leoni

RKL: Arrestimi i Çekut në Bullgari është vazhdimësi e intrigave dhe shantazheve serbe e sllave kundër shqiptarëve

 

Arrestimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantit shumëvjeçar të TMK-së, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit aktual të PSD-së, Agim Çeku, më 23 qershor në kufirin e Bullgarisë nxjerrë në sipërfaqe pavarësinë shumë të brishtë dhe jo sa duhet të qëndrueshme të Kosovës, si dhe qëndrimin unik të shteteve sllave kundër çështjes shqiptare në përgjithësi, në veçanti kundër pavarësisë së Kosovës. Dihet se Bullgaria e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, në radhë të parë për shkak përkrahjes që ka marrë dhe merr ky vend sllav prej Amerikës dhe jo për hir të së drejtës dhe përkrahjes parimore të shqiptarëve. Dhe pikërisht sepse është kështu, Sofja zyrtare arrestoi dhe e mbanë në paraburgim, Agim Çekun.

Prangosja e Çekut nëpër vende të ndryshme të botës, fillimisht në Slloveni ne vitin 2003 ndërsa një vit me vonë në Hungari, një muaj më parë ishte arrestuar nga autoritetet e Kolumbisë, me ç’ rast ishte liruar me ndërhyrjen e ministrit të Jashtëm të Francës, Bernard Kushner dhe prangosja e fundit në Bullgari, janë pjesë të një historie që shqetëson dhe që nxjerrë në sipërfaqe shumë probleme, me të cilat duhet të merret në radhë të parë Qeveria e Kosovës, por edhe të gjithë pjesëtarët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Arrestimi i Çekut në Bullgari nuk ishte aksidental, për më tepër ai ishte i ftuar për një vizitë zyrtare nga autoritete të larta të ministrisë së Jashtme të këtij shteti sllav të Ballkanit. Arrestimi me këtë rast mund të ketë qenë i kurdisur mbase edhe i orkestruar në relacion: Beograd Sofje. Nuk është vetëm një akt skandaloz veprimi i tillë i Bullgarisë, por është edhe një turp i madh kur një shtet “demokratik” plekset fare hapur në veprimet shoviniste e fashiste të Serbisë, e cila në vitet 90 të shekullit të kaluar ka vrarë e masakruar mijëra kroatë, qindra mijëra myslimanë boshnjakë të Bosnjës e Hercegovinës e dhjetëra mijëra shqiptarë. Dhe pikërisht për të këtë politikë të çmendur dhe antinjerëzore, ajo edhe ishte ndëshkuar nga NATO-ja, por asnjëherë, madje as ishte qortuar nga shtetet sllave, të cilat ditë e më tepër po unifikohen dhe po veprojnë rreth konceptit pansllavist, të njohur qysh nga koha e “Luftërave ballkanike”.

Me rastin e prangosjes së Çekut në Slloveni, në vitin 2003, opinioni shqiptarë në Kosovë kishte protestuar, madje edhe kishte sabotuar mallrat e Sllovenisë, e cila, për të mbrojtur interesat e veta ekonomike në Kosovë, u detyrua që ta lirojë nga arresti, asokohe komandantin e TMK-së, Agim Çeku.
Në tri arrestimet e mëvonshme, nuk kemi pasur ndonjë reagim publik, mbase edhe me faktin se Çeku nuk është më kryeministër, as komandant ushtarak i Kosovës. Mirëpo, realisht, Agim Çeku është një personalitet me një kredibilitet të fortë kombëtar dhe bën pjesë në kapitujt më të çmuar të historisë sonë më të re. Pikërisht për këtë, ai nuk duhet të kundrohet vetëm si një kryetar i një parie të vogël të vendit, por në radhë të parë si çlirimtar dhe si ushtarak, që ka dhënë kontribut tejet të çmuar në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe. Pikërisht për këtë, shoqatat e dala nga lufta dhe të gjithë pjesëtarët e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare duhet ta ngrehin zërin e protestës kundër veprimeve të tilla mashtruese dhe të turpshme të shtetit bullgar. Të ftohet zyrtarisht një diplomat i Kosovës për ta vizituar Sofjen dhe të arrestohet në kufi për hir të Beogradit, kjo ndodh vetëm në shtetet ku fjala demokraci shërben si një maskë për të mbuluar fytyrën e zezë të një shteti policor.
Shpresojmë se presioni ndërkombëtar kundër këtij shteti sllav, gjithnjë vasal i koniukturave politike e strategjike, do të ushtrojë ndikim në lirimin nga arresti të Agim Çekut. Në të kundërtën, çlirimtarët e Kosovës nuk do të rrinë duarkryq, meqë ataku që po iu bëhet vlerave të luftës sonë çlirimtare nga Serbia, nga qarqet e huaja pro serbe në Kosovë, nga një segment i EULEX-it dhe nga një segment i shqipfolësve shpirtshitur, ka kaluar çdo kufi. Bashkëjetesa e shqiptarëve me sllavë është e mundshme vetëm në respektimin reciprok të fqinjësisë dhe përgjigjes kurdoherë me të njëjtin kut. Çdo lëshim pe në këtë drejtim do të hakmerret, ashtu sikur është hakmarrë kurdoherë në të kaluarën. Pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Bullgaria është çështje e politikës së këtij shteti ballkanik dhe në këtë drejtim nuk kemi nevojë të jemi edhe aq mirënjohës, sidomos atëherë kur ky pranim stërkeqet e shpërfytyrohet me veprime shumë të ulëta, të drejtuara kundër fqinjit të ftuar në vizitë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …