leoni

Isuf Ismajli: Çdo mënjanim nga rruga e lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë, do të dështojë

Për të gjithë analistët e vëmendshëm zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë dhe në trojet të tjera shqiptare nuk është diçka e ardhur befasisht, si një furtunë a një tërmet. Tanimë vetë zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë është shumë i qartë dhe fjala e ndërkombëtarëve kalon nëpër kanale diplomatike patjetër, por nuk është duke kaluar nëpër tunelet misterioze për t`u fshehur e vërteta mbrapa maleve. Por siç thotë edhe fjala popullore: “Pilafi më s`mban ujë”. Edhe për njeriun më të pavëmendshëm në trojet shqiptare është bërë e qartë, se shakatë e politikës ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës nuk kanë të ndalur, ashtu siç nuk kanë të ndalur edhe injoranca, poshtërsia, tragjizmi dhe komizmi, por edhe tradhtia e shumë politikanëve shqiptarë. 
Pritje pas pritjesh, premtime kote, iluzione pas iluzonesh, shqiptarëve të Kosovës iu thanë shkoni të bisedoni me serbët 120 ditë, merruni vesh dhe bëni negociata, që do të thotë në dëm të tyre e jo të serbëve dhe grupi i unitetit pranoi, do të shkojë dhe dihet përse. Nga lëshime pas lëshimesh, dëme pas dëmesh, gabime pas gabimesh e qëllime pas qëllimesh të errëta, përfitoi Serbia gjithnjë e më shumë nga negociatorët e Kosovës, nga të cilët ka injorantë, që nuk dinin të bënin dallimin e fjalëve zgjedhje dhe zgjidhje, statut e status, po për zgjidhje thoshin zgjedhje e ngatërrime, shtrembërime a pasaktësi të tjera fjalësh kanë bërë shumë shpesh. Kjo dukuri e ngatërrimit dhe shtrembërimit a pasaktësisë të fjalëve vihet re edhe tek njerëzit e ndryshëm në parlament e institucione të tjera si dhe në përbërjet politike të shumta në Kosovë. 
Pasi përfitoi Serbia dhe serbët aq shumë në Kosovë, pasi ata u trajtuan si engjëjt duke i përkëdhelur, duke iu krijuar favore e duke investuar për ta pikërisht këta të parët e Kosovës, serbët thanë se jo që nuk do të ketë pavarësi Kosova, por ajo është Serbi, prandaj kërkuan leje nga institucionet evropiane e ndërkombëtare të ktheheshin ushtria dhe policia serbe në ato zona ku ka serbë dhe pastaj është e vetëkuptueshme se ç`mund të ndodhë në Kosovë. 
Pas gjithë kësaj, pas ca ditë do të rifillojnë negociatat serbe me negociatorët e Kosovës të ashtuquajturit Grup i unitetit, sepse serbët duan të përfitojnë sa më shumë. 
Është e pamundur njeriu t`i numërojë krimet dhe barbaritë që kanë bërë regjimet serbe mbi shqiptarët e megjithëkëtë grupi i unitetit do të shkojë për bisedime me serbët. Kushdo që pret diçka të mirë nga negociatat me Serbinë ka dëshirë të gënjehet. Njeriu normal e kupton qartë, se ç`mund të pasojë nga këto negociata. Me këtë rast nuk është zor të kuptohet e vërteta. 
Ata dhurues shqiptarë që iu falin toka serbëve, që nuk këmbëngulin e madje as edhe nuk përmendin se patjetër duhet t`i ndëshkojë drejtësia ndërkombëtare, pikërisht kriminelët e pushtuesit, dhunuesit, hajdutët e xhelatët serbë dhe regjimet e tyre, ata që nuk ju kërkojnë llogari këtyre barbarëve, por i trajtojnë dhe iu krijojnë aq shumë favore më shumë se popullin e tyre, janë në gjendje të pajtohen që Kosova të jetë prapë nën sundimin e Serbisë. 
Lidhur me këto shtrohen edhe pyetje të tjera: Përse politika a institucionet e shumta politike e diplomatike ndërkombëtare i kanë bërë presion shqiptarëve për kërkuar vetëm minimumin e të drejtave tyre? 
Përse këto institucione dhe kjo politikë a diplomaci e nxjerrë si argument vendosmërinë dhe këmbënguljen serbe e sllave për zvarritjen ose pamundësinë deri më tani të zgjidhjes së çështjes shqiptare, siç parashikohet zgjidhja e çështjeve kombëtare sipas të drejtave e dokumenteve ndërkombëtare ? Përse nuk u kuptua drejt lufta dhe gjaku i dëshmorëve të lirisë e bashkimit kombëtar edhe gjatë kohës së UÇK-së? 
Përse u bënë kaq shumë vonesa të pafalshme në kuptimin e zgjidhjes të çështjes shqiptare? 
Përse mendohet dhe nga nëntekstet e politikanëve ndërkombëtarë lexohet, se ne si popull shqiptar nuk jemi të zotët e vetvetes? 
Përse u demobilizua dhe u çarmatos UÇK pas Luftës? 
Sa shtrenjtë është duke paguar Kosova në veçanti dhe Shqipëria së toku, durimin dhe nënshtrimin? 
Përse vallë u dashka t`i fshehim qëllimet tona kombëtare për bashkimin e Atdheut e popullit? 
Nuk do të na kuptojë Amerika, Evropa dhe politika ndërkombëtare përgjithësisht, apo duam t`i hedhim hi syve amerikanëve evropianëve etj., se çështjen tonë kombëtare do ta zgjidhim shkallë – shkallë, me fjalë të tjera mos vallë dashkan politikanët shqiptarë të bëjnë një diplomaci dhe politikë, që diplomatët dhe politikanët e brumosur me dredhi me intriga e pabesi, me interesa dhe intuitë të shkëlqyer të Amerikës, Evropës dhe institucioneve ndërkombëtare nuk do t`i kuptojnë këto që bëjnë shqiptarët, fjala vjen njëherë “të na vijë” pavarësia, apo “të na japin pavarësinë”, ose konfuzioni tjetër gjuhësor e logjik “të ndodhë” pavarësia, siç shprehen disa në Kosovë, pastaj të bashkohemi? 
A po pikërisht politikanët shqiptarë në të gjitha hapësirat shqiptare duan t`i mbrojnë vetëm pozitat e tyre, objektivat e tyre personale, grupore partiake e të tjera pa u hamendur fare se shkelin mbi idealet e shenjta shqiptare, pa e marrë parasysh gjakun e dëshmorëve të popullit që dhanë jetën, pa i marrë parasysh sakrificat e heroizmat e mëdha mbinjerëzore për lirinë e bashkimin e Atdheut?! 

Lëngon edhe politika e Shqipërisë 

Zhvillimet e ngjarjeve qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në trojet të tjera të saja të ndara me dhunë e terror nga pushtuesit sllave, grekë, me bekimin e “ drejtësisë “ e të “demokracisë” evropiane, janë në një gjendje tragjike edhe për një fakt tjetër, që ka të bëjë me politikën e diplomacinë shqiptare përgjithësisht, që ka të bëjë me kaq shumë parti politike shqiptare të degëzuara të cilat janë duke bërë përçarje e turbullim të masave popullore. Politika e dalë nga këto pati dhe institucione shqiptare marrë përgjithësisht në trojet etnike shqiptare është politikë e batakut, është politikë pa dinjitet, e përfaqësuar nga politikanë, që nuk kanë kurajo ta thonë të vërtetën, sepse nuk kanë mbajtur dhe as që duan ta mbajnë kurrizin drejt, nuk kanë kurajon madje as pjesën e popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset të tjera shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ta quajnë natyrshëm me kuptimin e plotë të fjalës shqiptarë, por thuhen fjalë të çuditshme si : “qytetarë kosovarë” dhe “komuniteti” serb në Kosovë, pastaj dëgjohen jo rrallë edhe fjalë skandaloze si: këngëtarë kosovarë dhe këngëtarë shqiptarë, politikanë kosovarë dhe politikanë shqiptarë ….. 
Këto dhe shumë të tjera janë jo vetëm gafa të paqëllimshme të disa gazetarëve, a njerëzve të tjerë në Tiranë a në Prishtinë, por janë edhe të qëllimshme të një pjese tjetër sidomos të politikanëve, meqë qenka e “domosdoshme” që të bëhet njëfarë veçimi sipas ndarjeve kufitare, dhe kështu gjoja për t`i treguar opinionit e politikës ndërkombëtare se ja Kosova dhe Shqipëria, populli shqiptar nuk dashka të bashkohet, duke bërë, kështu shkelje të pafalshme kombëtare. Kjo pikërisht shpreh atë qëndrimin poshtërues në raporte kombëtare. 
Jo vetëm në politikë , por edhe në jetën e përditshme qëllimet pa dinjitet janë afatshkurtëra, pastaj pikërisht për faktin e thjeshtë se të tjerët e kanë shumë lehtë për të lozur me ardhmërinë e të dobëtit, pa dinjitet e marrin nëpër këmbë lirinë dhe të drejtat e natyrshme njerëzore e kombëtare. Këtu do flitet edhe për ata politikanë që mendjen e kanë të robëruar në Beograd, të cilët e luftojnë për vdekje bashkimin e kombit shqiptar. 
Politika përkulëse pa dinjitetet para ndërkombëtarëve, qoftë në Kosovë qoftë në trojet të tjera shqiptare e ka dëmtuar e po e vështirëson ndjeshëm zgjidhjen çështjes shqiptare. Por, edhe pse bëhen përpjekje të tilla dhe rrjedhimisht janë krijuar e po krijohen lloj – lloj shpikjesh terminologjike, të shoqëruara me veprimtari të dendura antishqiptare me qëllim që të mos zgjidhet çështja shqiptare, sepse kështu dashka “Amerika a bota” nuk mund t`ia arrijnë përfundimisht qëllimit të tyre, por do ta dëmtojnë dhe vështirësojnë shumë, pikërisht çështjen shqiptare. 

Çështja shqiptare është një çështje e hapur, andaj kërkon trajtim dhe zgjidhje të drejtë 

Një çështje që pret për t`u zgjidhur, të cilën mund dhe duhet patjetër ta zgjidhim ne shqiptarët e të mos tallemi me vetveten. Kur një popull së bashku me udhëheqjen e tij është i vendosur për t`i jetësuar të drejtat e tij natyrore, siç është liria, pavarësia, bashkimi kombëtar, kur ka një vullnet të pathyeshëm për ta mbrojtur qenien e vendin e tij, për të ndërtuar e zhvilluar atdheun, natyrisht që ia del mbanë, por jo duke nisur punët e mira e të mbara në binarë të drejtë e gjatë rrugës duke i shtrembëruar e zhdukur qëllimet e atyre punëve e veprimtarive kombëtare e njerëzore, po duke i jetësuar deri në një, pikërisht këto qëllime madhore për të cilat zotohet. 
E drejta për vetëvendosje është shumë e natyrshme ashtu siç është edhe e drejta për bashkim kombëtar të popullit shqiptar dhe trojeve të Shqipërisë, por jo rrallë ka ndodhur të ndalet puna e mirë dhe mbarë në fillim të rrugës a në gjysmën e saj. 
Pasi që në të kaluarën, para Luftës dhuna terrori shtypja me kërbaç policor serb me tanke, topa ushtarakë jugosllavë, duke i i burgosur djemtë e vajzat e shqiptare, mbi të cilët kanë ushtruar një dhunë të egër fashiste e barbare, duke i gjakosur e madje edhe ca duke i vrarë, si dhe demonstrimi i kësaj force ushtarake dhe veprimet e saj, kanë arritur përkohësisht t`i ndalin këto punë e veprimtari në gjysmë të rrugës, por nuk arritën kurrë t`i shuajnë fare, ndërsa tani është turp e faqe e zezë të heshtet, të mos punohet e të mos veprohet, të lihet puna e veprimtaria në gjysmë ose të harrohet fare, kur po ndodhin të gjitha këto mynxyra në Atdheun tonë, kur sot ka kushte rrethana të favorshme të punojmë e veprojmë për t`i jetësuar ato qëllime të shenjta kombëtare e njerëzore njëkohësisht. Ato qëllime pra të shenjta të ribashkimit të popullit shqiptar e të trojeve të Shqipërisë. 
Çdo shmangie nga rruga e lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë do jetë e pasuksesshme, sepse Kosova dhe trojet të tjera të shqiptare së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë dhënë bij e bija heroike, gjak e sakrifica, për ribashkim, prandaj mbi këtë gjak mbi këto heroizma, mbi porositë e heronjve e dëshmorëve kushdo që përpiqet për të shkelur do të dështojë. Ka dhe do të ketë Shqipëria e tërësishme djem e vajza që do t`i jetësojnë idealet e shenjta shqiptare.
Shqipëria dhe shqiptarët do të bashkohen, sepse duan të mbijetojnë dhe për të mbijetuar e për t`u paraqitur të denjë, të fortë me një të ardhme të sigurt, për të mos na shkelur e shtypur si qyqarët askush, për të pasur një ekonomi e zhvillim normal, për të mos pasur tronditje, mjerim e shëmti, na duhen rrezet e ngrohta të ribashkimit shqiptar, na duhet si drita e syve, si zemra që pa të s`ka jetë: Shqipëria e ribashkuar natyrshëm. 
Do të kalojnë afatet tre e katër muajsh, disa e shumë ditësh, që do t`i përcaktojnë ndërkombëtarët e vendësit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por mjegullën e dendur antishqiptare nuk mund ta shpërndajnë, e ndërsa vetëm gjaku i dëshmorëve, heroizmat e porositë që na vijnë nga historia, puna, veprimtaria, dashuria e përkushtimi për ribashkimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë shkëlqimi i lirisë, i pavarësisë së tërësishme, i krenarisë dhe forcës së madhe shqiptare. 


Isuf Ismajli: Realiteti që dhemb dhe shqetëson pa masë 


Në qoftë se një pjesë e qytetarëve shqiptarë e kanë pasur vështirë për t`i kuptuar disa nga pikëvështrimet e synimet një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare a strukturave politike e diplomatike evropiane apo botërore për Kosovën dhe çështjen shqiptare përgjithësisht, tani është fare e qartë se ku duan të dalin ata. Kjo mbase nuk është fare vështirë për t`u shpjeguar, kur kemi parasysh shprehje siç janë : multietniciteti, decentralizimi, negociatat, kompromisi etj.
Si shkëlqimi i diellit, shihet e vërteta e hidhur madje tragjike e viseve të Shqipërisë së natyrshme, si Kosova, e cila historikisht po rrudhet e ngushtohet përherë e më shumë.
Nuk na duhen syze speciale a thjeshta për t`i porositur as në Amerikë as në Zvicër e as në ndonjë shtet tjetër të kamur, sepse zhvillimet politike dhe bisedimet a negociatat me Serbinë janë duke shfaqur një realitet të kobshëm, një realitet që t`i shpon sytë.
Në qoftë se bëhet një shpjegim i termave të sipërpërmendur, menjëherë si fillim duhet të thuhet se do të duhej të përfshiheshin brenda një teme me një titull të përbashkët. Kështu do të tingëllonte një titull i një shkrimi a analize: Privimi i të drejtës së natyrshme të popullit shqiptar dhe trojeve të tij etnike për bashkim kombëtar.
Vetë një titull i tillë do të linte për të kuptuar se multietniciteti, decentralizmi, negociatat, kompromiset, zezonat e mynxyrat janë përmbledhur fuqishëm, jo vetëm në mendjet, gojët, punët e veprimtaritë ndërkombëtare, por edhe në radhët e përbërjeve politike, qeveritare, parlamentare, partiake e shoqërore të një pjese të madhe të vendësve, pra të kësaj pjese të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, për të mohuar kështu të drejtën shumë të natyrshme për vetëvendosje, pra të drejtën për të shprehur, vepruar e jetësuar ribashkimin e Shqipërisë.
E drejta për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar të viseve shqiptare është një drejtë e pamohueshme e patjetërsueshme e logjikshme, natyrore dhe tërësisht e mundshme, por ajo nuk vjen vetë, siç vjen pranvera, ajo nuk jetësohet për njerëz të fjetur e as të vdekur, ajo nuk realizohet kur i thuren intriga e i vihen barrikada, kur e goditin për vdekje dhe djegin në zjarrin e interesave egoiste, ekonomike, politike e diplomatike, jo vetëm të ndërkombëtarëve, por edhe të një pjese të madhe të shqiptarëve nga të gjitha hapësirat e tyre, si dhe kur ndaj këtyre shëmtive heshtet dhe vetëm heshtet dhe bëhet një heshtje varri. Bashkimi i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar vjen shumë natyrshëm, sado pengesa të ketë, vetëm kur për këtë bashkim të veprohet e të punohet pa u ndalur, kur shqiptarët në përgjithësi, këtë ideal të shenjtë e bëjnë busullën e tyre të jetës e gjallërimit, jo vetëm për vetën e tyre, por edhe për fëmijët e vet, kur këmbëngulin për të drejtat e tyre kombëtare njerëzore, kur sakrifikojnë dhe hidhen pa hezitim në zjarrin e betejave të mëdha atdhetare e jetësore përgjithësisht. Për të pasur një vetëdije të tillë, do të duhej të buçisnin radiot e mjetet e tjera të informimit dhe të mos linin të vetmuar vetëm Radion Kosova e Lirë, e cila e ka kryer në kohë të vështira e lufte dhe po vazhdon të kryejë detyrën e saj të shenjtë për lirinë e plotë e bashkimin kombëtar.
Në qoftë se do të donim ta shtjellonim më tutje prapaskenën e cytjeve evropiane për bisedime a negociata me Serbinë dhe qëndrimet ndërkombëtare gjithanshëm e lojën e tyre me terminologji e me fjalamani, atëherë mund të thuhet pa ngurrim se multietniciteti ka një kuptim të veçantë për Kosovën, meqë dalëngadalë synohet të shuhet krenaria e të qenit shqiptar dhe kështu të bëhet një tymnajë për njëfarë kosovarizmi, njëfarë ri vëllazërimi të tipit titist, njëfarë katrahure të dëmshme e të rrezikshme kombëtare për shqiptarët dhe trojet e tyre stërgjyshore.
Decentralizmi është duke u paraqitur si kuçedër e cila po i përpinë tokat shqiptare për t`jua dhënë serbëve për manastiret, për objektet fetare ortodokse, siç është rasti i 800 hektarëve tokë që iu dhanë Manastirit të Deçanit, siç është zezona tjetër e krijimit të komunave nëpër enklavat serbe, që do të jenë gjithnjë si bomba të kurdisura kundër Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Decentralizimi nuk mund të shpjegohet ndryshe përveç si një qëllim politik, përkëdhelës për Serbinë e për t`i dhënë asaj mundësinë për kontroll të vazhdueshme mbi Kosovën, për mos e lënë të qetë dhe për ta destabilizuar atë sa herë që duan serbët. Ja se ç`bisedime janë bërë e po bëhen me Serbinë, ja se në ç`rrugë qorre po futet Kosova.
Porosia politike e diplomatike evropiane është e qartë: kompromise, madje edhe të dhimbshme, jo në dëm të serbëve, por të shqiptarëve. Në vend se bisedimet të bëheshin në radhë të parë në mes të politikanëve vendës shqiptarë me ndërkombëtarët dhe t`ju thuhet qartë se jo që nuk mund të bisedohet për kompromise me xhelatët serbë për ndarjen e Mitrovicës, për rrudhjen e ngushtimin e tokave shqiptare me enklava e me dhurata tokash shqiptare kishave e manastireve serbe, por ne do ta ngremë zërin lart e më lartë për viset etnike shqiptare që i kemi deri afër Nishit, nga të cilat shteti serb, ushtritë e policitë serbo – jugosllave, historikisht i kanë dëbuar shqiptarët, shumë prej të cilëve edhe i kanë masakruar, vrarë dhe torturuar mizorisht. Janë shumë e shumë argumente të tjera që do të mund të na shërbenin për të argumentuar historinë shqiptare në ato troje, duke mos lejuar rrudhjen e trojeve të tjera shqiptare. Për këto argumente do të duhej të shfletohej e të lexohej me kujdes historia, do të duhej gjithnjë me këmbëngulje të punohet e të veprohet, e pse jo edhe të sakrifikohet për Atdheun.
Cilido shqiptar që merr pjesë në bisedime me serbët, duhet ta ketë të qartë, se ka marrë një përgjegjësi të madhe, ka një barrë të madhe mbi supet e veta, prandaj lëshimi pe apo edhe bërja e punëve dhe miratimi i vendimeve për hir të ndërkombëtarëve, ose të qëllimeve përfituese, karrieriste, partiake, në dëm të çështjes shqiptare i sjell plagë e dhimbje të mëdha Atdheut dhe popullit shqiptar.
Sorollatjet politike, diplomatike, qejfet karrieriste, demagogjike, krekosjet, kolltukët qeveritare e parlamentare në shtetet e copëtuara do të kenë një fund. Shqiptarët në viset e tyre kombëtare më në fund do ta kuptojnë se copëzimet me marrëveshje, me dosarë autonomish e pavarësish të gënjeshtërta vetëm do t`i dërrmojnë dhe nuk do t`ju japin bukë. Prandaj, në qoftë se duam të kemi qenësi të shëndoshë shqiptare, shtet, pavarësi, zhvillim e përparim, dinjitet e krenari, duhet të bëjmë ç`është e mundur, madje edhe të pamundurën do të duhej ta bënim, për ta bërë Shqipërinë me krah e degë, të bashkuar cep më cep. Atëherë dhe vetëm atëherë do të ketë pavarësi të Kosovës, njëlloj si në trojet e tjera shqiptare në përbërje të Shqipërisë shtetërore e të natyrshme.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …