Ahmet Qeriqi: Me brumin dhe kapitalin politik të LPK-së nuk mund të formohet Partia e socialistëve të Kosovës

 

Lajmi për shndërrimin e LPK-së në Parti Socialiste të Kosovës, nuk është vetëm një lajm sensacional dhe i papritur për opinionin tonë, por ky fakt nxjerrë në sipërfaqe krizën e brendshme shumëvjeçare të LPK-së, për shkak të veprimeve të pamatura të disa drejtuesve karrieristë të kësaj Lëvizjeje, e cila kapitalin patriotik dhe historik po bën përpjekje ta tjetërsojë me qëllim për ta bërë pajë “nusërie” për Partinë ( e ardhshme) Socialiste të Kosovës.

Pa marrë në shqyrtim të gjitha baticat dhe zbaticat që e kanë karakterizuar LPK-në prej formimit të saj në vitet 80 të shekullit të kaluar, e deri në vitet e fundit, përpjekjet për ta tjetërsuar këtë parti, bëhen me qëllim për ta dëmtuar sidomos segmentin e veprimtarisë atdhetare të kësaj Lëvizjeje, e cila në historinë e vet të begatshme ishte konstituuar si një forcë e organizuar ilegale, politike, kundër pushtimit jugosllav të trojeve shqiptare. Pretendimet për ta shndërruar këtë Lëvizje në PSK, duken tejet të pamatura, meqë me këtë përpjekje nuk është pajtuar një pjesë e madhe e kuadrove të kësaj Lëvizjeje, e cila aktivitetin e vet politik dhe strategjik e ka stërkequr sidomos prej kohës kur kreu i kësaj partie ka filluar të bëhet pjesë e aleancave dhe lëvizjeve të ndryshme në Kosovë, gjithnjë duke pretenduar pozita të larta në udhëheqjen e vendit, për shkak të “meritave”, por jo edhe aftësisë dhe aktivitetit konkret në këtë drejtim.
Duke shënuar dështim pas dështimi, në radhë të parë për shkak të karrierizmit dhe fudullëkut prepotent të kreut të kësaj Lëvizjeje, LPK-ja gjatë viteve të fundit ishte në krizë dhe në rrugë drejt shpërbërjes, në radhë të parë për shkak të deformimit të karakterit të Lëvizjes dhe pretendimeve për ta kthyer në një parti politike, e cila nuk shënoi asnjë sukses të prekshëm.
Prova për ta formuar Partinë Socialiste, me brumin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, në formë nuk duket e pamundshme, por në brendi dhe përmbajtje ajo është krejtësisht e paqëndrueshme.
LPK-ja ishte Lëvizje me program të qartë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve të trojeve të robëruara të Shqipërisë. Edhe pse fillimisht ajo u konstatua si Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës, ndërkohë u shndërrua në një Lëvizje unike, me program të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Madje roli që ka luajtur LPK-ja në këtë drejtim ka qenë vendimtar për shumë procese, nëpër të cilat ka kaluar sidomos Kosova në periudhën e para dhe gjatë luftës së UÇK-së, por edhe UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Ky rol, kjo përmbajtje dhe ky aktivitet nuk mund të kishte asgjë të përbashkët me idealet dhe ideologjinë socialiste, e cila si forcë e majtë politike nuk ka as insiston fare në mbështetjen e çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Ky pozicion i LPK-së nuk është konsumuar me faktin se shumë treva etnike të Shqipërisë, edhe pas tri luftërave tona çlirimtare, kanë ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Përderisa ekzistojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre politike disa parti dhe organizata shqiptare, të cilat kanë synim kryesor bashkimin e trojeve të Atdheut si: FBKSH-ja, Lëvizja Vetëvendosje, Lëvizja për Bashkim, Lëvizja për Integrim dhe Bashkim e të tjera, LPK-ja nuk do të duhej të shuhej, por do të ishte me interes që të gjitha këto Lëvizje të bashkoheshin, të paktën në formë aleance, meqë krejt natyrshëm i bashkon përmbajtja e programit dhe angazhimit në drejtim të synimeve strategjike të bashkimit kombëtar.

Sa i përket formimit të Partisë Socialiste të Kosovës, duhet pasur parasysh shumë fakte të cilat nuk shkojnë në favor të zhvillimit normal të kësaj force në kushtet dhe rrethanat e caktuara, që aktualisht mbretërojnë në Kosovë e më gjerë, në trojet shqiptare. Emri i kësaj partie nuk iu kujton asgjë të mirë shqiptarëve në Kosovë dhe përgjithësisht shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Kosova ka jetuar 10 vjet e më shumë nën dhunën barbare të Partisë Socialiste serbe të Milosheviqit. Po thuajse të gjitha partitë socialiste në botë, me ndonjë përjashtim, kanë kundërshtuar dhe e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Ky kundërshtim bëhet në radhë të parë, meqë vetë programi dhe ideologjia socialiste nuk kanë synim realizimin e të drejtave kombëtare të popujve, ose i kanë sa për sy e faqe, si dhe për shkak se shumica dërrmuese e partive të majta socialiste nuk e kanë ngritur zërin kundër dhunës dhe barbarive të Milosheviqit, të ushtruara kundër shqiptarëve, myslimanëve të Bosnjës, kroatëve e popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Përjashtim nga ky mes bën Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Mirëpo PS-ja nuk ka arritur të ushtrojë kurrfarë ndikimi në Internacionalen Socialiste në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, apo në drejtim të aktivizimit të formulës së njohur të socialistëve për “të drejtën e popujve për vetëvendosje”.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …