Në këto vitet e fundit “demokratët”-stilistë, përpos revolucionit seksual, asnjë revolucion tjetër nuk kanë mundur të realizojnë. Dhe përnjëherë zhvillohen dilemat revolucion-kundërevolucion, që më heret vështrohej nga aspekti ideologjik, dhe pasohej me dënime drakonike, shumë të dhunshëme. Nuk ka ndonjë logjikë ekonomike në Kosovë, nuk ka as ndonjë strategji të zhvillimit, prandaj edhe boom-i i pritur ekonomik pas valës së privatizimit-primitiv nuk kishte ndonjë efekt të theksuar. Por statusi ndërkombëtarë politiko-administrativ ka ndryshuar shumëçka, ka tjetërsuar vlerat, prandaj edhe janë liberalizuar konceptet për revolucionin-kundër revolucionin jo atë ideologjik të dhunshëm por atë shumë liberal revolucionin “seksual” dhe kundër-revolucionin “seksual”, pastaj liritë homoseksuale, lezbijizmin, narkomaninë etj., por nuk ndërtohen institucionet që do të shëronin defektet shoqërore në shoqërinë post-pavarësiane. Prandaj ndarjet tjera janë më pak të rëndësishme, qytet-fshat, shehërli e katundar, ngase nuk dallohen fare, Revolucioni “dyshekë” i ka zbutur ndarjet. Problem është vetëm lokalizmi i ndërtuar nga bos-ët partiakë brenda një lokaliteti, ngase ata në vend të frymës garuese në nivel nacional, kanë futur atë të mëhallave etj. Ky është një mozaik i përçudshëm dhe i pazakontë, por shumë produktiv gjatë grumbullimit të votave në sezonat zgjedhore. Eshtë kjo pasuri multipartiake që po shfrytëzohet me koshiencë të lartë dhe kjo po arrihet falë lideruc-ëve që kanë sendërtuar vetëdijen lokaliste dhe kolonialiste mbi atë kombëtare, i manifestuar nga liritë shumë të shprehura gjuhësore “liri gjuhësore-pa rregulla”, edhepse shumica nuk e dinë semantiken e shqipes dhe ky është edhe tregues se si po shuhet shqipja dhe kultura shqiptare. Unë nuk i njoh nga afër shumë probleme, por vërej kur dikush “provokohet” humbet kontrolli, kjo ngjan sidomos me ministrat, ata dëgjojnë si qingja të butë lur u flet kryeministri, nuk duhet të befasohemi për këtë lojë politike të bariut dhe grigjës së deleve e qengjave të tulatur, e cila ka filluar të bëhet shumë religjioze kur po ndahet buxheti. Bëhet një luftë e madhe e pavrejtur për fondet e Kosovës, nuk është vetëm nepotizmi si dukuri e vërejtur, me fondin e tatimpaguesve përjargen edhe të afërm-kusherinjë, miqë, shokë të klasës..ata ndërtojnë kompani, fitojnë tendere, nuk ka frikë për keqpërdorime, nuk ka konflikte interesi, edhe atëherë kur kryeministri e konsideron prioritet dhe kohë të përshtatshme të udhëheqë shtetin dhe të ndërtoj shtëpinë private, bile do të ishte goxha e “arsyeshme” dhe e udhës të privatizohet edhe shteti, atëherë është më i afërt dhe më i ëmbël, a nuk ishte kështu me fondet publike “3 përqindshin” dhe atë “Vendlindja thërret”, u harruan donatorët, tash është model buxheti i konsoliduar i Republikës së Kosovës, atëherë jipej “me hatër” si detyrim moral, tash konsiderohet obligim qytetar “me zor”, nuk kanë ndryshuar marrësit, ata kanë sharruar në fotele.
Pushtetarët pozitë e opozitë, veprimet e tyre politike i kanë kopje të raporteve rajonale ose evropiane, që nënkupton se nuk kanë ide të veta, se çka duhet të arrihet, ku duan të shkojnë e çka mund të përfitojnë. Për çdo proces kombëtarë u duhet të harxhojnë shumë kohë dhe energji. Së pari duhet të bëjmë luftë në mes veti, me fundërrinat e okupatorëve të ndryshëm e pastaj të merremi me të tjerët. Kjo mund të tingëllojë si diçka e pa kuptimtë, por realiteti e dëshmon një gjë të tillë. Pse qytetarët votues-shqiptarët i ironizojmë veprimtarët e çështjes kombëtare, si njerëz të cilët kanë humbur kohë me gjëra të pavlera?
Lufta që bëhet ndaj kundeshtarëve politikë, kundër Lëvizjes “Vetëvendosja”, nuk mbeshtetet në parime njerezore. Ata do të dalin patjetër triumfal, ju jeni ata që do të ikni nëse jo tani, por në t’ardhmen gjithsesi, ngase shteti që po ndërtohet kështu është autokratik, duke u instaluar despotizmi përmes grupit oligarkik ” të sundimit të njëshit”, e demokracia e premtuar, vlerat e lirive qytetare, ku mbetën ato…është plotësishtë e qartë se ata ishin zëvendësuesit e UNMIK-ut, se u regrutuan nga ata për të ardhur në këtë vend ku janë tani… dhe duhet të bëjnë ashtu si u thonë ata. A nuk po I ngjanë i tëri ky skenar-spektakël folkut ballkanas “tallava”, koktel i përzier rom-sllav i stilit “esma-rexhepova” me “pornografi” të theksuar.
Populli kurrsesi t’a marrë veten të dallojë të mirën nga e keqa. Mbivlerësohen kultet dhe gjërat e pa vlerë, krijohet miti i kaçakut modern, fajdexhiu ka vendin në ballë të oxhakut dhe i nënvlerëson gjërat e vlefshme, nuk ka vend për shkenctarë, mjekë, inxhinierë.. nëpër gazeta surrati i “mafiozëve” është i përditshëm në shtypin ditor, i riu takohet që në fillet e ndërtimit të personalitetit me “kopukun” mburravec, që grumbullon rreth vetes shumë të rinjë të humbur, nga skamja, por edhe nga moskujdesi institucional, kështu ndërtohet krenaria falso dhe shumë e rrezikshme, dhe përballja e përditshme me shoqërinë grindavece, të pa edukuar e ndërtuar në urrejtje, dhe krejt mbi ta qëndrojnë politik-ucët nëpër institucione, fatkeqësisht shumë të panjerzishëm. Njerëz hileqarë, të pangopur ngatërrojnë vlerat perëndimore dhe lindore. Çdo gjë që besohet se është nga perëndimi nga shumë qytetarë verbërisht pranohet si e dobishme, edhe pse bota i ka edhe tri pole tjera, me shumë vlerë. Pse nuk e kuptojmë se vlerat nuk ndahen në pole, duhet të kuptojmë se të arriturat e botës së sotme janë rezultat si i Perëndimit ashtu edhe i Lindjes, i Jugut e Veriut, e jo vetëm i njërës siç mendojmë ne. Fundja në Kosovë ishin unmikasit e përzierë, tash eulex-asit, dhe ec e merre vesh, cilat janë detyrat e tyre, por ne shqiptarët autokton nuk komunikojmë dhe nuk dijmë të komunikojmë, zhurmë, jo fjalë, me shumë shkollarë publik e privat.
Çështjet shumë të çarta nacionale, pa vetëdije janë lidhur nyje. Është krijuar një skemë shumë e ndërlikuar, ajo e konvertimit kombëtarë, gjuhësorë, por edhe fetar duke zhvilluar besimin në valutë konvertibile euro. Po pse i ndërlikojmë gjërat? Edhe pse kemi sy, sytë tanë kombëtarishtë nuk shohin, edhe pse kemi vesh, veshët tanë nuk janë mësuar të dëgjojnë kombëtarishtë, edhe pse kemi mend, kombëtarishtë nuk mendojmë. Ato shohin, dëgjojnë dhe mendojnë vetëm lokalisht dhe “Aahtisari-isht”. Qytetari votues nderon, përgëzon hajnin, mashtruesin, në vazhdimësi, ndërsa fyen dhe akuzon veprimtarët e përkushtuar, duke iu rikthyer gjumit historik. Pra, realisht më lehtë është t’u besosh përrallave se sa botës reale që të rrethon, dhe është vështirë shumë vështirë që të krijosh dhe të ndërrosh psikologjinë e robit për të kaluar në atë të njëmendët qytetare.