Adem Demaçi: KËRKOJMË NGA MIQTË TË DREJTËN

(Fjala e Adem Demaçit që u transmetua në protestën e mbajtur më 29 shtator 2007 në Bern të Zvicrës) 

Vëllerzër e motra! Zonja e zotërinj! Miq e dashamirës! 

Ju përshëndes dhe ju përuroj për këtë demonstratë paqësore, dinjitoze, demokratike, të cilën jeni duke e zhvilluar në kryeqytetin e një vendi në zemër të Europës dhe të një kryeqyteti të një vendi me demokraci të kristalizuar dhe të forcuar. Dhe keni bërë mirë e po bëni mirë që përsëri po vëheni në lëvizje, përsëri po organizoheni që të mbroni interesat e popullit tonë të shumëvuajtur dhe popullit tonë të martrizuar. Ju jeni duke jetuar në qendër të Europës, në qendër të një vendi me demokraci të kristalizuar dhe të formuar me shekuj. Prandaj edhe aty është vendi i vërtetë ku duhet ta ngrejmë zërin tonë që të na dëgjojë Europa demokratike, që të na dëgjojë Amerika demokratike, që të na dëgjojë e gjithë bota. 
Kërkesat e diasporës shqiptare janë njësoj sikur kërkesat e shqiptarëve aty ku jetojnë dhe ku përpiqen të mbijetojnë. Prandaj edhe zëri juaj, zëri i vëllezërve tanë që u detyruan nga trysnitë dhe terrori i serbomëdhenjve, të lenin trojet e veta dhe të kërkojnë shpëtim, të kërkonin bukën e gojës, për vete dhe për familjet e tyre. Prandaj edhe fjala e juaj do të dëgjohet. 
Keni bërë mirë që me mjete paqësore propozoni, kërkoni që çështja jonë të shqyrtohet me seriozitet. Ne kërkojmë nga vendet demokratike të Europës, ne kërkojmë nga Amerika demokratike, që të mos vazhdojnë edhe më tutje që të bëhen të shurdhër ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve, por, të dëgjojnë zërin e vërtetë të popullit i cili pa fajin e vet është ende duke kaluar nëpër tretmane të padrejta. 

Populli ynë pyet: 

Si është e mundur që Europa demokratike, Amerika demokratike, të shkelin parimin themelor dhe parimin mbi të gjitha parimet, për të drejtën për vetëvendosjen e popujve? 
Nuk ka rrugë më të drejtë dhe më të shkurtër e më të sigurtë për të zgjidhur problemet politike të popujve të robëruar, përveçse referendumit, përveçse të drejtës për vetëvendosje për popujt të cilët ende janë të robëruar ose që ende nuk e kanë lirinë e plotë. 

Ne kërkojmë gjithashtu që të na pranohet: 

jo vetëm liria, 
jo vetëm pavarësia, 
jo vetëm sovraniteti, 
– por të na pranohet e drejta që edhe ne të kemi armatën tonë, 
– të kemi armatën tonë për t’u mbrojtur nga apetitet, 
– nga synimet, 
– nga përpjekjet dhe 
– – nga vringëllimet luftarake që bën Serbia për të ripushtuar Kosovën. Ne nuk e kuptojmë, 

si është e mundur që një Serbi e cila bëri katër luftëra, e cila bëri gjithë ato mizori gjithandej Jugosllavisë, që nga Sllovenia, Kroacia, Bosna e Hecegovina dhe Kosova, 
– si është e mundur që Europa demokratike të mbyllë sytë dhe të lejojë madje që ata të përtërijnë armatën e tyre, 
– të forcojnë armatën e tyre, 
– të përtërijnë industrinë luftarake të tyre, 
– – t’u jepet e drejta madje që edhe të eksportojnë armë gjithandej botës, kurse neve na bëhet e pamundur që të kemi armatën tonë. 
– Neve mundohen të na mashtrojnë me disa struktura të quajtura si i themi ne Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat vetëm mund të shuajnë zjarre dhe mund të ndihmojnë diçka në fatkeqësi të ndryshme natyrore. 
– Duke i ditur të gjitha këto, duke i parë të gjitha këto, duke parë të gjitha këto lëshime të njëpasnjëshme që bën Europa demokratike dhe Amerika demokratike ndaj një shteti i cili bëri krime të papara, ndaj një shteti i cili ushtron terror shtetëror dhe ka ushtruar terror shtetëror mbi neve e sot ushtron terror shtetëror edhe mbi disa pakica të veta që ka aty brenda, mbi një milion rumunë janë të shtypur atje, mbi tre-katërqindmijë hungarezë gjithashtu nuk janë të kënaqur me tretmanin që kanë, me qindra mijëra boshnjakë gjithashtu nuk janë në gjendjen si duhet ta kishin dhe të drejtën që kanë. 
Si është e mundur që Europa, mikja jonë, sepse edhe ne jemi europianë, sepse edhe ne jemi rritur dhe jemi forcuar dhe jemi kristalizuar si popull në frymën e parimeve demokratike e kulturore të Europës, 
– si është e mundur që kjo Europë të lejojë një gjë të tillë për një shtet i cili dha prova se nuk meriton të trajtohet si partner ashtu si e trajton Europa dhe Amerika, por meriton të trajtohet si një shtet i cili bëri krime dhe i cili humbi të drejtën morale të fundit që të mund të pretendojë që të mbajë popujt e tjerë nën sundimin e vet. 
– Prandaj, aty ku jeni dhe sa jeni, të vazhdoni edhe më tutje që të organizoheni në frymën e mbrojtjes dhe në frymën kombëtare. Të krijoni mekanizma të bashkimit kombëtar atje ku jeni, në mënyrë që edhe para shtetit zviceran të fitoni autoritet edhe forcat tuaja të mos shkojnë huq e të shpërndahen për disa lloj partishë e për disa lloj kërkesash për një farë pushteti kur s’e kemi shtetin tonë. 
Ne presim që Europa do të rishikojë qëndrimin e vet. Ne presim që një lëvizje e madhe e mirë pozitive që ka filluar në disa shtete më të rëndësishme dhe kryesore të Europës, të fitojë përkrahje edhe në shtetet e tjera, në mënyrë që Europa të bëhet unike, në mënyrë që Serbia, e cila ka një regjim që është në të vërtetë vazhdues i regjimit të kriminelit Millosheviq, në mënyrë që ata ta kuptojnë se nuk kanë shansë për ta mashtruar dhe për ta detyruar Europën që përsëri ata të rehabilitohen dhe përsëri ata të mbeten në pozitat jodemokratike në të cilat janë. 
Europa duhet ta dijë se kjo Serbi e cila ende pretendon që të ketë popuj të nënshtruar nën administratën e vet nuk është demokratike dhe nuk mund të jetë demokratike. Prandaj, Europa dhe Amerika demokratike i kanë borxh që popullin serb, i cili në krejtë këtë politikë nuk është fajtor, sepse është i manipuluar nga ata të cilët mbajnë pushtetin me dhunë dhe shërbehen me të gjitha mjetet propagandistike që t’ja marrin mendjen. Ne mendojmë që Europa do të bëjë mirë për vetë popullin serb që ta lirojë më nga çështja e Kosovës, që populli serb t’i kthehet vetvetes, që populli serb të lirohet edhe nga këta pushtetmbajtës të cilët i janë vardisur qe sa e sa kohë dhe të cilët mundohen madje t’mos e lënë popullin serb të bëhet anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, mundohen ta pengojnë që të bëhet edhe anëtar i aleancës atlantike, vetëm e vetëm që ata përmes krizave permanente të mund ta vazhdojnë pushtetin e tyre. 
Ne u lutemi miqve tanë, ne kërkojmë nga miqtë tanë, që të shikojnë dhe të vendosin drejt duke kthyer të drejtën tonë për vetëvendosje si mënyrën më të drejtë dhe më të shpejtë të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Ne nuk kuptojmë kur miqtë tanë europianë dhe amerikanë insistojnë në projektin Ahtisari, i cili e ka dëmtuar shumë Kosovën e ardhshme, shtetin e ardhshëm të Kosovës, i cili do të jetë vazhdimisht nën goditjen e krizave të brendshme nga Serbia, nga serbët të cilët do të manipulohen nga regjimi serb. 
Ne nuk e kuptojmë se si Europa demokratike, Amerika demokratike mund të lejojnë që të futet në atë program të Ahtisarit e drejta e 5% të serbëve që të mbajë peng demokracinë kosovare? 
– Si është e mundur që të parashihet që asnjë ligj nuk mund të kalojë nëpër Kuvendin e Kosovës nëse 2/3 e deputetëve serbë nuk do ta pranojnë atë? 
– Kjo s’ka të bëjë fare me demokracinë dhe ne na habitë se si shtetet demokratike të Europës, se si Amerika demokratike mund të bëjnë kaq shumë lëshime për t’u munduar që të pajtojnë Serbinë, që t’pajtohen me Serbinë, e cila kjo si është tash nuk do të mund të bëhet demokratike. Vetëm pasi që Kosova të lirohet nga kthetrat e Serbisë, vetëm mbasi që populli serb t’i kthehet vetvetes dhe të lirohet nga udhëheqje të tilla sikurse janë Shesheli e Koshtunica, Tadiqi e të tjerë, vetëm atëherë Serbia do të bëhet demokratike dhe vetëm atëherë ajo do kthehet nga Europa, dhe vetëm atëherë ajo do të përqafojë parimet e Europës demokratike dhe Europës së lirë. 
Ne, dhe unë këtu nga larg bashkë me ju vëllezër e motra, zonja e zotërinj, miq e dashamirës, dua që të falenderoj popullin e Zvicrës, dua të falenderoj politikën zvicerane e cila kurdoherë ishte në anën e atyre që janë të shtypur dhe në anën e atyre që kërkojnë liri dhe kërkojnë drejtësi. Dua të falenderoj edhe pjesën më të madhe të Europës e cila u deklarua që Kosova të jetë e pavarur. Dua të përshëndes edhe ato shtete të cilat ende luhaten duke shikuar interesin e tyre të ditës duke harruar interesin e perspektivës së largët, duke harruar vizionin për çfarë është përcaktuar Europa, për një Europë të lirë, për një Europë të zhvilluar, për një Europë të bashkuar, për një Europë të civilizuar, për një Europë përparimtare, e cila do jetë shembull edhe për kontinentet e tjera, që të hyjë në rrugën e humanizmit, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e përparimit, në rrugën e lirisë dhe në rrugën e të mirës së gjithë njerëzimit. 

Vëllezër e motra, 

ju uroj sukses dhe ju dëshiroj që të vazhdoni edhe mëtutje të mbroni interesat e kombit tonë, sepse duke mbrojtur interesat e kombit tonë keni mbrojtur edhe interesat e gjithë njerëzimit, sepse derisa në çdo pikë do të ketë mundësi që kriminelët, mafiozët, terroristët të zhvillojnë aktivitetin e tyre për shkak se Europa shkelë parimet e veta demokratike, nuk do të ketë paqë, nuk do të ketë qetësi, nuk do të krijohen kushtet për një zhvillim më të shpejtë ashtu siç dëshiron njerëzimi. 
Ju përshëndes edhe njëherë nga Saranda e bukur këtu, duke ju dëshiruar shëndet e vullnet të fortë dhe duke ju uruar që me këmbëngulje të vazhdoni përkrahjen e gjithë atyre që lëngojnë padrejtësisht nëpër burgjet e UNMIK-ut në Kosovë, si Albin Kurti me shokë, vetëm sepse kërkoi që në mënyrë paqësore të zgjidhet problemi i Kosovës dhe të mos hapet kutia e Pandorës, të mos hapen zjarre të reja, të mos hapen vatra të reja, sepse populli shqiptar nuk do të tolerojë që edhe njëherë të futet në çfarëdo lloj robërie, nuk do të durojë të jetë i fundmi i Europës. Sepse mjaft na paguam edhe vuajtëm për interesa të huaja. Tash edhe ne jemi pjekur dhe dëshirojmë që të qeverisim vetveten dhe bashkë me ne të mund të lirohen edhe popuj të tjerë, të cilët janë të shtypur, të cilët lëngojnë nën padrejtësitë e ndryshme. 
Pra, ju përshëndes edhe njëherë, ju përqafoj të gjithëve, ju dëshiroj t’ju prijë e t’ju përcjellë e mbara ngado që shkoni. Nga Saranda – Adem Demaçi, 29.09.2007 



Stiven MAJER: MULTIETNICITETI NË KOSOVË KA VDEKUR

E ardhmja e Kosovës, tani është me siguri në udhëkryqin më të rëndësishëm, që nga viti 1999 kur filloi kriza. Për tetë vitet e fundit, nuk është bërë pothuajse asgjë për të zgjidhur problemin e Kosovës. E parë në tërësi, faji për këtë mund t‘u vihet fuqive të mëdha perëndimore. Mungesa e fantazisë, mungesa e aktivitetit dhe e ideve krijuese në këmbënguljet për ta zgjidhur problemin, paraqet frenimin më të madh. Perëndimi në përpjekjet e tij ka qenë arbitrar, i paqëndrueshëm dhe symbyllur para situatës reale dhe ofron zgjidhje që u shërbejnë interesave të tyre, në vend të interesave të popujve në Serbi e Kosovë. 
Njëkohësisht, Beogradi e Prishtina kanë mbrojtur me pasion këndvështrimet e veta edhe pse në përgjithësi kanë biseduar. Megjithatë, në përgjithësi kanë pritur, që fuqitë e mëdha të japin përgjigje dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë të rëndësishme konkrete. Si pasojë, Kosova i është bashkuar listës së gjatë të “konflikteve të ngrira” dhe nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim pozitiv, domethënë veprime që Beogradi dhe Prishtina të mund t‘i pranojnë si të vetat, dhuna do ta “përfshijë” problemin e Kosovës. 
Kjo situatë është gati të ndryshojë. Meqë çështja e Kosovës u kalua nga Kombet e Bashkuara në Grupin e Kontaktit, ka shanse reale që Beogradi e Prishtina ta gjejnë zgjidhjen me kompromis. Por, dritarja e kësaj mundësie nuk do të rrijë shumë kohë hapur, sepse dhuna do të ndizet prapë dhe lufta do ta mbyllë përsëri, sigurisht nëse Prishtina do të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Për ta shfrytëzuar këtë mundësi, është e rëndësishme që Beogradi e Prishtina të njohin gjashtë faktet e dhimbshme, disa prej të cilave janë të rënda për njërën ose tjetrën palë. 

Cilat janë gjashtë faktet? 

Së pari, plani i Ahtisarit është i vdekur edhe përkundër thirrjes së disa anëtarëve të KB dhe komentatorëve të veçantë politikë, që disa pjesë të tij të mbeten gjallë. Kjo është mjaft pak e besueshme. Ngjarjet e kanë kapërcyer propozimin e tij, që të krijohen në Kosovë bashkësi etnike të izoluara. 
Plani i Ahtisarit ka qenë në thelb, përpjekje së pari e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës e Gjermanisë, që serbëve e shqiptarëve, t‘u imponojë zgjidhje që e harron realitetin në terren dhe më shumë u shërben interesave të këtyre vendeve, sesa atyre që jetojnë në rajon. Thyerja e planit të Ahtisarit do të thotë se, SHBA dhe aleatët evropiano – perëndimorë duhet t‘i përfshijnë serbët e shqiptarët, si partnerë të vërtetë në bisedime, nëse me të vërtetë mendohet të ofrohet çfarëdo shansi për zgjidhje të qëndrueshme. 
Së dyti, ndikimi amerikan ka rënë. Edhe pse Uashingtoni mund të përpiqet të përtërijë pjesën e vet të ndikimit në Grupin e Kontaktit, komentatorët e BE-së dhe përfaqësuesi rus në përbërje të treshes që vizitoi para pak kohësh Kosovën, e kanë zvogëluar me efikasitet pozicionin e SHBA-ve. Disa herë gjatë kohës së “konfirmimit të fakteve”, përfaqësuesi i BE-së, Ishinger, dhe përfaqësuesi rus, Bocan Harçenko, thanë se “asgjë nuk është e pamundur” dhe gjithçka është në “tavolinë”. Ky është zhvillim pozitiv i ngjarjeve. 
Roli gjithnjë e më i madh i BE-së e Rusisë, mund të çojë lehtë në zgjatjen e “periudhës së bisedimeve” në më shumë se 120 ditë (sa e ka përcaktuar KS i KB). Nëse do të jetë kështu, Uashingtoni mund të vihet në provë për ta “pranuar” pavarësinë e Kosovës. Por ky do të ishte veprim shumë i rrezikshëm, sepse mund të acaronte seriozisht marrëdhëniet me aleatët evropianë. Kjo do ta vendoste SHBA-në në pozitë të pafavorshme, duke marrë parasysh qëndrimin përgjithësisht të pranuar (sidomos të BE-së), se KB duhet të miratojnë krijimin dhe njohjen e shteteve të reja. Pas dështimit në Irak, Uashingtoni nuk mund t‘i lejojë vetes kaq mosrespektim të të drejtës ndërkombëtare. 
Së treti, Beogradi dhe Prishtina zyrtarisht mbeten të çimentuar në lojën e rrezikshme dhe të pistë të “zeros pozitive”, e cila nëse nuk ndërpritet, sigurisht do ta shpejtojë dhunën. Të gjitha forcat në bashkësinë shqiptare insistojnë në pavarësinë e Kosovës, në kuadër të kufijve ekzistues, si e vetmja zgjidhje e pranueshme dhe Prishtina nuk mund të dalë nga ky pozicion. Në të kundërt me këtë, Beogradi thotë se zgjidhja e vetme e pranueshme është, që Kosova të mbetet në Serbi, megjithëse me autonomi të zgjeruar. Sipas Kushtetutës së re të Serbisë, Kosova është krahinë serbe. Njëkohësisht, në Beograd po mjegullohet rruga e shpresës, sepse disa zyrtarë kanë filluar të shpjegojnë se duhet të jenë të gatshëm, që të tërhiqen nga qëndrimi i fortë. 

Së katërti, multietniciteti në Kosovë është i vdekur. Përgjithësisht, edhe sondazhet edhe faktet nga jeta e zakonshme, tregojnë se shumica e serbëve e shqiptarëve nuk duan të jetojnë së bashku në një shoqëri ose t‘i qeverisë një qeveri që kontrollohet nga një grup tjetër etnik. Shtetet shumetnike në disa momente kanë qenë funksionale në Evropë, ndërsa në disa të tjera jo. Pra, tendenca e përgjithshme, në njëqind vitet e fundit, duke mos llogaritur përjashtime – është se shtetet evropiane i kontrollon një komb ose kulturë. Këtë e ka treguar pas Luftës së Parë Botërore, rënia e Austro – Hungarisë, Gjermanisë e Perandorisë Osmane, ndërsa pas Luftës së Ftohtë rënia e Bashkimit Sovjetik, e Jugosllavisë dhe e Çekosllovakisë. Do të ishte ideale, që sot përkatësia etnike të mos ishte faktor vendosës për krijimin e bashkësive politike në Ballkan. Por, ky është realiteti, edhe përkundër dëshirave joreale qëllimmira, por naive të krijuesve të politikës së Perëndimit. 
Së pesti, ndezja e një dhunë të re në Kosovë dhe rreth saj, besohet se do të pasohet nga një ndërhyrje e re ushtarake, e jashtme. Fuqitë udhëheqëse të Evropës Perëndimore e të SHBA-ve, sigurisht nuk do të lejonin që Ballkani Perëndimor të dalë prapë jashtë kontrollit. Megjithëse nuk do të çojë deri te “bazat e përhershme të NATO-s” në Kosovë, siç thonë disa në Serbi, është gati e sigurt se do të çojë në prani më të fortë ushtarake të Perëndimit në krahinë, që mund të zgjasë disa vjet. Edhe pse evropianët, do të mbanin në shpatullat e tyre peshën më të madhe të çdo përfshirjeje të re ushtarake, është po aq e mundshme, që në bazën e Bondsteelit, të vendoset një kontingjent amerikan shtesë. Shtimi i ushtarëve në Kosovë, do të kishte qëllim kryesor ndarjen e serbëve e shqiptarëve ndërluftues. Por po ashtu, besohet se do të zmbrapste përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike e sigurisë. 
Së gjashti, në thelb të problemit të Kosovës është sovraniteti etnik e territorial. Thuhet gabim (kryesisht këtë e bëjnë disa zyrtarë dhe ekspertë jashtë rajonit) se integriteti territorial është kapërcyer. 

Argumentimi i tyre është si më poshtë: I gjithë rajoni një ditë (shpresohet) do të jetë pjesë e BE-së dhe kur të shkohet aty, shtetet tradicionale ose sovraniteti territorial do të jetë më pak i rëndësishëm. Krahas kësaj, ata thonë se fokusimi në kuptimin tradicional të sovranitetit, vetëm sa e shtyn hyrjen e vendeve ballkanoperëndimore në BE. Është brengosëse, që çështja kryesore parashikohet me këtë arsyetim. Pasi është themeluar BE-ja dhe ka përfunduar nacionalizmi i dhunshëm mijëravjeçar, i bazuar në sovranitetin e shtetit, sovraniteti tradicional shtetëror është bërë shumë më pak problematik në Evropën Perëndimore e Veriore. Por Ballkani Perëndimor është diçka tjetër. 

Ndarja e mundshme në Ibër 

Në Ballkanin Perëndimor, çështja e sovranitetit shtetëror nuk është përpunuarmjaftueshëm. Ajo duhet të zgjidhet para sesa vendet e këtij rajoni të kenë mundur ta realizojnë shpresën e kalimit në një kuptim tjetër të sovranitetit. Përveç kësaj, shumica e popujve në Ballkanin Perëndimor e kupton se anëtarësimi në BE dhe veçanërisht përparësitë e këtij anëtarësimi nëse do të vijë, janë me vite larg dhe për akoma më shumë vite, duhet të mbështeten në të drejtat kombëtare e shoqëritë rajonale. 
Kur udhëheqjet politike në Serbi e në Kosovë, t‘i kenë pranuar gjashtë faktet e numëruara, nëse ekziston qëllimi i mirë, do të bëhej e mundur arritja e marrëveshjes rreth këtyre katër pikave kryesore dhe me kalimin e kohës, mund të ndërtonin zgjidhje të qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës. 
Së pari, të dyja palët duhet të pranojnë faktin se ndarja me marrëveshje, me përshtatjen e kufijve, mund të jetë baza për ndarje të drejtë, por jo të përkryer të territorit. Zyrtarët dhe ekspertët e kanë diskutuar ndarjen me detaje, por Beogradi nuk e pranon zyrtarisht atë. Edhe pala shqiptare refuzon në mënyrë të prerë, mendimet për ndarjen. Por, Prishtina duhet ta diskutojë përsëri këtë mundësi ose të rrezikojë ardhjen e dhunës dhe serbët në veri të Ibrit të shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. 
Logjikisht, ndarja dhe kufijtë e rinj, do të shkonin përgjatë Ibrit, në mënyrë të tillë që pjesa veriore të mbetej në Serbi, ndërsa pjesa jugore të bëhej shtet i pavarur shqiptar. Kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por mund të ofrohet nëse Beogradi e Prishtina pranojnë parimin e territorialitetit etnik dhe të drejtën e palës tjetër për sovranitet territorial. Nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë asgjë të shenjtë te kufijtë – veçanërisht në Evropë e në SHBA. Kufijtë e Evropës kanë ndryshuar gjatë viteve 2000, për shkaqe të ndryshme. Seria e ndryshimeve të kufijve në gjithë Evropën Qendrore e ish – Bashkimin Sovjetik pas luftës së ftohtë, ka treguar se vendosja e shteteve mund të kalojë paqësisht, nëse ka vullnet politik. 
Së dyti, vetëm ndarja dhe ndryshimi i kufijve nuk do të jenë të mjaftueshëm. Duhet të kapërcehet periudha e përshtatjes së dhimbshme, përfshirë edhe dhunën e dukshme të “kundërshtarëve” nga të dyja anët. Përveç kësaj, janë të shumta vendet e shenjta e historike serbe në Jug të Ibrit dhe ato shqiptare në veri të këtij lumi. Në kuadër të çdo marrëveshjeje për zgjidhje që përfshin ndarjen, SHBA, BE e Rusia, ndoshta nëpërmjet Kombeve të Bashkuara duhet të garantojnë hyrjen e serbëve në to dhe sigurinë e bashkësive pakicë që vendosin të rrinë në “anën e gabuar” të kufijve duke përfshirë dhe sanksionet për atë qeveri, që nuk mbron pakicat e veta nga diskriminimi. Për ata serbë e shqiptarë, që nuk mund të rrinë aty ku janë dhe vendosin të shpërngulen, KB duhet të themelojnë një fond të rëndësishëm, për t‘i shpërngulur në bashkësi të tjera politike. 
Së treti, zgjidha krijuese duhet të shkojë më tej, që të diskutohet më gjerë shtresëzimi në Ballkanin Perëndimor. Kandidatja më e besueshme është Republika Serpska (RS). Pothuajse nuk ka dyshim, se shumica e liderëve e qytetarëve të RS nuk duan të jenë pjesë e Bosnjës dhe po të ishte për ata, e do ta kishin braktisur Bosnjën para shumë vitesh, qoftë duke u bërë pjesë e Serbisë, qoftë si të pavarur. Nuk ka shumë dyshime, se Bosnja është shtet i “imponuar”. SHBA-të dhe fuqitë më të mëdha të Evropës, me vullnetin e vet e bënë të ekzistojë atë, por ajo nuk ka përmbushur shpresat dhe pritjen e mbështetësve të saj. Banja Lluka dhe Beogradi duhet të kenë të drejtë të bisedojnë për atë, se si duhet të lidhen dhe në çfarë rrethanash, nëse këto rrethana do të verifikoheshin me votim demokratik të popullit të RS. Edhe pse e njëjta logjikë mund të zbatohet me Luginën e Preshevës në lidhje me Kosovën e pavarur, ajo nuk mund të shtrihej edhe në Maqedoninë Perëndimore, ku Marrëveshja e Ohrit – për momentin – ka “qetësuar” çështjen etnike, ose në Sanxhak e Vojvodinë, ku nuk ka agjitacion të madh për pavarësi nga Serbia. 

Çelësi i rritjes ekonomike 

Në fund, me t‘u vulosur themelet e marrëveshjes politike e të sigurisë, duhet të fillojnë menjëherë bisedimet mes Beogradit e Prishtinës për bashkëpunimin ekonomik. Përkundër disa lajmeve nxitëse ekonomike nga Serbia, treguesit më të rëndësishëm në Kosovë dhe në Serbinë e Jugut nuk janë të mirë, veçanërisht ata që lidhen me papunësinë, të ardhurat për banorë, borxhin e jashtëm e tregtinë. Pa marrë parasysh nëse mund të arrihet marrëveshja politike dhe e sigurisë, ekonomia e keqe rajonale, me siguri do të mbillte skemën e një destabiliteti të ri në Kosovë, Serbi e më gjerë. 
Së pari, Beogradi e Prishtina duhet të përcaktojnë fushat sociale, të cilave u duhet kushtuar vëmendje, që kanë potencial të vërtetë e që pajtohen me planin e zhvillimit të përbashkët (p.sh. hidrocentralet në Kosovë, minierat e Trepçes përgjatë kufirit me Serbi -Kosovë dhe programe bujqësore në Jug të Serbisë e në Kosovë). Kur Beogradi e Prishtina të kenë vërtetuar se ku është mundësia e bashkëpunimit ekonomik, atëherë mund t‘i drejtohen BE për teknikë dhe ndihmë financiare. Edhe pse pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore (i themeluar në vitin 1999) deri tani ka qenë relativisht instrument i dobët. “Tavolina 2 e punës” për zhvillimin ekonomik ndoshta mund të arrijë mjetet e dobishme për vendosjen e programeve produktive mes Serbisë e Kosovës. 
Autori, Stiven Majer, është profesor i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington dhe ekspert për çështjen e Ballkanit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …