Mehmet Bislimi: KUSH PO I FRYEN ZJARRIT NË KOSOVË?

 

Respekt për të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë e të sinqertë, të cilët për popullin shqiptar kanë bërë dhe po bëjnë shumë – pa dyshim! Por le të dihet botërisht se ne shqiptarët nuk mund të sillemi gjithmonë vërdallë ngjarjeve si një popull pa identitet, ne po paguajmë haraçin e madh të politikës agresive të Beogradit, i cili me fantazitë e tij të sëmura po ringjallët si hije fantazme nëpërmjet inskenimit të problemeve në Kosovë, – dorën në zemër dhe në saje të lojalitetit shumë të tepruar të institucioneve tona, i cili është keqpërdorur, keqkuptuar dhe spostuar nga ndërkombëtarët deri në shkallën e një qyqarllëku elitë të udhëheqëseve tanë!
Kjo nuk duhet të lejohet gjatë.
Ne kemi përvojë të hidhur nga pritja jonë mbi njëzet vjeçare. Pritjet e gjata neve si popull na kanë ndëshkuar në shumicën e rasteve.
Ngjarjet që pasuan këto ditë në Kosovë provokojnë vëmendje të fortë publike, shqetësim dhe renditje të mendjeve kombëtare.
Ne nuk duhet të harrojmë, të tjerët le ta marrin vesh se pas vdekjes së Milush Kopiliqit, Skënderbeut, Luanit të Janinës, Frashërllinjve, Qemalit e Currit e deri tek Legjenda Jashari, populli shqiptar vetëm sa ka forcuar radhët e veta, pra nuk ka vdekur, madje ka forcuar dhe konsoliduar radhët dhe bindjet se, vetëm lufta i sjell atij lirinë e shumëpritur!…
Kështu ka ndodhur deri sot, janë faktet historike, që flasin dhe nuk ka si të ndodh ndryshe. Janë shqiptarët ata që kurrë nuk kanë provokuar luftë, janë shqiptarët ata që vetëm në saje të rezistencës së tyre kombëtare kanë mbijetuar mbi planet hegjemoniste të Pashiqit, të Titos, të Rankoviqit, të Milosheviqit etj. Janë shqiptarët ata që luftën ua kanë imponuar të tjerët, me dhelpëri e hile diplomatike! Kjo është e vërteta. Ne prapë, po me këto hile, po na shtyjnë drejt asaj rruge, kjo po shihet hapur, administrata e UNMIK-ut që dhjetë vjet në Kosovë po i fryn zjarrit të konflikteve të improvizuara, duke shpresuar se ato do të marrin flakë një ditë!
Institucionet e Kosovës; Presidenca, Qeveria, Parlamenti, duhet t’i bëjnë të ditur, njëherë e mirë, opinionit ndërkombëtar, (këtë tashmë e kanë thënë dhe mbetët të besojmë se këto nuk ishin fjalë koti!), përndryshe ne nuk bën të ngelim më peng i pasojave të paaftësisë së një politike shterpë të bartëseve të saj ( pozitë-opozitë). Ky lojalitet i tepruar sfidon skajshmërisht edhe vetë vlerën e jetës së shqiptarëve në këtë gjendje amorfe dhe jo afirmative. Duhet ta dijë edhe vetë administrata e UNMIK-ut dhe e EULEX-it, se tanimë kanë dështuar në planet e tyre për t’u fshehur prapa portretit të engjëjve të paqes!
Shpërdorimi i besimit të shqiptarëve, tashmë ka kaluar në analët e surprizës së dinakërisë me dhëmbë, e cila nuk e di se kur do të të kafshojë dhe ku do të të kafshojë! E përsërisim: respekt për të gjithë ata, të cilët sinqerisht bënë shumë për të bërë shtetin e Kosovës, por jo respekt për ata që në zemër të Kosovës po hapin vatra të reja zjarri në të cilat sigurisht së një ditë do të digjet dikush!
Këto vatra zjarri, jo pa qëllim, i ka hapur administrata e UNMIK-ut dhe mbështetësit e saj. Kjo u pa hapur, kur kohë më parë në mbledhjen e Këshillit të BE-së nuk u vendos për abrogimin e kësaj administrate, pra me dashje BE-ja e dyfishoi misionin e vet ndërkombëtar në Kosovë, në mënyrë që Rezoluta 1244 të mbetet në fuqi e po mbi këtë Rezolutë koçobashët ndërkombëtarë të vazhdojnë lojën e tyre domino(!), madje në krye të UNMIK-ut emëruan mandatarin e ri Zanier, i cili po e bën shumë mirë “punën” për të cilën edhe është ngarkuar!

1) Duke e provokuar situatën politike në Kosovë (gati për çdo ditë), nëpërmjet huliganizmit serb, Beogradi zyrtar, nëpërmjet administratës së UNMIK-ut, tani edhe të EULEX-it, pretendon të dominojë dhe të dirigjojë politikën në Kosovë!
2) Me këto akte dhune, ata duan të kërcënojnë faktorin vendimmarrës ndërkombëtar, duan të fusin pasiguri së gjeja në Kosovës situata politike është e brishtë, për të realizuar qëllimin e vet për jetëgjatësi e zhvatje të mëtejshme ekonomiko-politike në Kosovë!
3) Me këto akte dhune e vandalizmi, ngadalë, por sigurt, po arrihet qëllimi që të neglizhohet realiteti i ri për shtetin e Kosovës, pastaj po hidhen po aq sigurt edhe planet e Serbisë për rishikim të kufijve me fqinjët, duke dashur kështu që të goditet edhe Marrëveshja e Dejtonit!

Ambiciet nën rrogoz të Serbisë për të ndarë Bosnjën dhe Kosovën, nëpërmjet inicimit të provokimeve ditore si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë, me instalimin e një sistem qeverisës jo- funksionues që mbi dhjetë vjet atje. Ambiciet e politikes aktuale të Beogradit zyrtarë,mbështetur nga administrata e UNMIK-ut, duke krijuar bindjen e përgjithshme se gjërat nuk kanë rënë në vendin e vet, përderisa elementi serb është i pakënaqur!
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet fakti; kur dhunuesi stimulohet dhe shpërblehet, kurse i dhunuari privohet nga a drejta e vet për të jetuar në shtëpi të vet! Pra serbët në veri të Kosovës për më se dhjetë vjet stimulohen dhe shpërblehen për dhunën që po ushtrojnë kundër shqiptarëve vendës dhe ndaj territorit të Kosovës. Janë me dhjetëra raste kur serbët bllokojnë rrugët e Kosovës, demonstrojnë, plagosin dhe vrasin shqiptarë, besa edhe paqeruajtës ndërkombëtarë! Ata dëbojnë shqiptarët nga shtëpitë e tyre, pengojnë qytetarët shqiptarë që të ngrenë shtëpitë e veta në tokat e veta!
Serbët, ngrehin pallate dhe godina kolektive për vete, dhe atë në tokat e shqiptarëve! Ata, dogjën Gjykatën dhe dokumentacionin e saj!
Ata, dogjën të gjitha pika kufitare në veri të Kosovës!
Ata, hodhën granata dore dhe shtinë me armë zjarri “kallashë” mbi popullatën shqiptare! Ata, nuk e njohin autoritetin e vendit!
Ata, nuk njohin targat e makinave të Kosovës!
Ata, nuk paguajnë rrymë, nuk paguajnë as tatim shtetit të Kosovës ku edhe jetojnë! Me një fjalë, ata sillen si bimbashë në tokën me zjarre të Kosovës, të mbështetur krejt hapur dhe zhurmshëm, madje me “ligje e dekrete” të nxjerrë nga administrata e UNMIK-ut me ndonjë vulë dalë boje nga kjo administratë! Në mënyrë krejt të heshtur, këto veprime arbitrare po i mbështet administrata e EULEX-it!
Si duket kanë mbetur vetëm dy rrugë tani; e para, administrata ndërkombëtare e EULEX-it, ose ta ndihmojë jetësimin e ligjit në shtetin e ri të Kosovës, të ndihmoj institucionet e vendit për të bërë shtetin ligjor, ose të ikë duke pranuar botërisht:
– “Për shkak të interesave të gërshetuara serbo-sllave-ortodokse u bë puna lëmsh, prandaj ne nuk jemi më të zotët dhe as të dëshirueshëm më që të veprojmë në Kosovë!”.
– Ose të tregojnë dhëmbët dhe të mbrojnë ligjin, barabartë për të gjithë popujt që jetojnë në këtë tokë e që botërisht dihet se këtu zot janë shqiptarët të cilët përbëjnë mbi 93% të popullatës së gjithëmbarshme! Përndryshe, populli ynë ka bijtë e vet që i dalin zot tokës së vet, ashtu siç i kanë dalë shekuj me radhë. Çdo gjë e ka fundin e vet, ka arsyen dhe kuptimin e një logjike të veprimit, prandaj nuk është e arsyeshme që njerëzit t’i detyrojmë që të tejkalojnë arsyen dhe të flakin logjikën e veprimit!
Ky dublim dhe ngatërrim administratash në Kosovë ka krijuar një kaos të paparë dhe nuk po dihet se kush po pi e kush po paguan!
Është ora e fundit që Institucionet e Kosovës të mos pranojnë më as një herë imponimet dhe sjelljet burokratike të kësaj administrate e cila që sa vite po i fryn zjarrit në Kosovës, e pra urtia popullore thotë:”Kush luan me zjarr, do të digjet vet në te!”…
Shqiptarët kanë qenë dhe janë të gatshëm për t’u flijuar për vendin e vet. Shqiptarët duan paqe, duan prosperitet, duan demokratizim të vendit, respektojnë popujt pakicë- respektoni edhe ju të drejtën e tyre legjitime për të jetuar të lirë në vendin e vet!…

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …