Filloi ndërtimi i Qendrës së Banimit Social në Malishevë

Në Malishevë, është vënë gurë themeli i Qendrës së Banimit Social, duke shënuar kështu edhe zyrtarisht fillimin e ndërtimit të kësaj qendre. Ndërtimi i kësaj qendre, është një prej projekteve më të mëdha që realizohet gjatë këtij viti në Malishevë, dhe është projekt i cili ka rëndësi të madhe për sigurimin e strehimit për dyzet familje në nevojë. Në ceremoninë e fillimit të punimeve, morën pjesë, zv/kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zv/ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zv/ministria të kabinetit qeveritar, qeveria komunale e Malishevës dhe zyrtarë të tjerë. “Jam shumë i kënaqur pasi kemi arritur që të fillojmë ndërtimin e një qendre të këtillë, përmes së cilës do të sigurojmë strehimin për 40 familje, dhe shfrytëzoj rasti që publikisht të falënderoj ministrinë për këtë projekt, me rëndësi të madhe për neve”, tha mes tjerash në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, tha se “inaugurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj Qendre të Banimit Social, tregon më së miri jo vetëm obligimin ligjorë, por edhe përkushtimin e ministrisë, në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në vendin tonë”. Gurë themelin, apo betonin e parë e kanë vendosur kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe zëvendësministri i MPMS-së, Çerkin Dukolli, e më pas edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti e Haxhi Shala. Qendra e Banimit Social, është projekt dy vjeçar dhe është një projekt që bashkëfinancohet nga Komuna e Malishevës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku kjo e fundit, e bartë pjesën më të madhe të financimit. Objekti i Qendrës së Banimit Social, do të kushtoj rreth 650 mijë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …