leoni

RLK: Rrethanat që stagnojnë procesin e hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e regjimeve antishqiptare në Kosovë

 

Hapja e dosjeve është temë e ankthshme në të gjitha vendet, të cilat janë çliruar nga sundimi okupator, në rastin tonë nga sundimi i Jugosllavisë komuniste e socialiste. Përderisa hapja e dosjeve në Shqipëri, në radhë të parë ka ngjyrë dhe përmbajtje politike, procesi i hapjes së dosjeve në Kosovë ndryshon shumë, meqë në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me struktura, që i kanë shërbyer okupatorit dhe që mjerisht një segment i tillë edhe sot e kësaj dite bashkëpunon me Shërbimin Sekret serb, përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Duke marrë para sysh gjendjen e përgjithshme, politike dhe të sigurisë nëpër të cilën po kalon Kosova, angazhimi rreth hapjes së dosjeve, duket se nuk akordon me kohën, meqë ky rast është anashkaluar qysh prej qershorit të vitit 1999 dhe tash për tash ky proces ka stagnuar.
Procesi i hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish regjimeve okupatore, duhet të fillojë pasi të largohet UNMIK-dhe dhe EULEX-i nga Kosova dhe në dosjet e tilla duhet të gjenden edhe bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete të këtyre dy administratave kolonizatore të Kosovës.

Tani kur përfaqësuesit dhe besnikët e ish-strukturave komuniste jugosllave janë në pozitat kyçe të të gjitha institucioneve të Kosovës, në krye të shumicës dërrmuese të medieve, në polici, nëpër ministri, madje edhe në Ministrinë e Brendshme, hapja e dosjeve jo vetëm që është e pamundur, por është tepër vështirë të kalojë qoftë edhe nisma për të filluar një proces i tillë.
Procesin e tillë të hapjes së dosjeve nuk do ta lejonte në asnjë mënyrë UNMIK-u as EULEX-i, të cilët tërë mundin dhe investimet e tyre i kanë bërë pikërisht duke investuar në klasën politike me prejardhje titiste, rankoviqiste e milosheviqiane, e cila ka mbetur servisi më besnik i shitjes së interesit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.
Duket paksa absurd të hapet dosja për shembull për një bashkëpunëtor të gjallë, tani të moshuar të UDB-së, dhe të mos hapet dosja e bashkëpunëtorëve të regjimit kriminal të Milosheviqit, të cilët edhe kanë marrë pjesë në masakrat që janë kryer kundër grave dhe fëmijëve shqiptarë gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në Kosovë dhe të cilët janë në mbrojtje të policisë ndërkombëtare.
Meqë Kosova nuk është e madhe, dhe meqë njihen me emër e mbiemër shumica e bashkëpunëtorëve të të gjitha regjimeve antishqiptare, hapja e dosjeve paraqet rrezik permanent për sigurinë, meqë në një proces të tillë do të duhej të përfshiheshin segmentet kyçe të qeverisjes politike, të drejtësisë, të prokurorisë, të gjykatave dhe të segmenteve të sigurisë së Kosovës, dhe askush në vendin tonë nuk disponon forcë për të ndërmarrë një hap të tillë konkret kundër këtyre mercenarëve.

Pikërisht kjo temë rikthen për debat faktin se në një vend të qeverisur nga protektorët e huaj, nuk mund të hapen dosjet, sepse procesi i bashkëpunimit në dëm të interesit kombëtar do të vazhdojë, krejt derisa Kosova të çlirohet nga dominimi dhe hegjemonia globaliste, nëse çlirohet ndonjëherë.
Megjithatë, është e rrugës të publikohen të gjitha dosjet, jo ato që i ka deformuar apo i ka përpunuar Serbia, për qëllimet e veta, dhe të cilat edhe mund të jetën asgjësuar, por dosjet që do të krijoheshin duke u mbështetur në të dhënat e argumentuara të dëshmitarëve të gjallë, dhe të familjarëve të tyre, të cilët kanë vuajtur pasojat e regjimit okupator. Nuk do të duhej lejuar në asnjë mënyrë, që të demonizohen bijtë e bijat e bashkëpunëtorëve, por edhe këta do të duhej të merrnin guxim qytetar dhe kombëtare për të pranuar këtë të ligë, si pasojë dhe deformimet të regjimit antishqiptar.
Vetëm në rastet kur tradhtia është trashëguar nga brezi në brez, kur djali i babait, bashkëpunëtor i UDB-së mban edhe sot lidhje me Shërbimin Sekret serb të Beogradit, kemi të bëjmë me një formë të rëndë të tradhtisë, e cila do të duhej edhe të ndëshkohej, të paktën duke e shpallur në murin e turpit.

Në Kosovë nuk ka kush i hapë dosjet, meqë ish-titistët janë të pranishëm me shumicë në të gjitha institucionet e vendit.
Hashim Thaçi nuk i hap dot dosjet, sepse pretendon të ketë sa më shume elektorat nga të gjitha shtresat e qytetarëve, pse jo edhe nga bijtë e bijat e ish-bashkëpunëtorëve.
Fatmir Sejdiu ka qenë kuadër i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe nuk do të mund ta fshihte këtë fakt. Në anën tjetër si kryetar i Kosovës dhe i “unitetit”, ai nuk do të mund ta merrte nismën për një hap të tillë.
Jakup Krasniqi është zë i vetmuar në shkretëtirë. Dhe në Kuvendin e Kosovë, ku ai është kryetar, ka deputetë qysh prej kohës së nomenklaturës së parë politike të Jugosllavisë së AVNOJ-it, të cilët kurrë nuk do të pajoheshin të votonin kundër vetvetes.
Edhe kreu i opozitës, nuk mund të votojë për hapjen e dosjeve, meqë në krye të të gjitha partive të opozitës, me ndonjë përjashtim, janë drejtuesit me prejardhje nga ish Lidhja Komuniste e Jugosllavisë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …