Hapat e fundit që janë ndërmarr në kuadër të Bashkimit Evropian, kanë dërguar mesazhe se vendet që duan të integrohen në Bashkimin Evropian dhe të mos ndëshkohen asnjëherë për krimet e bëra duhet të ndjekin rrugën që ka bërë Serbia. Ndonëse asnjë mendje e shëndoshë në asnjë vend dhe në asnjë epokë të historisë së njerëzimit nuk do të pranonte që të shpërblehej agresori dhe të ndëshkohej viktima, në kontinentin e Evropës po ndodhë pikërisht kjo, ajo po shpërblehen agresoren, strehuesen dhe mbrojtësen e kriminelëve të kërkuar nga Gjykata e Hagës ndërsa po ndëshkon viktimat e saj, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën. Procesi i liberalizimit të vizave do të iu mundësojë qytetarëve të Serbisë që të shëtisin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian edhe pse ata dikur përkrahën fuqishëm kryekriminelin e Ballkanit, Millosheviq dhe bashkëveprimtarët e tij në luftërat kundër kroatëve, boshnjakëve myslimanë dhe shqiptarëve të Kosovës.
Si rezultat i kësaj përkrahje të pa rezervë, forcat ushtarake e paraushtarake serbe të bekuara edhe nga Kisha Ortodokse, vranë dhe masakruan në mënyrë tipike barbare qindra mijëra fëmijë, gra e pleq, dhunuan dhjetëra mijëra vajza të reja, dëbuan nga trojet e tyre pjesëtarë të popujve jo serb. Por pavarësisht këtyre fakteve rrëqethëse, procesi i liberalizimit të vizave të jep të kuptosh se nëse donë të hysh në BE duhet ndjekur rrugën që ka ndjekur Serbia, në të kundërtën do të mbyllen dyert nga kjo Bashkësi ashtu siç ju mbyllën Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës dhe Shqipërisë. Fatkeqësisht kjo nuk është e gjitha. Tani po e shohim se Këshilli i Evropës ka mbyll sytë para fakteve, që dëshmojnë për të kaluarën kriminale të Serbisë dhe është bërë sy e vesh ndaj akuzave të sajuara nga një regjim, i cili mbi të gjitha shquhet për përgatitjen dhe realizimin e planeve për shfarosjen e popujve jo serbë, plane të cilat nuk janë realizuar plotësisht fal luftës së forcave liridashëse dhe çlirimtare të cilat u përkrahën nga NATO-ja e udhëhequr nga Amerika. Një kategori e analistëve të cilët imponohen si njohës të demokracisë arsyetojnë me logjiken serbe, sipas së cilës për krimet e bëra gjatë viteve të 90-ta nuk duhet fajësuar populli serb por regjimi jo demokratik i Sllobodan Millosheviqit.
Askush nuk e konteston faktin se ai ka qenë një regjim jodemokratik, por nuk duhet injoruar edhe faktin tjetër se ai regjim është zgjedhur dhe rizgjedhur disa herë në mënyrë demokratike si dhe është përkrahur për 15 vite radhazi nga pjesa dërmuese e popullit serb.
Është e çuditshme që një vend që paraqitet si mbrojtës i vlerave më të larta njerëzore, në këtë rast Bashkimi Evropian, asnjëherë nuk ka bërë presion në drejtim të Beogradit, në atë masë, e cila do ta detyronte Serbinë që të paktën të iu kërkojë falje popujve fqinj për krimet që iu ka bërë. Zhvillimet e tanishme në Bashkimin Evropian lënë për të kuptuar se qarqe antishqiptare ndjehen aq të fuqishme sa të ndërmarrin haptas hapa kundër popullit shqiptar dhe pa u penguar nga askush.
Këshilli i Evropës tanimë ka shpërfillur edhe konstatimet e Gjykatës së Hagës dhe ka vendosur të mos iu besojë hetuesve të kësaj Gjykate dhe prokurorëve të Shqipërisë, por të bëhet sy e vesh ndaj kërkesave të Serbisë. Kjo po bënë që Serbia e inkriminuar pas 10 viteve, të vërtetat që dëshmojnë për tragjeditë që ju ka shkaktuar popujve fqinjë të saj t’i mbulojë plotësisht me gënjeshtra.
Përderisa gjatë viteve 1998-1999, shumica e medieve pasqyronin dhunën e shfrenuar dhe shtazarake të forcave ushtarake e paraushtarake serbe kundër popullit shqiptar, sot po ndodh e kundërta. Lajmet që pasqyrojnë aktivitetin e Këshillit të Evropës, krijojnë opinionin se viktima të luftës në Kosovës kanë qenë qytetarët serbë dhe jo qytetarët shqiptarë, se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të përfshirë në rrëmbimin e qytetarëve jo shqiptarë dhe transplantimin e organeve të tyre e jo në mbrojtje të popullit nga forcat vrastare serbe. Por jo vetëm kaq. Aq shumë ka arritur propaganda serbe, e cila pretendon të dëshmojë se në këtë aktivitet “kriminal” ka qenë e përfshirë edhe Shqipëria. Për t’i vërtetuar këto, Këshilli i Evropës ka angazhuar një prokuror i cili shquhet si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Emri i tij është Dik Marti. Vite më parë, ai i ka deklaruar gazetës zvicerane, Tages Anzeiger se Kosova nuk duhet të pavarësohet dhe nëse Zvicra njeh pavarësinë e saj, do të gabojë shumë. Zotëriu, Marti kishte deklaruar gjithashtu se Kosova është një vend i kriminalizuar dhe ka theksuar se çdo prokuror në Evropë që ndjek ndonjë rast kriminal, rruga e çon në Kosovë. Kur merret parasysh ky qëndrim i këtij prokurori kundër vendit tonë dhe deklaratat e tij se fajin për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë luftës i kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe besimi i tij në akuzat e sajuara nga Serbia, nuk është vështirë të dihet se çfarë konstatime është i interesuar të nxjerr ky prokuror. Shto kësaj edhe përfundimet shkencore të cilat kanë dëshmuar se qëndrimet e njerëzve dhe bindjet e tyre ndikojnë edhe në perceptimin e fakteve, njeriu sheh çfarë është i interesuar të sheh ndërsa nuk i vëren faktet që i kontestojnë bindjet e tij, konstatime të cilat u dëshmuan edhe njëherë së pari nga Bashkimi Evropian dhe së dyti nga Këshilli i Evropës. Disa shtete të Bashkimit Evropian nuk po dëshirojnë ta shohin të kaluarën kriminale të popullit serb por të arriturat e saj të ashtuquajtura demokratike. Së dyti, Këshilli i Evropës i ka mbyllë sytë dhe veshët para fakteve që dëshmojnë krimet monstruoze 10 vjeçare, që ka bërë Serbia kundër popullit kroat, boshnjak dhe atij shqiptar ndërsa ka shfaqur gatishmëri të lartë për t’i nisur hetimet duke u bazuar në akuzat që ka sajuar kundër UÇK-së regjimi antidemokratik i Beogradit, regjim i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi dhe bashkëveprimtarëve të tij, të cilët ende e gëzojnë mbështetjen dhe përkrahjen e Serbisë për të mos ju dorëzuar Gjykatës së Hagës.
Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër të dhembshëm. Gjatë këtyre 10 viteve pjesa dërmuese e medieve, është marrë kryesisht me pasqyrimin e ngjarjeve, ndodhive, fakteve jo të këndshme të vendit tonë ndërsa kanë injoruar krimet e tmerrshme që ka bërë Serbia në Kosovë. Madje me të përfunduar lufta në Kosovë, disa medie kanë filluar të gjurmojnë pa përtesë për të mbledhur të dhëna për të kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe kur nuk kanë arritur të gjejnë fakte të tilla kanë filluar të sajojnë fakte ashtu siç po bënë tani e dhjetë vite Serbia.
Fatmir Graiçevci: Dick Marty, kryehetues i KE-së dhe maja e ajsbergut e një politike të hapur antishqiptare
Serbia e ndihmuar edhe nga qarqe ndërkombëtare po ja del që të kaluarën e vet kriminale ta mbulojë me gënjeshtra