leoni

Sejdi VESELI: “AMANETI I DËSHMORËVE TË KOMBIT

“Asnjëri nuk është më tepër skllav, sesa ai që mendon se është i lirë, pa qenë i lirë!” (GËTE) 

Paralajmërimi i z. Ahtisari, se me 02 shkurt 2007 do të sjellë në Prishtinë edhe zyrtarisht “Pakon” e famshme të “tij”, për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, ka ndikuar që të thellohet shqetësimi kolektiv te shqiptarët.
Edhe nga deklaratat e bëra këtyre ditëve nga ky mjeshtër i rryer dhe i licencuar nga OKB, për tregtimin me fatet e popujve, çdo herë në përputhje të plotë me interesat e qarqeve të fuqishme, nuk mund të kuptohet ndryshe, pos si një paralajmërim ogurzi për të ardhmen e popullit shqiptar të Kosovës.
Ky shqetësim kolektiv i shqiptarëve është shumë i arsyeshëm, ngase shumë të dhëna flasin, se pjesë përbërëse e kësaj “pakoje” nuk do të jetë pavarësia e premtuar nga i ashtuquajturi “Grupi i elefantëve” dhe të vegjlit e tyre, por:
-legalizimi i ndarjes së Kosovës në baza etnike;
-autonomia e zgjeruar për enklavat serbe, garantimi i të drejtës së vetos ndaj të gjitha vendimeve të Kuvendit të Kosovës, garantimi i të drejtës së tyre për lidhje horizontale ndërmjet veti dhe vertikale me Beogradin;
-zëvendësimi i kolonizatorit ndërkombëtar, i unmikistanezëve me ata eumikistanez,;
-vazhdimi i negociatave të Kosovës me Serbinë deri në arritjen e kompromiseve tjera ( natyrisht në dëm të interesave të shqiptarëve).
Duhet theksuar, se kohëzgjatja e qëndrimit në Kosovë të kolonizatorit të ri eumikistanez, nuk është përcaktuar, ndërsa kompetencat e tij do të jenë jo vetëm këshillëdhënëse ( siç përpiqen ta mashtrojnë popullin “elefantët” dhe të vegjlit e tyre), por edhe ekzekutive. Këtë e argumenton më së miri deklarata e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, z.Frank Walter Steinmeier, cit. “…Be-ja është përcaktuar tashmë që të mobilizohet dhe të ndërtojë misionin e saj. Sidomos në fushën e drejtësisë dhe të policisë. Be-ja do të marrë nga OKB-ja këto kompetenca dhe me këtë nuk do të ketë vetëm karakter këshillëdhënës, por edhe funksione ekzekutive në Kosovë…”, mbaron citati.
Përmbajtja e propozimit të z.M.Ahtisari, nuk mund të kuptohet ndryshe, pos bosnizim i Kosovës dhe se përpilimi i tij është bërë sipas skenarëve të njohura antishqiptare të Evropës Njerkë.
Përballë realitetit që po krijohet, shqiptarët pas të gjitha atyre sakrificave që u detyruan të bëjnë, jo pa fajin e tyre, do të detyrohen të përballen serish me sfida shumë të rrezikshme, e që epilogu do të jetë vendimtar për të ardhmen e tyre në përgjithësi. E them, jo pa fajin e tyre, ngase shqiptarët me votën e tyre të lirë i legjitimuan besëpakët dhe bukëshkalët për t’u pri drejt “realizimit” të interesave të tyre njerëzore dhe kombëtare.

Shkalla e rrezikshmërisë së këtij paralajmërimi të publikuar nga ky finok i diplomacisë ndërkombëtare, fiton në peshë, kur atij i shtohen edhe paralajmërimet kërcënuese të KFOR-it, se do të ndërhyjë pa asnjë mëshirë ndaj atyre që do të shprehin publikisht mospajtimin ndaj nëpërkëmbjes së interesave të tyre elementare, njerëzore dhe kombëtare.
Menjëherë pas paralajmërimit të protestave gjithëpopullore nga Levizja Vetëvendosjeje, në shenjë të kundërshtimit ndaj pazarllëqeve në dëm të popullit të Kosovës, këto paralajmërime kërcënuese të KFOR-it emetohen në vazhdimësi, jo vetëm në shumicën e mjeteve informative “kosovare”, por edhe në ato ndërkombëtare, me që rast potencohet se “paqeruajtësit” do të përdorin të gjitha mjetet në disponim (nënkuptohet edhe armët), ndaj atyre që tentojnë të prishin rendin (lexo: ndaj atyre që nuk pajtohen me kolonizatorin).
Duke u bazuar në këtë kërcënim të forcave paqeruajtëse (lexo: forcave kolonizuese), mund të kuptohet, se nga disa qarqe të njohura ndërkombëtare, do të tentohet të imponohet një lloj “zgjidhje” e statusit politik të Kosovës, shumë të dëmshme për interesat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, në njërën anë, dhe shumë të favorshme për minoritetin serb, përkundër faktit se shqiptarët përbëjnë 90% të popullatës të kësaj krahine shqiptare, të ndarë dhunshëm në të kaluarën nga tërësia e saj e natyrshme – Shqipëria Natyrale.
Në bazë të sjelljeve të ndërkombëtarëve, sidomos pas përfundimit të luftës së armatosur heroike dhe çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe të Luginës së Vardarit, nga një shtresë e popullit shqiptar, që moti janë nxjerrë përfundime të drejta dhe të qarta. Diçka e tillë edhe është pritur.
Për ndryshim nga klanet e politikanëve të korruptuar dhe zaptit e tyre të dëgjueshëm shqipfolës, kjo shtresë e ka paralajmëruar popullin, se nuk duhet t’u besojë kurrë më atyre që e kanë pre në besë njëherë.

E ka paralajmëruar popullin në vazhdimësi, se nuk mund të pritet diçka e mirë nga bijtë dhe nipërit e atyre që e patën fjalën kryesore, gjatë arritjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit (1878), në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), gjatë përpilimit dhe nënshkrimit të Traktatit të fshehtë të Londrës (1915), si dhe të Traktatit të Versajës ( 1918), me që rast e copëtuan Shqipërinë Natyrale.
E ka paralajmëruar popullin, se me siguri, nga diplomat të disa qarqeve ndërkombëtare edhe kësaj radhe, do të tentohet ashtu si në kohën e gjyshërve dhe baballarëve të tyre, që për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës të përdoren modalitetet e sajuara në përputhje me direktivat e Beogradit zyrtar, pa u brengosur fare se me një veprim të tillë do të shkeleshin paragrafët e dokumenteve ndërkombëtare, në mënyrën më flagrante, siç janë:
1. Rezoluta Nr. 637 (VII), e miratuar nga OKB, me 16. 12. 1952 : “E drejta për vetëvendosje e popujve dhe e kombeve është parakusht për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut”.
2. Rezoluta Nr. 2625 (XXV), e miratuar nga OKB, me 24. 12. 1970, e cila ndër shtatë parimet e saj kryesore, në pikën 5 përmban edhe parimin e barazisë dhe të vetëvendosjes të popujve: “Krijimi i shteteve të pavarura dhe sovrane, bashkimi i lirë me ndonjë shtet tjetër të pavarur, varet nga vendimi i miratuar politik i atij populli, i cili mbështetet në të drejtën e tij universale për vetëvendosje . Prandaj, çfarëdo forme tjetër shtetërore e cila i imponohet me forcë…përbën shkelje flagrante të së drejtës së tij për vetëvendosje…”, dhe se me një veprim të tillë, do t’i përdhosnin edhe institucionet ndërkombëtare të cilat i kanë aprovuar këto dokumente! 
Gjithashtu e ka paralajmëruar popullin, se ata që hiqen si përfaqësues legjitim të interesave të tij, nuk kanë kaçik intelektual, nuk kanë virtyte morale dhe nuk janë të përkushtuar për të punuar për interesat e tij. Andaj, edhe i ka kërkuar që të prishë kontratën e lidhur me këta besëpakë e plangëprishës gjatë fushatave zgjedhore, duke ndërmarrë veprimet përkatëse demokratike, konkrete dhe efikase, deri në realizimin e të drejtës së tij legjitime për Vetëvendosje.
Kërcënimet e KFOR-it lakuriqësojnë edhe një të vërtetë, se më në fund e kanë kuptuar, jo vetëm KFOR-i dhe UNMIK-u, por edhe instruktorët e tyre, se shqiptarët nuk do të pranojnë që të sakrifikojnë edhe kësaj radhe interesat e tyre të drejta njerëzore dhe kombëtare, për hir të interesave grabitqare të nacional-shovinizmit serbomadh dhe të aleatëve të tij tradicional, me në krye me “Ariun e Sibirit”. Andaj edhe është urdhëruar Komanda e KFOR-it, që të ndërmerr masat përgatitore operative, që në bashkëveprim me policinë unmikistaneze dhe sajesën e saj servile, të ashtuquajturën SHPK, të shtypë pa mëshirë protestat edhe pse shumë të arsyeshme të shqiptarëve, të cilat me siguri do të pasojnë, nëse nga kush do çoftë tentohet të nëpërkëmben interesat e tyre të ligjshme, njerëzore dhe kombëtare!
Si duket kontaktet e atyre që po i kërcënojnë shqiptarët, kryesisht me politikan të korruptuar dhe karrierist, si dhe me shoqërues e përkthyes me të kaluar të dyshimtë, për fatkeqësinë e tyre, nuk kanë arritur të kuptojnë karakterin e vërtet të shqiptarit. Po të mos ishte kështu, me siguri, jo vetëm se do të silleshin krejt ndryshe, por as nuk do ta binin punën për të përgatitur veprime të tilla diletante, në kuadër të masave përgatitore për të shtypur protestat e paralajmëruara, të cilave me siguri do t’u bashkëngjitet populli për të mbrojtur të drejtën e tij legjitime për t’u vetëpërcaktuar dhe për të vetëvendosur për të sotmen dhe të ardhmen e tij.
Kështu diçka ngjashëm vepruan edhe pushtuesit serbo-çetnik, gjatë shekullit të kaluar. 
Epilogu dihet!
Është momenti i fundit që Bashkësia Ndërkombëtare ta kuptoj drejt, mirë dhe përfundimisht, se shqiptarët nuk i dorëzuan armët dhe as nuk e demobilizuan UÇK-në, si pasojë e qyqarllëkut të tyre. 
Jo!
Shqiptarët, si popull i civilizuar që janë, këtë veprim të urtë e bënë nga bindja, se mos më në fund ajo çka përjetuan para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare, do të kishte zgjuar ndërgjegjen e saj njerëzore dhe, më në fund do të shfrytëzonte rastin për t’i korrigjuar gabimet që u kishte bërë shqiptarëve në të kaluarën, duke e copëtuar Truallin etnik të tyre, për një qëllim të vetëm: kënaqjen e orekseve grabitqare të fqinjëve të tyre sllavo-grek.
Por çfarë ndodhi?
Njëkohësisht me invadimin e Kosovës nga forcat e KFOR-it, filloi të instalohet edhe administrimi ndërkombëtar-UNMIK-u. Nuk vonoi dhe pushteti civil i drejtuar nga vendorët dhe UÇK-ja, me një urdhëresë administrative u shpërbën. Kjo urdhëresë administrative nuk u kundërshtua nga yesmen-ët vendor, ngase ishte përpiluar me pëlqimin e tyre. Përfundimisht tërë pushteti civil dhe ushtarak në Kosovën e porsaçliruar, kaloi në duart e ndërkombëtarëve.
Me vendosjen përfundimtare të UNMIK-ut i tërë pushteti u koncentrua në duart e PSSP-së, ndërsa populli u nda në dy shtresa: në atë të favorizuarën dhe në atë të diskriminuarën.
Shtresa e parë përbëhej nga minoritarët serb, të cilët realisht nuk përbëjnë as 5% të popullatës së Kosovës. Shumica prej tyre nuk janë vendor, por të sjellë nga Lika, Hercegovina dhe Serbia reale (ish Pashallëku i Beogradit), si kolonizues në pronat e shqiptarëve, të uzurpuara nga pushtuesit serbo-çetnik, gjatë të ashtuquajturave reforma agrare.
Shtresa e dytë përbëhej nga populli autokton shqiptar i cili edhe përben afro 90% të popullatës së Kosovës dhe nga grupet etnike jo serbe të cilat përbëjnë afro 5% të popullatës të saj.
Aktualizimi i procedurës për finalizimin e statusit të Kosovës, në përputhje me kërkesat e Beogradit zyrtar, lakuriqëson përfundimisht pafytyrësinë e disa qarqeve ndërkombëtare të instaluara edhe në kuadër të UNMIK-ut e KFOR-it, si dhe atë të servilëve të tyre shqipfolës.
Sa nuk është bërë tepër vonë, do të duhej ta kuptojnë përfundimisht, si Evropa Njerkë, ashtu dhe Serbia bashkë me aleatët e saj tradicional:
-se kanë perënduar në pa kthim ato kohëra kur bëheshin pazarllëqe me të drejtat kombëtare dhe trojet etnike të shqiptarëve, sikur ato të ishin plaçka të thjeshta;
-se shqiptarët janë të vendosur për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të natyrshme për të vetëvendosur për të ardhmen e tyren dhe se këtë të drejtë e ka vulosur gjaku i dëshmorëve dhe lufta e armatosur çlirimtare.
Është momenti i fundit që, si Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu dhe servilët e saj vendor, t’ia vënë gishtin kokës dhe të rishikojnë sjelljet e tyre në raport me shqiptarët, para se t’i kalojnë kufijtë e durimit të tyre. Po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme, por edhe shumë vështirë të riparueshme, ndërsa përgjegjësia nuk do të mund t’u adresohet shqiptarëve!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …