leoni

Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Marrëveshjet me Serbinë akoma pjesë e menysë kosovare

Se a do të gjej Këshilli i Sigurimit kompromis me Rusinë për të pranuar realitetin e ri të Kosovës së pavarur mbetet të shihet, por një gjë është e sigurt se nuk do të ketë rikthim mbrapa, këtë e di edhe Rusia, por edhe Serbia. Edhe sa kohë do të mbetet pozicioni i ngurt i rusëve varet edhe nga rritja e numrit të shteteve që do ta pranojnë shtetin e ri të Kosovës, gjë që është në të mirë të stabilitetit rajonal, padyshim nuk ka dëshmi më të mirë se sa qetësia relative(?) që po mbizotëron edhe pas ndërhyrjeve të zyrtarëve serb, të cilët po shkelin pa reperkusione ligjore sovranitetin e Kosovës dhe Kushtetutën në fuqi të Kosovës, falë “gatishmërisë” së palës shqiptare e cila po bën lëshime të vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin institucional, edhe pse është në kolizion të plotë me atë konstitucional.

Rusët janë të vetëdijshëm se vazhdimi kokëfortë i mospranimit të realitetit të ri të Kosovës do të thotë shmangie e përgjegjësisë dhe humbje e statusit të privilegjuar në Këshillin e Sigurimit, meqë SHBA ka ndërmarrë hapa të mëtejmë të rrudhjes së ndikimit të UNMIK-ut dhe përfundimit të misionit, që u merr shumë favore diplomatëve rus.  Inciativa e re për bisedime, pak para zgjedhjeve “midterm” në SHBA mund të krijojë paqartësi, dhe bllokon zbatimin e Marrëveshjes në tërë territorin e saj, që do të thotë se zvarritë zbatimin praktik të marrëveshjeve të arritura, për të cilën pala shqiptare është “betuar”!

Realiteti i përditshëm po demanton fjalët shpresdhënëse të lidershipit kosovar (nuk është ndonjë befasi), meqë deri më tash nuk ka pasur ndonjë plan konkret të ndërmarrjes së masave për realizimin praktik të kushtetutshmërisë, por as gatishmëri serioze, meqë është dashur bile së paku parlamenti i Kosovës të jap kërkesën formale. Do si do ka një ndryshim të theksuar në raportet ndërkombëtare. Përpjekja e Thaçit të përballet me Kuvendin për të nxjerrë një rezolutë shprese të mbijetesës politike, të ngritjes së nivelit të bisedimeve me Serbinë në nivel presidentësh edhepse e ka të qartë se Serbia nuk do ta pranojë Kosovën, që është më tepër për konsum të brendshëm, për të arsyetuar rrogën ai dhe klubi i tij se po bënë diçka, ngaqë çfarë efekti do të kenë bisedimet e tilla, kur ai ka si zakonisht rolin e statistit, ndërsa roli i qytetarëve gjatë këtyre bisedimeve të cilat veçse po duket, ka shijen dehëse të verës, po margjinalizohet dukshëm, ata po mbahen pengë.

Lëvizjeve pozitive të cilave u kishte paraprirë ish-presidenti Bush në prag të pavarësisë, me një politikë të qartë dhe konstruktive gjatë takimeve me homologët e tij evropianë, tashmë ka pësuar ndryshime nga pozicioni i tashëm i Kosovës, sidomos pas dekretit të tij, atëherë, adresuar Kongresit për furnizimin me armatim dhe ushtrimin e trupave të forcës së sigurisë në Kosovë, deklarata të cilat u përcollën me të njejtin ton edhe nga shefi i NATO-s.

Për opinionin nuk ka njoftime të reja shprese që Rusia dhe të gjitha vendet e angazhuara në këtë proces do të shtojnë interesimin për relaksimin e raporteve, sidomos BE-ja, SHBA dhe të tjerët, a do të përpiqet BE-ja që të zgjidhë mosmarrëveshjet në mes tyre, lidhur me pranimin e pesëshes evropiane krahas bisedimeve në Bruksel. Ajo që duhet konsideruar është se, megjithëse përfundojë procesi i pavarësisë së mbikqyrur, në praktikë asgjë nuk ndryshojë, si duket instalimi i EULEX-it në Kosovë nuk arriti të ndalë korrupsionin endemik, nuk po ka alternativa të tjera as tash. Kur dëgjohen argumentet se duhet të vazhdojnë bisedimet, edhe me ndalesën-preambullën serbe të Kushtetutës së saj, dhe asaj kosovare, e cila përmban rekomandimet e marrëveshjes Ahtisaari dhe rezolutën 1244 nuk po duket ndonje zgjidhje eventuale në horizont.

Opinioni këshilldhënës i GJND-së  është avulluar me shtyrjet dhe zvarritjet, pa rezultate konkrete praktike në realitetin e okupimit klasik të veriut të Kosovës, nuk janë të dobishme aspak, dhe se bisedimet kështu të aranzhuara po krijojnë më shumë pasiguri dhe paqëndrueshmëri në rajon.

Ka ardhur koha që të merren vendime të favorshme në dobi të paqes. Plani Ahtisaari veç ka gjetur zbatim të plotë, që do të thotë merr parasysh të drejtat e pakicave, gjë që duhet të jetë motivues dhe udhërrëfyes edhe për vendet tjera, ku nuk është zgjidhur me sukses statusi i shqiptarëve. Rusët nuk kanë asnjë dobi të bartin problemet në rajon, nga Këshilli i Sigurimit në një forum tjetër, atë ruso-serb, gjë që as që mund të ndryshojnë ecurit- nuk mund të ndryshojë as thelbin e çështjeve, dhe do të ishte paradoksale që palët kryesore të angazhuara, BE-ja, të mos pranojë këtë realitet të ri të Kosovës, sot. Krahas bisedimeve Kosova ka nevojë imediate për pranimin e pavarësisë nga pesëshja evropiane, meqë kjo është në të mirën e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtarë.

Mundësia për dhunë ka kaluar, nuk mund të thuhet se është eliminuar krejtësisht, por çfarëdo eskalimi i mundshëm mund të jetë i rrezikshëm dhe duhet të shikohet me seriozitet. Mund të ketë elemente që mund të nxisin atë, por në këtë kohë mund të ketë edhe keqkuptime dhe përceptime të gabuara. Këtë e ka parasysh komuniteti ndërkombëtar gjithsesi, dhe përpiqet të parandaloj përsëritjen e akteve të dhunës. Këto janë edhe arsyet e qëndrimit të luhatshëm të BE-së në Kosovë, por edhe të kufijve të saj, për tu bërë përpjekje shtesë për t’i bindur palët në Kosovë, që janë kundër Kushtetutës-Marrë veshjes Ahtisaari dhe se të drejtat e pakicave do të rrespektohen. Dhe këto përpjekje do të vazhdojnë edhe në t’ardhmen, edhe pse që moti ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, duken disi foshnjarake slloganet e respektimit të Kushtetutës, meqë u shkelën disa herë këto parime me votimet e çuditshme në parlament, duke mos analizuar rezolutat e sponzoruara “dje”, që shpesh janë në kolizion me ato “sot”. Dëgjohen edhe të dhëna trishtuese të vjedhjes së votave në të kaluarën dhe vjedhje tjera ordinere “pronto”, qytetarët heshtin, nuk kërkojnë llogaridhënie, edhe parlamentarët struken pas “shtrëngimit” demokratik, thjesht nuk po dihet kush ha e kush pi, “llum-proletariat-demokracia”.

Skenari se serbët do ta braktisin parlamentin, ra si solucion, haku i financave, derisa zërat arsyetues të pales shqiptare, të një retorike dështake, janë gjithnjë e më tepër befasuese, e cila është mashtruar në prognozime, shpesh, për këtë ka bërë lëshime të dhimbshme, duke menduar se shpallja e pavarësisë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës zgjedh problemet, edhe pse tash për tash nuk ka ndonjë shqetësim në këtë drejtim. Plani serb për ndarjen funksionale të pushtetit nuk po ndalet, nuk ka ndonjë vendosmëri për t’u kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, kjo inkurajon edhe më tepër serbët në veri dhe qeverinë serbe, ata materializuan dhunën dhe barikadimin kahë pas kohe, sikurse që ndodhi në fillim okupimi i gjykatës, pastaj u hesht, që kishte pasuar me intervenimin e arsyeshëm të policisë, atëherë të UNMIK-ut, duke krijuar mëdyshje të interpretimit (vet intervenimi) , edhe në OKB.

Për ndryshim nga qeveria e Kosovës e cila nuk ka çasje institucionale në veriun e Kosovës, ka vetëm fjalë, serbët vendor përkrahës të forcave ultranacionaliste serbe po iu përmbahen me përpikëri udhëzimeve të qeverisë serbe duke instaluar pushtetin e “apartheidit”, duke penguar mbrojtjen institucionale për jo-serbët, nga strukturat e pushtetit qendror të Kosovës për një zgjidhje bile të përkohshme kompatibile me ato në komunat tjera. Edhe pse konstituimi i strukturave paralele është hedhur poshtë nga qeveria e Kosovës, duke i shpallur ato si jo legale, prap se prap serbët vendor po ndryshojnë realitetin në terren, duke krijuar një situatë të re që më vonë do të jet shumë më e komplikuar, ndoshta e pakapërcyeshme. Kjo mund të detyron palët që kanë hyrë në bisedime, për të bërë koncesione, për të tejkaluar gjendjen, meqë ai që ka sy po e kupton që Kushtetuta e Kosovës nuk është libër i shenjtë (Bibëll dhe Kuran, siç shpreheshin zyrtarët e Kosovës), por është një dokument akoma i pavlefshëm në veri.

Udhëheqja e Kosovës po zbaton me seriozitet të gjitha aspektet e Marrëveshjes, edhepse ato janë bukur të dhimbshme, sidomos decentralizimi dhe krijimi e bashkive të reja serbe, prandaj ndërkombëtarët duhet të shtojnë presionin mbi palën serbe, që të bëhet më e përgjegjëshme. Nuk mund të mohohet sekpticizmi, se nuk do të ketë ndryshime, edhe në Kushtetutë, nëse gjërat marrin teposhtëzen duke u plotësuar me ndonjë amandament shtesë(?), ngase realiteti në terren do të përcakton situatën në t’ardhmen.

Decentralizimi nuk duhet të keqinterpretohet nga serbët si tendencë për ndarje të Kosovës, meqë ashtu nuk zgjidhen nevojat e të gjithë qytetarëve në mbarë Kosovën, përkundrazi ashpërsohen raportet me tendencë të zgjërimit të mëtejmë, gjë që mund të rritë tensionet jasht kontrollit.

Përpjekjet për ndarjen e Kosovës apo ato të ndarjes së brendshme territoriale, substancialisht, mund të jenë shumë shqetësuese, meqë do të nënkuptonin lëvizjet e popullatës dhe shumë dhunë në rajon. Kjo nuk është alternativë që e çon Kosovën dhe rajonin përpara, nga kjo nuk kanë asnjë dobi as për shtetet përreth, si Maqedonia e Mali i Zi, por as Serbia dhe vet Rusia. Prandaj duhet që menquria të triumfojë dhe të pranohet pa asnjë hezitim realiteti i ri, i Kosovës së pavarur multietnike dhe multi kulturore, dhe të gjitha palët të bëjnë përpjekje të vullnetit të mirë, që të gjejnë një gjuhë të përbashkët(?). Kjo është në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përmbushjes së kritereve për anëtarësim më të përshpejtuar në BE dhe në NATO, në këtë të gjitha palët kanë pajtueshmëri, bile së paku ashtu po deklarohen.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …