ZV/ministri Makolli: Së shpejti hapja e punëtorisë për Brail në Qendrën e Aftësimeve Profesionale në Gjakovë

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli së bashku me Kryeshefin e Agjensionit të Punësimit Drin Haraçia kanë marrë pjesë në punëtorinë avokuese me akterët relevant për adresimin e mungesës së zbatueshmërisë së objektives së dytë të Strategjisë Nacionale që lidhet me punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj punëtorie u diskutua niveli i zbatueshmërisë së kësaj strategjie të punësimit për personat me aftësi të kufizuara me ç’rast u theksuan se në institucionet publike po ashtu edhe në ato private ka diskriminim në punësime dhe mungesë të zbatimit të ligjeve në fuqi. Zv/ministri Makolli gjatë takimit theksoi se për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ofron përkrahje të vazhdueshme përmes skemave dhe shërbimeve sociale. Makolli gjithashtu informoi të pranishmit se vitin e ardhshëm në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm do të bëjnë hapjen e një punëtorie për Brail në Qendrën e Aftësimeve Profesionale në qytetin e Gjakovës. Sa i përket akteve nënligjore, Makolli përmendi se këtë vit MPMS ka përgatitur disa akte nënligjore të cilat do ta rregullojnë pozitën e personave me aftësi të kufizuara dhe punëdhënësve potencial. “MPMS këtë vit ka përgatitur këto akte nënligjore: Rregulloren për lehtësirat tatimore dhe doganore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuara, Udhëzimin Administrativ për punëdhënësit që nuk punësojnë personat me aftësi të kufizuara, Udhëzimin Administrativ për vlerësimin e aftësisë së mbetur për punë si dhe Udhëzimin Administrativ për Komisionin Mediko-Social për vlerësimin e aftësisë së mbetur për punë”, tha ndër tjerash Makolli. Kryeshefi i Agjencionit të Punësimit, Drin Haraçia përmendi se Agjencioni i Punësimit në tërë Kosovën ka ndërmjetësuar 3 persona me aftësi të kufizuara dhe janë paraparë trajnime të shumta për këtë kategori. Ai tha se gjithashtu është e nevojshme reformimi i trajnimeve dhe përshtatja e tyre me nevojat e punësimit. Ndër mangësitë që u diskutuan gjatë punëtorisë kishin të bënin edhe me mungesën e një data baze sa i përket statistikës lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike dhe ato private. Kjo punëtori u organizua nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar me pjesëmarrjen e organizatave që merren me çështjen dhe trajtimin e personave me aftësi të kufizuara.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …