RKL: Diplomacia e përgjumur dhe e papërgjegjshme e Kosovës

 

Përderisa ministri i Jashtëm serb, Jeremiq bën përpjekje të bëjë shantazh dhe të përçajë vendet anëtare të Konferencës Islamike, disa nga të cilat e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, “diplomatët” tanë ende janë në delirin e pritjes madhështore, që i kanë bërë nënkryetarit amerikan Bajden, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Nuk ka të dhëna zyrtare se ka dërguar Kosova ndonjë përfaqësuese në Konferencën Islamike, apo ka biseduar me ndonjërin nga përfaqësuesit e këtyre vendeve. Të paktën të dhëna të tilla nuk janë publikuar në medie.
Dihet vetëm se kjo Konferencë po i zhvillon punimet në Damask, dhe përfaqësuesi i Arabisë Saudite ka propozuar një rezolutë, e cila kërkon që vendet anëtare të kësaj konference menjëherë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në fillim të takimit madje është kërkuar nga 19 vende të Konferencës Islamike ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës.

Hezitimi i diplomacisë së Kosovës karshi shteteve arabe dhe islame po vazhdon me një kokëfortësi krejtësisht të pajustifikueshme dhe krejtësisht të dëmshme për ardhmërinë e vendit. Pavarësisht se ndihen apo nuk ndihen myslimanë (nga aspekti fetar) krerët e Kosovës, pavarësisht se disa nga ta mendojnë se “Kosovës i prishet imazhi evropian” me afrimin e saj me vendet islame dhe arabe, e vërteta qëndron në faktin se faktori politik i Kosovës në këtë drejtim, është treguar dhe po tregohet krejtësisht i papërgjegjshëm, madje edhe anakronik, përderisa vetë diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Britanisë së Madhe, kanë insistuar dhe insistojnë që Kosova të afrohet dhe të lidh miqësi me vendet islame dhe ato arabe.
Ditë më parë sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband, gjatë një ligjërate të mbajtur në Qendrën për Studime Islamike, në Oxford të Britanisë së Madhe, iu ka bërë thirrje vendeve me shumicë myslimane që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ai ka kërkuar nga këto vende që të këtë një bashkëpunim më të madh në mes të perëndimit dhe botës islame, pasi që Kosova ka një popullsi prej 90 për qind myslimanë dhe bashkëpunimi mund të fillojë mbi këtë çështje.
Thirrje të tilla drejtuar shteteve islame për pranimin e pavarësisë së Kosovës kanë bërë edhe ish-kryetari amerikan, Xhorxh Bush, me siguri se do të bëjë (në mos ka bërë) kryetari Barak Obama dhe shumë diplomatë të tjerë perëndimorë.
Hezitimi i kreut politik të Kosovë për të kontaktuar seriozisht me përfaqësuesit e vendeve islame, është tejet i papërgjegjshëm. Mungojnë vizitat zyrtare të Kosovës në këto vende. Madje edhe kur ndodh ndonjë vizitë ajo nuk është e nivelit të lartë shtetëror. Hetohet një mospërfillje e papërgjegjshme në këtë drejtim. Dhe, pikërisht këtë mospërfillje dhe papërgjegjësi po e shfrytëzon diplomacia serbe.
Sipas medieve të Beogradit, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq ka kontaktuar më shumë se 15 përfaqësues të Konferencës, me pretendime që të stopojë rezolutën e Arabisë Saudite për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga 19 vende islamike.
Dihet botërisht se Serbia nuk është anëtare e Konferencës Islamike, por Beogradin zyrtar, i cili ka qëndrim përbuzës dhe tejet urrejtës kundër islamit, nuk e pengon kjo për të propaganduar kundër Kosovës, madje duke shfrytëzuar për mrekulli edhe mos praninë e kreut diplomatik të Kosovës në vendet islame.

Ministri i Jashtëm (i përgjumur) i Kosovës, Skënder Hyseni, mjaftohet me deklarata verbale, duke injoruar edhe angazhimin e ndonjë personaliteti nga Kosova në këtë drejtim. Atij nuk i bëhet vonë për asgjë. Ai është tepër gjakftohtë sa i përket pranimit apo mospranimit të pavarësisë së Kosovës nga shtetet islame. Ai më shumë do të dëshironte që Kosovën ta pranonte Vatikani sesa krejt shtetet arabe. Por, as Vatikani si duket nuk i do laramanët fetarë dhe njerëzit e papërcaktuar në këtë drejtim. Veprimet e tilla janë të pafalshme, të dëmshme dhe krejtësisht të papërgjegjshme, sepse Kosova nuk është çiflig i asnjë ministri dhe i asnjë lideri politik, por shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Kosova ka interesa jetike, që të pranohet nga sa më shumë shtete, qofshin këto shtete islame, apo latino-amerikane, sidomos tani kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet të marrë qëndrim për apo kundër ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Njohja deri tani e vendit tonë vetëm nga 60 shtete të botës, 15 muaj pas shpalljes së pavarësisë, tregon se “diplomacia” e Kosovës ka dështuar në këtë drejtim, madje ka dështuar me qëllim, për shkak të pozicionit të luhatur dhe mungesës së një vizioni të qartë politik e unik, lidhur me të ardhmen, si dhe paragjykimit të shpifur e aspak realist, kur është fjala për shtetet islame. Po ashtu dihet se më shumë ka ndikuar Uashingtoni zyrtar në drejtim të pranimit të pavarësisë së Kosovës, nga shtetet që na kanë pranuar, sesa që është angazhuar seriozisht kreu politik dhe institucional i vendit.
Është koha e fundit që kreu politik i Kosovës t’i flakë paragjykimet lidhur me shtetet islame, në mënyrë që përfaqësuesit e këtyre shteteve ta kuptojnë drejt realitetin, që ekziston në Kosovë. Është anakronike që të pritesh njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet ortodokse sllave e ruse apo nga Kina e India.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …