kjo vërtetë ishte epoka e lulëzimit të punës shkencore, ndaj jo rastëshit regjimi i Beogradit përpiqej t’ia mbyllte gojën me çdo kusht ASHAK-ut, duke i përjashtuar e diferencuar akademikët më kombëtar e më të dëshmuar në fushën e shkencës, artit, kritikës e letërsisë e historisë.


 


Veçanërisht duhet të vlerësohet kontributi i të ndjerëve, dr. Ali Hadrit, Gazmend Zajmit,   Rexhep Qosjes, Idriz Ajetit,  Fehmi Aganit e shumë të tjerëve, të cilët me forcën e argumenteve shkencore i kundërshtonin planet dhe memorandumet politike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe shtabeve politike  kundër Kosovës. Aso kohe kjo na bënte të mburreshim me mendjen dhe trurin e kombit tonë. Edhe në këto kohë të rënda, disa nga akademikët tanë patën forcë intelektuale e morale t’a ngrehin zërin, pavarësisht se në çdo hap i prisnin, siç edhe ndodhën më vonë, „diferencimet“ politike, largimi nga puna, burgosja apo dhe likuidimi fizik. Për hir të realitetit duhet thënë se si atëherë edhe sot ka “akademik” të dështuar të cilët kishin rënë në prehrin e politikës ditore, duke i diferncuar kolegët e tyre: Dje i sulmonin ata përmes platformave antishqiptare të LKJ’së, ndërsa sot përpiqen t’i “kopromitojnë” përmes veprimeve klanore destruktive, madje edhe antishkencore duke u fshehur pas një emri të madh siç është Akademia e Shekencave dhe Arteve të Kosovës. Ndryshe nuk ka si të kuptohet pluhuri që po ngritet gjatë këtyre ditëve  kundër Akademik Rexhep Qosjes, i cili si dje edhe sot është ndër akademikët që më së shumti i ka kontribuar shkencës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.


 


Mund të thuhet se Akademik Rexhep Qosja, veçmas  nga viti 1981 ka qenë ndër intelektualët dhe akademikët mbarëshqiptarë që me penën e tij po ashtu, i ka kontribuar më së shumti çështjes kombëtare si në fillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të proceseve demokratike, si  në fushën e letërsisë, politikës dhe shkencës e deri tek mbështetja e pa rezervë ndaj UÇK-së. Marrë parasysh mendimin kritik ndaj lëvizjes çlirimtare si tërësi që ka rezultuar të jetë i drejtë pothuaj në të gjitha rastet, numrin e madh të veprave dhe vlerën e lartë shkencore apo artistike që ka botuar brenda dy dekadave të fundit, padyshim  se  Rexhep Qosja del  si akademi më vete që ka botuar disa herë më shumë libra shkencorë e artistik se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës si institucion dhe më shumë nga të gjithë “akademikët” marrë së bashku të cilët vërtiten poshtë e lartë ndërtesës së re moderne të ASHAK-ut të ndërtuar nga taksapaguesit e Kosovës të cilëve s’paku deri tani nuk u është shpërblyer me asgjë të mirë nga ana e tyre. Përkundrazi nga ajo ndërtesë e bukur, e cila normalisht konsiderohet si ndërtesa e trurit të popullit, dalin deklarata e fjalë të shëmtuara kundër “kolegut” të tyre, Akademik Rexhep Qosja për të vetmin “faj” pse ka treguar një të vërtetë të madhe: Mospunën, servilizmin, heshtjen e pakuptimtë dhe anëtarësimin e “akademikëve” të rinj pa dëshmi shkencore e kritere sipas “akraballëkut” dhe  rreshtimit politik. Kjo është një e vërtetë e madhe, e pakontestueshme dhe tepër e nevojshme të thuhet publikisht. Këtë të vërtetë nuk mund ta pranojnë vetëm ata “akademik” të cilët institucionin më të lartë shkencor të një vendi e kanë shndërruar në një “treg ku shiten e blihen tituj akademik dhe ku nuk punonohet mbi bazën e kritereve shkencore.


 


Brenda 20 viteve të fundit, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vetvetiu ka ardhur duke e rrënuar autoritetin deri në atë shkallë sa sot shkëlqimi i dikurshëm i saj, përveç ndërtesës së bukur që është ngritur në qendër të Prishtinës,  pothuaj se është i padukshëm. Natyrisht vitet e okupimit e kanë bërë të veten. Mbase edhe “intelektualët” janë më të ndieshëm ndaj mediokriteteve dhe diletantëve që jo pak kanë dalur viteve të fundit në skenën shkencore, politike, ekonomike e kulturore të Kosovës. Por gjithsesi është e pafalshme për një institucion të lartë akademik “mbyllja e gojës” në këto situata mjaft delikate, kur Republika e Kosovës sapo ka filluar t’i marrë këmbët e veta. Natyrisht që në këtë moshë shteti i Kosovës ka nevojë për ndihmën e secilit shqiptarë në fushën e vet, por gjithsesi më së shumti ka nevojë për ndihmën e „ajkës së kombit“, njerzëve intelektualë e me njohuri të thella shkencore. Këtë mision fare pak ose aspak nuk e ka përmbushur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Pikërisht në kohët më të vështira të Kosovës nën okupimin serb nga viti 1989 e deri sot, ASHAK’ja nuk e ka kryer misionin e saj për të cilin është paguar dje në rrethanat e një okupimi klasik nga kontributet e qytetarëve dhe sot nga buxheti i konsoliduar i shtetit të Kosovës. Përgjatë dy dekadave ASHAK si institucion (hiç ndonjë deklaratë të dobët  politike), nuk ka bërë asnjë punë voluminoze shkencore, asnjë plan stragjik, asnjë momerandum serioz, asnjë zbulim shkencor. Për më tepër ASHAK për dy dekada rresht ka qenë dhe ka mbetur rob i politikës së  klaneve të caktuara destruktive të cilat mbi të gjitha i kanë dashur postet e pamerituara. 


 


Të trishton fakti që sa kohë Akademia  e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e ka mbyllur gojën për opinionin. Nuk flet ose edhe kur flet ndonjëherë nuk të çon mallë akademie. Gjatë dekadës së fundit nga qarqe të caktuara serbe e maqedone ka pasur tendenca të rrezikshme antishkencore e politike për ta falsifikuar historinë e shqiptarëve e për ti rrudhur kufinjtë e Kosovës, e ASHAK, e ka „mbyllur“ gojën ose ka folur me gjysëmgoje. Vërtetë të habitë „heshtja“ e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pikërisht në kohën kur pseudoshkenctarët maqedon shkruajnë „libra“ shkollor e “enciklopedi” për të mohuar shtetin e Kosovës dhe autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, ASHKSH’ja e „myllë“ gojën edhe atëherë kur duhet të ishte më e zëshmja dhe më e thirrurura për t’a thënë fjalën e vet me kompetencë për çështje të rëndësishme siç janë t’a zëmë:


 


Ka më shumë se një vjet që Kosova ishte para Gjykatës Nërkombëtare të Drejtësisë, e ASHAK’ja kishte heshtur tmerrëshit!  Nuk i kishte afruar asaj asnjë fakt historik, shkencor, gjuhësor dhe juridik pse Kosova kishte të drejtë të shpallte pavarësinë!


 


Që nga paslufta veriu i Mitrovicës pothuaj është „ndërkombtarizuar“ si problem, e Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk ka bërë asnjë reagim pozitiv dhe të bazuar në fakte historike lidhur me këtë!


 


Ka anomali të mëdha në sistemin e drejtësisë së Kosovës, e ASHAK’ja përsëri nuk e ka ngritur zërin e saj për ta ndihmuar në cilëndo mënyrë qoftë sistemin e drejtësisë, i cili më tepër se shumëçka tjetër i duhet sot Kosovës së re si shtet i pavarur!


 


Ka korrupsion në  Kosovë, e ASHAK sërish i mbyllë sytë, nuk «dëshiron» të flas kundër këtij fenomeni që jo pak ka marrë përmasa në mungesë të ligjeve apo të moszbatimit të ligjeve të aprovuara deri tani!


 


Shteti i Kosovës ka vështirësi serioze në realizimin e reformave në  sistem   arsimor e ekonomik, e ASHAK’ja heshtë, nuk e thotë asnjë fjalë, nuk e shkruan asnjë shkronjë!


 


Ka së paku pesë opsione në tavolinat e politikës dhe akademisë serbe për Kosovën, e Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i mbyllë sytë para këtyre tendencave të rrezikshme antihistorike e antishqiptare!


 


Ka tri  vite që Republika e Kosovës kërkon njohjen zyrtare të sa më shumë shteteve të botës, e Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës,  nuk e ka   hedhur në letër asnjë germë   e nuk ka shfaqur asnjë mendim serioz për njohjen e shtetit të Kosovës. Asnjë akademie, e asnjë qeverie të botës nuk i ka shkruar letër pse duhet të njihet shteti i Kosovës dhe të argumentohet me fakte!


 


Asnjë mendim se ka dhënë ndaj dukurive negative në Kosovë, kur dihet që fjala dhe mendimi akademik e profesional sot  i duhet shtetit të Kosovës së tepërmi për t’u ngritur mbi themele të shëndosha e demokratike.


 


Për këto dhe shumë probleme tjera jetike që kishte dje dhe ende ka nevojë Kosova, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk e ka ngritur zërin sa duhet ose ka heshtur krejtësisht. Dhe tani befas del me deklarata të çuditshme kundër njërit nga anëtarët më të guximshëm të saj, Akademikut Rexhep Qosja! Këto deklarata aq të pabazuara e foshnjore, vetëm sa dëshmuan publikisht mospunën apo punën e mbrapsht të ASHAK-së. Çdo njeri normal e habitë fakti se si ASHAK nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë kaq ashpër dhe kaq shpejt kundër asnjë «akademiku» shovinistë serbo-maqedonë, ndërsa brenda pak orësh gjen kohë të dalë dhe ta sulmoi Akademik Rexhep Qosen me deklarata pompoze vetëm pse e ka thënë një të vërtetë lidhur me (mos) punën  dhe sjelljet diletante të një pjese të «akademikëve» që janë pranuar brenda këtij institucioni pa përfillur kriteret e  nevojshme shkencore.


 


Në fund të fundit këto deklarata dhe reagime të ASHAK’së kundër personalitetit të Akademik Rexhep Qosjes janë në vazhdën e përpjekjeve për ta mbytur mendimin e lirë akademik kundër çdo dukurie negative të shfaqur në një shoqëri apo institucion. Në shoqëritë demokratike e veçanërisht në institucionet e larta shkencore e arsimore, aty ku vërtetë debatohet për çështje profesionale, çdo mendim kritik, merret e studiohet me gjakftohtësi dhe në asnjë mënyrë apriori të kundërshtohet e paragjykohet si i pabazë e tendencioz. Kështu veprojnë vetëm ata që e kanë «mizën nën kapuq», vetëm pa punëtorët dhe parazitët e ndryshëm që marrin të ardhura e «grada» akademike pa asnë punim apo libër shkencorë. Reagimet e ASHAK’ës dhe shkrimet e ndryshme të porositura në ndonjërën nga gazetat tona të vetëquajtura «kombëtare», kundër Akademik Rexhep Qosjes, në opinionin normal shqiptar nuk kanë bërë asnjë efekt tjetër përveç se kanë nxjerrrë  në shesh fytyrën e vërtetë të Akademisë së Shkencave dhe Areve të Kosovës dhe të mediokriteteve e hipokritëve tjerë që shkruajnë shkrime «tallava», duke u përpjekur me britma e fyerje si në kohën e komunizmit të «shokut» Tito të «presin» kokat e njerzëve të mëdhenj. Kjo, pra, është fytyra e vërtetë e një akademie, e cila si deri më tani, nuk ka për qëllim parësor t’i avancojë të arriturat shkencore, por të gjejë «qime në vezë» për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që kanë forcë morale e intelektuale për ti kundërshtuar me fakte deformimet e shumta brenda këtij institucioni dhe përpjekjet e ligjvënësve për ta vendosur në vendin ku e meriton një akademi e vërtetë shkencore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …