leoni

Në emër të popullit”…, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët, milicët, dënuan dhe ndëshkuan brutalisht dhjetëra mijëra bashkëkombës (Koment RKL)

“Në emër të popullit”…, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët, milicët, dënuan dhe ndëshkuan brutalisht dhjetëra mijëra bashkëkombës (Koment RKL) Kurrë nuk do të harrohen gjykimet dhe dënimet drakonike, që ndërmori politika titiste jugosllave kundër liridashësve të Kosovës, dënime të cilat ishin intensifikuar sidomos pas protestave studentore të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, kur rinia përparimtare e vendit tonë dhe grupet patriotike, që vepronin fshehur, tashmë kishin arritur të bënin ndarjen e madhe mes shqiptarëve liridashës, që kërkonin liri, drejtësi e barazi shoqërore dhe klasës pacifiste projugosllave, e cila e pranonte prosperitetin dhe ardhmëninë e lumtur të shqiptarëve në bashkësi me popujt sllavë në RSFJ.

“Në emër të popullit”…, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët dhe shumë ish-milicë shqiptarë dënuan dhe ndëshkuan brutalisht dhjetëra mijëra bashkëkombës liridashës nga të gjitha trojet etnike shqiptare (të okupuara nga Jugosllavia ) deri në qershor të vitit 1999. Po sjellim një shembull nga gjykimet e tilla, duke afishuar kronologjikisht aktgjykim e 15 shkurtit të vitit 1983, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kundër një grupi të madh nacionalistësh e irredentistësh shqiptarë. 

Në emër të popullit… ( P-K.nr. 167/82) 
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në kolegjin e përbërë nga gjyqtari, Mentor Qoku, kryetar, nga gjyqtarja e kësaj gjykate, Verosllava Dimiq dhe gjyqtarëve porotë: Dojqin Maksimoviq, Ilaz Aliu dhe Emin Azemi, në pjesëmarrjen e punëtores së kësaj gjykate, Atifete Krasniqi, procesmbajtëse, në çështjen penale kundër të akuzuarve: Rexhep Maqedonci, Adem Prapashtica, Nusret Ahmeti, Kadri Cakiqi, Adem Dervisholli, Sabit Gashi dhe Skënder Vardari, të gjithë për veprën penale “Bashkim për veprimtari armiqësore” nga neni 136. alineja 1, lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të RSFJ, 
Lutfi Maqedonci, Fatmir Graiçevci, Bahtir Ahmeti, Martin Çuni, Meriman Braha, Osman Maqedonci, Arban Hoxha, të gjithë nga Prishtina, Naim Mahmudi nga Dragonishta e Vogël KK Kërçovë dhe Ahmet Islami nga Prishtina, të gjithë për vepër penale “Bashkim për veprimtari armiqësore” nga neni 136, al. 1 e LP të RSFJ, lidhur me nenin 114, Avdi Krasniqi nga Peja për vepër penale “cenim kundërrevolucionar i rregullimit shoqëror” nga neni 114, 
Ahmet Qeriqi nga Shtimja, Zenun Gjoci nga fshati Gjocaj, Hamëz Morina nga fshati Llashkadrenoc, Sallah Jonuzi nga Ferizaj dhe Idriz Isufi nga Prishtina për vepër penale “Propagandë armiqësore” nga neni 133. al. 1 dhe i akuzuari Agim Ahmeti për vepër penale “Moskallëzim i veprës penale” nga neni 172 al. 1, sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë pp.nr. 152/82, 156/82, 158/82,…. në prani të të akuzuarve dhe të avokatëve mbrojtës, shumica syresh me detyrë zyrtare si: Mehmet Dushku, Zeqir Arni, Zhivojin Jokanoviq, Ivko Jagodiq, Engjëll Çeta, Hasan Kryeziu, Gavrilo Vuleviq, Latif Krasniqi dhe Avni Gjakova, gjatë mbajtjes së seancave “publike” prej 7 deri më 12 shkurt të vitit 1983, në prani të përfaqësuesve të aktakuzës, zëvendës-prokurorëve të Qarkut në Prishtinë, Reshat Millaku dhe Ruzhdi Kozmaqi, më 15 shkurt 1983 shpalli aktgjykimin dhe dënoi të akuzuarit: 

Rexhep Maqedonci, 14 vjet burg, 
Adem Prapashtica, 11 vjet burg, 
Nusret Ahmeti, 10 vjet burg, 
Kadri Cakiqi, 6 vjet burg, 
Adem Dervisholli, 6 vjet burg, 
Sabit Gashi, 8 vjet burg, 
Skënder Vardari, 8 vjet burg, 
Lutfi Maqedonci, 6 vjet burg, 
Fatmir Graiçevci, 9 vjet burg, 
Bahtir Ahmeti, 5 vjet burg, 
Martin Çuni 8 vjet burg, 
Meriman Braha 7 vjet burg, 
Osman Maqedonci, 5 vjet burg, 
Arban Hoxha, 5 vjet burg, 
Naim Mahmudi, 2 vjet burg, 
Ahmet Islami 5 vjet burg, 
Avdi Krasniqi, 7 vjet burg, 
Ahmet Qeriqi , 8 vjet burg (dënimi unik për dy vepra të njëjta “penale”) 
Zenun Gjocaj, 6 vjet burg, 
Hamëz Morina, 5 vjet burg, 
Sallah Jonuzi, 3 vjet burg, 
Idriz Isufi, 2 vjet burg, dhe 
Agim Ahmeti, 1 vit burg. 

Të akuzuarve: 
Ahmet Qeriqi, 
Zenun Gjoci, 
Meriman Braha, 
Martin Çuni, 
Adem Dervisholli, 
iu shqiptua masa e ndalimit të ushtrimit të profesionit tre vjet pas përfundimit të burgut. 

Këto vite burgu i “ndau” drejtësia jugosllave” më 15 shkurt të vitit 1983, në Gjykatën e Qarkut, në Prishtinë. 
Këto vite burgu për studentët, punëtorët dhe profesorët shqiptarë, të cilët kërkonin avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, i firmosen: 
Isak Nishevci, gjykatës hetues, 
Mentor Qoku, kryetari i Trupit Gjykues, 
Ilaz Aliu dhe Emin Azemi, porotë, 
Ruzhdi Millaku dhe 
Ruzhdi Kozmaqi, prokurorë, 
Lutfi Ajazi, inspektor hetues, 
Xhavit Kuçi, inspektor hetues, 
Bashkim Kursani, 
Zymber Zymberi,
Faik Nura, 
Ibush Kllokoqi, 
Lorenc Selmani, 
Zoran Lakiçeviqi, 
Ismail Arifaj e shumë të tjerë. 

Tashmë kanë kaluar 24 vjet nga ajo kohë. Shumëçka ka ndryshuar gjatë këtyre viteve. Të gjithë të dënuarit kanë vuajtur dënimet. Disa prej tyre kanë qenë të dënuar edhe më parë, po për vepra të tilla penale. Martin Çuni është dënuar edhe një herë, gjatë kohës sa ishte në vuajtje të dënimit, disa janë keqtrajtuar rëndë, si: Fatmir Graiçevci, Nusret Ahmeti, Skënder Vardari, Sabit Gashi, Lutfi Maqedonci e të tjerë. Pas vuajtjes së dënimit, të gjithë qenë degdisur, secili në përpjekje për të mbijetuar. Shumica prej tyre nuk u penduan dhe sapo u liruan nga burgjet vazhduan veprimtarinë e tyre të organizuar antipushtuese. 
Disa, sapo u liruan mërguan në shtetet e Evropës dhe mbeten atje, por edhe atje nuk qëndruan duarkryq, por ndihmuan fondet për çlirimin e vendit. Disa prej tyre iu bashkuan luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në ditët e para. Shumica dërrmuese e tyre e përkrahu luftën e UÇK-së në forma dhe mënyra të ndryshme. 
Për fat të mirë të gjithë janë gjallë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Asnjëri prej tyre nuk është pasuruar në mënyrë të paligjshme. Disa syresh jetojnë në varfëri, ashtu sikur kanë jetuar edhe në të kaluarën. 

Po ku janë, gjyqtarët, hetuesit, prokurorët?

Edhe ata, me ndonjë përjashtim, të gjithë janë gjallë, të paktën fizikisht. Disa prej tyre edhe pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe punojnë edhe aktualisht si gjyqtarë, prokurorë dhe inspektorë. Atyre nuk iu mungoi as një fije floku. Ishin super mirë me regjimin e Titos, të cilit i shërbyen me besnikëri, ishin mirë edhe me regjimin e kryekriminelit Milosheviq, të cilit, disa syresh i shërbyen dhe i shërbejnë po ashtu me besnikëri, ndihen shumë mirë edhe sot në vendet e tyre të përjetshme të punës, në Kosovën e administruar nga regjimi i UNMIK-ut. 
Isak Nishevci me gjyqtarë të tjerë ( dhe jo vetëm ky) ende heton dhe akuzon luftëtarë të lirisë. 
Reshat Millaku dhe Ruzhdi Kozmaqi janë prokurorë të Kosovës, së bashku me tërë kohortën e prokurorëve, shërbëtorë të ish regjimit gjakatar serb. Lutfi Ajazi, inspektor famëkeq, thonë se ndodhet diku në Serbi apo gjetkë, i ikur së bashku me forcat kriminale serbe, në qershor të vitit 1999. Thonë, se nganjëherë tinëz viziton të afërmit në Kosovë. 
Edhe të tjerët këtu janë. Ata janë ngritur edhe më shumë ekonomikisht. Ata i gjen të postuar në shumë resorë të Qeverisë së Kosovës, në OSBE, në detyra shumë me rëndësi, të postuar me preferencë të regjimit aktual të Beogradit. Për të tillët përkujdeset policia ndërkombëtare dhe SHPK-ja, e cila ka mjaft të tillë edhe në radhët e veta. Këta kanë përfituar në kurriz të çlirimit të Kosovës dhe kanë ngritur pasuri përrallore, secili më shumë se tjetri. 
Andaj Kosova ka mbetur peng. Ka mbetur peng, sepse Serbia llogarit në njerëzit e vet, llogarit në ata shqiptarë, të cilët gjatë tërë jetës i shërbyen asaj me besnikëri dhe shumë syresh edhe sot punën e Serbisë e bëjnë në Kosovë. Llogarit edhe në ata qindra mijëra shqiptarë të mjerë, të cilët me vetë dëshirë kanë nxjerrë dhe shërbehen me pasaportat e Serbisë… 
Llogarit Beogradi madje edhe te ata mjeranë shqipfolës, që vrasin njerëz të pafajshëm në Kosovë dhe gjejnë strehim në Serbi…. 

Këto mbeturina, tashmë të rifreskuara, të ish regjimeve okupatore kriminale, ende formulojnë aktakuza kundër luftëtarëve të lirisë, duke marrë për bazë deponimet e sajuara në akuzat e Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë. Ata asnjëherë nuk i kanë kërkuar falje popullit, në emër të të cilit i kanë kryer ato krime. Ata, nuk u kanë kërkuar falje as viktimave, madje këtë nuk e kanë bërë qoftë edhe deklarativisht, sepse ende vazhdojnë veprimtarinë e tyre të zezë dhe shumë të damkosur kundër interesave të kombit e atdheut. 
Dhe, kjo është e pafalshme. Me njerëz të tillë në krye të institucioneve me përgjegjësi nuk mund të arrihet pavarësia e Kosovës. Me bashkëpunëtorët e tillë të ish nomenklaturës jugosllave nuk mund të fitohet asgjë e ndershme dhe e moralshme. Me të tillët, të postuar nëpër vende udhëheqëse, kemi siguruar agoninë tonë, e cila po zgjat edhe tetë vjet pas çlirimit të Kosovës nga regjimi barbar, okupator, serb. Agonia, do të vazhdojë derisa Serbia ende i mban lidhjet e veta të shumta me ish pushtetarët, ish dhe aktualisht prokurorët, gjykatësit, inspektorët, policët e milicët e dikurshëm dhe tërë sojin e hafijeve e kriminelëve. 
Këto lidhje janë të shumta dhe kapin shumicën e sferave të jetës së organizuar institucionale, të mafies, të nëntokës dhe të gjitha llojeve të trafiqeve. Këto lidhje janë kobi dhe fatkeqësia jonë. Këto lidhje kanë bërë dhe bëjnë që Kosova të mbetet peng i politikave hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë. 
Në emër të asnjë lloj “tolerance” apo “humanizmi” nuk ka qenë dashur, që në Kosovën e çliruar nga bijtë dhe bijat më të përkushtuara të kombit, sërish të kthehen në vendet e tyre të punës, prokurorët, gjyqtarët, inspektorët, milicët dhe politikanët e regjimeve okupatore jugosllave. 

Të paktën, ka qenë dashur të mos kthehen, ata, më të damkosurit, meqë duhet pranuar faktin se nga mesi i tyre pati edhe të ashtuquajtur “oportunistë”, të cilët nuk u treguan të zellshëm në jetësimin e platformave jugosllave, antishqiptare, në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, duke filluar sidomos prej marsit dhe prillit të vitit 1981, kur edhe filloi shpërbërja faktike e RSFJ-së, të sëmurës së Ballkanit, burgut të popujve… 
Kthimi në skenën politike dhe në atë institucionale i shumë prej bashkëpunëtorëve më të damkosur të ish regjimit okupator ndodhi edhe me fajin e një pjese të kreut të luftës, pjesë kjo e cila në rrethana jo edhe aq të njohura kishte vënë lidhje bashkëpunimi, kishte koketuar dhe aktualisht koketon, me sojin më të damkosur të bashkëpunëtorëve të regjimit.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …