Kompania “Plus Center” e para fillon vendosjen e tiketave karshi produktit për origjinën e tyre

Edhe pse është një nga shumë bizneset që merret më shitblerjen e produkteve me pakicë, Kompania “Plus Center” në Ferizaj është e vetmja që në asortimanin e saj nuk ka produkte serbe, duke synuar që një vend të posaçëm ta kenë produktet vendore. Pronari i “Plus Centre”, Sylejman Neziri para ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili qëndroi për vizitë në Plus Center ka theksuar se synon që përmes veprimtarisë së tij t’i përkrah prodhuesit vendor. Ai ka kërkuar përkrahje për prodhuesit vendor, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet t’i mbështesin edhe bashkëatdhetarët të cilët duhet të vinë të investojnë në Kosovë. “Besoj se edhe qeveria tash e tutje do te ia jep një përkrahje prodhuesve vendor por edhe bashkatdhetarëve që të vijnë pa hezitim të financojnë në Republikën e Kosovës dhe që rinia jonë të mos ikë nëpër ambasada, por ta forcojmë shtetin tonë siç është më mirë”, ka shtuar Neziri, i cili në firmën e tij ka të punësuar 110 punëtorë. Ai është pronari i vetëm i një firme në Kosovë, i cili nuk merr dhe nuk shet produktet e Serbisë në vendin tonë. Z. Neziri me këtë rast ka ftuar tregtarët e Kosovës që të blejnë prodhimet vendore e të shteteve të tjera, por jo ato të Serbisë, e cila edhe 20 vjet pas luftës, nuk e ka ndërruar qëndrimin e saj antishqiptar. Ministri i MTI-së, Endrit Shala gjatë vizitës se tij në këtë biznes ka bërë thirrje që të zbatohet ligji i Konsumatorit, i cili parasheh edhe vendosjen e etiketave karshi produktit  për origjinën e tyre. Si ministër i Tregtisë ai do ta rris dinamikën dhe përkushtimin e MTI-së në përkrahjen dhe mbrojtjen e prodhimit vendor. “Ju e dini që Parlamenti i Kosovës veç se ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ky ligj parasheh si obligative vendosjen e etiketimit të vendosjes së origjinës së produktit për të cilin e përgëzoj Sylën i cili veç se ka filluar të vendos në të gjitha produktet ka vendos edhe etiketimin e origjinës së produkti”, tha Shala. Më tutje ai ka kërkuar edhe nga bizneset tjera që prej datës 29 dhjetor kur edhe hyn ky nen i këtij ligji në fuqi, të gjitha bizneset t`i pajisin produktet e tyre me treguesin e origjinës së këtij produkti. “Kërkoj që të rrisin edhe cilësinë e produkteve të tyre që të jenë të konkurueshëm edhe në tregun vendor edhe ndërkombëtar”, tha Shala. Zbatimin e ligjit nga bizneset e kërkoi edhe kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha. Ai tha se është e drejtë e konsumatorit që të dijë se prej nga është produkti. “Përgëzojmë edhe ministrin që e ka shty Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Iu bëjmë apel edhe pikave të tjera që të zbatojnë këtë ligj sepse është e drejtë e konsumatorit të dijë se nga është produkti, a është nga Kosova, nga vendet e rajonit apo i importuar nga vendet e Bashkimit Evropian”. Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, që është bërë në harmonizim me legjislacionin e BE-së, me 15 mars të këtij viti ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …