leoni

Sheradin Berisha: Fajtor për mungesën e unifikimit ka qenë gjithnjë Ibrahim Rugova

Ofensiva serbe dhe aktiviteti diplomatik ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes dialogut 

Atë ditë kur delegacioni i Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën ishte në takimin gjysëm orësh me presidentin Klinton në Washington, satrapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviç intensifikon operacionet ushtarake në Kosovë. Forcat ushtarake-policore serbe gjatë ofensivës së re në rajonin e Dukagjinit ka përdorë gjithë arsenalin ushtarak dhe artilerinë e rëndë me qëllim të shkatërrimit të UÇK’së, dhe të shpërnguljes së popullatës shqiptare nga fshatrat që shtrihen përgjatë aksit rrugorë Gjakovë – Deçan – Pejë, i cili mbahej vazhdimisht nën kontrollin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ofensivë gjithëpërfshirëse ka bërë që takimi i radhës që ishte paraparë të mbahet më 5 qershor 1998, në Prishtinë, ( pas takimit të 22 majit) midis negociatorëve të Rugovës dhe Millosheviqit, të anulohet. 
Për shkak të situatës së krijuar në Kosovë, më 6 qershor në Prishtinë do të vijë diplomati gjerman Wolfgang Ischinger – Drejtor Politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. z. Ischinger gjatë takimit me Ibrahim Rugovën dhe grupin e tij negociator, bëri të qartë qëndrimin se ”negociatat me Serbinë duhet të vazhdojnë pas qetësimit të gjendjes në Dukagjin dhe në Drenicë”, ndërsa Ibrahim Rugova si gjithmonë shprehu gatishmërinë për rifillimin e negociatave me Beogradin, pa i kushtëzuar ato negociata! 
Në gjysmën e parë të qershorit 1998 do të intensifikohet aktiviteti i diplomacisë ndërkombëtare për Kosovën. Kështu, më 8 qershor do të mblidhet Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, tri ditë më vonë, më 11 qershor do të mbahet takimi në nivelin më të lartë i shteteve anëtare të Paktit NATO, dhe më 12 qershor do të mblidhet Grupi i Kontaktit. Në vendimet e dala nga këto takime, nuk mund të nxjerrish as një formulë të qartë që përcakton mënyrën se si duhet ndalur lufta në Kosovë, ndërsa sa i përket statusit të Kosovës, saktësohet qartë, Kosovës duhet t´i kthehet autonomia, të cilën e kishte deri në vitin 1989. Në të vërtet nga këto mbledhje iu dërgua një mesazh Serbisë. Për t’ia tërhequr vërejtjen Sllobodan Millosheviqit për “përdorimin e tepruar të dhunës” ndaj shqiptarëve, më 15 qershor 1998 forca veriatlantike e NATO’s organizoi një manovër katër orëshe mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë e të Maqedonisë, ku morën pjesë 13 shtete anëtare të kësaj aleance ushtarake. Kjo manovër u mbajt pikërisht në ditën kur Millosheviqi kishte arritur për vizitë në Moskë me ftesë të presidentit rus Boris Jelcin, (të dakorduar paraprakisht edhe me Kancelarin gjerman Helmut Kohl), ndërsa në të njëjtën kohë Ibrahim Rugova po qëndronte për vizitë në Angli dhe Francë! 
Më 8 qershor, pikërisht në ditën kur në Bruksel do të mblidhet Këshilli i Ministrave të BE-së për të diskutuar lidhur me gjendjen e re në Kosovë, në Prishtinë vjen ambasadori amerikan në Shkup, Chrisofer Hill. Për t´u njohur nga afër me situatën në teren, ambasadori Hill udhëton në zonën e Dukagjinit ku ato ditë ishin zhvilluar luftimet të përgjakshme. Në këtë udhëtim z.Hill i shoqëruar nga dr.Fehmi Agani…, viziton Gjakovën, Deçanin, Prejlepin, Junikun etj., dhe sheh nga afër shtëpitë e djegura e të shkrumbuara si dhe shpërnguljen e popullatës shqiptare nga vendbanimet e tyre. Me vizitën e tij në një zonë luftarake, z.Hill ka bërë të qartë se tashmë është ndëmjetësues amerikan për çështjen e Kosovës, duke zavendësuar ambasadorin Robert Gelbard. Kjo vizitë duket se ka ndikuar dukshëm tek ambasadori Hill në qartësimin e gjendjes reale në zonat e luftës dhe me këtë rast ka kuptuar se pa riorganizimin e faktorit politik shqiptar, në pajtim me rrethanat e reja, nuk do të ketë negociata të suksesshme me Beogradin. 

Milazim Krasniqi: Fajtor për mungesën e unifikimit ka qenë gjithnjë Ibrahim Rugova

Gjatë muajve të verës 1998 diplomacia amerikane do të bëjë përpjekje të unifikojë faktorin relevantë politik shqiptar në Prishtinë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, me partitë tjera që konsideroheshin të afërt me UÇK-në, në radhë të parë me Partinë Parlamentare të Kosovës që drejtohej nga Adem Demaçi dhe me drejtuesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, akademik Rexhep Qosjen, Hydajet Hysenin dhe Mehmet Hajrizin, dhe personalitete tjera, që mund të ishin të frytshëm në procesin negociator me Serbinë. 
Derisa faktori ndërkombëtar përpiqej t’i bashkojë partitë shqiptare në Prishtinë, për të krijuar një trup të përbashkët shqiptare për vazhdimin e dialogut me Serbinë, prej kohësh Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) angazhoheshin për bashkimin e gjithë faktorit politik e ushtarak, në një Front për Çlirimin e Kosovës. Mirëpo, „lufta“ e pakompromis në mes faktorëve politik e ushtarak shqiptarë për të qenë i parë ( në krye të piramidës), ka bërë që të mos arrihet kurrë një bashkim i mirëfillt, dhe kjo gjendje duket se është reflektuar negativisht edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 
Milazim Krasniqi, njëri nga themeluesit e LDK-së dhe bashkëpunëtor më i afërt i Ibrahim Rugovës, për mosunitetin e faktorit shqiptar e bën përgjegjës pikërisht z. Rugova. “Gjatë kohës së luftës, unë kam marrë njëherë një gjysmë miratimi për të kontaktuar me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Kam qenë i vetmi zyrtar i LDK-së që kam shkuar në Shtabin e Përgjithshëm dhe jam përpjekur për të vënë një kontakt, që të bëjmë një proces unifikimi dhe e them me përgjegjësi se fajtor për mungesën e unifikimit ka qenë gjithnjë Ibrahim Rugova. Këtë e them jo se e kam dëgjuar, por e them se kam qenë palë në mes”, ka thënë shkrimtari dhe publicisti Milazim Krasniqi . ( Lexo: Kosovapress, 16. 06. 2000) 
Në këto rrethana mosuniteti të faktorit shqiptarë, SHP i UÇK-së, me qëllim të komunikimit me opinionin e gjerë, të brendshëm dhe atë të jashtëm, përmes deklaratës politike nr.3, datë 11 qershor 1998, bën të ditur se për zëdhënës të tij ka caktuar Prof.Jakup Krasniqin, nga fshati Negroc i Drenicës. Dy ditë më vonë zëdhënësi i UÇK-së Prof.Krasniqi, në paraqitjen e parë publike që u emitua në RTSH (më 15. 06. 1998), bëri të qartë qëndrimin e SHP të UÇK-së për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe qëllimin e luftës çlirimtare. 

Vizita e Richard Holbrookut në Junik 

Më 24 qershor 1998 në Kosovë vjen diplomati amerikan Richard Holbrook. Fillimisht z.Holbrook, (së bashku me ambasadorin Hill), të shoqëruar nga dr.Fehmi Agani, Veton Surroi dhe Blerim Shala, të përcjellur nga dhjetra gazetarë vendor dhe të huaj, do të vizitoi rajonin e Dukagjinit. Holbrook e ka vizituar fshatin Junik dhe ishte hera e parë që zyrtarisht, një diplomat i lartë amerikan, takohet me njerëzit që mbanin uniformën e UÇK-së, ndërsa z.Hill, tri javë më parë (29 maj) kishte takuar njerëz të armatosur të UÇK-së, por pa uniforma. 
Richard Holbrook në Junik u pritë shumë mirë nga UÇK-ja, madje në një odë të madhe të Junikut ai bëri një foto me poetin Hajdin Abazi i njohur si Lum Haxhiu, i cili ishte i veshur me uniformë ushtarake të UÇK-së dhe mbante në dorë një pushkë automatike. Kjo foto ato ditë u publikua në faqet e para të mediave më prestigjioze botërore. Takimi i Holbrookut&Hillit me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik, ka ndikuar dukshëm në ripozicionimin e tyre karshi skenës politike shqiptare, dhe tashmë ishte i pashmangshëm kyqja e faktorit UÇK në proceset politike që po zhvilloheshin për Kosovën, në Prishtinë dhe në qendrat tjera vendimmarrëse të botës. 
Derisa Holbrook po qëndronte në Kosovë, Ibrahim Rugova ishte për vizitë në Gjermani ( pas qëndrimit në Londër e Paris), ku u takua me ministrin e jashtëm gjerman Klaus Kinkel dhe Kancelarin Helmut Kohl. Me këtë rast Klaus Kinkel, z.Rugova ia ka përsëritur qëndrimin e Grupit të Kontaktit, për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve me Sllobodan Millosheviqin, ndërsa në takimin që pati Rugova me Kancelarin Kohl, e që e emitoi TV-ZDF’i gjerman më 25 qershor 1998, Kohl i thotë Rugovës: ”Duhet të jesh i matur dhe i qëndrueshëm në kërkesën e një autonomie të zgjeruar në kuadër të Jugosllavisë”, ndërsa Rugova në vend se t’i kundërshtonte me argumente të shumta këto qëndrime që tashmë ju kishte dalur boja (derisa Kosova po digjej e shkrumohej nga ushtria barbare e Millosheviqit), ai u shpreh pro dialogut me Millosheviqin, dhe me këtë rast zyrtarët gjerman i falënderoj për kontributin e tyre që po japin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. 
Në këto rrjedha, më 26 qershor 1998, sipas një raporti të gazetës “New York Times”, i botuar në të përditshmen “Koha Ditore” amabasadori amerikan Gelbard ( i cili tashmë duket të ketë ndryshuar qëndrimin “negativ” që kishte në fillim të vitit 1998 ndaj UÇK-së ), në Zvicër, takohet me dy përfaqësuesit politik të UÇK-së në perëndim, Bardhyl Mahmutin dhe Ramadan Avdiun. Një ditë para se të ndodhte ky takim, James Rubin kishte deklaruar në Departamentin e Shtetit se një takim me udhëheqjen politike të UÇK-së mund të ndodhte së shpejti dhe se Millosheviqi duhet ta pranonte atë fakt. 

Hollbrook: “Zotëri President – Ju duhet të takoheni me zotin Demaçi” 

Po të njejtën ditë, (më 26 qershor), pas qëndrimit një ditor në Beograd, protagonisti i ashtuquajtur i “bulldozher-diplomacisë” ndërkombëtare, Holbrook vjen në Prishtinë dhe së bashku me abasadorin Hill dhe një oficer të lartë amerikan takohen fillimisht me Adem Demaçin. Ndonëse prej disa javësh qyteza e Kijevës mbahej nën rrethim të plotë të UÇK’së, Holbrook atë ditë do ta përsërisë disa herë slloganin “Kijeva është sot vendi më i rrezikshëm në Evropë” dhe prandaj në takimin e tij me Adem Demaçin ka kërkuar që të ndikojë mbi UÇK’në për të zhbllokuar këtë qytezë, (që shtrihej përskaj aksit rrugorë Prishtinë-Pejë), ku prej disa javësh mbaheshin të rrethuar rreth 200 civilë serbë dhe dhjetra policë serbë, nga njësitë e UÇK-së. 
Hollbrook më 26 qershor në një takim tjetër që pati me Ibrahim Rugovën do të shfaqte haptazi pakënaqësinë e tij me nivelin organizativ të shqiptarëve. “Ne nuk mund të ecim përpara pa pasur një partner serioz te ju. Duhet të organizoheni shumë më mirë… Duhet t´i lini prapa mëritë dhe inatet personale…“ i ka thënë Holbrook, Ibrahim Rugovës. „Ta zëmë, ju, zotëri President“, kur e keni thirrë për herë të fundit Demaçin për të diskutuar me të problemet në Kosovë…?“ e pyet Hollbrook, Ibrahim Rugovën. 
Dhe, Rugova siç e kishte zakon në këto raste përgjigjet: “Paj, e kam thirrë dhe do ta thërras…Por, ne, këtu kemi një rend demokratik të krijuar me zgjedhje dhe duhet ta respektojmë atë…“. Ndërkaq Holbrook i thotë Rugovës: “Shikoni zotëri President… unë ju çmoj si president, edhe pse e dini mirë se as ne, e as dikush tjetër në perëndim, nuk ua ka njohur zgjedhjet…( është fjala për zgjedhjet e 22 marsit 1998 – Sh.B)…Këtu më nuk kemi kohë për të humbur…Ju duhet të takoheni me zotin Demaçi..“ ( Për më tepër lexo: B.Shala „Vitet e Kosovës 1998-1998“, Prishtinë 2000, faqe. 96-97 ) 
Ibrahim Rugova, ndonëse prej kohësh ishte mësuar të jetë i pari në krye të piramidës politike shqiptare, nuk dëshironte ta prishte rendin e krijuar demokratik (me ato „institucionet fiktive“ të ndërtuara, pa u penguar nga regjimi pushtues serbë), për të krijuar një organizëm të mirëfillt kombëtar. Ky „president“ duke qenë kundër unitetit politik e ushtarak me faktorët më relevantë shqiptar, vet ishte shndërruar në një faktor të mosunitetit të shqiptarëve, dhe ky veprim gjatë gjithë kohës ka dëmtuar rëndë interesat strategjike të luftës sonë çlirimtare. 
Për të bërë më të plotë këtë konstatim, duhet pranuar se për këto veprime të Rugova një pjesë të përgjegjësisë e mbanin padyshim edhe diplomatët amerikan dhe faktorët tjerë ndërkombëtar. Ambasadorët Hollbrook dhe Hill edhe pse këmbëngulnin në krijimin e një trupi të përbashkët „ekzekutiv“ të shqiptarëve, megjithatë ata, Ibrahim Rugovën e konsideronin si njeriun kyç në procesin e negociatave me Serbinë. Pra, thënë qartë, ata përpiqeshin ta krijonin një unitet të shqiptarëve, por, pa e eliminuar Ibrahim Rugovën nga skena politike shqiptare. 

Adem Demaçi: „Ibrahim Rugova politikan i dështuar, duhet të tërhiqet nga skena politike…“

Në këto përpjekje të diplomacisë amerikane etj., simboli i rezistencës shqiptare Adem Demaçi, nuk shihte organizim të mirëfillt politik e ushtarak me Ibrahim Rugovën në krye (deri sa ai e injoronte skajshmërisht faktorin UÇK), prandaj, disa herë ka kërkuar që Rugova të tërhiqet nga skena politike, për t´i lënë rrugë krijimit të një uniteti të mirëfillt nga forcat politike e ushtarake, pa e përjashtuar këtu as LDK’në si parti. 
Këtë qëndrim real, Adem Demaçi do ta artikulojë zëshëm edhe në një takim të partive politike shqiptare, të mbajtur me 1 korrik 1998, nën monitorimin e ambasadorit Hill. Mbledhja e 1 korrikut u mbajt në barakën e LDK’së, dhe duket se ky takim u thirrë nga Rugova, sa për t´iu shmangur akuzave të shumta që vinin nga diplomatët amerikan dhe nga partitë tjera shqiptare, të cilat nuk përfilleshin në asnjë mënyrë nga „presidenti“.
Që në fillim të takimit Ibrahim Rugova shpërfaqi idenë e mbledhjes së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë mbi bazën e zgjedhjeve të 22 marsit 1998, ku do të përfshiheshin edhe partitë politike, që i patën bojkotuar ato zgjedhje. Kjo ide e Rugovës nuk u pranua nga Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe Hydajet Hyseni, për faktin sepse zgjedhjet „parlamentare e presidenciale“ të 22 marsit ( të cilat ishin mbajtur me tolerimin e Serbisë), ndonëse ishin burim i vazhdueshëm i përçarjeve politike (tashmë disa mujore) nuk mund të merreshin si pikënisje për të krijuar një unitet të shëndosh politik shqiptar. 
Për më tepër, pikërisht Ibrahim Rugova me veprimet e tija skajshmërisht autoritare, kishte shpërfillur edhe vetë idenë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sepse, tashmë, kishin kaluar njëqind ditë e ca, prej se ishin mbajtur ato zgjedhje, ndërsa brenda kësaj periudhe, ai me tarafin e tij politik ka luajtur tmerrshëm me kartën e përçarjes, duke formuar grupe negociatorësh si: G-15, G-4 e të tjera si këto, për të dialoguar me Serbinë, ndërkohë që ka shpërfillur partitë tjera politike, të cilat kërkonin një bashkim të gjerë politik, duke përfshirë këtu edhe faktorin më të rëndësishëm të kohës: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 
Duke pas parsysh mbështetjen që i jepnin diplomtatët amerikan, Ibrahim Rugovës, më 4 korrik në zyrën amerikane në Prishtinë, Adem Demaçi, para ambasadorëve: Richard Holbrook dhe Christopher Hill, ka shprehur hapur dyshimet e tij për insistimin e tyre, që Rugova të mbetej në çdo mënyrë lojtari kryesor i skenës politike shqiptare. Demaçi me këtë rast, diplomatëve amerikan shumë hapur ju thotë, se nuk është në interesin amerikan të përkrahet një politikan krejtësisht i dështuar, çfarë është Ibrahim Rugova. 

Jakup Krasniqi: „Ibrahim Rugova që moti i ka shkëputur lidhjet me popullin…“ 

Ato ditë, zëdhënësi i UÇK’së Jakup Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për “BBC World” ka pohuar se ”Ibrahim Rugova dhe njerëzit që e rrethojnë kanë penguar pavarësinë e Kosovës…se politika disavjeçare e udhëhequr nga Ibrahim Rugova është politikë e dështimeve të vazhdueshme…dhe se politikën duhet ta udhëheqin dhe do ta udhëheqin forcat e reja.” Ndërkaq, në një intervistë tjetër dhënë „Zërit të Amerikës“ disa ditë më parë (më 27 qershor 1998) z.Jakup Krasniqi, deklaron, se: „Ibrahim Rugova që moti i ka shkëputur lidhjet me popullin dhe se UÇK’ja e ka pasur dhe e ka krahun politik.“ Ndërkaq në pyetjen, a do të mund Ibrahim Rugova të drejtonte UÇK’në, Krasniqi përgjigjet: “Ibrahim Rugova nuk ka krijuar kapital politik për të drejtuar UÇK’në. UÇK’në nuk mund ta kontrollojnë njerëzit që e kanë akuzuar atë. Rugova do të bënte mirë të pushonte çdo aktivitet që pengon aksionet e UÇK’së dhe përzierjet e tij rreth UÇK’së“.

Fehmi Lladrovci: „Politika e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, nuk solli gjë konkrete…“

Për politikën e Ibrahim Rugovës dhe mënyrën se si duhet të zgjidhet një herë e mirë çështja e Kosovës, në mënyrë të qartë e ka thënë edhe Fehmi Lladrovci, tani dëshmorë i kombit. Në një intervistë dhënë gazetarit të njohur britanik David Loyn, që u trensmetua në kanalin televiziv BBC World, në maj 1998, ndërsa biseda ishte zhvilluar në prill të atij viti, Fehmi Lladrovci lidhur me politikën e Ibrahim Rugovës ka thënë: „Politika “paqësore” kosovare, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, i cili tash e tetë vjet sillet nëpër zyrat e Evropës dhe të Amerikës, nuk solli gjë konkrete. Nuk ka gjë prej kësaj politike… Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të tillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të. Po, për çfarë luftoni? e pyet gazetari Fehmiun, ndërsa ai përgjigjet: “Për çlirimin përfundimtar të Kosovës”. „Por sot shqiptarët janë në përgatitje të ekipit negociator. Ka të ngjarë që ky ekip mund të pranojë edhe një trajtë të autonomisë në kuadër të “RFSJ”-së. Sa do të ishit të gatshëm të pranonit një gjë të tillë?“ – i drejtohet z.Loyon, Fehmi Lladrovcit. “Assesi, natyrisht. UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës” – përgjigjet prerë Fehmiu. Kur gazetari Loyon, e pyet: “A synoni të merrni pjesë në bisedime?“ Fehmiu përgjigjet: “Po, jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë. Por, vetëm për kufijtë. Për asgjë tjetër”. 

Richard Holbrook: „Ne e mbështesim presidentin Rugova, i cili është për një zgjidhje paqësore dhe pa dhunë…“ 

Ndërsa ky ishte qëndrimi i luftëtarëve të UÇK’së, krejt qëndrim tjetër kishin diplomatët amerikanë për Ibrahim Rugovën dhe për statusin e Kosovës. Më 4 korrik 1998, pas disa takimeve që kanë pasur ambasadorët Holbrook dhe Hill me Demaçin, Qosjen dhe së fundi me Rugovën, Holbrook në paraqitjen e tij para gazetarëve në hyrje të barakës së LDK’së, i drejtohet Rugovës më këto fjalë: “Zotri Rugova, do të përpiqem të të ndihmoj edhe një herë. Sonte do të udhëtoj në Beograd për të biseduar me Millosheviqin dhe përsëri do të kthehem nesër. Amerika nuk i përkrah aksionet e UÇK’së, dhe duhet të ndërpriten menjëherë aksionet e të dy palëve…“ (!!!)
Disa ditë më vonë, saktësisht më 9 korrik 1998, në intervistën dhënë kanalit televiziv CNN, Richard Holbrook, përsërit qëndrimin: “Ne e mbështesim presidentin Rugova, i cili është për një zgjidhje paqësore dhe pa dhunë, mirëpo ai nuk pranohet nga të gjithë si udhëheqës i vetëm i shqiptarëve“. Gjendjen në mes të shqiptarëve në Kosovë Holbrook e cilëson si „diçka tragjike“, sepse siç thotë ai „e kemi shumë vështirë të gjejmë negociator të palës shqiptare e sidomos në palën e saj ushtarake ( Lexo – UÇK’së – Sh.B )“. Ndërkaq, sa i përket statusit të Kosovës, duke e tërhequr një diagonale mes Bosnjes dhe Kosovës, Holbrook thotë, se: „Kosova nuk është Bosnjë, nuk është një vend i pavarur dhe komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta mbështeste dëshirën e popullit të saj për të qenë i pavarur…“ “Kudo në botë,- pohonte Holbrook, – ka popuj që kërkojnë sovranitet, si për shembull Tibeti, pastaj kurdët, mirëpo historia dhe kufijtë nuk i lejojnë. Ne mendojmë,- thotë ai,- se ka rëndësi themelore të bëhet një ndryshim në statusin e Kosovës brenda kufijve ndërkombëtarë të Jugosllavisë.“ ( CNN, 9 korrik 1998 ) 
Në këtë frymë u prononcua edhe ambasadori tjetër amerikan Robert Gelbard, gjatë vizitës së tij në Mostar të Bosnjes më 8 korrik 1998. Madje z. Gelbard, me këtë rast UÇK’së ia dërgojë një mesazh me tone kërcënuese. „Ne jemi të përgatitur dhe të aftë për të penguar të gjitha aktivitetet e UÇK’së, sidomos rrugët e tyre të furnizimit. Ne jemi të përgatitur nga kjo anë nëse ata refuzojnë të bashkëpunojnë dhe të marrin masa të tjera të nevojshme“- ka thënë z.Gelbard. Dhe kjo vërtet ka ndodhur. Ato ditë, në Zvicër do të bllokohet nga autoritetet zvicrane zhirollogaria e Fondit: “Vendlindja Thërret“, që e financonte UÇK’në, ndërsa në Shqipëri në kufirin shqiptaro-shqiptarë u shtuan masat e vëzhgimit nga shumë monitorues ndërkombëtar, ndërkohë që në pjesën tjetër të kufirit ishin dislokuar mijëra forca ushtarake serbe! 

Kush e riciklonte përçarjen brenda faktorit politikë e ushtarak shqiptarë?! 

Derisa në Prishtinë po zhvilloheshin bisedimet intensive për „unifikimin“ e faktorit politik shqiptarë, më 5 korrik 1998 në Tiranë Kryeministri në exil Bujar Bukoshi takohet me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, të dy këta anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së. Ndonëse marëdhëniet qeveri e Bukoshit – SHP i UÇK’së ishin të tensionuara, në këtë takim duket se gjendja shtensionohet, sepse merren vesh për të bashkëpunuar në mes vete, mirëpo nuk do të kalojë shumë kohë, kur do të rishfaqen mosmarrëveshjet ndërmjet Bujar Bukoshit dhe SHP të UÇK-së, të cilat do të riciklohen pastaj vazhdimisht, gjatë gjithë kohës së luftës çlirimtare, deri në qershor 1999! 
Ky riciklim i përçarjeve brenda faktorit politik e ushtarak zhvillohej çdo kund, si brenda në Kosovë, ashtu edhe jashtë Kosovës, në Shqipëri e në vendet tjera të botës perëndimore. Mirëpo, kjo përçarje më së shumti ndikonte në Kosovë, atje ku zhvillohej lufta kundër njësive ushtarake-policore serbe, të cilat bënin kërdi mbi popullatën shqiptare, duke vrarë, ekzekutuar e masakruar, gra, pleq e fëmijë, ndërsa plaçkisnin, digjnin dhe shkretonin pamëshirshëm pasurinë e tyre. 
Sipas të dhënave të publikuara në një raport të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), gjatë muajit korrik 1998, në Kosovë janë vrarë, masakruar ose ekzekutuar 201 shqiptarë, janë plagosur 152, janë keqtrajtuar në mënyra të ndryshme 1566, janë marrë peng, janë kidnapuar ose janë zhdukur 185 vetë, janë arrestuar në mënyrë arbitrare 196 vetë, ndërsa janë rrahur rëndë 275 shqiptarë, 26 prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore. 
Raporti dëshmon se dhunës së regjimit pushutues serb i janë nënshtruar gratë e fëmijët. Sipas të dhënave të deritashme, 102 gra janë vrarë, janë plagosur, janë arrestuar, janë dënuar, janë keqtrajtuar ose janë zhdukur gjatë korrikut, ndërsa 12 fëmijë janë keqtrajtuar. 
Sipas burimeve të KMDLNJ’së gjatë këtij muaji, forcat serbe kanë detyruar zhvendosjen e 350.000 shqiptarëve nga shtëpitë e veta, shumë prej të cilëve nuk kishin as ku të kthehen pasi shtëpitë e tyre janë plaçkitur, janë rrënuar dhe janë djegur e shkrumuar nga forcat pushtuese serbe. 
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partitë politike të afërta me te, që kishin marrë pjesë në zgjedhjet e 22 marsit 1998, akoma ushqenin iluzione, se kanë ndërtuar institucione të mirëfillta shtetërore në krye me Ibrahim Rugovën dhe duke pasur këtë besim, nuk rreshtnin të thurnin as akuza në adresë të UÇK’së, në adresë të atyre që kishin marrë armët në dorë për t’u çliruar përfundimisht nga ushtria pushtuese barbare e Sllobodan Millosheviçit, e jo siç i quanin ata njësitë dhe bartësit e kësaj ushtrie si “njerëz të frustruar“, „grupe të armatosura që mbrojnë pragun e shtëpisë“, “njerëz që luftojnë sepse u janë djegur shtëpitë e tyre“ etj.etj. Duke ju kundërvënë akuzave të tilla, zëdhënësi i UÇK’së Jakup Krasniqi, në një prononcim të botuar në gazetën „Zëri i Kosovës“, Ibrahim Rugovën e cilëson si: „pashai i kuq i barakës së vogël nga Prishtina“ që „ka për qëllim të shndërrojë UÇK’në në një karikaturë të LDK’së…, i cili asnjëherë nuk arriti në trojet e lira të vendit që ai është president“! (ZiK’u 9 korrik 1998, faqe 4 – 5) 

Konstituimi i Kuvendit – synim për defaktorizimin e UÇK-së

Pavarësisht nga rrethanat e luftës dhe lëvizjet gjithëpër- fshirëse për unifikimin e faktorit politik e ushtarak, „presidenti“ Ibrahim Rugova kishte vendosur ta „konstituonte“ Kuvendin e Kosovës. Më 16 korrik 1998 ( pikërisht në kohën kur forcat ushtarake-policore serbe kishin marrë një ofensivë të gjerë me karakter shfarosës, në zonën e Vërrinit, në drejtim të Rahovecit, të Malishevës etj.), në ambientet e selisë së LDK-së në Prishtinë, Ibrahim Rugova ka mbajtur mbledhjen themeluese të Kuvendit të Kosovës, ku morën pjesë me 75 deputetë, 59 deputetë të LDK-së dhe 16 të partive tjera (nga 130 sa duhet të ishin – Sh.B) të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998. Kjo mbledhje konstituive po mbahet pas 115 ditëve, përkatësisht pas tre muajve, tri javëve e tri ditëve, nga dita kur u mbajtën zgjedhjet e “lira dhe demokratike” të 22 marsit 1998. Edhe pse mbajtja e Kuvendit ishte bërë i ditur dy ditë më parë, ai i zhvilloi punimet normalisht pa u penguar nga sigurimi shtetëror serb, pothuajse deri në përfundim të mbledhjes. Me propozimin e Ibrahim Rugovës, Kryetar i Kuvendit u zgjodh akademik Idriz Ajeti dhe tre nënkryetarë: Iljaz Kurteshi nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, krahu i Kaqusha Jasharit; Gjergj Dedaj, nga Partia Liberale e Kosovës dhe Zef Morina nga Partia Shqitare Demokristiane e Kosovës, ndërsa Sekretar i Kuvendit u zgjodh Fatmir Sejdiu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ( aktualisht kryetar i Republikës së Kosovës – Sh.B). 
Është shumë i çuditshëm fakti se, në momentin e përfundimit të mbledhjes „konstituive të Kuvendit“, në orën 13:05 para hyrjes së barakës së LDK-së ka arritur ambasadori amerikan në Beograd Nikollas Hill. Pas tij janë futur edhe një numër policësh serbë në rroba civile, ndërsa hyrja e barakës u mbush përplotë policë: dy pizgauerë, vetura civile dhe një fugon policie. Në ora 13:13 nga baraka dalin policët serbë „me dokumentacionin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës!“ Para orës 14:00 nga baraka ka dalë edhe Nikollas Hill, kurse pas tij edhe Ibrahim Rugova, i cili largohet nga baraka pa u ndaluar nga policia serbe! ( Lexo: Nikë Gjeloshi-Kosova 1999, fq.173-174) 
Mënyra se si është paralajmëruar për opinion mbajtja e Kuvendit, pastaj ecuria e zhvillimit të punimeve në këtë “seancë“ konstituive dhe ardhja e amasadorit amerikan bashkë me policinë serbe në ambientet e barakës së LDK-së, pikërisht në momentet kur mbledhja po përfundonte, sipërfaqëson qartë faktin se, ky Kuvend u mbajt (sa për sy e faqe) me marrëveshje paraprake në mes të qarqeve diplomatike të huaja, Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviqit. 
Konstituimi i Kuvendit nga LDK’ja bashkë me partitë e vogla që morën pjesë në zgjedhjet e 22 marsit, kishte për synim defaktorizimin e UÇK-së si faktor politik e ushtarak, dhe kjo ka ndikuar dukshëm në thellimin jazit të përçarjes brenda faktorit politik shqiptarë. Kundër mbledhjes së Kuvendit të Kosovës u deklaruan: Partia Parlamentare e Kosovës në krye me Adem Demaçin, Lëvizja Demokratike Shqiptare në krye me Rexhep Qosjen, Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të cilat këtë veprim e cilësuan si një komplot të Ibrahim Rugovës për të mashtruar popullin me këtë Kuvend. 

SHP i UÇK’së: UÇK është në krijimin e institucioneve, për kushtet dhe rrethanat e luftës

Një ditë pas mbajtjes së Kuvendit, ka reaguar edhe SHP i UÇK-së. Në deklaratën politike nr. 4 të datës 17 korrik 1998, SHP i UÇK-së, deklaron: 
“UÇK e ka thënë me kohë se nuk pranon ato zgjedhje që i shërbejnë për dekor pushtuesit dhe do të ishin farsë mashtruese për shqiptarët e Kosovës. Kemi thënë se nuk pranojmë zgjedhjet të cilat legjitimojnë ndarjet e reja territoriale të vendit tonë, që filluan me “zgjedhjet e lira” të 22 marsit 1998 – kur një pjesë e tokave lahej në gjak e në anën tjetër ngriheshin dollitë e “fitores historike” të një grupi tarafësh. Gjithashtu kemi përsëritur shumë herë deri tash se jemi për jetësimin e institucioneve të pavarura, funksionale dhe operative, që do ta siguronin çlirimin e Kosovës. UÇK, edhe më herët ka paraqitur qëndrimet e veta në raport me tendencat e një kaste politike, e cila ka për qëllim jo krijimin e institucvioneve kombëtare për avancimin e çështjes shqiptare, por frenimin dhe minimin e luftës sonë çlirimtare – mu në kohën kur ajo është gjithëpërfshirëse. Sukseset e UÇK’së në fushëbetejat e shumta e detyruan pushtetin okupator të lejojë mbajtjen formale të një parlamenti të kontestuar nga të gjithë ndërgjegja politike kombëtare. Ky parlament mbajti mbledhjen „themeluese“ vetëm pas kërkesave dhe këshillave të vazhdueshme të cilat erdhën nga miqtë tradicionalë të okupatorit tonë, nga Moska dhe Athina. 
UÇK’ja ia tërheq vërejtjen autorëve të këtyre makinacioneve se kanë shkuar larg me lojërat e ndyta në dëm të kombit dhe Atdheut. UÇK’ja këtu vëren tendencën më të hapët të përçarjeve të shkaktuara nga ky klan në lëvizjen politike shqiptare, të cilat barten edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Gjithashtu e këshillojmë miqësisht edhe faktorin ndërkombëtar, sidomos SHBA’të dhe vendet e demokracisë perëndimore, që të mos bien nën ndikimin e allëshverisheve ruso-greke. (…) UÇK është në krijimin e institucioneve të reja funksionale dhe kombëtare, për kushtet dhe rrethanat e luftës. Këtë duhet ta bëjmë me të gjitha ato forca politike të cilat synojnë ndershmërisht lirinë, me individë të rinj, të ngritur politikisht dhe profesionalisht, dhe, me intelektualë të dëshmuar kombëtarisht. (…) Lufta e jonë vazhdon deri në fitore. – përfundon deklarata politike nr. 4 e SHP të UÇK’së. 



( 26. 1. 2009 ) SHERADIN BERISHA: Cilët janë persekutuesit e shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore

ZANAFILLA E UDB-së FAMËKEQE! 

Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, syri dhe veshi i regjimit jugosllavë ishte padyshim Shërbimi famëkeq UDB. 
Ku e kishte zanafillën kjo famëkeqja UDB për Kosovë, e cila ia nxiu jetën shqiptarëve ?! 
Më 14 maj 1944 me vendim të Shtabit Suprem të UNÇJ-së, u formua OZN’a (Odelenje za Zashtitu Naroda – Dega e Mbrojtjes Popullore) e cila fillimisht ka vepruar në kuadër të seksionit të MP të KANÇJ’së. Ky formacion shfarosës për shqiptarët, në Kosovë u themelua më 1 shtator 1944. Të gjitha dokumentet e kohës flasin se OZN’a për Kosovë është formuar me kërkesën e “Komitetit Krahinor të Kosmetit” dhe të Komitetit Qëndror të PKJ-së. Për formimin e saj, përgjegjës ishte Aleksandër Rankoviqi, i cili për atë ditë i kishte ftuar në një takim – në ishujt Vis të Kroacisë: 
1. Miladin Popoviqin ( udhëton nga shqipëria për në Vis), 
2. Dushan Mugoshën dhe 
3. Spasoje Gjakoviqin. 
Në këtë takim u vendos që shef i OZN-ës për Kosovë të emrohej Spasoje Gjakoviqi. Me rastin e promovimit të OZN-ës në Kosovë, në radhët e saj ishin edhe tre anëtarë të “Komitetit Krahinor të Kosmetit”: 
1. Ali Shukria, 
2. Çedo Mijoviqi dhe
3. Sahit Bakalli. 
Me rastin e formimit të të ashtuquajturës ”Qeveri demokratike” në mars 1945, OZN’a hyri në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa pas shpalljes së Kushtetutës së parë të Jugosllavisë së AVNOJ-it ( janar 1946) ajo u shndërrua në UDB (Uprava Drzhavna Bezbednosti – Drejtoria e Sigurimit Shtetëror – DSSH). Me këtë emërtim UDB’a veproi deri në korrik të vitit 1966, kur në Plenumin e Brioneve u largua nga pushteti Aleksandër Rankoviqi. 
Pas disa ndryshimeve sipërfaqësore brenda këtij shërbimi, UDB’a u emërtua si SDB (Slluzhba Drzhavne Bezbednosti – Shërbimi i Sigurimit Shtetëror), por, pavarësisht nga ndryshimi i emrit, populli shqiptar deri në ditët e sotme e njihte si UDB. 
Krahas SDB alias UDB-së ka vepruar edhe një shërbim tjetër sekret i njohur si KOS (Kontra Obaveshtajna Sluzhba – Shërbimi Kundërspijunues). KOS’i ka vepruar në kuadër të Armatës jugosllave APJ. 
OZN’a / UDB’a / SDB dhe KOS’i ishin dhe mbetën shërbimet sekrete antishqiptare dhe më monstruoze në luftimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë viteve 1945 – 1999… 

ALI SHUKRIA PROKUROR I PARË PUBLIK I “KOSMETIT”! 

Ndonëse këto shërbime antishqiptare konsideroheshin si “Dorë e fortë” brenda shtetit jugosllavë dhe si të tilla i ndiqnin, keqtrajtonin dhe i burgosnin pamëshirë shqiptarët, kudo dhe në çfardo forme që kundërshtonin regjimin e ri jugosllavë, më 3 shkurt 1945 në bazë të vendimit të Mbledhjes së AVNOJ’it mbi formimin dhe kompetencën e ”Prokurorit Publik të Jugosllavisë Demokratike Federative”, u formua edhe “prokuroria publike e Kosovës dhe Metohisë, ku prokuror publik u emrua punëtori i OZN’ës Ali Shukria”. 
Vendosja e administratës ushtarake në Kosovë më 8 shkurt 1945 ( me një vendim të vacantë të Titos ) dhe vazhdimi i luftës së pakompromis i brigadave partizano – çetnike, së bashku me repartet e OZN’ës në Kosovë dhe viset tjera të etnikumit shqiptarë, ka dëshmuar qartë karakterin pushtues të regjimit të Jugosllavisë së AVNOJ’it ndaj popullit shqiptar në trojet e veta etnike, që mbetën padrejtësisht nën Jugosllavi. 

KUSH E PËRGATITI KUVENDIN E PRIZRENIT, MË 8-10. VII. 1945?! 
Derisa vazhdonin operacionet ushtarake të UNÇJ’s së Titos për ripushtimin e Kosovës me viset tjera shqiptare, qarqet politike të Jugosllavisë avnojiste bënin plane sekrete për ndarjen e saj. Kështu dhjetë ditë pas vendosjes së Administrimit ushtarak ( 08.02.45 ) dhe ende pa përfunduar Kryengritja e Shaban Polluzhës në Drenicë, udhëheqja më e lartë e KQ të PKJ-së, më 18. 02. 45 në Beograd, nxori përfundimin “që Kosova dhe Metohija t’i bashkohet shqipërisë, kurse Shqipëria të hyj në federatën jugosllave… por meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk janë të favorshme për një hap të tillë,… atëherë Kosova dhe Metohija si autonomi duhet t’i bashkohen Serbisë”. 
Ky vendim partiak, ( që u morë pa u pyetur populli shqiptarë – përveç Fadil Hoxhës me kompani), në mbledhjet tjera të mbajtura në periudhën mars – maj 1945, u shndërrua në program politik. Dhe ky program politik ndonëse me kohë u shndërrua në ligj shtetëror, krejt formalisht u shtrua për diskutim edhe në instancat politike, ushtarake e policore që administronin asokohe Kosovën. Akti i aneksimit (formal) të Kosovës Serbisë federale përfundimisht u bë në mbledhjen e Këshillit Popullor të Kosmetit, të mbajtur më 08 – 10. 07.1945 në Prizren, që në histori njihet si “Kuvendi i Prizrenit”. Si përfundim, po të analizohen me kujdes të gjitha zhvillimet politike e ushtarake në Kosovë, pas mbajtjes së Konferencës së Bujanit ( 31 dhjetor 1943 -1 e 2 janar 1944)…, mund të konkludohet me lehtësi se, ky kuvend qe një farsë politike e përgatitur (në çdo aspekt) nga shërbimi famëkeq i quajtur OZN’a. Gjatë punës sime hulumtuese në Arkivin e Prizrenit kam gjetur një fotografi të mbledhjes së Këshillit Krahinor Popullor të Kosmetit, i mbajtur në ambientet e sallës së edukatës fizike në shkollën e Gjimnazit në Prizren. 

CILAT ISHIN PIKAT E RENDIT TË DITËS NË KUVENDIN E PRIZRENIT?! 

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga kreu i “Kuvendit të Prizrenit”, në tri sesionet e mbajtur të këtij kuvendi, janë shqyrtuar 11 pika të rendit të ditës: Po i referohemi procesverbalit, ku thuhet: 

PROCES – VRBAL I SESJONIT TË I’rë TË RREGULLT TË LEGJISLATURËS SË PARË TË KËSHILLIT POPULLUER KRAHINUER TË KRAHINËS AUTONOME TË KOSOVË – METOHIS, MBAJTUN NË PRIZREN ME 8, 9 e 10 KORRIK TË VJETIT 1945

Më 8 korrik 1945 n’ora 9,45 kryetari i Këshillit populluar krahinuer Mehmet Hoxha, e hap sesionin dhe përshëndet këshilltarët, si dhe delegatët e qeverive të Serbis, Malit të Zi e Maqedonis. Fjalën përshëndetse e përkthen në sërbisht shoku Boshko Çakiq. Të gjithë të pranishmit, me ftesë të kryetarit, bajnë një minut heshtje si shej nderimi të luftëtarëve të ramë në luftën nacional – shlirimtare. 
Mandej u zgjodh kryesija e punës, n’emën të së cilës Mehmet Hoxha propozon këtë rend dite: 
1) Zgjedhja e komisjonit verifikues; 
2) Raporti i punës së Këshillit ekzekutiv krahinuer; 
3) Diskutimi rreth këtij raporti; 
4) Referati për situatën politike; 
5) Diskutim rreth këtij referati; 
6) Projekt – rezoluta për aneksimin e Kosovë – Metohis Sërbis Federale; 
7) Zgjedhja e debutetve për Kuvendin Populluer të Sërbis; 
8) Zgjedhja e debutetve për Këshillin Antifashist të shlirimit kombtar të Jugosllavis; 
9) Zgjedhja e këshilltarëve të këshillit populluar krahinuer; 
10) Zgjedhja e Këshillit ekzekutiv krahinuer; 
11) Zgjedhja e Gjyqit krahinuer; 
Kuvendi pranoi njizanit rendin e ditës të propozuem. 

KUSH ISHIN DELEGATËT E KUVENDIT TË PRIZRENIT?! 

Delegatët e rretheve për në kuvendin e Prizrenit janë përzgjedhur nga OZN’a. Në kuvend morën pjesë: 

I)- Rrethi i Prizrenit: 
1. Kolë Shiroka, 
2. Ethem Zurnaxhiu
3. Ahmet Nalbani, 
4. Vasa Bogdanoviq, 
5. Predrag Ajtiq, 
6. Gani Demiri, 
7. Boshko Çakiq; 

II)- Rrethi i Gjakovës: 
1. Elhami Nimani, 
2. Sylejman Domi, 
3. Ramadan Boshtri, 
4. Qamil Luzha, 
5. Tun Marku, 
6. Ismail nga Suhareka,

III)- Rrethi i Drenicës: 
1. Muharrem Keseti, 
2. Qemal Deva, 
3. Fazli Vela, 
4. Ibrahim Tërnavci, 
5. Rrustem Selmani, 
6. Gjoko Pajkoviq; 

IV)- Rrethi i Vuçitërnës: 
1. Ilia Embaroviq, 
2. Jetullah Jakupi, 
3. Kadri Hasan Barileva, 
4. Qazim Bajgora, 
5. Rada Jovanoviq, 
6. Xhavit Nimani; 

V)- Rrethi i Dragashit: 
1. Ramadan Dauti, 
2. Mursel Ashimi, 
3. Rasim Musa, 
4. Pavle Joviqeviq; 

VI)- Rrethi i Pejës: 
1. Murat Bajraktari, 
2. Janko Llakiqeviq, 
3. Adem Nuradini, 
4. Mark Krasniqi, 
5. Kiko Sfinjar, 
6. Fadil Hoxha; 

VII)- Rrethi i Ferizajt: 
1. Shaban Kajtazi, 
2. Bogdan Gotovusha, 
3. Tafil Fazliu, 
4. Mursel Kabashi, 
5. Kërsta Filipoviq; 

VIII)- Rrethi i Gjilanit: 
1. Vesel Rexhepi, 
2. Metë Nuredini, 
3. Sinan Hasani, 
4. Mehmet Krileva, 
5. Dushan Jankoviq, 
6. Aleksa Klariq, 
7. Mita Milkoviq; 

IX)- Rrethi i Prishtinës: 
1. Seit Haziri, 
2. Rajko Demitroviq, 
3. Ismaill Jusuf, 
4. Nikodin Mirjaçiq, 
5. Elmaz Dauti, 
6. Dushan Mugosha; 

X)- Rrethi i Mitrovicës: 
1. Janko Komoviq, 
2. Vasa Komadiniq, 
3. Jetullah Dobrani, 
4. Kadrush Aliu, 
5. Blagoje Dorotoviq, 
6. Milia Kovaqeviq; 

XI)- Rrethi i Istogut: 
1. Sahit Zatriqi, 
2. Zeqir Rexha, 
3. Steva Samarxhiq, 
4. Ali Ferati, 
5. Ruzha Raiqeviq; 

XII)- Rrethi i Rahovecit: 
1. Qamil Brovina, 
2. Ismet Shaqiri, 
3. Blagoja Miliq, 
4. Faik Pruthi; 

XIII)- Rrethi i Kaçanikut: 
1. Faik Xhemajli, 
2. Halim Musliu, 
3. Miqo Kërdiq; 

XIV)- Rrethi i Suharekës: 
1. Jovan Petkoviq, 
2. Emrush Ramadani, 
3. Brahim Uka, 
4. Asllan Fazliu, 
5. Reshat Isa

XV)- Rrethi i Podujevës: 
1. Shaban Selimi, 
2. Shaban Lepaja, 
3. Milica Ukmanoviq, 
4. Riza Iljazi(Vokrri), 
5. Sali Azemi, 
6. Misha Miqkoviq. 

Këta delegatë në ditën e tretë të kuvendit “miratuan” një “rezolutë” ku kërkohej “bashkimi” i Kosovës me Republikën Popullore të Sërbisë! Ata delegatë që e kundërshtuan një vendim të tillë, me vonë e pësuan me kokë, apo me shumë vite burg. 

Ky bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë, ishte vetëm një pjesë e padrejtësisë që i bëhej asokohe popullit shqiptarë, të mbetur jashta kufijve të Shqipërisë londineze, për vetë faktin, sepse Kosovës ju shkëputën jo vetëm trevat e banuara kryesisht me popullatë etnike shqiptare në Maqedoninë perëndimore dhe në Mal të Zi, por asaj ju ndanë edhe pjesët etnike shqiptare, si: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilat u përfshinë në kuadër të Serbisë jugore. Pra, populli shqiptarë në Kosovë dhe në trevat tjera etnike, u mashtrua rëndë nga premtimet demagogjike të udhëheqjes jugosllave dhe asaj “shqiptare” që ishin pjesë e këtij regjimi, megjithë gjakun e derdhur nga bijtë më të mirë të tij. 

SA SHQIPTARË U VRANË E U PERSEKUTUAN, GJATË V. 1941 – 1947?! 

Pas zyrtarizimit të aneksimit të Kosovës nga Serbia, u nxorën qindra ligje, dekrete e udhëzime interne për policinë dhe ushtrinë, për kthimin e kolonistëve të viteve 1912 – 1941 në Kosovë. Për t’i realizuar këto synime antishqiptare u hartuan listat prej 782 emrash të mesueve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë (kishte edhe nga Shqipëria), që duhej likuiduar politikisht dhe fizikisht. Dhe, njerëzve të likuiduar si armiq të shtetit, duhej t´u konfiskohej toka për t´ua dhënë kolonistëve serbo – malazezë. Për këtë fushatë të egër shfarosëse ndaj shqiptarëve ka shumë burime. 
Sipas të dhënave të Xheladin Hanës (anëtar i KNÇK, më vonë drejtor i gazetës Rilindja) rezulton se deri në vitin 1947 OZN’a dhe forcat pushtuese ushtarake jugosllave (lexo serbosllave) kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë, 
– prej të cilëve 36. 000 në Rrafshin e Kosovës; 
– 23. 000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 
– 27. 000 të tjerë në trevat etnike shqiptare në Maqedoni. 
– Gjatë kësaj periudhe janë kryer 220. 000 bastisje në familjet shqiptare (duke përfshirë këtu edhe bastisjet e përsëritura në të njëjtat familje); 
– pastaj mbi 200. 000 shqiptarë kanë kaluar nëpër duartë e OZN’ës famkeqe 
– si dhe janë zhvilluar tetë operacione me përmasa të gjera ushtarake të ndihmuar edhe nga OZN’a (më vonë UDB’a) dhe të gjitha këto operacione janë kryer, kundër shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve, malazezëve apo maqedonasve. 

KUSH ISHIN GJYQTARËT E PARË TË “GJYQIT POPULLUOR KRAHINUOR TË KOSMETIT”?! 

Për t´i shkatërruar e gjykuar ”armiqtë e pushtetit popullor…, bandat kriminale balliste e bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit“ ( siç cilësoheshin kundërshtarët e regjimit në Kosovë) , për këtë qëllim kuvendi i Prizrenit zgjodhi edhe “gjyqin popullor krahinor të Kosovës e Metohisë”. Pika e 11 e rendit të ditës së Kuvendit të Prizrenit ishte “zgjedhja e gjyqit populluer krahinuer”, ku në procesverbalin e këtij kuvendi thuhet: 
”Në gjyqin populluer krahinuer kuvendi zgjodhi: 
kryetar Hivzi Sylejmani 
antar të gjyqit: 
Millutin Pavliçiq
Simon Kazhiq
Ismail Gjinali
Ibrahim Muhaxhiri
Bozhidar Zuleviq
– Pajazit Abedini 

Ndërsa si zhurista: 
1. Sait Haziri 
2. Ismail Jusufi
3. Elmaz Dauti
4. Qamil Luzha
5. Kemal Deva
6. Sait Haziri
7. Ibrahim Tërnava
8. Rrustem Sylejmani
9. Hasan Çitaku
10. Ramadan Dauti
11. Rasim Musaja
12. Miodrag Ajtiq
13. Maksut Skenderi
14. Shaban Kajtazi
15. Bogdan Gotovusha
16. Jovan Çakiq
17. Jovo Jovoviq
18. Vaso Kandiq
19. Jetullah Dobranja
20. Kadrush Alija
21. Bllagoje Gjorgjeviq
22. Metush Greza
23. Ramadan Bosti
24. Tun Marku
25. Ismet Suhareka
26. Abdul Abdullah Jakupi
27. Qazim Bajgora
28. Rada Jovanoviq
29. Rexhep Butovci
30. Murat Bajraktari
31. Janko Lakiqeviq
32. Mark Krasniqi 
33. Niko Strugar
34. Ali Boletini
35. Metë Nuredini
36. Sinan Hasani
37. Dushan Jankoviq
38. Aleksa Klariq, 
39. Adem Stançiqi
40. Sahit Zatriqi, 
41. Zeqir Rrexha, 
42. Stevo Samargjiq, 
43. Ali Fetahu, 
44. Ruzha Raiqeviq, 
45. Kolë Shiroka, 
46. Ethem Zurnaxhiu, 
47. Ahmet Nallbani, 
48. Vaso Bogdanoviq, 
49. Predrag Ajtiq
50. Gani Demiri, 
51. Osman Rifati, 
52. Selim Shabani, 
53. Shaban Lepaja, 
54. Milica Vukiqeviq
55. Riza Iljazi, 
56. Salih Azemi, 
57. Misho Miqkoviq, 
58. Faik Xhemaili, 
59. Talim Muslimi
60. Miçko Krniq, 
61. Jovan Petkoviq, 
62. Emrush Ramadani
63. Ibrahim Uka, 
64. Islam Fazlija, 
65. Reshat Isa, 
66. Qamil Sharki, 
67. Ismet Kozeri, 
68. Bllagoje Miliq, 
69. Faik Pruthi

( * Në listën e delegatëve të Kuvendit të Prizrenit nga “Rrethi i Pejës” nën numrin rëndor 4 dhe në listën e gjykatësve „populluor krahinuor“ nën numrin rëndor 32, figuron edhe emri i Mark Krasniqit, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës si dhe anëtar i Komisionit, për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. 

Këta gjyqtarë e porotë, pa hezitim morën pjesë në ekzekutimin e dënimeve me vdekje (pushkatim) dhe prej 1 – 25 vjet burgim të rëndë, të përgatitura nga punëtorët operativë të OZN’ës famëkeqe, për mijëra shqiptarë, që ishin organizuar në kuadër të Lëvizjes Nacional Demkratike Shqiptare ( LNDSH ), dhe në shumë organizata tjera kombëtare, për ta luftuar regjimin pushtues jugosllavë

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …