leoni

Ahmet Qeriqi: Kush frikësohet nga hapja e dosjeve?

Prononcimi i simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi duke folur për hapjen e dosjeve në Kosovë prej vitit 1945, ka provokuar dhe ka shqetësuar tejmase shpirtrat e kolaboracionistëve të të gjitha ngjyrave dhe të gjitha regjimeve antishqiptare. Natyrisht se hapja e dosjeve në Kosovë, kurdo që të ndodh, do të ngjallë reagimin, në radhë të parë të bashkëpunëtorëve të regjimeve jugosllave, por edhe të mbeturinave mjaft të konsiderueshme, që kanë mbetur nga e kaluara si dhe të recidiveve, që aktualisht funksionojnë në vendin tonë.

Autoritetet e larta të sotme serbe, duke u mbështetur në numrin e madh të shqiptarëve me të cilët kanë bashkëpunuar, qysh prej vitit 1945, duke u mbështetur në faktin fatal se rreth 400 mijë shqiptarë kanë pranuar dhe shumë prej tyre ende shërbehen me pasaportat e Serbisë, duke u mbështetur në të gjithë ata shqiptarë trafikantë që tregtojnë dhe bashkëpunojnë me Serbinë në shumë drejtime, nuk i shuajnë dot orekset për rikthimin e dominimit dhe rishtrirjes së hegjemonisë së tyre në Kosovë. 
Kohë më parë, zyrtari i larë serb për Kosovën, Bogdanoviq, me rastin e inaugurimit të Telekomit të Serbisë, në Graçanicë, ua ka qarë hallin shqiptarëve të ndershëm, të cilët, sipas tij, paskan pranuar të qeverisën nga “terroristët”, duke aluduar në disa nga politikanët aktualë, me prejardhje nga ish-UÇK-ja. Ishte mjaft simptomatike deklarata e këtij zyrtari serb, dikur serb i zgjedhur, i ndershëm, zyrtar i Qeverisë së Kosovës. 

Sindromi i politikës aktuale serbe lidhur me Kosovën, në të gjitha aspektet del i lidhur me klasën e bashkëpunëtorëve shqiptarë, të cilët qysh prej vitit 1912 u bënë vegla të regjimeve antishqiptare. 
Çuditërisht, kjo klasë ende po mbahet e fortë, sidomos në Kosovë, dhe krejt derisa kjo klasë është e fuqishme dhe aktualisht është e përfaqësuar deri në instancat më të larta të pushtetit e të institucioneve, nuk ngopet dot oreksi i Serbisë për kthimin e gjendjes, para qershorit të vitit 1999, në kohën kur këta shqiptarë kishin jetuar të bashkuar dhe të vëllazëruar me serbë, malazezë dhe me sllavë të tjerë. 
Duket paksa paradoksal ky konstatim, por është mjaft kokëfortë fakti se asnjë prej bashkëpunëtorëve të Serbisë të kohës së Titos, Rankoviqit, Milosheviqit nuk ka kërkuar falje për krimet që ka kryer kundër bashkatdhetarëve të vet, në Kosovë. Disa prej këtyre xhelatëve janë shpallë edhe heronj të ish-RSFJ-së dhe asnjëri prej tyre nuk i ka dorëzuar apo asgjësuar publikisht ato dekorata. Familjet e tyre ende mburren me dokoratat dhe i ruajnë ato së fetishe të shenjta. Në një emision debati, analisti, Ramush Tahiri, ish kuadër komunist, ka çmuar lart momentin kur shumica e anëtarëve të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, në vitin 1989 kishin dorëzuar triskat e partisë, ndërsa policët e Kosovës në shenjë proteste për abrogimin e autonomisë nga regjimi i Serbisë, kishin dorëzuar armët dhe uniformat e milicisë serbe e jugosllave.
Shumë analistë, gazetarë, shkrimtarë, poetë politikanë me prejardhje ideologjike jugosllave, rrahin gjoks me ato veprime dhe konsiderojnë se me këto akte të një “revolucioni” të heshtur pacifist dhe inteligjent, ata i paskan larë të gjitha gjynahet, po ashtu edhe krimet që kanë bërë kundër bashkatdhetarëve. 

Çuditërisht, kjo klasë ka mbetur me mentalitetin e nostalgjisë së përjetshme prosllave dhe nuk është në gjendje, që në asnjë mënyrë të heq dorë nga e kaluara, ta dënojë atë dhe t’iu kërkojë falje viktimave, që nuk janë dhjetëra e qindra, por qindra e mijëra. 
Është anakronike të kërkosh nga Serbia t’iu kërkojë falje shqiptarëve për krimet e kryera në Kosovë, sikur kërkoi kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, më 15 janar 2009, në Reçak, përderisa asnjë bashkëpunëtor i Serbisë, nga radhët e shqiptarëve nuk ka kërkuar falje. Nuk kanë kërkuar falje, as disa bashkëpunëtorë të Milosheviqit, që kanë marrë pjesë në masakrat e kryera kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës, madje as disa nga ata që kanë marrë pjesë në masakrën e Reçakut. 
Dihet se në Kosovë ka pasur dhjetëra mijëra milicë, gjyqtarë, porotë, prokurorë, ushtarakë dhe eprorë të APJ-së, inspektorë të të gjitha niveleve të sigurimit të shtetit, hafije me pagesë e pa pagesë, spiunë të të gjitha niveleve. Ishte tërë një armatë kjo, dhe askush nuk kërkon që kjo armatë të zhduket, sepse realisht është e pamundur, sepse ishte prodhim i një bashkëjetese shekullore me hir dhe pahir me popujt e Jugosllavisë dhe veçmas me popullin serb.

Nuk bëhen hasha 80 vjet bashkëjetesë, kumbari, vëllamëri, miqësi dhe dashuri

Është po ashtu paradoksale kur një “analist” shumë i frekuentuar nëpër tv-të e vendit, irritohet nga sintagmat: barbaria sllave, apo barbarët sllavë, apo barbarët serbë. Ai, nuk i duron dot këto formulime, meqë sipas mendjes së tij, të moderuar dhe bindjes së tij internacionaliste, proletare, jugosllav, këto formulime qenkan primitive. 
Një “analist” tjetër, në emisionin Oksigjen të RTK-së, i pyetur rreth vjetërisë së popullit shqiptar, shprehet me cinizëm duke deklaruar se meqë shqiptarët janë aq të vjetër, edhe majmunët kanë filluar të deklarojnë se kanë origjinë prej shqiptarëve. Dhe natyrisht, drejtuesi i emisionit kërkon nga publiku një duartrokitje frenetike, për fjalët aq “kuptimplote” të këtij analisti majmun. Dhe çuditërisht, publiku në delir të qejfeve dhe argëtimit, klith me ovacione, fishkëllime dhe mimikri, po ashtu majmune. Pikërisht ashtu sikur e kishte përkufizuar këtë klasë njerëzish filozofi shqiptar, Kristë Maloku në vitin 1937, “Haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”. 
E tillë është ndër ne, por edhe kudo në botë klasa e bashkëpunëtorëve, e tradhtarëve të interesave të kombit.
Një ish i “përndjekur” , madje edhe gazetar nga ky soj njerëzish, dy vjet më parë pati formuar një “Lidhje të pajtimit të shqiptarëve me serbë”, duke arsyetuar se, nëse serbët po tregohen të paqytetëruar dhe nuk po na kërkojnë falje, atëherë, o burrani në tregohemi ne të qytetëruar, dhe t’iu kërkojmë falje atyre. (!) Çuditërisht, ky, ta zëmë analist e gazetar, mburrej me idenë e tij, por kur u pyet se a ka pësuar ai, apo familja e tij nga regjimi serb dhe sa veta ia ka masakruar, apo vrarë ai regjim, ishte përgjigjur se nga ana e tij nuk kishte pësuar askush, natyrisht nuk kishte pësuar as ai vet. Të këtij soji njerëzish janë ata që aq shumë janë sëkëlldisur nga mundësia e hapjes së dosjeve. Madje, ka edhe të tillë, që kërcënojnë se nëse hapen dosjet do të ndodh hataja, do të shkatërrohet Kosova e kështu me radhë. 

Provokimi, që i bëri opinionit bacë, Adem Demaçi kësaj radhe është gjithsesi një provokim, i cili kishte për qëllim për të hulumtuar nivelin e pjekurisë qytetare të shqiptarëve, nivelin e gatishmërisë së tyre për t’ u ballafaquar me vetveten, një vit pas shpalljes së pavarësisë. 
Vërshimi i analistëve dhe gazetarëve “për” dhe “kundër” hapjes së dosjeve është mjaft domethënës dhe tregon sesa e brishtë është kjo shoqëri dhe sa të mjerë janë bashkëpunëtorët e Serbisë dhe bijtë e bijat e atyre, që kanë bashkëpunuar me Serbinë kundër interesit kombëtar të shqiptarëve dhe kundër vëllezërve të tyre të kombit, edhe 10 vjet pas dëbimit nga Kosova të regjimit okupator, barbar dhe vrastar serb. 
Mjerisht, frika nga hapja e dosjeve në Kosovë, tregon vetvetiu se sa thellë e kishte futur thikën e përçarjes dhe vëllavrasjeve mes shqiptarëve regjimi serb. Kjo është pasqyra, së cilës i frikësohen shumë politikanë të niveleve më të larta të qeverisjes, shumë zyrtarë aktualë të sigurisë dhe shumë e shumë të tjerë. Nuk frikësohen ata se do të vuajnë farë dënimi me burg sikur kemi vuajtur ne, apo sikur kemi pësuar ne nga regjimi serb, por frikësohen për postet e tyre, frikësohen para opinionit publik, para medieve që do të shkapurisin veprat e tyre të poshtra dhe kriminale, të përafërta madje edhe të njëjta si ato të bandave të Milosheviqit.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …