Nga Frank Shkreli: Drejtësi për viktimat e komunizmit


 Më heret këtë muaj në Budapesht të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956.  Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.  Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe  ndërkombëtare,  ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë.  Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.


 


Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend,  Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist.  Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit — krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati.  Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve  në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare  i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë.


 


Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij.  Dihet se pas shtypjes barbare të  revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë.  Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqët, dhe për t’i eliminuar ata pa mëshirë.


 


Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës.   Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze  të mësojë, më në fund,  të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.  Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit.  Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre.


Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore,    është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori.  Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe.


Pas më shumë se 20-viteve ç’prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste.


”Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë”, gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet.   Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel –në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie – të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës — si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë.  Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar.


Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se “personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë”.   Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet,  kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat.


Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit.   Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi.  Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!


I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi — të pakën nga pikëpamja morale — për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist?


 


 


Frank Skreli: Të bashkuar kundër agresionit rus


 


 


Ditë më parë  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hagë me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.


Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”


Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.


Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?


Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.


Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për Radio Evropa e Lirë se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.


Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.


Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal. 


Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.


Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.


 


 


Frank Shkreli: Ukraina, sirenë alarmi


 


Condoleezza Rice ka shërbyer si Sekretare e Shtetit nga viti 2005 deri në vitin 2009 në adminsitratën e Presidentit George Bush dhe njihet si një zë me kompetencë në politikën e jashtme dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare.  Në një kryeartikull  disa ditë më parë për gazetën e kryeqytetit amerikan Washington Post mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainë, ajo shkruan se ngjarjet e fundit në Ukrainë, janë një alarm për të gjithë ata që mendojnë se nuk është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të marrin përsipër përgjegjësitë e një udhëheqsi botëror.   


Ajo shpreh shqetsimet e sajë mbi atë që ajo sheh si një rol gjithnjë e më pasiv nga ana e Amerikës në çështjet ndërkombëtare.  Ajo komenton se Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërhiqen nga arena ndërkombëtare dhe ”nuk mund të ulin zërin kur bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, duke lejuar të tjerët të udhëheqin”.   Siç duket në një kritikë të drejtë për drejtë ndaj administratës së Presidentit Obama, ajo tha se nga mos-angazhimi i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, përfitojnë duke marrë guxim vetëm ”diktatorët dhe ekstremistët e llojllojshëm anë e mbanë botës.”   Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, në komentin e saj për Washington Post, paraljamëron se heqja dorë nga luajtja e rolit udhëheqës në botë nga ana e Amerikës do të krijojë një boshllëk që më në fund do të “mbushet nga ekstremistë të al-Qaedas në Irak dhe në Siri, si dhe nga diktatorë të tipit Putin e Bashar Al Assad, i cili me mbështetjen e Iranit dhe të Rusisë masakron popullin e vet, si dhe nga retorika nacionaliste dhe nga masat e Pekinit që kanë shkaktuar përgjigje nacionaliste nga aleatëja jonë Japonia…” 


Ish agjenti i policisë sekrete sovjetike KGB-ës, Vladimir Putin është shprehur në të kaluarën se tragjedia më e madhe e shekullit 20-të ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.  Kondoleezza Rice thotë në krye-artikullin e saj se ndonëse problemi me Ukrainën nuk është diçka e re, ajo shkruan se Rusisë duhet t’i bëhet e qartë se masa të tilla të mëtejshme nuk do të tolerohen dhe se, ”integriteti territorial i Ukrainës është i paprekeshëm.”  Ajo mirëpriti masat e njoftuara  deri tani nga administrata e presidentit Obama kundër Rusisë, por shkruan se, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një plan afatgjatë për t’iu kundër-përgjigjur deklaratës së Putinit në lidhje me të ardhmen e Europës pas Luftës së Ftohtë.  Zonja Rice shkruan se me agresionin e tij, “Putini po i thotë botës se Ukraina nuk do të jetë kurrë më e lirë të vendosë vet fatin e saj — një mesazh ky që ka për qëllim të bëjë jehonë edhe anë e mbanë Europës Lindore dhe vendeve Baltike — se Rusia ka interesa të veçanta dhe se ajo do t’i ndjekë për t’i realizuar ato, me çdo çmim.”  Ajo thotë se Putini do e këthej orën mbrapa, për derisa ekziston një hesitim angazhimi serioz nga ana e Përendimit për të kundërshtuar avanturat e tija. 


Ish-Kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara thotë se Moska nuk është immune ndaj presioneve dhe se ne duhet të ushtrojmë një strategji afatgjatë dhe me durim, por mbi të gjitha ajo thekson se tani , “Gjëja më me rëndësi është që të rivendoset roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në komunitetin ndërkombëtar”, dhe që Amerika të mos duket “e lodhura dhe e mos interesuar” për ato që ndodhin në botë.


Kondoleezza Rice sugjeron në artikullin e saj, se midis masave të tjera, Shtetet e Bashkuara duhet t’i shtrijnë dorën rinisë së Rusisë, sidmos studentëve dhe profesionistëve të rinjë, shumë prej të cilëve janë duke studiuar në universitetet amerikane dhe që janë të punësuar në firma perëndimore duke shtuar se, “për të realizuar ambiciet e tyre, forcat demokratike në Rusi kanë nevojë për mbështetjen amerikane.   Ata, dhe jo Putini, janë e ardhmja e Rusisë”, përfundoi Zonja Rice.


    Kondoleezza Rice ka të drejtë. Agresioni dhe pushtimi i Krimesë si dhe kërcënimet e Putinit për të rivendosur rolin dhe infleuncën e Rusisë në ish republikat sovjetike, me pretekstin për të “mbrojtur pakicat ruse të kërcënuara”, është një rrezik jo vetëm për Ukrainën dhe ish-republikat sovjetike, por është edhe një sfidë për të gjithë botën, duke rrezikuar rendin dhe paqën botërore. Rusia e Putinit ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë diktatorë të tipit Viktor Yanukovich, multimiliarderit të pasuruar në kurriz të popullit ukrainas, si dhe regjime jo demokratike anë e mbanë botës. Ukraina nën regjimin e Yanukoviç u varfërua, u demoralizua dhe si rrjedhim u destabilizua gjëndja duke shkaktuar ndërhyrjen agresive të Rusisë. Për më tepër, Putin-i mbështetë udhëheqsit dhe regjimet jo-demokratike edhe jashtë asaj që ai konsideorn si zonë e influencës së Moskës,  duke filluar nga Siria e Irani, e deri tek Venezuela,  me fjalë të tjera — kudo dhe këdo që tregohet armiqësor ndaj interesave të lirisë dhe demokracisë dhe kundër inetersave perëndimore, në radhë të parë të kundër interesave të Shteteve të Bashkuara.


 S’do mendë se kriza e krijuar në zonën e Euroazisë është rezultat i drejtë për drejtë i  asaj që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry e ka cilësuar si “një akt i paturpshëm agresioni dhe një shkelje e obligimeve ndërkombëtare” nga ana e Rusisë së Putinit.  Por është edhe rezultat i një politike strategjike revanshiste, por të gabuar të Putinit,  një përpjekje nga ana e tij për të zhberë atë që ai ka thënë se ishte një “tragjedi’, — shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik.  Është kjo një politikë katastrofale dhe fatkeqe, për jo vetëm për Euroazinë, por edhe për mbarë Europën dhe  botën.  Fatkeqsia tjetër në këtë mes, qendrimi i perëndimit  gjatë këtyre viteve karshi Vladimir Putinit. Ashtu siç komentoi edhe dje në një editorial, gazeta Washington Post, “Se Adminstrata e Presidentit Obama dhe aleatët e saj Europianë janë treguar tepër të ngadalshëm që të kuptojnë se Putin-i është i vendosur të ndryshojë rendin e pas Luftës së Ftohtë në Europë dhe të rivendosë dominimin e humbur të Rusisë mbi Europën Lindore, në zonën e Kaukazit dhe Azinë Qendrore”,  thuhet editorialin e saj me titull: ‘Obama nuk kupton ambiciet e Putinit në Euroazi’. Editoriali i Washisngton Post  përfundon duke thënë se, “Kriza në Europë nuk po ndodhë për arsye se atje u përhapën institucionet  dhe influenca perëndimore, por përkundrazi, për arsyen se, Perëndimi nuk plotësoi premtimin e bërë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, për një, ‘Europë të tërë dhe të lirë’.  Kritikë kjo me vend e editorialit të Washington Post për politikën ekonomike dhe ushtarake  të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian karshi ish-vendeve komuniste.  Të shpresojmë se cilat do qofshin masat e marra tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, të mos jenë të paka dhe tepër të vonuara.


 


Frank Shkreli: Amerika kërkon drejtësi për vëllezërit Bytyçi


 


Me 8 Korrik të këtij viti mbushen 15 vjet prej kohës që tre shtetas amerikanë, tre sokola trima shqiptaro-amerikanë, tre vëllëzërit e rijnë të familjes Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën pasi u arrestuan nga policia serbe, ndërsa—në një akt humanitar — po përcillnin disa anëtarë të minoritetit romë të kalonin kufirin për në Serbi, aksidentalisht kaluan në territorin serb dhe u arrestuan.  (Në vitin 1999, ata kishin lënë familjen e tyre në New York dhe së bashku me nja 400-luftëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Brigadën e Atlantikut shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj kundër forcave terroriste serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.)  Zhdukja dhe vrasja barbare e vëllëzërve Bytyqi ndodhi pothuaj menjëherë pasi mori fund ndërhyrja e NATO-s dhe pasi u çlirua Kosova.  Për t’i ra shkurt historisë së tyre të hidhur, për kalimin e kufirit ilegalisht midis Kosovës dhe Serbisë, ata u liruan pas dy javë burg, me urdhër të një gjykatësi serb por, sipas të dhënave, ata nuk dolën kurrë nga burgu dhe për pothuaj dy vjet askush nuk diti gjë rreth fatit të tyre.  Sipas të dhënave të zyrtarëve diplomatikë amerikanë të cilët e kanë ndjekur këtë çështje gjatë viteve, vëllëzërit Bytyqi, megjithëse ishin liruar nga burgu me urdhër të një gjykatësi serb, ata nuk u liruan por u morën me forcë nën kontroll nga forcat speciale kriminale të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe pasi u ekzekutuan në mënyrën më barbare, u hodhën në një varrezë masive së bashku me nja 75 shqiptarë të tjerë të vrarë nga Kosova.  Pasi Sllobodan Millosheviqi humbi zgjedhjet në vitin 2001, qeveria e re serbe e asaj kohe, “zbuloi” dhe hapi varrin masiv ku ishin hedhur trupat e pajetë të shqiptarëve, përfshirë edhe vëllezërit Bytyqi, trupat e të cilëve më në fund u identifikuan dhe më vonë u sollën për varrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e tyre të dytë, të adaptuar.


Gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet përfaqsuesve të tyre në Beograd dhe në konferenca ndërkombëtare, sidomos në Organizatën për Sigurim dhe Bashkpunim në Europë, me çdo rast, kanë kërkuar nga qeveria serbe që të identifikojë dhe të dënojë kriminelët e Ministrisë së saj të Mbrendshme, të cilët besohet se kanë vrarë tre vëllëzërit e pafajshëm Bytyqi. Deri më sot, Serbia nuk ka identifikuar as nuk ka dënuar asnjë person për këtë krim.  


Por rasti i vëllëzërve Bytyqi nuk harrohet në kët anë të Atlantikut. Pothuaj në çdo përvjetor të zhdukjes së tre vëllëzërve Bytyqi, por edhe në raste të tjera, përfaqsues diplomatikë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, kanë vazhduar t’i bëjnë thirrje qeverisë serbe që të tregojë angazhimin e saj serioz për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve që vranë vëllëzërit Bytyqi, 15 vjetë më parë.


 Kështu ndodhi edhe javën që kaloi, gjatë një seance në Kongresin amerikan mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor, ku Senatori i shtetit Mariland, Benjamin L. Cardin ngriti çështjen e vëllëzërve Bytyqi, familja e të cilëve ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Kongresit amerikan.  Senatori Cardin tha me këtë rast  se “Vëllëzërit Bytyqi u vranë në Serbi nga fundi i vitit 1999.  Ata janë shtetas amerikanë dhe ne kemi vazhduar të kërkojmë llogari se pse deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje barbare, ndërsa presim që qeveria jonë të bëjë çdo gjë që është e mundur për zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi senatori amerikan.   Senatori Cardin, në seancën e Kongresit javën që kaloi, iu drejtua Zëvëndës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Zotit Hoyt Yee me pyetjen se ç’po bëhet për këtë çështje dhe çfarë masash po merren për të çuar drejtsinë në vend për këto vrasje.  Pasi i premtoi Senatorit Cardin se do i dërgojë atij shpjegime me shkrim në lidhje me ato që po bën qeveria serbe në lidhje me këtë çështje, Z. Yee deklaroi qëndrimin zyrtar të Amerikës para Komisionit të Kongresit duke thënë se, “Ne të Departmentit të Shtetit dhe e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjitha agjencitë të cilat janë të shqetësuara dhe të interesuara për këtë çështje, i marrim shumë seriozisht përpjekjet për të siguruar se ata që janë përgjegjës (për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi) të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë.”


Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, vazhdoi duke thënë se, “Ne jemi të përkushtuar që këtë çështje gjithmonë ta fusim në rendin e ditës kur bisedojmë me përfaqsues të qeverisë serbe, dhe çdo herë që na jepet rasti.  Ai njoftoi Kongresin se numri dy i diplomacisë amerikane, Z. William Burns, në takimin e tij të fundit me Kryeministrin serb, drejtësia për vëllëzërit Bytyqi, ishte njëra prej çështjeve kryesore të agjendës së bisedimeve midis dy palëve.  Z. Hoyt Yee siguroi Kongresin dhe anëtarët e familjes Bytyqi, të pranishëm në seancë, mbi ”angazhimin tonë të palëkundur” dhe shtoi se “ne nuk do të pushojmë së kërkuari zgjidhjen e kësaj çështjeje, për derisa të mos jemi siguruar dhe të bindur se drejtësia është çuar në vend” me identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi.


Këto janë angazhime publike personale, nga ana  e zyrtarëve të lartë diplomatikë dhe institucionalë të  Shteteve të Bashkuara, se çështja e vëllëzërve Bytyqi është një çështje me rëndësi nga e cila nivelet më të larta diplomatike të Shteteve të Bashkuara nuk do të heqin dorë, për derisa të gjëndet një zgjidhje dhe për derisa kriminelët e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë, që mendohet se janë përgjegjës për këto vrasje, të  mos jenë identifikuar dhe të dalin para drejtësisë për këtë krim barbar kundër tre të rinjve shqiptaro-amerikanë. 


Jeta është e shënjtë dhe e drejta kryesore e njeriut për të ekzistuar, për të jetuar është themelore.  Vrasja e vëllëzërve Bytyqi nga forcat policore serbe ishte shkelja sublime e të drejtës njerëzore për të jetuar.  Shtetet e Bashkuara e kanë traditë, dhe e ndjejnë si obligim moral, për të zbuluar të vërtetën dhe për të çuar të drejtën në vend, sado vonë dhe sa do kohë të marrë, kur është fjala për fatin e qytetarëve të vet, qofshin ata të vrarë e të humbur duke filluar nga Lufta e parë dhe e dytë Botërore, e deri tek Lufta e Vjetnamit dhe nga luftërat e kohëve të fundit.  Kjo traditë amerikane duhet të na japë shpresë dhe të na bindë se qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vendosë që identifikimi dhe dënimi i vrasësve barbarë të vëllëzërve Bytyqi, të jetë një prioritet kryesor në marrëdhëniet me Serbinë.  Njëkohësisht mund të mbështetemi në besimin se Washingtoni zyrtar nuk do të pushojë së punuari në këtë drejtim, për derisa drejtësia nuk është çuar në vend dhe për derisa Shtetet e Bashkuara, familja Bytyqi dhe komuniteti shqiptaro-amerikan nuk janë të kënaqur me status quonë në këtë rast dhe kërkojnë llogari dhe përgjigje nga nivelet më të larta të qeverisë serbe. Në një rezolutë të fund-vitit të kaluar, e në të cilën shprehej ndjenja e Kongresit në lidhje me vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, thuhej se “përparimi ose mungesa e përparimit mbi këtë çështje duhet të mbetet një faktor me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.”


Muaji Korrik që po vjen shënon 15-vjetorin e zi të vrasjes barbare të tre vëllëzërve Bytyqi.  Le të shërbejë ky përvjetor si një rast — që nepërmjet angazhimit dhe influencës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — të mbahet lartë niveli i presioneve diplomatike ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të angazhohet për identifikimin dhe dënimin e vrasësëve.  Dhe njëkohësisht –t’i kujtohet pa ndërprerje Beogradit, nga nivelet më të larta të Shteteve të Bashkuara siç ishte seanca e Kongresit javën e kaluar, se Amerika, familja Bytyqi, dhe besoj se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk do të pranojnë kurrë që këto vrasje të kalojnë në harresë dhe se as nuk do të pajtohen kurrë që vrasësit e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit, të mos identifikohen dhe të mos sillen para gjyqit, për t’u përballur më në fund me drejtësinë.  Zyrtarët më të lartë amerikanë janë shprehur vazhdimisht se drejtësia për vëllëzërit Bytyqi është një angazhim i patundur i qeverisë dhe i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë 15-vjetor të vrasjes së tyre, ky duhet të jetë gjithashtu edhe zotimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që nepërmjet përfaqsuesve të tij në Kongres dhe në kontaktet me entet përkatëse të qeverisë amerikane, vrasja e vëllëzërve Bytyqi të mos harrohet dhe të këmbëngulet që vrasësit e tre shtetasve amerikanë të identifikohen dhe të dënohen për krimin e tyre. 





Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …