‘Pranvera Arabe’, e cila filloi më 2010, zgjoi interesim të madh në tërë botën. Lindjes së Mesme iu kushtua një vëmendje si kurrë më parë. Protestat shiheshin si mjet demokratik për të larguar despotët dhe diktatorët. Rënia e Ben Alia-së, Gadafit, e deri diku edhe Mubarakut, qe pritur mirë në tërë botën. Shihej si një dritare e re në historinë e këtyre popujve të përvuajtur pasi që tashmë së paku një herë në jetë do të mund të vendosnin për veten e tyre. Kështu e ka demokracia. Populli vendos për vete. Me këtë shpresë filluan edhe protestat paqësore në Siri. Në fillim në protesta aty këtu viheshin re edhe ambasadorët e vendeve të ndryshme të botës, si bartës të demokracisë dhe transformimit. E tërë bota u ngrit kundër Beshar El-Esed, të cilin, si duket, protestat vetëm sa e tërbuan. Ushtroi dhe vazhdon gjenocid të paparë mbi popullin e vet për të katërtin vit me radhë. Ndoshta, krimet që ka bërë ai janë më makabre në kohën bashkëkohore. Imazhet që vinin dhe vijnë edhe sot e kësaj dite nga Siria nuk kanë si të mos ngjallin të paktën një ndjenjë humane të solidaritetit me ata njerëz. Mbytja e mijëra fëmijëve vetëm për ca orë nga përdorimi i armëve kimike, madje mijëra të tjerëve nga të ftohtit, uria, mungesa e medikamenteve, vazhdojnë t’i mbushin të paktën sytë me lot për të gjithë ata që kanë fëmijë dhe posedojnë ndjenja njerëzore. Edhe Kosova u solidarizua me atë popull. Jo nga feja, sepse politikanët tanë fenë nuk e kanë aq për zemër, por nga vullneti për të jetuar të lirë, e përkrahën popullin e Sirisë. Madje qeveritarët tanë, në krye me krye-diplomatin Hoxhaj pritën zyrtarisht një delegacion nga opozita duke i dhënë përkrahje të madhe morale dhe duke e krahasuar sakrificën e tyre me atë të popullit të Kosovës për tu çliruar nga okupatori. Ky solidarizim filloi të reflektojë angazhimin praktik të një numri të madh vullnetarësh nga e tërë bota, në krye me shtetet e perëndimit, për t’i ndihmuar popullit sirian për të rrëzuar diktatorin që përdorë armë kimike para syve të botës. Pati edhe nga bijtë e këtyre trojeve tanë që shkuan atje, madje shumë i paktë ishte numri i atyre nga Kosova. Kjo ngase ideja e shkuarjes së rinisë atje nuk ishte përkrahur nga hoxhallarët as zyrtarisht e as ata më famë popullore në Kosovë. Edhe unë isha ndër të parët që kam refuzuar idenë e shkuarjes në Siri, për arsye tashmë të njohura dhe të përsëritura disa herë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe vet BIRK, respektivisht Kryesia e saj në deklarata të shumta. Shkuarja e djemve tanë në Siri filloi të interpretohet si makth për shoqërinë kosovare nga disa politikanë e analistë në vend. Jam i bindur se ata nuk preokupohen për shkuarjen apo jetët e tyre, ngase politikanët tanë as që qajnë kokën për jetën e atyre që deri me dje ishin krahë-për-krahë në luftën kundër okupatorit, e të cilët ish-ushtarë tashmë i janë kthyer vetëvrasjes si ‘zgjidhje’ nga skamja e varfëria e skajshme. Por çështja ka të bëjë me logjikën ‘më katolik se papa’. Duan të shtiren para perëndimit se kinse ne po e luftojmë ekstremizmin, terrorizmin, duke nxjerrë madje edhe ligje, të cilat në të vërtetë humbin vlerën, shfaqin shkurtëpamesinë dhe servilizmin që kanë këta njerëz. I kam përcjellë me vëmendje diskutimet në parlament për këtë ligj. Duket vërtetë miratim i anshëm, pasim dhe imitim i verbër i shteteve tjera. Madje në kundërshtim të plotë me interesat tona kombëtare e fetare. Është një ligj që për nga mentaliteti i ngjanë shumë sistemeve moniste. Kam ngelë i habitur kur kam parë mbështetjen e deputetëve për këtë ligj ndërsa nuk e kuptonin se çfarë po votonin. Nëse nesër fillon një masakër ndaj vëllezërve tanë në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, ne nuk do të guxojmë të ndihmojmë ngase na pret burgu. Nuk do të guxojmë as të shkruajmë. As të bëjmë thirrje për mbrojtjen e tokave dhe vëllezërve tanë. Si duket Serbia si nismëtare për të bërë një ligj të këtillë prapë ia arriti qëllimit të dyfishtë. Politikanët serb me largpamësi realizuan dy qëllime të synuara: 1. që t’i burgosin qytetarët e dorës së dytë, pra muslimanët, qofshin ata boshnjak apo shqiptarë që jetojnë brenda Serbisë e që në çfarëdo mënyre janë përfshirë në konfliktin sirian, qoftë edhe me lutje, dhe 2. T’i bindin shtetet fqinje, pikërisht Bosnjën dhe Kosovën, që kjo vërtetë paraqet rrezik e ata pa menduar fare të miratojnë ligje kundër qytetarëve të vet në radhë të parë, e në strategji më afatgjate tu pamundësohet me ligj të mbrojnë bashkëkombësit e tyre brenda territorit të Serbisë, qoftë për Boshnjakët në Sanxhak apo Shqiptarët në Luginë. Ndaj deputetëve dhe diplomatëve kosovarë dhe boshnjak meritojnë një ‘svakam vi cas’ shkinisht se ndryshe nuk mund të urohet një miratim i ligjit të atillë. Në veçanti kur kemi në konsideratë se asnjë nga vendet e përparuar perëndimore qoftë Francë, Gjermani, Spanjë apo Belgjikë nuk kanë miratuar ligje të këtilla edhe pse numri i qytetarëve të tyre të përfshirë në konfliktin sirian ishte shumëfish më i madh sesa i qytetarëve tanë. A thua vallë, a harruan politikanët tanë përkrahjen fizike, morale, shpirtërore dhe materiale që patëm nga e tërë bota?! Nëse këta miqtë tanë do të jenë në nevojë, a nuk është e pandershme t’iu themi atyre se nuk guxojmë t’iu ndihmojmë ngase na pret burgu. A nuk nënkupton, nga ajo që u tha më lartë, se ky ligj në fakt është kundër interesave kombëtare dhe se ata që kanë votuar këtë ligj kanë votuar kundër vetvetes? Deri dje i përkrahëm sirianët politikisht edhe në mënyrë zyrtare, respektivisht opozitën dhe ushtrinë e lirë, ndërsa sot t’i dënojmë ata që i përkrahin fizikisht, ky është absurditet i llojit të vet. Unë mendoj se jo vetëm që ka nuk pasur nevojë për këtë ligj, por nuk ka pasur nevojë të bisedohet për këtë çështje fare, duke pasur në konsideratë qindra-mijëra problematika më të mëdha dhe më serioze në vendin tonë. A thua vallë më çfarë logjike përgatitet dhe miratohet ligj për 20 persona, pasi që vetëm kaq ka shënime Ministria e Punëve të Jashtme për personat që shkuan atje, e që nuk dihet më saktësi se të gjithë janë të kyçur në konflikt. Ka disa prej tyre që raportojnë si gazetarë për agjenci të ndryshme apo edhe mund të ketë pjesëtarë të organizatave humanitare përfshirë këtu UNICEF, UN etj. Pra, më së paku na u është dashur ky ligj, i cili përpos asaj që u cekë më lart, mund çoj edhe drejt burgosjes së njerëzve të pafajshëm mbi baza të paragjykimeve politike apo fetare. Ne kemi shtet, kemi organe të sigurisë, organe të inteligjencës, të cilat paguhen për ta ruajtur shtetin, andaj është dashur që këto organe të përcjellin kush kah ka shkuar dhe me çka është marrë në ato vende dhe të shikohen pa paragjykime se nëse ata vërtetë paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare apo jo. E pastaj konform rasteve të aplikojnë masa ligjore individuale, apo grupore, por jo masa të cilat mund ta dëmtojnë rënd shtetin dhe kombin tonë madje duke ulur imazhin diplomatik të tij në periudha afatgjate. Allahu e drejtoftë këtë shoqëri, këtë parlament e këtë qeveri. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Femra, të drejtat e saj dhe gjendja aktuale
Femra dhe të drejtat e saj është një ndër tematikat më të shtjelluara bashkëkohore jo vetëm në Kosovë por gjithandej botës. Kjo për shkak të bujës së madhe që po bëhet në mediume të ndryshme duke e trajtuar këtë tematikë nga këndvështrime e perspektiva të shumta. Në fakt, ne kemi ngritur zërin vazhdimisht në mbrojtje të të drejtave të femrave pa dallim, ngase mesa duket të drejtat e femrës kanë marrë vetëm një kahje-atë të ‘emancipimit dhe lirisë’ deri në zhveshje e lakuriqësi. Ndërsa nga ana tjetër nëse femra me vullnetin e vet vendosë që të mbulohet dhe ruaj nderin e saj, bota bashkëkohore fut ‘veshët në lesh’ dhe nuk trumbeton për të drejtat e saj thuajse se ato nuk ekzistojnë apo se një femër e këtillë nuk është më femër dhe nuk meriton të drejta. Mohimi i të drejtës së arsimimit të vajzave tona me shami është vetëm një ilustrim tipik i këtij animi diskriminues bashkëkohor. Imagjino, lexues(e) i nderuar, me çka na ilustrohen të drejtat e femrës, pra me ‘të drejtat e tyre’ për tu djallëzuar dhe puthur njëra-tjetrën në publik. Pra kjo është ‘e drejtë e femrës’ e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën mbi Eliminimin e çdo Diskriminimi Kundër Femrave (Convention on the Elimination of Discrimination against Women-CEDAW), siç na trumbetojnë disa. Kurse në realitet ata(o) po harrojnë se nuk ka diskriminim dhe poshtërim më të madh e më të mjerë sesa ta nxjerrësh femrën nga natyra e saj si femër/grua.
Së këndejmi, kur janë në pyetje të drejtat e shprehjes së bindjes dhe besimit të lirë, të cilat po ashtu janë të garantuar me konventat ndërkombëtare, përfshire edhe të sipërpërmendurat por edhe Kushtetutën e vendit tonë, qarqet tona qeveritare dhe jo-qeveritare heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Ndaj ne, si gjithherë, po ngrehim zërin kundër mosrespektimit dhe diskriminimit që i bëhet femrës, qoftë si nxënëse, qoftë si grua profesioniste apo qoftë edhe si nënë e arsimuar. Pothuajse në çdo emision timin javor në TV trajtoj probleme të kësaj natyre. E kam pjesë të fesë që të drejtën ta shpjegoj si të drejtë pavarësisht se për kë bëhet fjala. Profeti Muhamed [Bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të] na ka urdhëruar: “Jepja secilit(ës) atë që i takon!” (Koleksioni i Buhariut, hadithi Nr. 6139)
Prandaj, në kuadër të angazhimit tim për promovimin e të drejtave të femrës e shoh si obligim ta ngre zërin edhe kundër promovimit jo-etik që po bëhet kohëve të fundit në emër të të drejtave të femrës. 8 Marsi për herë të parë u shënua që nga viti 1908 në ShBA, respektivisht në Evropë si ditë ndërkombëtare me 8 Mars 1914. Me protesta nëpër rrugë të Evropës përfshirë Austrinë, Danimarkën, Gjermaninë, Francën, Zvicrën e vende të tjera, femrat kërkonin të drejtat e tyre për të votuar dhe për të mbajtur poste publike, të cilat nuk i realizuan në shumë prej këtyre vendeve deri pas Luftës së Parë botërore. (Temma Kaplan, “On the Socialist Origins of International Women’s Day”, Feminist Studies, 11/1 (Spring, 1985). Ato gjithashtu protestonin kundër diskriminimit në punësim mbi baza gjinore. Andaj nuk ka dyshim se kohëve të fundit, si çdo gjë tjetër, edhe 8 Marsi është komercializuar dhe degjeneruar. Kjo ‘festë’ tashmë po manifestohet me pisllëqe, mëkate dhe çnjerëzim të femrës si lloj apo gjini. Femra tashmë është bërë vegël për të manipuluar emocionet e meshkujve, për të nxitur blerje të panevojshme, madje edhe për të marrë vendime ad-hoc, të pamatura dhe të paarsyeshme në sektorë të ndryshëm qoftë shtetëror apo publik.
Sikur femrat e para dhe pasluftës së parë botërore të shihnin këtë marifet të 8 Marsit sot, padyshim se do të ngritshin në protesta për të kundërshtuar një diskriminim, fyerje dhe poshtërim të këtillë që po i bëhet femrës madje e tërë kjo në emër të të drejtave të saj. 8 Marsi në fillim ishte dizajnuar për të mbrojtur dinjitetin e femrës dhe jo për ta poshtëruar atë. Nuk mendoj se në ndonjë vend tjetër në botë 8 Marsi është bërë festë e shthurjes sikur që po promovohet në vendin tonë. Unë nuk pashë as edhe një aktivitet të vetëm, qoftë edhe simbolik, që u ndërmor këtë ditë për të ngritur dhe mbrojtur dinjitetin e femrës:
Nuk pashë se u vizituan gratë e dhunuara?
Nuk pashë ndonjë protestë të grave për miratimin e ligjit për femrat e dhunuara?
Nuk pashë asnjë vizitë ndaj nënave që tash e 15 vite nuk dinë asgjë për më të dashurit e tyre të zhdukur?
Apo mos vallë 8 Marsi ka të bëjë vetëm me të shfrenuarat dhe se kjo kategori e femrave natyrisht nuk futët aty?!
Do të dëshiroja që për hir të lexuesve të drejtat e femrës t’i shtjellojë përmes tri prizmave si në vijim:
Femra si vajzë
Femra në muslimane pothuajse gjithherë paraqitet si e shtypur dhe e diskriminuar nga feja të së cilës i përket. Islami po ashtu identifikohet me dhunën edhe pse nuk ka asgjë të përbashkët me të. Kur dhuna ndaj femrës ushtrohet në vendet me demokraci të zhvilluar këto akte identifikohen vetëm si akte dhune dhe për këtë nuk i hidhet faji demokracisë. Ndërsa kur e njëjta gjë ndodhë ne vendet apo mjediset muslimane, në bankën e të akuzuarve hidhet Islami si fe dhe aktet e dhunës i përshkruhen atij e jo personave që ushtruan dhunë. Ndaj deri kur me standarde të dyfishta, madje pavarësisht medieve të njëanshme statistikat e ndryshme pohojnë se dhuna ndaj femrave është më e shprehur në vendet e zhvilluara dhe të industrializuara përkundër programeve mbrojtëse dhe të vetëdijesimit. Nëse shikojmë burimin kryesor të Islamit, Kuranin famëlartë, shohim se ai na tregon se sjelljet e vrazhda, dhuna, arroganca, mbytja e femrës janë pjesë e një etape, e cila ka ngelë e harruar përgjithmonë në koshin e plehrave të historisë.
Kurani përshkruan si të neveritshme gjendjen e mjeruar që ishin arabët para Islamit duke potencuar ‘Dhe kur ndonjeri prej tyre pergezohej per lindjen e vajzes, i nxihej fytyra dhe mbushej plot mllef…,, (En-Nahl, 58). Andaj islami e transformoj këtë gjendje brenda 23 vitesh përderisa Muhamedi (alejhiselam) ishte gjallë. Ai i mësoi njerëzit se përkujdesja dhe edukimi i femrave ishte një mundësi/derë e mirë për të shkuar drejt Xhenetit. Ndaj mu për këtë Muhamedi (alejhiselam) tha: ‘Ai që ka tri vajza, i edukon ato, është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre, e ka te garantuar Xhenetin e përhershëm”. Shokët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, e nëse i ka dy vajza”? Tha: “Edhe nëse i ka dy”.
Femra si grua
Islami i ka garantuar të drejta të plota gruas, madje në krahasim me civilizimet tjera, gratë në Islam posedojnë më shumë. Ato gëzojnë të drejtën e përkujdesjes, pronësisë dhe të trashëgimisë nga familja por edhe burri dhe se prej tyre nuk kërkohet të punojnë për të gëzuar këto të drejta. Puna për të fituar kafshatën e gojës dhe për tu përkujdesur për fëmijët është obligim ekskluziv vetëm i burrit. Gruaja kujdeset për mbikëqyrjen, edukimin dhe akomodimin emocional të tyre. Kjo absolutisht nuk nënkupton se gruaja nuk mund të punojë, natyrisht nëse ka aftësi, profesion dhe kohë të lirë, por kjo do të thotë se ajo nuk është e obliguar, pra puna e saj jashtë shtëpisë bëhet në baza të vullnetit të lirë. Ajo e ka të drejtën e garantuar të përzgjedhë apo refuzojë bashkëshortin, të kërkojë dhuratën e martesës (prikën), të posedojë pronë, të i sigurohet banimi, ushqimi dhe veshmbathja nga bashkëshorti, të trajtohet njerëzishëm dhe pa arrogancë, etj. Pra në rast se një nga këto të drejta shkelen ose i mungojnë ajo mund të ankohet qoftë të familja por edhe në gjykatë, dhe më pas gjykata (islame natyrisht) vendosë shkallën e shkeljes së të drejtave që mund të çojnë drejtë ndarjes apo shkurorëzimit.
Femra si nënë
Respektimi i nënës është obligimi i dytë fetarë që kërkohet menjëherë pas adhurimit ndaj Allahut. Shkelja e kësaj të drejte paraqet një ndër mëkatet më të mëdha në fenë tonë. Respekti ndaj nënës duhet të jetë i vazhdueshëm derisa ajo të jetë në ketë e jo një herë në vit apo në ditën ndërkombëtare të gruas. Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut ‘Cili është njeriu që i meriton më shumë mirësjelljen dhe përkujdesjen time?” Muhamedi (alejhiselam) iu përgjigj: “Nëna jote.” Njeriu e pyeti: “Pastaj kush?” Muhamedi (alejhiselam) iu përgjigj: “Pastaj nëna jote.” Njeriu e pyeti përsëri: “Po pastaj? Ai iu përgjigj: “Pastaj nëna jote.” Ai e pyeti: “Po pas saj, kush?” Muhamedi (alejhiselam) i tha: “Babai yt.” (Buhariu, 5971).
Andaj fisnikëria më e madhe për një femër është roli i saj në zhvillimin dhe edukimin e brezave, pra që ajo të bëhet nënë. E a thua vallë ka fjalë më të shtrenjtë së fjala nën në këtë botë. A thua mund të bëhen femrat nëna duke përqafuar njëra-tjetrën dhe duke shkaktuar provokim emocionesh në publik. Eh sa me mallëngjim po kujtoj rastin e një vajze dhjetë vjeçare amerikane në gjykatë kur dëshmoi kundër paradës së të shthururve dhe të pamoralshmeve duke thënë: ‘mua nuk më mjaftojnë dy baba pa nënë dhe nuk me duhen dy nëna pa baba’. Për mua si vajzë babai është shumë me rëndësi pasi që kujdeset për mua dhe më mëson shumë gjëra të rëndësishme që i ka jeta, por i dashuri prokuror nëse nuk e kam nënën kush do të më mësojë mua si të bëhem nënë në të ardhmen time. Trupi gjykues e përfundoi seancën në favor të vajzës të mbytur me lot nga ndërgjegjja e pastër e një dhjetëvjeçare që vuante shumë pse në shkollë dhe në rrugë po promovoheshin veti të shëmtuara të të prishurve moralisht të cilat po quhen vlera dhe të drejta. Sa i madh je Ti o Zot dhe sa brendi të mirë na ke dhënë, sa natyrë të pafajshme posedojnë fëmijët e që të rriturit nuk i kuptojnë. Udhëzoje popullin tim së vërtetë nuk po kuptojnë, mbroj dhe ruaj gjeneratat e reja nga manipuluesit-mendjelehtë që shkatërrojnë brezat e ardhshëm si rezultat i paditurisë që kanë. Deri në javën tjetër Eselamu Alejkum-Paqa qoftë me ju.
Dr. Shefqet Krasniqi: Edhe një arsye pse na duhet edukimi fetar
Kosova, siç dihet, po vuan nga shumë probleme të natyrave të ndryshme. Përditë e më tepër po shfaqen probleme të reja duke na bërë me dije se ato nuk janë vetëm të natyrës politike dhe ekonomike. Problemet shoqërore duket të jenë edhe më të mëdha. Zhveshja nga kultura tradicionale që kemi pasur, e cila në thelb kishte pikënisje nga feja, po sjell pasoja të rënda. Lajmet për gjetjen e një foshnje të abortuar në Pejë, të cilën e kishin ngrënë macet, janë lajme trishtuese dhe alarmuese për të ardhmen e këtij vendi. Vlerat kuptimore, botëkuptimi, vlerat shpirtërore dhe morali janë ato që gjithmonë mbajnë gjallë një kulturë njerëzore. Transformimi ynë me këtë shpejtësi nuk do të na shpie askund tjetër përveçse në një humnerë të sigurt. Tashmë nuk kemi të bëjmë më vetëm me çoroditje morale dhe njerëzore por edhe me pasojat e saj. Pra po përballemi me pasojat kriminale të çoroditjes morale. E ky, me sa duket, është vetëm fillimi. Pasojat do të mund të jenë edhe më të mëdha. Gjasat që ato të na përfshijnë të gjithëve, dalëngadalë, janë të mëdha. Muhamedi [alejhiselam] e ngjasonte shoqërinë me anijen. Nëse një pjesë e udhëtarëve hapin një vrimë në anije, e të tjerët nuk i ndalojnë, atëherë që të gjithë do të fundosen së bashku. Me që e përjetova shumë rëndë këtë lajm, do të përpiqem që këtë akt të shëmtuar ta trajtoj jo vetëm si dukuri, por si një fakt shtesë se përse kjo shoqëri e jona vërtetë ka nevojë për edukim fetar.
Feja jonë e shtrenjtë gjithmonë i qaset problemeve dhe dukurive nga baza, pra duke vënë në pah rrënjët ose shkaqet e problemit. Andaj para se të ndaloj aktin e shëmtuar të abortit dhe lënien e brezave të ri rrugëve, nën mëshirën e maceve, Islami përkujdeset që lidhjet në mes të njerëzve, respektivisht bashkëshortëve të jenë të shëndosha. Ndaj Islami e bëri martesën të vetmen linjë legjitime dhe të shëndosh përmes së cilës gjinitë e kundërta mund të akomodojnë nevojat e tyre fiziologjike dhe kështu të ruajnë shëndetin e tyre por njëherazi edhe llojin njerëzor, pra shtimin në mënyrë legjitime duke u ditur se kush kujt i përket. Mu për këtë çdo kontakt intim në mes të dy gjinive jashtë kurorës konsiderohet amoralitet, akt i shëmtuar dhe i dënueshëm në fenë tonë, për të cilin mëkat që të dy vepruesit konsiderohen të ngarkuar me gjynah të madh për të cilin kërkohet pendim i sinqertë dhe i parevokueshëm. Këtu nuk vije në shprehje dëshira apo vullneti i njeriut, nëse njeriu me vetëdije e bën një akt të këtillë gjynahi është akoma më i madh, e nëse bëhet me imponim atëherë mëkati bie prej të imponuarit dhe dyfishohet mbi imponuesin, detyruesin apo dhunuesin. Prandaj masa e vetme preventive për tu mbrojtur nga akte të këtilla të shëmtuara është largimi respektivisht qëndrimi sa më larg amoralitetit. Këtu nuk ka vend shprehja se ka qenë vullnet i dy të rinjve apo ‘bëni dashuri por mbrohuni nga Sida’, duke përdorë kontraceptivë të ndryshëm apo barëra. Kjo i bie sikur tu themi të rinjve futuni në zjarr por laguni ngase do të digjeni me ngadalë respektivisht flakët do të ju arrijnë paksa me vonesë edhe pse ato prapë do të ju arrijnë. E çfarë dobie ka nëse digjesh më shpejt apo me ngadalë kur në të dy rastet je i djegur!
Mu për këtë Kurani fisnik ka trajtuar thelbin e problemit duke potencuar ‘Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe’. [El Isra: 32]. Pra Kurani nuk tha ‘bëni dashuri por bëjeni atë në mënyrë të mbrojtur’ siç po gënjejnë rininë tonë shumë individë e organizata. A thua vallë mund të mbrohet karburanti nga flakët apo baruti nga ndezja, kur të qëndrojnë pranë njeri-tjetrit, i tillë është edhe vrulli i rinisë. Joshje fiziologjike të pakontrolluara, veçanërisht në këto kohë të vështira, kur nëpër shkollat tona mund të gjesh gjithçka tjetër përveç dijës dhe vetëdijesimit.
Ndaj me që filluam këtë temë me lajmin e hidhur të abortit në Pejë, nuk dua t’i mbetëm borxh lexuesve në lidhje me abortin nga këndvështrimi islam. Aborti sipas islamit është një krim që kryhet në prapaskenë dmth e ëma vret foshnjën e saj pas perdes, sa është akoma në barkë, dhe me kaq përfundon skenari i përgatitur dhe i menduar ku pjesëmarrës në këtë skenë krimi janë shumë bashkëpunëtorë. Vrasësi me paramendim-e ëma, vrasësi ekzekutues-mjeku apo gjinekologu, dhe vrasësit ndihmës-pra motrat apo stafi asistues gjatë abortimit. Natyrisht, ka raste kur mëkati i abortit është më i vogël pra kur fetusi është akoma shumë fillestar, i paformuar, i deformuar tej mase apo që paraqet rrezik për të ëmën gjatë lindjes. Apo edhe nëse fetusi është zhvilluar por jeta e nënës vihet në pikëpyetje dhe mjekët konsiderojnë rrezik për jetën e nënës dhe njëherazi nuk janë të sigurt për jetën e foshnjës. Pra në këtë rast nuk mund ta rrezikojmë një jetë të sigurt-jetën e së ëmës-për një tjetër të pasigurt-jetën e foshnjës që do të vjen. Por në këto situata gjithmonë duhet të kihen në konsideratë këshillat e mjekëve të besueshëm dhe profesional e po ashtu aborti, nëse kryhet, bëhet me lejen dhe konsultimin e bashkëshortëve duke u treguar atyre rreziqet por edhe pasojat.
Ndërsa krimet që ndodhin, e që ne i quajmë aborte, pavarësisht se ato ndodhin për pikë qejfi, nga mos dëshira për të pasur fëmijë në një fazë të caktuar apo për ‘ta ruajtur fytyrën’ e një të pafytyre kjo nuk ka dyshim së nuk ka asnjë arsye të vetme dhe mjerë për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë krim të orkestruar. Imagjino, lexues(e) i nderuar, duke u munduar ta mbulojnë apo fshehin një krim moral, pra imoralitetin, njerëzit tanë shkojnë drejtë një krimi njerëzor sikur që është vrasja e një të pambrojturi, foshnje e porsalindur, pa mëkate, pa asnjë pikë faji por edhe i(e) pa fat që vjen në jetë nga ‘bisha’ të atilla që i quajnë ‘njerëz’ madje nganjëherë edhe me tentativë këta(o) quhen ‘njerëz të moderuar’. Edhe bishat e egra kanë pak mëshirë për të vegjlit e tyre, së paku nuk i braktisin që kafshët tjera të ushqehen me ta, ndërsa ‘bishat’ në formë dykëmbëshe nuk kanë as vetëdije e as mëshirë për këtë kategori të pafajshmish. A thua vallë si do t’i përgjigjen Zotit këta njerëz kur Allahu i madhërishëm t’i pyes ‘foshnjat e mbytura për çfarë faji (mëkati) ishin mbytur’ [Et Tekvir, 8-9].
Prandaj sikur që potencuam më lartë, Islami i kushton rëndësi tejet të madhe moralit dhe pastërtisë njerëzore. Zoti fuqiplotë kur na shpjegoj cilësitë e besimtarëve dhe besimtareve të sinqertë(a) vuri në pah pikërisht pastërtinë e tyre shpirtërore dhe morale. ‘Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, që i shmangën të kotës (fjalë a punë), që rregullisht e japin zeqatin, dhe të cilët (e të cilat) e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon (dëfrim) përtej tyre (nga të ndaluarat), të tillët janë ata që e kanë tejkaluar kufijtë…’, [El Mu’minun, 1-7]. Ndaj morali në islam është prej çështjeve primare që e bën besimtarin dhe besimtaren të denjë t’i përkasin kësaj feje. Mu për këtë kur e pyetën Muhamedin [alejhiselam] ‘kush do të hyjë më së lehti apo më së shpejti në Xhenet’, ‘Personi që posedon moralin më të mirë’ u përgjigj Ai. Ndërsa në kontekstin e ruajtjes së nderit dhe moralit Muhamedi [alejhiselam] tha: ‘Kush më garanton gjuhën e tij/saj (se nuk do të flasë çfarëdo) dhe ruajtjen e nderit, Unë do t’ia garantojë Xhenetin’.
E sa fjalë të mëdha e mësime të ndritshme ofroi gjithmonë ai i dashur e i nderuar, ah sikur populli im të kuptojë vetëm pak nga nektari dhe thesari i pashtershëm i Muhamedit [alejhiselam]. Nuk bëhet jeta në tokë, të cilën e fali Zoti, pa mësimet e Zotit prandaj a nuk po e shihni o njerëz se ditë e përditë po thellohemi në krime morale e njerëzore si rezultat i largimit nga rruga e Zotit. A nuk do të ishte me mirë që në vend se t’i mësojmë të rinjtë tanë si të çnjerëzohen e të bëjnë ‘dashuri të mbrojtur’, që rezultojnë me foshnje ushqim për mace, t’i edukojmë ata(o) se dashuri e vërtetë është ajo që buron nga shpirti e jo nga epshet. Dashuri e cila nuk shuhet edhe në pleqëri, dashuri që njeriut i sjellë harmoni në këtë jetë dhe lumturi e prehje në botën tjetër. A nuk është rasti i fundit edhe një shkas i mirë për të menduar se Edukimi Fetar do të na ndihmonte t’i kalisim shpirtrat e t’i kultivojmë vlerat e larta të moralit dhe etikës. O Zot udhëzoje popullin tim së vërtetë ai është një popull që nuk po merr mësim. E deri në shkrimin e radhës es selamu aljkum.
Dr. Shefqet Krasniqi: Të gjithë duhet t i shërbejmë unitetit
Islami ka meritat më të mëdha për bashkimin dhe afrimin e njerëzve. Feja që ka arritur t’i vëllazërojë njerëzit duke shkrirë absolutisht çdo dallim në mes tyre. Lehtë mund të vërehet se si një musliman nga një pjesë e botës ndihet i afërt dhe vëlla-motër me një tjetër në pjesës krejtësisht tjetër të botës. Është mirësi e madhe, siç e përshkruan Allahu i madhëruar në Kuran (3:103). Në të vërtetë, në Kuran, Islami është klasifikuar si mirësi, i cili gjithmonë thërret drejtë bashkimit e unitetit. Pra, nuk është diçka që i ka kaluar koha po i ka skaduar afati dhe nuk na duhet më. Funksioni i Islamit për të bashkuar njerëzit është dhe do të jetë për aq sa të ekzistojë kjo botë. Islami shuan armiqësitë dhe në vend të tyre sjell miqësinë e afërsinë. Ai thërret njeriun të jetë pozitiv dhe të shikoj të bardhën-përparësitë tek personi tjetër, jo të zezën-të metat, ngase nuk ka njeri pa ndonjë “të zezë”apo pa të metë. Por përderisa tek një person ka shumë gjëra të bardha, atëherë shikoja ato dhe në bazë të tyre vlerësoje dhe çmoje atë. Bile edhe nëse e sheh të zezën tek tjetri duhet fshehur.
Islami i kujton njerëzimit se gjërat që i kanë të përbashkëta dhe që mund t’i afrojnë ndërmjet vete janë të shumta. Këto, në kontekst të muslimanëve si shoqëri, janë edhe më të shumta. Ata tashmë janë në rrethin e vëllazërisë dhe e tëra që duhet të bëjnë është vetëm ta kultivojnë atë vëllazëri. Pikërisht, duke u nisur nga ky parim, do të doja të sqarojë me disa fjalë disa mospajtime në mes nesh, të cilat janë të vogla, me mundësi të madhe të pajtimit, e të cilat mediat po i stërmadhojnë apo i paraqesin si të mëdha. Më mjafton Allahu si dëshmitar se nuk kam synim tjetër vetëm se të mirën ndërmjet muslimanëve por edhe të gjithë njerëzve.
Ne, muslimanët, kemi një institucion zyrtar të cilin duhet respektuar, edhe nëse mund të mos pajtojmë me mënyrën e udhëheqjes së tij. Këtë duhet ta bëjmë, para së gjithash, për hir të unitetit. Ndaj, pa më të voglin dyshim gabimet janë të mundshme sepse vet njerëzit janë me gabim dhe jo të përkryer, dhe aty ku nuk ka gabime e pësime, nuk ka as mësime e përmirësime. Nuk mendoj asnjëherë se mënyra e përmirësimit të gabimeve është cekja e të metave, por etika dhe morali i lartë, puna e palodhshme dhe dëshmimi për sinqeritet dhe përkushtim ndaj institucionit janë metodat që mund të çojnë drejtë përmirësimit.
Mundësia që të gjithë udhëheqësit apo njerëzit të jenë njësoj është 0. Kështu i ka krijuar Zoti. Nuk ka mundësi që të gjithë ata që na përfaqësojnë të jenë më të mirët, më meritorët, por me rëndësi është t’i qëndrojnë besnikë parimeve të institucionit, t’i shërbejnë idealeve të tij si dhe bashkimit dhe unitetit të xhematit/masës në këtë rast. Anashkalimi i kësaj etike dhe i këtyre qëllimeve ka bërë që edhe në mesin tonë të merret kombi pretekst për të justifikuar politikat tona. Ose thënë më mirë, të bëhen dredhi në emër të kombit. Unë jam kundër atyre që kibël të shqiptarëve e shohin Tiranën, Sarajevën apo Stambollin. Ne kemi vetëm një kibël, Qabenë e bekuar. Atje është shpallur Kurani dhe atje është burimi i fesë. Me këtë nuk dua të nënvlerësoj lidhjet që kemi me Tiranën, edhe në kuptim të fesë, e edhe të gjakut, apo me Stambollin në kuptim të fesë dhe kulturës, por dua të them dhe apeloj që debatet tona të mos marrin trajtë të debateve politike, ku njëra palë synon rrëzimin e tjetrës me çdo kusht.
Bindshëm besoj se prijësve të fesë, hoxhallarëve, më së paku u përket të shesin patriotizëm të gabuar dhe në emër të nacionalizmit të japin ide të shtrembëruara dhe të gabueshme fetarisht sikur që është rasti me fjalën kibël. As Tirana, as Sarajeva e as Stambolli as nuk kanë qenë e as që mund të bëhen ndonjëherë kibël për muslimanët. Ngase, thjeshtë, kibël nuk e ka kuptimin gjuhësor drejtim por brenda vetës ngërthen kuptimin shpirtëror dhe ndjenjat që karakterizojnë shpirtin e besimtarëve kur drejtohen për të kryer aktin më të lartë të adhurimit, pra namazin. Ndaj apeloj që të kihet kujdes i veçantë dhe të mos keqpërdoret kibla për qëllime politike apo deklarata nacionaliste për të cilat nuk kemi nevojë.
Me që ky debat, fare i panevojshëm, u hap për shkak të pjesëmarrjes së Myftiut Tërnava në inaugurimin e Myftiut të Bashkësisë Islame në Serbi, dr. Mevludin Dudiq, unë shfrytëzoj rastin dhe bëj thirrje për krijim të një unioni ballkanas të bashkësive islame, i cili do të luante rolin e një organi unifikues mes muslimanëve të këtyre trojeve ish-komuniste dhe i cili do të përshtatej me kërkesat e kohës.
Uroj që dallimet që kemi në mendime dhe pikëpamje të mos çojnë drejtë ndarjeve dhe përçarjeve të cilat edhe ashtu janë të tepërta dhe e kanë lënë këtë rajon të ngecë deri në këtë shkallë. Imagjinojeni çfarë urrejtjesh nacionale e regjionale kemi edhe pse të gjithë jetojmë në këtë rajon me shekuj, a thua vallë një përçarje fetare kujt do t’i shërbente përveç dashakeqeve dhe dorës ogurzezë të rajonit dhe me gjerë.
Dhashtë Zoti që muslimanët të vetëdijesohen njëherë e përgjithmonë se marrëveshjet, bisedimet dhe mirëkuptimet janë më të vlefshme, më të dobishme dhe më frytdhënëse se gjithçka tjetër në këtë jetë. A nuk ka thënë Zoti se ‘ishit në skaj të humnerës e ne ju shpëtuam nga aty duke ju bërë vëllezër{. Le të jetë afrimi, bashkimi dhe bashkëpunimi ynë frymë për tejkalimin e çdo krize e mosmarrëveshjeje. Amin, dhe deri në temën e radhës eselamu alejkum.