Demaçi: Zëri i madh i një Radioje të vogël

(Fjala e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, në 15-vjetorin e Radios-Kosova e Lirë)

Vëllezër e motra!

Zonja e zotërinj!

Bashkëluftëtarë të mi!

Ju drejtohem të gjithë juve,  që në çfarëdo mënyre keni ndihmuar luftën tonë çlirimtare, qëndresën tonë kundër të gjithë atyre, që asnjë herë nuk u pajtuan me rezistencën tonë, asnjëherë nuk u pajtuan dhe u munduan të na defaktorizojnë,   të na zhbinin, të na shpërngulnin, të na humbnin e të na shfarosnin.

Gjithë juve që besoni në të ardhmen tonë, juve që nuk e keni humbur shpresën ju ftoj që do të arrijmë t’i bëjmë të vërteta materiale të prekshme, gjithë ato qëllime e dëshira, aspirata për të cilat vdiqën qindra e mijëra heronj e dëshmorë të kombit tonë.

Sot po festojmë një datë shumë të rëndësishme. Shumë më të rëndësishme se sa që janë të vetëdijshëm njerëzit. Po festojmë ditën e një luftëtari të madh të lirisë tonë, zërin e bekuar, zërin e madh të Radios të vogël, të Radios, Kosova e Lirë. Sot jetojmë në një botë me kthesa të mëdha, me  ndryshime të mëdha, me rrëmujë të madhe, me propagandë të shfrenuar, të të gjitha llojeve.

E tha edhe drejtori radios Kosova e lirë,  Ahmet Qeriqi, se janë 100 radio e televizione në një Kosovë të vogël, por në qoftë se i përcillni ato, e  unë kam kohë i përcjell, sepse tash jam në pension, siç po thonë,  ka pak nga ato programe që mundohen të punojnë e të veprojnë dhe të bëjnë që populli ynë të hapë sytë, të mbledh mendjen e të shoh se ç’farë kohe e ç’farë hapësire jetojmë dhe  në ç’farë rrethanash jetojmë. Pak janë ato medie që na bëjnë të mos harrojmë se jemi ende të ndarë në gjashtë pjesë, një popull i vogël që nuk i pati faj askujt.

Shumë shqiptarë po harrojnë që jemi të ndarë në gjashtë pjesë, madje po ka të atillë që edhe me televizione po mundohen të na ndajnë në Gegë e Toskë, pra edhe një ndarje tjetër po duan të na bëjnë. Me fjalë të tjera,  në këtë rrëmujë të madhe, në këtë hallakamë të madhe, në këtë zhurmë të madhe, që bëhet mbi popullin tonë, krejt kjo është e programuar nga një qendër, të cilën ne nuk po e shohim, por e cila i ka në dorë të gjitha gjërat,  po dëgjohet çdo ditë, zëri i Radios Kosova e Lirë, zëri i Kosovës së vogël, por me një oksigjen të fuqishëm,  i cili po na frymëzon çdo ditë dhe po na rrit besimin. Sepse  ata që transmetuan emisione  nën atë lëntë e drunjve nëpër bunkerë, disa herë të mbuluara me dushk e që rrezikonin vetveten e tyre,  sot megjithatë po punojnë në një ndërtesë,  që nuk dihet a do të mbetet e tyre apo do t’i përzënë nga aty, sepse po bëhen tregti të mëdha me tokat dhe pronat e Kosovës. Por,  meqë kjo Radios e  ka popullin me vete,  unë nuk mendoj se  do të mbeten pa shtëpi, por do të mund të vendosen  në një vend dinjitoz, kurse detyra e jonë është që me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion, ta përkrahim këtë Radio, sepse ky ishte dhe është zëri i ynë, zëri i cili nuk guxon të shuhet, sepse nëse shuhet edhe fjala e lirë, nëse shuhet edhe zëri ynë, atëherë vaj halli. Prandaj duhet ta dimë rëndësinë e madhe që ka ky stacion i vogël dhe  të mundohemi me të gjitha forcat që kemi, me gjithë dijen që kemi, të angazhohemi dhe ta bëjmë një stacion të madh. Ta bëjmë një stacion që të dëgjohet dhe do të ketë fuçi që të merret me kolosët e mëdhenj të propagandës, te cilët punojnë në hapësirën shqiptare. Nuk ka nevojë të ju them se cilët janë ata propagandues, i dini ju këto. Programet e mëdha në vend.  na thërrasin neve herë pas herë, kur mendojnë se ju duhemi, përndryshe ende në dorë e kanë ata analistët e mëdhenj, analistët e famshëm, që të sjellin poshtë e përpjetë, që janë të gatshëm të ndërrojnë edhe kombin. Nëse duhet,  bëhen edhe kosovarë, edhe anti-kosovarë vetëm për një grusht para, për një kolltuk për një diçka tjetër. Pra po jetojmë në një gjendje,  në një situatë jashtëzakonisht dramatike. Prandaj na duhet fjala e lirë, fjala e vërtetë,  e cila do t ‘ia shpjegojë  kombit tonë, kush është kush, e kush na thotë, e kush  bënë e çfarë duhet të bënim. Prandaj unë e përshëndes këtë festë të madhe. Edhe vetë kam qenë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me këta dhe  me gjithë ata që mendojnë për të ardhmen tonë, për të ardhmen e popullit tonë.

Sot e kemi botën të ndarë jo si dikur në boshte,  jo e majta jo e djathta, jo komunizëm e jo anti-komunizëm.  Por sot e kemi botën të ndarë në dy pjesë. Në atë pjesë e cila mundohet ta vazhdojë edhe më tutje qenien e vetë shfrytëzuese, që të jetojë në kurriz  të tjerëve, që të jetojnë me ndihma të të tjerëve. Kemi në anën tjetër edhe një vetëdije, që po materializohet ndalë ngadalë, që ka ndërmend t’i shërbejë kombit, popullit, njerëzimit.

Pra, këtu duhet të ndalemi ne.

Luftërat nuk janë më sikur kanë qenë. Nuk dot ketë luftëra klasike, por  ka dhe do të ketë  luftëra ekonomike. Ekonomia është ajo e cila dëshmon se duhet të pranohet, apo të hidhet poshtë një sistem. Prandaj ata që do të tregohen  të suksesshëm në ekonomi, ata edhe do ta kenë botën. Edhe ne duhet të shtrëngoheni dhe duhet të përpiqemi e t’i japim fund  kësaj politikës sonë, që po mundohet që të na qes hi syve. U bënë zgjedhjet,  u bënë mirë, u integruan serbët, e në të vërtet u dezintegruan plotësisht. Erdhën serbët dhe na organizuan zgjedhjet nëpër enklava.  Erdhën serbët me lista të veta dhe i vendosen çetnikët këtu, nëpër këto enklava, nëpër këto komuna,  të cilat u krijuan me ndihmën e Evropës. Kjo  duhet t’i tregohet  popullit, e jo të na  mashtrojnë me përralla. Prandaj, ne na duhet fjala e lirë, mendimi i lirë, dhe ky organ,  ky institucion,  kjo Radio e vogël, Kosova e lirë është duke luftuar ashtu  sikur luftoi populli shqiptar,  gjithmonë i vetmuar, gjithmonë nëpër  lufta të pabarabarta.

Luftë të pabarabartë po zhvillon Radio Kosova e Lirë me të gjitha këto stacione, radio e televizione, me të gjitha ato propaganda që na vinë nga televizionet e huaja, e tjera e të  tjera. Dhe këtë zë nuk arriti askush ta ngufas. Dhe, ky zë po përhapet  çdo ditë dhe do të jetë më i zëshëm dhe më i fuqishëm, sepse neve na ka prapa. E ka popullin,  i cili po e kupton çdo ditë që ne nuk guxojmë të flemë, nuk guxojmë t’u besojmë atyre që tregojnë përralla, e  të cilët kanë harruar interesin e përgjithshëm dhe mendojnë vetëm për karriget dhe postet e veta. Kjo është porosia e kësaj Radioje me të gjitha emisionet e veta. Sepse duke mos harruar heronjtë tanë, duke mos harruar dëshmorët tanë, duke folur për çdo ditë për ta, ne jemi vetvetja.  Ata që e dëgjojnë këtë radio e dinë se në ketë radio emitohen çdo ditë emisione për dëshmoret të sotëm e të djeshëm. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të jemi esëll,  sepse disa qarqe  janë të interesuar të na vënë në gjumë, disa të na japin drogë…

Prandaj ne kemi nevojë për një zë të tillë, prandaj e uroj Ahmetin dhe stafin e  vogël prej 10 gazetarëve e operatorëve që  mbajnë këtë radio. Radiot e televizionet tjera kanë me qindra gazetarë e operatorë. Unë e di që televizioni i madh,  që po i themi ne, televizioni publik,  i ka  rreth 700 punëtorë.

Duhet të jemi syçelë si popull edhe si qytetarë,  ne mënyrë që të jemi aktiv ashtu siç është aktive Radio Kosova e Lirë,  në mënyrë që ta bëjmë edhe popullin tonë të lirë. Sot flitet për bashkimin kombëtar. Ne jemi për të, por jemi në një situatë dhe në një kohë dhe hapësirë të caktuar.

Një ndryshim i madh u bë në Shqipërinë tonë, që deri dje i thoshin nënë,  e tash po i themi partnere,  se u bëmë gjoja dy shtete.   Ne që nuk jemi shtet, u bëmë partner  me ata që janë shtet, e që shtiremi të luajmë rolin e shtetit. Po ku ka shtet pa ushtri e pa polici ku ka shtet me prokurori e gjyqe të huaja.

Mirëpo ne jemi ata, që durojmë, ne jemi që ata që nuk lëshojmë pe, ne jemi ata që nuk dorëzohemi kurrë, sepse e dimë se ai që dorëzohet e ka luftën e humbur. Ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar ndaj dhe jemi popull heroik, prandaj kemi bërë dhe do të bëjmë çudira.

Unë ju thërras juve që të mos e humbisni shpresën e madhe, sepse nuk do të mund të na mashtrojë askush, nuk do të mund të na nënshtrojë askush. Evropa, vërtet është ashtu… por unë nuk e kam atë gjuhën e Fishtës së madh, por e kam gjuhën e Ademit, i cili flet fjalë të buta. Evropa, ajo Evropa siç i thoshte Fishta, po mundohet t’i bëj lëshime një shteti, ku ishin në pushtet çetnikët, të cilët e bënë luftën dhe prapë erdhën në pushtet dhe i cili një nga një po na merr të drejtat dhe tokën tonë. Evropa vetëm po i lë faturat, që t’i  paguajnë ne shqiptarët, si gjithnjë në histori, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ne vetëm paguajmë faturat. Jepja një copë grekut, jepja një copë serbit, jepja një copë malazezit, jepja një copë atij tjetrit!

Por, mos e humbni shpresën, sepse populli ynë po zgjohet, po zgjohet dhe fat i madh është Shqipëria jonë,  e cila ka filluar seriozisht të merret me probleme ashtu sikur i  ka takuar. Ajo do të merret me fatin e gjithë kombit,  duke e shfrytëzuar këtë të drejtë, duke i pasur parasysh kushtet dhe rrethanat konkrete, të cilat do të qojnë në Evropë dhe në botë, jo me fjalë të mëdha, por me punë të mëdha, me vepra të mëdha fjalë pak e punë shumë.

Prandaj edhe unë i uroj kësaj radios sonë të flasë edhe më tej  fjalë të drejta e të vërteta,  sepse kjo nuk mund të heshtë. Të flasë  fjalë të drejta, të mira, të vërteta, në mënyrë që të na përkrahë dhe të na ndihmojë në disa momente edhe kur zhgënjehemi, kur ndonjëherë të mërzitemi  e të dëshpërohemi. Ne jemi duke ecur me ligjet e jetës, siç them unë shpeshherë, në lundrimin tonë teposhtë. E ata që  janë kundër nesh,  janë duke ecur në të kundërtën e rrjedhës së ujit. Ata një ditë do të lodhen,  kurse ne nuk do të lodhemi, sepse uji do të na bartë më lehtë. Duhet të  dimë të notojmë,  sepse deri sot shumë herë nuk kemi ditur si të notojmë, por uji na ka  mbartë andej e këndej. Kështu pra, duhet të  jemi në drejtim të ujit dhe do të mbërrijmë atje, ku është deti i lirisë, ku është Oqeani i lirisë.

RKL15vjet_Mir-AD

Kontrolloni gjithashtu

RKL

Radio-Kosova e Lirë – Financimi në dy vitet e para të punës, në Prishtinë, fakte e dëshmi

Si mbijetoi financiarisht Radio-Kosova e Lirë në vitet e para të pas luftës, fakte dhe …