Ahmet Qeriqi: Çlirimtarët, gjithnjë në shënjestër të gazetarëve agresivë, të mbështetur nga qarqet antishqiptare

 


Nuk është e largët koha kur disa publicistë të njohur të vendit dhe kuadro të larta partiake kishin lëshuar shigjeta helmi në Drenicë, sidomos pas qëndresës heroike dhe titanike të legjendarit, Adem Jashari në mars të vitit 1998, në Prekaz, kundër regjimit vrastar të Serbisë së kohës së Milosheviqit.

Atëbotë, publicisti Jusuf Buxhovi, njëri ndër themeluesit e LDK-së, duke analizuar situatën e sigurisë në Kosovë, përmes gazetës së përditshme “Bujku” kishte porositur Ibrahim Rugovën që ta pacifikonte Drenicën, meqë sipas tij, “ata që kishin marrë armët në dorë, dinin çka po bënin, por nuk dinin çka donin”. Ai i përkujtonte opinionit se ngjashëm dhe krye në veti kishte vepruar dhe Shaban Palluzha në dimër të vitit 1945 dhe për shkak të veprimeve të tij, kishte pësuar tërë Drenica, duke paralajmëruar se nuk duhej të lejohej të përsëritej një histori e tillë.
Fill pas kësaj ndërsyerje të ish sigurimcit jugosllav, me detyra partiake, në emër të Ibrahim Rugovës shkuan në Drenicë kuadro të lartë të LDK-së dhe jo vetëm që qortuan drenicasit e pabindur, por edhe i kërcënuan se diçka e tillë dhe e ngjashme nuk do të tolerohej më. Më i zëshmi në këtë luftë mediatike kundër Drenicës, qe treguar partiaku tejet besnik i LDK-së, Zejnullah Rrahmani dhe disa shokë të “kruzhokut” të tij, si Sabri Hamiti, Skënder Blakaj, Enver Maloku e të tjerë.
Një “guxim” të pashembullt në këtë drejtim kishte treguar edhe gazetari i përbetuar i titizmit, Baton Haxhiu, i cili madje në një takim me komandant Çelikun, në verë të vitit 1998, e kishte kërcënuar atë, duke i bërtitur me zë në prani të disa ndërkombëtarëve dhe duke e akuzuar për luftën e UÇK-së. Kështu ka shkruar Batoni “trim” në kujtimet e tij, për “luftën ndryshe”, të botuar pas luftës.
Ky farë Batoni, kohë më parë ishte takuar sa e sa herë me Jovica Stanishiqin, zyrtarin e lartë të Serbisë, duke bërë përpjekje të aranzhonte një marrëveshje për bisedime mes kreut politik të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar të Milosheviqit. Ai shëtiste lirshëm nëpër postblloqet serbe, por çuditërisht edhe nëpër disa nga zonat, që i mbante nën kontroll UÇK-ja.

Në verë të vitit 1998, pas ofensivave serbe, kur u përgjak Drenica, Dukagjini dhe zonat e tjera të luftës së UÇK-së, kur ranë qindra dëshmorë dhe u martirizuar mijëra të tjerë, horda e gazetarëve titistë u ndërsye edhe më egërsisht kundër luftës çlirimtare, duke e bërë fajtore për vrasjet, viktimat dhe shkatërrimet, që kishte bërë regjimi kriminal serb në zonat e luftës. Janë të njohura shkrimet e Nexhmedin Spahiut, Bajrush Morinës, Jusuf Ferizit, Shkëlzen Maliqit dhe tërë një horde të sojit të tillë, të cilët kërkonin, që të merrej në përgjegjësi kreu i UÇK-së dhe të gjithë ata “njerëz” që kishin marrë armët në dorë, pa menduar për “pasojat”, që i kishin shkaktuar vendit.
As prania dhe bisedimet e diplomatit amerikan Riçard Hollbruk në Junik, në verë të vitit 1998, në mesin e luftëtarëve të lirisë, nuk e trembi këtë soj të gazetarëve të çoroditur.
Mirëpo, lufta po vazhdonte dhe UÇK-ja, betejë pas beteje, po rilindte nga hiri i vet. Kjo qëndresë e UÇK-së, jo vetëm që nuk prezantohej realisht në shtypin e shkruar me shkronja shqip të Kosovës, por u bënë përpjekje të pandërprera, që sukseset e saj të minimizoheshin, ose të mos prezantoheshin fare në faqet e gazetave, që botoheshin nën mbikëqyrjen e regjimit okupator të Beogradit.
Ky është vetëm një segment i së kaluarës së afërt, që ilustron qëndrimin e disa gazetarëve, zëdhënës të klaneve të ndryshme kundër luftës, e sidomos kundër trimave e trimëreshave të Drenicës e të Dukagjinit, të cilët kishin marrë armët dhe kishin luftuar për çlirimin e vendit nga regjimi okupator dhe kriminal i Serbisë.
Jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas fitores mbi armikun dhe dëbimit të forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova, nuk kanë reshtur shkrimet e zeza të një klase të gazetarëve, që shkruajnë dhe flasin shqip kundër UÇK-së dhe kundër vlerave më të shenjta të kombit.

Çuditërisht, ky soj skribësh, në vend që të ndërronte qëndrimin mbi luftën çlirimtare dhe fitimtare, pas luftës i përforcoi pozitat, duke u mbështetur fuqishëm nga segmentet antishqiptare të UNMIK-ut, të OJQ-ve me prejardhje të ndryshme dhe për asnjë çast nuk ndaloi lufta mediatike kundër UÇK-së, duke e adresuar në të njëjtat valë me shtypin e Beogradit të kohës së Milosheviqit dhe pas tij.
Dhe tani, 10 vjet pas luftës, një segment i tillë i gazetarëve, shumica syresh me prejardhje nga gazetaria e ish regjimeve okupatore, pastaj gazetarë të shkolluar dhe të “emancipuar” nga BIRN-i dhe të Shoqatës së ashtuquajtur të gazetarëve “profesionistë” kanë mbetur faqja e zezë e gazetarisë, që mbështeten dhe financohen nga qarqe antishqiptare, me qëllim për të shkaktuar skandale, të orientuara sidomos kundër zyrtarëve të Qeverisë dhe kundër vlerave të luftës së UÇK-së.
Arroganca e këtyre gazetarëve është arrogancë tipike e rrugaçërisë, e shkruar dhe e folur me gjuhën e rrugëve dhe të podrumeve të ndotura, ku përdoret droga dhe ku ushtrohet prostitucioni, gazetari e folur me një gegërishte të pasur me shprehje bastarde sllave, cigane e serbe, një lloj gazetarie, me mungesë të plotë të perceptimit dhe trajtimit realist të problemeve, të cilat natyrisht se duhet të shqyrtohen me përgjegjësi dhe moral kombëtar e njerëzor nga gazetaria e vërtetë profesioniste.
Këta gazetarë prepotentë mendojnë se askush nuk ka të drejtë të mos përgjigjet në pyetjet apo bisedat, që ata pretendojnë t’i realizojnë.
Në kohën kur Kosova po kalon në një fazë krize për shkak të sulmeve të pareshtura të Beogradit, në kohën kur kreu zyrtar i Beogradit ka intensifikuar luftën mediale kundër pavarësisë së Kosovës, kur EULEX-i po hap dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë së kohës së Milosheviqit, kundër disa luftëtarëve të lirisë, të trashëguara nga UNMIK-u, një pjesë e këtyre gazetarëve veprojnë në të njëjtin drejtim, veçmas kur bëhet fjalë për ta njollosur luftën e UÇK-së dhe personalitetet e saj, të cilët drejtojnë disa nga institucionet e rëndësishme të vendit.


“Mungesa e shprehjes së fjalës së lirë”


Në kushtet dhe rrethanat që po mbretërojnë në vendin tonë, në kohën kur veprimet ekzekutive të Qeverisë dhe institucioneve janë tejet të brishta dhe shumë të varura nga UNMIK dhe EULEX-i, një staf i gazetarëve me mbështetje tejet të fuqishme të një segmenti ndërkombëtar, ka filluar të plasojë idenë se në Kosovë mungon shprehja e lirë dhe gazetarët qenkan të kërcënuar sidomos nga Qeveria. Ky soj gazetarësh, po bën përpjekje për t’i shantazhuar proceset politike, duke paraqitur krejt të zi realitetin në vend, duke mos kursyer fjalë e shprehje ndër më të pistat nga fjalori i begatshëm i rrugaçërisë, të drejtuara kundër Qeverisë, kundër Drenicës dhe kundër UÇK-së. Ankime, të shprehura përmes një gjuhe të tillë, të papërgjegjshme, u dëgjuan madje edhe në konferencën me gazetarë, që mbajti më 8 qershor, në Paris kryeministri, Hashim Thaçi. Ja deri ku ka arritur gazetaria e zezë, në mbrojte të së cilës qëndrojnë klane të nëntokës mafioze të vendit, që bashkëpunojnë me klane të caktuar të UNMIK-ut dhe EULEX-it, sidomos në paraqitjen sa më të zezë të situatës së përgjithshme në Kosovë, e veçmas në Drenicë, (nga ku e ka prejardhjen kryeministri si dhe kryetari i Kuvendit), duke u bërë thirrje publike gazetarëve, që kur të shkojnë në Drenicë të marrin me vete armët, meqë me drenicasit nuk mund të flitet ndryshe, pos me tytën e armëve. Këso mesazhe shpërndahen në emisionin “Jeta në Kosovë”, të Jeta Xharrës, në emër të lirisë së fjalës.
Dhe, në emër të lirisë të akceptuar sipas shijes të vet, kjo gazetare fyen dhe diskrediton bashkëbiseduesit, duke iu drejtuar me një arrogancë përbuzëse dhe duke i trajtuar si viktima, të cilat ajo i merr në pyetje. Mjerisht, shumë të intervistuar nga kjo gazetare, gjatë debateve tregohen tejet të matur, me faktin se e trajtojnë si femër të kompleksuar, por ka edhe të atillë që i përgjigjen me të njëjtin kut. Emisioneve të tilla iu mungon në radhë të parë serioziteti dhe gjuha e kulturuar e shprehjes, andaj edhe shumë zyrtarë nuk pranojnë një formë të tillë të komunikimit.

Këta arrogantë dhe përbuzës të vlerave më të shenjta të kombit ankohen se po iu mohohet informimi i lirë dhe se qenkan të kërcënuar nga persona publikë dhe anonimë. Fjalën dhe mendimin e lirë i konceptojnë sipas kutit dhe kandarit të tyre, jashtë përcaktimit të njohur botërisht mbi lirinë e shprehjes, por edhe jashtë detyrave dhe obligimeve që duhet të ketë një gazetar serioz dhe profesionist në kuptimin e fjalës dhe jo vetëm i vetëdeklaruar si profesionist.
Mungesën e dëshirës së një zyrtari për të dhënë intervistë, ose për të realizuar emision me një gazetar të caktuar, apo me stafin e një gazetareje, e konceptojnë si mungesë së fjalës së lirë dhe si injorim që po iu bëka gazetarëve të tillë. Ky është absurdi dhe mjerimi i këtyre gazetarëve, të cilët bezdisjen dhe hazdisjet e tyre pretendojnë t’ i realizojnë pa kurrë farë frenimi, qoftë duke përbuzur kombin dhe historinë e lavdishme çlirimtare, qoftë duke etiketuar dhe përfolur qeveritarët, qoftë duke inskenuar probleme atje ku nuk fare dhe duke heshtur mizorisht problemet kryesore, me të cilat po ballafaqohet Kosova, në procesin e vet historik drejt realizimit të synimeve për liri dhe bashkim kombëtar.
Turri pa fre i lukunisë së gazetarëve të tillë, arrogantë, nuk i ndalon dot proceset historike nëpër të cilat po kalon vendi, por i dëmton në segmente të caktuara, meqë prapa këtij soji të gazetarëve qëndrojnë disa nga OJQ-të, të financuara nga agjenturat e huaja, të cilat kanë interesat e veta strategjike në Kosovë dhe të cilat nuk lënë gurë pa lëvizur në drejtim të paraqitjes sa më të zezë të gjendjes së përgjithshme, që mbretëron në vend, me qëllim për të arsyetuar orekset kolonialiste të Serbisë. Se kush fiton më së shumti nga këto paraqitje të liga, krejtësisht të inskenuara dhe jashtë realitetit, dihet mirëfilli, ashtu sikur dihet se nga cila klasë politike e kanë prejardhjen gazetarët e tillë.
Mirëpo një gjë është fare e sigurt dhe nuk duhet harruar kurrë.
Liria dhe pavarësia e Kosovës ka një çmim të pakrahasueshëm, të cilin e ka paguar tepër shtrenjtë ky popull, sidomos gjatë sundimit shekullor të Serbisë vrastare dhe okupatore në vendin tonë. Andaj, të gjithë ata individë apo klane të ndryshme me prejardhje mafioze, që pretendojnë ta shembin kështjellën madhështore, që është ngritur mbi gjakun e derdhur për liri, duhet ta kuptojnë mirë peshën e dëmit që mund t’i sjellin vendit. Të tillët asnjëherë nuk i kanë ndaluar proceset historike drejt lirisë, por jo vetëm një herë i kanë dëmtuar rëndë ato.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …