(Reagim përkitazi me paraqitjet e Mustafë Bajramait në studiot televizive)
Mustafë Bajrami, prej kohësh nuk lë vend e rast pa sulmuar Bashkësinë Islame të Kosovës, udhëheqësit e saj dhe posaçërisht të parin e BIK-ut, Naim ef. Tërnavën. Misioni i Mustafë Bajramit kundër BIK-ut dhe udhëheqjes së tij është ngritur mbi bazën e një fushate të orkestruar nga ai dhe ca individë (të cilët marrin rrogën në BIK, me të ushqejnë familjet e tyre, por bëjnë argatin e të keqit) dhe të mbushur me shpifje, insinuata, të pavërteta dhe për qëllime të ulëta e meskine.
Kryesia e BIK-ut, institucionet e saj, pastaj Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit dhe hoxhallarët, e njohin shumë mirë dhe për së afërmi “filozofinë” e Mustafës dhe ca bashkëmendimtarëve të tij, dhe për këtë arsye Kryesia e BIK-ut nuk ka dashur që të merret me ta.
Mirëpo, për hir të së vërtetës dhe me qëllim që të sqarojmë opinion e gjerë, jemi të detyruar që të dalim me këtë reagim sqarues, pavarësisht se që të gjithë ata që kanë pasur sadopak punë me te, e dinë mirë kush është ky, çfarë është, si vepron, çfarë qëllimesh ka dhe çfarë dëmesh u ka shkaktuar qoftë atyre si individë, qoftë institucioneve që e kanë punësuar, shumë shpejt u është dashur që ta përzënë.
Meqenëse këto ditë BIK-u është në fazën përfundimtare të zgjedhjeve brenda këtij institucioni, proces ky i rregullt dhe kushtetues, i hapur në terë strukturën e BIK-ut, Mustafë Bajrami nëpër studio televizive dhe në rrjetet sociale shitet si ekspert, analist e opinionist, duke u munduar për të përbaltur këtë proces, duke shpifur e duke manipuluar në mënyrë ordinere dhe gjoja për t’u paraqitur se ky na qenka mbrojtësi i vetëm i BIK-ut. Mirëpo, atyre që ende nuk kanë pasur punë me këtë manipulues (dhe shyqyr që nuk kanë pasur, sepse do t’i kishte djegur keq!), u themi se ky person është i fundit që do të duhej të fliste në emër të BIK-ut dhe të shiste moral jo vetëm për këtë institucion, por edhe për shumë çështje dhe procese të tjera jashtë BIK-ut.
I lartpërmenduri, Mustafë Bajrami, më shumë se një dekadë në opinionin e gjerë paraqitet e nënshkruhet si doktor i shkencave islame, pa qenë fare doktor shkence. Pra, ai as nuk ka doktoratë, as nuk ka mbrojtur doktoratë, as nuk ka afruar dëshmi për këtë në konkurset tona në të cilat ai pati konkurruar, dhe as nuk ka botuar tezë të doktoratës. Me një fjalë, ai është i vetëquajturi dhe i vetëshpalluri doktor i shkencave islame! Dhe për këtë që themi, i parashtrojmë atij këto pyetje të ligjshme dhe logjike: ku, kur dhe në çfarë universiteti e drejtimi ka mbrojtur doktoratën? Nëse këtë nuk e dëshmon dhe nuk ka si ta dëshmojë, atëherë i themi që të mos e manipulojë publikun dhe të mos e vërë në lajthitje opinionin.
Për më tepër, në paraqitjet e tij, ky mysafir që kërcen sa në një studio e sa në një tjetër për të përhapur shpifjet e tij, deklarohet edhe si profesor dhe (shih ti!) shet edhe mend se si do të duhej të ishte, sipas tij, Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës. Për këtë, përsëri i parashtrojmë pyetjet: në cilat institucione arsimore të nivelit universitar ka punuar ky, cila është përvoja e tij akademike, cilat lëndë ka ligjëruar dhe kush ia ka dhënë thirrjen akademike profesor?
Mustafë Bajrami, pas kthimit të tij nga Bota Araba, për një kohë ka qenë i angazhuar në radhët e BIK-ut, fillimisht në Medresenë e Gjilanin e më vonë edhe është emëruar kryetar në Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjilanit. Mirëpo, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, keqmenaxhimit e, mbi të gjithat, për shkak të shpërdorimit të mjeteve financiare të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, është shkarkuar nga detyra e kryetarit të KBI-së së Gjilanit, është larguar nga procesi mësimor në Medrese dhe nga institucionet e BIK-ut. Për këto që themi ekziston dosja komplete në Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjilanit dhe në Kryesinë e BIK-ut, e cila mund të bëhet publike për të interesuarit.
Se sa është “reformator” ky person që i sulmon dhe atakon të tjerët për gjoja bashkëpunim me organizata të dyshimta nga Lindja, dëshmon fakti se pikërisht ky ka bashkëpunuar ngushtë me fondacionet iraniane që veprojnë në Kosovë dhe për të zhvatur sa më shumë mjete dhe fonde nga ta, por dhe për të humbur gjoja gjurmët, ky ekspert i lajthitjeve, mashtrimeve dhe dyfytyrësh, ka ndërruar edhe mbiemrin, nga Bajrami e ka bërë Haxhimyftiu. Nëse kjo nuk është kështu, ftojmë që ta dëshmojë të kundërtën. Dhe, “Nëse pitja është ngrënë, tepsia ka mbetur”. Revista “Avicena” me kryeredaktor “Dr.” Mustafë Haxhimyftiu (lexo: Bajrami) është shpërndarë nëpër Kosovë, dhe po aty, ky person ka promovuar një shkollë të pestë juridike islame jashtë atyre tradicionale zyrtare, sa kohë që në paraqitjet e tij shitet si mbrojtës dhe promovues i islamit tradicional!
Mustafë Bajramit dhe ca bashkëmendimtarëve të tij, që po vrapojnë me të njëjtat fraza dhe dokrra pas studiove televizive, portaleve e rrjeteve sociale dhe ku po shiten gjoja si reformatorë, ideatorë e shpëtimtarë të BIK-ut dhe jo vetëm; u themi se atyre u është dhënë rasti dhe janë promovuar duke u bërë pjesë e BIK-ut, madje duke qenë pjesë e udhëheqjes së institucioneve e forumeve të BIK-ut, porse përveç arrogancës, prepotencës, majorizimeve, maliverzimeve, prirjeve karrieriste, përçarjes, keqpërdorimeve, hipokrizisë e mashtrimeve, nuk kanë dëshmuar e treguar asgjë tjetër, ama bash asgjë fare.
Në fund, këtij personi dhe ca bashkëmendimtarëve të tij, u themi se nëse synojnë kreun e BIK-ut, rruga që duhet ndjekur ata është e thjeshtë dhe e lehtë. Le ta fitojnë besimin në njësitë e tyre zgjedhore, (sikurse u është dhënë rasti, por që këta e kanë keqpërdorur dhe janë dënuar nga pikërisht njësitë e tyre zgjedhore) dhe le të respektojnë rendin dhe procedurat e parapara me rregulloret dhe ligjet e BIK-ut për t’u zgjedhur në instancat e tij.
Dhe në fund fare, i bëjmë thirrje opinionit publik që të mos bien pre e shpifjeve dhe manipulimeve të Mustafë Bajramit dhe ca bashkëmendimtarëve të tij, sepse këto po bëhen vetëm për të dëmtuar imazhin dhe kredibilitetin e BIK-ut, për interesa të tyre tepër të ulëta e meskine.