leoni

Sabit Gashi:SHKENCA E POPULLARIZUAR

Sabit Gashi “Miti modern dhe faktet për ambientin e Tokës shikuar nga hulumtimet e planetit Mars”


Paraardhësit tanë nga shumë kultura erdhën deri te një asociacion për planetin Mars ndoshta për shkak të ngjyrës së tij të kuqe,gjakut të derdhur dhe e quajtën sipas perëndive të tyre të luftës (”The Search for Life in the Universe” nga D.Goldsmith,T.Owen,1980). Mars e quajtën romakët,ndërsa Ares e quajtën grekët e vjetër.
Në janar të vitit të vitit 2004,planeti Mars vizitohet nga tri sonda. Një e Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA),-Mars Expres, dy amerikane të NASA-s,-Mars Exploratin Rovers (me dy roverët, karrocat robotike të quajtura Spirit dhe Oportunity). Poashtu një mision japonez i quajtur Nazomi me një orbiter që në vitin 1998 ishte në rrugëtim për t’iu ofruar Marsit por s’dihet fati i tij. Marsi më 27 gusht te vitit 2003 ishte në opozitë dhe atë 59616 vjet më parë nuk ka qenë më afër se atë ditë. Ky afrim me Tokën u quajt historik dhe paraqet për të shumtën e herave parashikimin teorik të pozitës së planeteve me saktësi të jashtëzakonshme. Studimi i Marsit sot është relevant për environmentin global të Tokës,-thonë sot shkencëtarët.Provat më të rëndësishme për të shkuar përpara në studimin e Marsit po edhe të Tokës do të jetë vërtetimi nëse ky planet ishte dikur i nxehtë e me lagështi.Mjaft shenja të konfiguruara në reliefin e tij sot ruan Marsi e të cilat lënë dyshime të mëdha jo vetëm që ky planet ka pasur ujë e klimë me lagështi,por edhe jetë së paku në forma primitive. 
Marsi është i vetmi planet detajet e të cilit ia dallojmë përmes teleskopit të vogël. Ka dy satelite të parregullt sikurse asteroidë (Fobosi dhe Deimosi).Marsi ka diametër sa gjysma e Tokës, 10 për qind të masës, temperatura në kufijtë minus140 deri minus 13, por korja e planetit mund te arrije edhe temperatura pozitive gjë që vërehet edhe rrjedhja e ujit sidomos nga pjerrësia teposhte neper kratere. Atmosferë me dendësi vetëm 1 për qind të Tokës e me 95 për qind dioksid karboni e pa efekt të serës,me rrezatim ultravjollcë të theksuar e shumë pak ozon, me vetëm 0,13 oksigjen e 0,03 avull uji. Me retë ngjyrë karafili e nganjëherë me re konvektive rreth vullkanit pasiv Olimp,me pluhur e mugëtirë. Me ngjyrë të kuqërremtë të qiellit që rrjedh nga pluhur pezull në atmosferën e tij që ngrihet nga stuhitë e mëdha të erës që vazhdimisht e konfigurojnë terrenin,me shtypje atmosferike vetëm 7 milibar që është 150 herë më e ulët se sa shtypja e Tokës (sa për krahasim:shtypja atmosferike mesatare e Tokës në nivel të detit është 1013 milibar), me pole të ngrira sikurse të Tokës, por me akull të dioksidit të karbonit,me stinët sikurse të Tokës,me ditën 24,6 orëshe e pjerrësi të boshtit të rrotullimit gati sikurse të Tokës me 23,5 shkallësh. Rrotullohet rreth Diellit për 687 ditë. Ka shtretër të lumenjve e liqeneve për të cilat supozohet janë të braktisur nga uji para afër 3 miliardë vjetëve. Kah ka shkuar ky ujë dhe i ka lënë shtretërit e vet është problemi më i diskutueshëm. Astrofizikani, Paul Davies, bënë një krahasim nga përmbytja e anijes së Noahut ku sipas këtij krahasimi të thjeshtë dhe tepër të lirë në interpretim del se ai ujë ka shkuar në thellësi te Tokës për rastin e Tokës dhe me siguri në brendi të Marsit për Marsin. Nuk dimë nëse Marsi ka kishte pasur në historinë e tij ndonjë përmbytje por shtretërit e lumenjve, liqeneve, e orografia i ngjajnë plotësisht një bote të braktisur nga uji. Kështu si një shkretëtirë e thatë dhe e ftohtë,-duket sikur të krijon nostalgjinë për botën që dikur i ngjante Tokës dhe melankolinë për fatin e Tokës në të ardhmen,-temë kjo e trajtuar në shumë fiksione shkencore e në filma ku kësaj ndjenjë thuajse asnjë vepër e këtij zhanri s’mund t’i shmanget Vitet 2003 e 2004 ishin vitet e Marsit. Tërë njerëzimi përfaqësohet në planetin e kuq,-kësaj radhe me teknologjinë e vet. Mund të thuhet se së paku teknikisht qenia njerëzore i ngjante një qenie multiplanetare. ESA përfaqëson evropianët ndërsa lansimin ia bënë rusët nga kosmodromi Baikonur nga Kazahstani por edhe disa pjesë të projektit të ESA-s u përdoren nga misioni i pasuksesshëm rus Mars 96 i cili u shkatërrua pas lansimit. 
Amerikanët përfaqësohen me dy sondat, japonezët me sondën Nazomi. Pra gati disi pavetëdijshëm të gjitha kulturat e Tokës merrnin pjesë në këtë randevu me Marsin. Në janar iu bashkuan dy orbiterëve tjerë MGS dhe Odyssy 2001 të cilët ka vite që po rrotullohet rreth Marsit. 
Pos kësaj,viti 2003 kishte një ditë të posaçme,-kishte ditën e Marsit. Marsi asnjëherë më parë nuk u vrojtua e fotografua më shumë se më 27 gusht. Ky ishte një rast që një herë në jetë iu ofrua çdo njeriu për ta vrojtuar (këtë kënaqësi pati edhe autori i këtij shkrimi dhe bëri disa astrofotografi). Ne vitin 2004 vizitohet nga sondat e ESA-s Mars expres me orbitër e landerin 60 kg Beagle 2 i cili ndahet nga orbiteri,por me këtë sonde robotike ESA e humbi kontaktin. Zbritja e tij ka pasur rreziqe pasi që ai nuk kishte system propulziv, frenues. Objektivat kryesorë të tij hulumtuese do të ishin gjeologjina e planetit,klima,mundësitë e jetës,uji nën dheun e Marsit etj. Më 4 e 25 janar roverët binjakë të NASA-s (Spirit dhe Oportunity) po ashtu zbresin në Mars. Ata hulumtojnë historinë e ujit në planet. Këta janë robotë gjeologjikë me spektrometra dhe me katër kamera stereoskopike për të bërë imazhe tredimenzionale të Marsit, me radarë për hulumtimin e ujit disa kilometra thellësi,dhe sounder atmosferik. Spiriti zbret në kraterin Gusev,Opportunity në Meridian Planitia në anën tjetër të Gusevit.Beagle 2 ishte planifikuar të zbresë afër ekuatorit të Marsit në Isidis Planitia në basenin e rrafshët sedimentor ku gjurmët e jetës kanë mund të konzervohen. Në vitin 1965 sonda amerikane Mariner 4 iu ofrua Marsit për 10000 km dhe emitoi shumë imazhe deri atëherë të papara. 
Deri tash në planet kanë zbritë tri sonda robotike,-Viking 1 e Viking 2 më 1976 dhe sonda Pathfinder më 1997. Këto janë sonda robotike ose laboratore lëvizëse që gropojnë dheun dhe bëjnë analiza kimike dhe hulumtojnë mundësinë e menjëherë pas viteve të 60-ta por edhe në vitin 1999 dështoi misioni rus Mars 96.NASA pas këtyre dështime menagjoi programe tjera “më të lira, më të shpejta, më efikase, e më të vogla.” Kjo ishte një qasje e re e administratorit te atëhershëm të NASA-s Goldin që dallohet dukshëm nga koha e projekteve të mëdha të kohës së luftës së ftohtë. Sa i përket relievit,-sidomos në jug,Marsi ka shumë kratere nga goditjet me meteoritë, asteroidë e kometa. Ka vullkane të fikura, kanjone, lugina,forma kaotike të relefit etj. Gjeologjikisht është shumë më pak aktiv në krahasim me Tokën. Ka kanale të lakuara, shtretër të lumenjve, me erosion të erës që vazhdimisht i rrafshon krateret. Ngjyra e kuqe e tij rrjedh nga xehet e limoniteve. 
Terraformimi është një shkencë e posaçme që studion ndryshimin e planetit që ai t’i përngjajë Tokës me ndryshimin e ambientit te tij përmes inxhinjeringut global. Atmosfera e Marsit është helmuese për njeriun, por cikli i përshtatshëm i ditë-natës 24,6 orësh do të mundësonte kultivimin e bimëve rezistente nëpër sera pranë poleve. 
Shkrirja e kapelave polare, lirimi i dioksidit të karbonit, dendësimi dhe nxemja e atmosferës, rritja e oksigjenit e azotit me kultivimin e bimëve rrezistente nga inxhinjeringu gjenetik, rritja e shtypjes atmosferike deri 150 mb e temperaturës për 4 grade janë të mundshme në simulimet laboratorike e kjo mendohet të aplikohet në Mars. Këto bimë rezistente në vendet ku ka akull e ujë do ta lironin oksigjenin,do të shumëzoheshin në numër, do të zvogëlohej bardhësia (albedoja) e planetit e me këtë rast do të rritej edhe absorbimi i rrezatimit diellor. Uji me rastin e shkrirjes së akullit të mëparshëm do të bartej kah gjerësitë më të ulëta përmes kanaleve artificiale. Kjo tregon se edhe sot idetë utopike të para një shekulli të Percival Lowelit po përtrihen vetëm se tani me një qasje tjetër. 
Dielli para 4 miliardë vjetëve ishte 30 për qind më i ftohtë. Atmosfera e Marsit ishte më e dendur e më e nxehtë e me efekt të serës. Me evoluimin e e mëtejme të Diellit,-ishte e mundshme edhe rrallimi i atmosferës së Marsit e me këtë prapë ftohja e sotme. Por si ishte çështja për Tokën në atë kohë. Toka do të ishte e mundur ta ketë pasur një shtresë të gazit të serës,-të metanit i cili lejon dritën infra të kuqe të depërtojë deri në sipërfaqen e Tokës por nuk e lejon dritën infra të kuqe që ta lëshojë Tokën prandaj e ngrohë atmosferën duke u reflektuar kështu në mes sipërfaqes dhe mbështjellësit të metanit dhe kështu efekti i serës e mbante edhe atëherë të nxehtë. Kjo teori gjatë diskutohet prandaj u quajt paradoksi i hershëm i Diellit të zymtë. Këtë paradoks tentuan ta zgjedhin astronomët Chyba e Sagan në vitin 1996. 
Nga ana tjetër goditjet nga qielli nga meteoritët, kometat, e asteroidët kanë pasur po ashtu ndikimin e vet në rrallimin e atmosferës. Zhdukja e disa llojeve të botës së gjallë ndikoi në avancimin e llojeve. Sipas kësaj qasjeje njëfarë mënyre ne dhe shumë lloje ovoluam nga rastet në katastrofat kozmike. A mund të jenë këto katastrofa të përsëritshme? Përgjigjja është pozitive. Më 1994, në Jupiter bien 21 copa të kometës Shomaker-Levy 9 të copëtuar nga rrëmbimi i gravitacionit të Jupiterit me ç’rast në planet shkaktohen konfigurime të jashtëzakonshme. Meqë retë e Jupiterit janë tepër dendura, nuk dimë për pasojat tjera, pasi që sipërfaqja e tij nuk mund të shihet e të fotografohet. Këto çrregullime mbetën me muaj në retë e dendura të Jupiterit. I tërë procesi i goditjeve u përcjell nga tërë observatorët e botës dhe u mblodh një material voluminoz për këtë goditje te re. Ky është rasti i parë në histori i vrojtuar drejtpërdrejt i një goditjeje kozmike. Goditjet nga qielli nuk janë vetëm teori apo tregime misterioze nga mitet e legjendat por tani edhe dëshmi. 
Nëse Marsi ka pasur një fat të tillë, atëherë balancimi klimatik i është crregulluar. Nga Organizata Botërore e Meteorologjisë, NOAA, Met Office Hadley Center nga Exeteri i Anglisë dhe ambientalistët sugjerohet se edhe balancimi klimatik i Tokës duket se është shumë i mundshëm dhe një ndryshim i vogël i këtij balancimi do ta ndryshonte dramatikisht sistemin e gjenerimit të nxehtësisë në atmosferë. Dimri nuklear është një nga skenarët që sot pranohet se ka ndodhur para 65 milionë vjetëve në Tokë me rastin e rënies së një meteoriti të madh apo asteroidi dhe me atë rast ndodhi mbulimi i atmosferës me pluhur të dendur e u zhduk një pjesë e madhe e specieve të botës së gjallë. Modelet kompjuterike për qarkullimin global të atmosferës parashohin zvogëlimin e temperaturës globale të Tokës pas një dëmtimi të atmosferës me luftë të pakontrolluar termonukleare, apo zhvillim të pakontrolluar të industrisë, që do të ndotë atmosferën. Implikimet e para do të jenë kolapsi i agrokulturës. Kjo del nga rezultatet që orbiteri Mariner 9 më 1971 mati temperatura shumë më të larta në lartësitë e atmosferës së Marsit se sa në sipërfaqe të tij gjatë një stuhie globale të erës me pluhur. Këtu u pa se çka sjell mbulimi i atmosferës me pluhur. Pas këtij rasti më vonë më 1982, u krijua teoria TTAPS (një akronim i pesë shkencëtarëve) në të cilën përfshihet edhe rasti më ekstrem,-dimri nuklear një ambient i kontaminuar që së fundi e kemi shikuar në trilogjinë filmike Matrix. Në anën tjetër sot kemi ngrohjen globale e cila është pasojë e revolucionit industrial. Me këtë ndryshoi përbërja e atmosferës së Tokës. Prej afër 280 njësive ppmv (pjesë për milion pբr vëllim) të dioksidit të karbonit sot kjo sasi është rritur në afër 370.Pas vitit 1861 ( perioda e të dhënave instrumentale) deri sot temperatura globale është rritur për 0.7 gradë. Kjo për Tokën është shqetësuese ngase nëse vazhdon ky trend atëherë kah fundi i këtij shekulli kjo rritje do të jetë për 1,4 deri 5,8 gradë Celcius, që do të kishte implikime të gjëra katastrofale për një pjesë të njerëzimit. Të gjitha këto rezultate nga modelet kompjuterike të modelimit të ndryshimeve klimatike janë thuajse identike nga të gjitha qendrat hulumtuese që përmendëm më lartë. 
Al Gore në filmin dhe librin e tij të fundit ”Një e vërtetë e papërshtatshme” (An inconvenient truth) definitivisht këtë sfidë të njerëzimit me ndryshimet klimatike tani e tutje e konsideron si çështje morale dhe thotë: ”Ndryshimi i klimës është çështje morale, jo politike” (Climate Change is a Moral Issue, Not a Political One). Al Gore ishte përkrahës i madh i çështjes së Kosovës. Para dhjetë vjetësh Dukagjini botoi librin e tij të përkthyer në gjuhën shqipe “Toka në Baraspeshë” (Earth in the Balance). Sot ekziston një vlerësim më tepër epik se misionet e Marsit ndoshta do t’i mbajmë në mend si misione që do ta sjellim në Tokë shqetësimin për tragjiken e Marsit, e ndoshta edhe shqetësimet për tragjiken e mundshme te Tokës në të ardhmen. Kështu marsianët në të ardhmen ndoshta do të jemi ne. A po i ofrohemi kohës së parashikimeve kur civilizimi jonë do ta zhvillojë sensin multiplanetar e ta thyejë barrierën e provincializmit tokësor. Deprovincializmi i planetit tonë së paku në rrafshin teknologjik me këto misione duket se ka ka filluar thoshte shpesh astronomi Carl Sagan. Si rezymim po japim rezultatet preliminare për Meteoritn ALH84001. Para 16 milion vjetëve nga një goditje, ky meteorit u shkëput nga Marsi dhe duke bredhur në hapësirë e rrëmbeu gravitacioni i Tokës para 13 mijë vjetëve e bie në Antarktik. Përbërësit kimikë të tij, gazrat e mbyllur në fluskat në brendi duke përfshirë edhe izotopin e oksigjenit i përgjigjen përqindjeve të atyre materieve të gjetura në Mars nga sondat e mëhershme. Janë zbuluar disa forma për të cilat shkencëtarët thonë se mund të jenë fosile të bakterieve. Ish kryetari Klinton në vitin 1996 iu adresua medieve në terma dramatikë për këtë ngjarje duke thënë pos tjerash se nëse ky zbulim mahnitës qëndron atëherë ai do të shërbejë që ne si qenie njerëzore t’i ridefinojmë marrëdhënjet e njerëzimit me kozmosin. Kjo ishte një koherencë e plotë dhe e rrallë në mes shkencëtarëve e politikanëve në në prag të mileniumit të tretë. 
A ka pasur asociacioni me perënditë e luftës nga antika e para saj ndonjë gjë që sot mund të asociojë me diçka reale rreth Marsit. Një mendim që do ta kënaqte këtë kërshëri do të ishte ai i astronomit Carl Sagan kur thotë se Marsi sot po bëhet njëfarë arene mitike ku njerëzimi po i projekton shpresat dhe shqetësimet e veta. 
Shkencëtarët në përgjithësi pajtohen se gjenerata jonë, gjenerata që po sfidohet me ngrohjen globale duhet të zgjedhë për profit në terma afat shkurta e me ngrohje globale, apo më mire për profit në terma afatgjatë e me planet të banueshëm e mirëqenie. Kjo nuk do të jetë zgjedhja jonë e dëshirueshme,por e detyrueshme. Kjo do të varet nga ajo se sa jemi të aftë si shoqëri teknologjike ta ruajmë ambientin tonë global,-ambientin i cili në pesë dekadat e fundit është bërë mitik.



Sabit Gashi: Kalendari, një segment i rëndësishëm i identitetit të qytetërimit njerëzor


Të gjithë shkencëtarët pajtohen se themelimi i kalendarit është një nga të arriturat më të mëdha dhe të posaçme të shoqërisë, pasi që përmes tij shkojmë prapa në kohë dhe shfletojmë historinë e kulturës dhe progresit njerëzor. Kalendari më së paku është një tabelë me numra e ditë të shënuara në të. Kalendari është sistem që lëvizë edhe pse shumë ngadalë, por në periudha prej dekadash e shekujsh kjo gjë vërehej, prandaj edhe iu nënshtrua korrigjimeve të njëpasnjëshme, të cilat tani quhen reforma të kalendarit e të cilat ende vazhdojnë të korrigjohen. Duke përsosur kalendarin deri në përsosjen softuerike, shkencëtarët kanë arritur një nivel jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit në dekadat e fundit në fushat ku lidhen astro arkeologjia, historia, antropologjia, paleoklimatologjia e deri te evolucioni i religjioneve e lindja e miteve. Kalendari paraqet përpjekjen më interesante të njeriut për ta përmirësuar dhe organizuar jetën e njeriut në pajtim me lëvizjen e Diellit, Hënës dhe yjeve.
Kalendari është sistem i njësive të kohës,-zakonisht ditëve si njësi themelore kalendarike për përcjelljen e kohës për periodën e një viti,-vit ky i cili nga paraardhësit tanë u vrojtua si cikël i dukurive astronomike, stinore, klimatike etj.
Kalendarët janë kodifikuar në ligje, disa përdoren jashtë ligjeve, por paralel me ata të kodifikuarit, kështu që në këtë mënyrë bëhet shndërrimi reciprok i datave, ndërsa ka kalendarë të tillë që barten në mënyre gojore. Kalendari dhe kronologjia si dy shkenca janë të lidhura shumë sa që pa to nuk mund të mendohet shkenca e historisë, arkeologjisë, antropologjisë, astroarkeologjisë etj. Të dy këto shkenca bazohen në lëvizjen e Diellit, Tokës e Hënës. Shndërrimi i datave historike nga një kalendar në tjetrin e posaçërisht shndërrimi në kalendarin tonë gregorian, sot bëhet në mënyrë softverike me precizitet të jashtëzakonshëm.
Njeriu e ka perceptuar kohën nga periodiciteti i jetës se vet dhe periodiciteti i natyrës se botës. Në faza të ndryshme të këtij periodiciteti njeriu ka pasur momente krize, ndërsa natyra ka pasur ngjarje rapide e edhe dramatike, e ndoshta edhe kataklizmi, si ndërrimet klimatike të përcjella me vërshime, thatësira, goditjet e meteoritëve, paraqitja e yjet të reja “supernova”, kontaminimi i atmosferës, vullkanet, tërmetet,- fenomene këto të përshkruara në mënyra të ndryshme, që sot ruhen në forma të miteve, religjioneve, legjendave etj,- të modifikuara vazhdimisht nga bredhjet e popujve dhe gërshetimi i kulturave.
Vetëdija e njeriut për dallimin e të kaluarës, të tashmes e të ardhmes gjatë evolucionit duket se iu nënshtrua një presioni mental e emocional i cili ndoshta buron kur njeriu kuptoi se çdo qenie e gjallë ka fazat e veta deri te ndërrimi i jetës, vdekjes dhe ndoshta kjo e ka detyruar intuitivisht të kërkojë një mënyrë për ta ndarë kohën në periudha ku secilës i ka dhënë rëndësinë e vet shpesh edhe sarkale. Kështu duket se njeriu është sfiduar shumë që ta kalojë barrierën e te qenit në një kohë,-në të tashmen në vazhdimësi. Se sa thellë ka shkuar shkenca që hulumton kohën dhe perceptimin e kohës në kontekst të distinktimit temporal tregojnë disa hulumtime me fëmijët e popullit vendas (native) të Australisë, ku për çudi gjeten indikacione mbi vështirësitë e perceptimit të kohës në këto tri kohë krahasuar me moshatarët e ardhur në këtë kontinent.
Ndonëse fshehtësitë e kalendarit nga përditshmëria nuk dallohen aq lehtë, përparimi i kalendarit na flet për të kaluarën e largët e çka do të ndodhë në të ardhmen sidomos në dukuritë ciklike astronomike. Përmes teknologjisë softverike të përparuar shkencëtarët kanë bërë konstruktimin e shumë fenomeneve natyrore në të kaluarën, sidomos në fushën e astronomisë dhe të paleoklimatologjisë. Këtu kemi të bëjmë me rastet e eklipseve të Diellit, Hënës, tranzitet e planetëve e bredhjen e kometave si dhe krijimin e modeleve klimatike kur boshti i Tokës nuk e kishte këtë drejtim, që ka sot dhe kur sasia e dioksidit të karbonit në atmosfere, ishte më e vogël se në kohën e revolucionit industrial.
Duke simuluar fenomenet e tilla është arritur të shpjegohen edhe shumë ngjarje historike të kulturave e bile edhe të kulturave e civilizimeve me të cilat bota e vjetër nuk ka komunikuar. Kjo deri diku ishte arritur edhe në kohën para softverike falë përpjekjeve për përsosjen e kalendarit dhe përsosjes së teleskopëve e pajisjeve të tjera të shkencës së astronomisë. Nga vrojtimi, gjatë historisë, shumë kultura e civilizime edhe ato të zhdukura, me të cilat bota e vjetër s’kishte kontakt fizik e medial natyra e kohës, vitit, stinëve, dukurive astronomike, vërshimeve etj., shihej se ishte ciklike. Rëndësia që i jepnin kohës dhe kalendarit mori edhe nuanca të precedentëve kulturorë. Sot. edhe pse përdorim kalendarin sipas papa Gregorit XIII, nga marsi i vitit 1582, ky nuk është më i sakti, nuk është më i saktë as sa kalendari i civilizimit “Maja” para më shumë se njëmijë vjetëve dhe tendenca për kodifikim të kalendarit te disa kultura e popuj konsiderohej si ngjarje e veçantë. Populli “Maja” ishte shumë i preokupuar me idenë e kohës, ata përdornin Diellin, Hënën dhe Afërditën (Venerën) për kalendarin e tyre prej 260 dhe 365 ditësh. Sipas tyre bota u krijua në vitin 3113 para erës sonë. Çdo përmendore, çdo altar i tyre i dedikohej kohës dhe jo udhëheqësve apo sunduesve të tyre, koncept ky më tepër magjik e politeist. Majat, me shumë ishin të preokupuar me të kaluarën dhe është interesante se te ata ndihej ngatërrimi i tri distinkcioneve themelore të kohës, përzierja e të cilave mbetet e paqartë deri sot. Ky distinkcion, sot paraqet kriter ndoshta të vetëm dallues të qenies njerëzore në krahasim me qeniet tjera dhe kjo konsiderohet aftësia më e rëndësishme mentale e njeriut (G.J.Wihtrow:”What is time?”).
Me kalimin nga jeta baritore e nomade në jetën e organizuar dhe me zhvillimin e veprimtarisë së bujqësisë, njeriu i dha rendësi te posaçme këtyre fenomeneve ciklike të natyrës. Kështu natyra konsiderohej si arenë e madhe në mes të engjëjve e demonëve,ose në mes të forcave kozmike të perëndive dhe forcave kaotike të demonëve. Dhe njeriu nga kjo arenë do te përpiqet të parashikojë rezultatin në kohë dhe ta paraqesë atë në pllaka, gurë, papirus etj., si një përpjekje e pa artikuluar sa duhet për t’u konsideruar më vonë nga pasardhësit si art e shkencë.
Babilonasit lidhnin vitin e ri me solsticin veror. Bënin emetimin e ritualit të përmbytjes parabiblike, (ekzistojnë shumë versione të përmbytjes në shumë kultura, ndër më të njohurat është ajo në Epin e Gilgameshit).Ata bënë edhe ndarjen e orës në 60 minuta e minutat në 60 sekonda. Edhe përmbytja biblike përmend një zgjatje në kohe të kësaj ngjarje. Egjiptianët e vjetër, lidhnin kalendarin e tyre me nivelet e lumit Nil, me tri fazat e nivelit te tij. Kalendari lunar, (hënor), zëvendësohet me pozitën e yllit “Sirius” të konstelacionit ( yllësish ) së “Qenit të Madh” i cili çdo 365 ditë lindte pranë Diellit. Kalendari egjiptian kishte 365 ditë, por nga përvoja mbi njëmijë vjeçare u pa se Nili po vonohet së vërshuari nga viti në vit. 
Reforma u bë në vitin 238 para epokës sonë, duke iu shtuar vitit nga një ditë çdo katër vjet si shenjë të perëndive që sillnin të mirat. Kështu kalendari u sjell në harmoni me lëkundjen e ujit të Nilit me Ediktin e Kanopusit të vitit 238. Kjo reformë korrigjoi kalendarin e vitit 4236 para erës sonë. Viti 4236 p.e.s. konsiderohet data më e vjetër e njohur në historinë e njerëzimit.
Ky edikt u kundërshtua nga përfaqësuesit klerikë dhe vetëm me pushtimin romak në kohën e trazirave të Kleopatrës, iu shtua dita e brishtë për t’u harmonizuar me kalendarin Julian (sipas D.E.Duncan:”The Calendar”,-një bestseller).
Kalendari Julian u vendos nga Julius Caesari. në vitin 46 para erës sonë, duke zëvendësuar kalendarin romak nga krijimi i Romës. Kalendari Julian, i hartuar nga astronomi i Aleksandrisë, Sosigenis, më vonë u finalizua si i tille nga Augustue, me 365 ditë në vit dhe me 366 ditë çdo të katërtin vit me 365.25 dite mesatare diellore. Meqë gjatësia mesatare e vitit tropik është 365.2422, del diferenca 11 minuta e 14 sekonda, pra viti julian del më i gjatë sesa gjatësia e vërtetë e vitit. Atëherë për 128 vjet gabimi është për një ditë. Prandaj më 1582 kjo korrigjohet.
Më vonë, nga shekulli i VI, fillon numërimi i vitit nga lindja e Krishtit. Më 1582, 10 ditë “u larguan” ashtu që pas të enjtes, 4 tetori në sistemin e vjetër behët e premte 15 tetor. Me këtë u korrigjuan vendimet nga Nice-ja të vitit 325 dhe u hoqën 10 ditët e grumbulluara. Kalendari gregorian u pranua me vonë nëpër Evropë, por me vonesa të mëdha si në Evropë e dhe në shumë vende. Më në fund në Rusi me 1917, në Kinë me 1949, ndërsa disa kisha ortodokse ende nuk e kanë pranuar, duke e konsideruar kalendarin gregorian si precedent të kohës kur u miratua me bullën e Papës.
Viti Tropik ka 365, 2422 dite mesatare diellore. Për 400 vjet, viti mesatar i ofrohet vlerës 365.2425 që është afër vitit tropik. Viti kalendarik duhet të përmbajë numër të plotë të ditëve që të jetë sa më praktik. Kështu, viti i rregullt do t’i kishte 365 dhe ai i brishtë 366. Si t’i përdorim këto dy vite e të mos të na “humb” koha?
Për 5000 vite duhet të kemi 1211 vite me nga 366 ditë përndryshe do t’i humbim 1211 ditë. Prandaj u mor vendim që çdo të katërtit vit t’i shtohet nga një ditë (muaji shkurt me 29 ditë). Kështu është arritur preciziteti i përdorimit te tij, pa shkaktuar ngatërrim mbi ngjarjet historike. Por për të qenë me koherent ne kohë përballë 40 kalendarëve, që sot në masë të ndryshme përdoren nëpër botë, u vendos një kriter më i fortë,- ai e epokës apo erës. Ato janë të shumta dhe kanë rëndësinë e vet, meqë shume prej tyre bartin identitetet kulturore nga vijnë. Sot dominon epoka e krishtere nga lindja konvencionale e Krishtit dhe ajo e Skaligerit, epoka juliane, epokë kjo që nuk ka te bëjë me perandorin romak) prej 1 janarit te vitit 4713 para erës sonë.
Kalendari diellor ka origjinë nga Egjipti i lashte para më shumë se 4000 vjetëve para erës sonë, kur Dielli çdo vjet ishte afër Siriusit. Kalendari hënor ka lindur në Babiloni rreth mesit të mijëvjeçarit të tretë para erës sonë, ndërsa me vonë u përhap te hebrenjtë, kinezët, ballkanasit e jugut, pellazgët, romakët, etj. Ndërsa sot është zyrtar në disa vende arabe. Ai është kalendar i pastër hënor, 11 ditë më i shkurtër se viti gregorian , kështu viti i ri i tyre vjen më herët për 11 ditë. Ka 12 muaj sinodikë me 29.53 ditë që bëjnë 354,36 ditë. Ky vit quhet viti i Hixhrit, meqë u shënua në kohën e shpërnguljes së profetit Muhamed nga Meka për në Medinë në vitin 622. Ndërsa kalendari hënor-diellor sot ruhet në Izrael.
Reforma e mëtejme e kalendarit do të merrte parasysh edhe lëvizjen e pikës së ekuinoksit pranveror, pasi që edhe viti tropik me atë rast do të ndryshonte në periudha më të gjata.
Nga të dhënat që u prezantuan këtu mund të themi se kalendari shërben si një lidhje mes njeriut e kozmosit, thënë pa apo me metaforë. Në të ardhmen kalendari nuk duhet të përsoset për ta ruajtur me çdo kusht kontekstin kulturor të tij, por për ta precizuar atë, në mënyrë që të jetë sa më i përdorshëm. Po ashtu s’ka dyshim se kalendari flet edhe për një rend shoqëror dhe në masë të madhe përbën një segment shumë të madh të identiteteve kulturore. Një zhvillim dhe unifikim i mëtejmë i kalendarit do të jetë i pashmangshëm përkundër diversiteteve kulturore, me të cilat lidhen kalendarët. Me këtë do të përparohet edhe civilizimi jonë si tërësi. Viti 2000 ishte viti i fundit i shekullit të 20-të e i mileniumit të dytë ndërsa viti 2001 ishte viti i parë i shekullit të 21-të, i mileniumit të tretë, pra vetëm teknikisht, pasi që viti zero nuk ekziston dhe i cili nënkuptohet këtu vetëm në mënyrë implicite. Reforma e kalendarit dhe epokave ka lënë edhe brishtësi të vogla, të cilat ishin si rezultat i precedentëve kulturorë, politikë, fetarë, etj. 
Sot zgjedhja më e re është ajo e vitit 1972, Koha Atomike e atomit të Ceziumit 133, që erdhi si rezultat i përparimit eksponencial të shkencës e sidomos të fizikës atomike e bërthamore.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …