leoni

RKL: Rritja e pagave, hipokrizia e opozitës dhe deputetëve

Rritja e pagave 25 për qind nga Qeveria e Kosovës për shërbyesit civilë dhe për tërë aparaturën shtetërore është bërë mollë sherri në mes të deputetëve të opozitës dhe të pozitës. Kryeministri i Kosovës, Hashim  Thaçi u akuzua se i ka rritur pagat në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe nuk paska pasur të drejtë t’ i rrisë ato. Kryekuvendari, Jakup  Krasniqi, e ka quajtur të paligjshëm vendimin e  Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave, meqë konsideron se  vendimi është dashur të merret nga Kuvendi e jo nga Qeveria.(!) Ai u shpreh  se mënyra  e rritjes është e gabuar pasi që rritja, sipas tij,  nuk duhej të ishte bërë  në këtë mënyrë. Pagat është dashur të rriten në mënyrë të njëjtë, e jo të krijohet kaq rritje diferencuese.


 


Me vendimin e  Qeverisë, deputetëve të Kuvendit të Kosovës u janë rritur pagat për 300 euro ndërsa ministrave u janë rritur pagat për 375 euro.  Por, sot, disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar që mos të ketë rritje për deputetët  dhe as për qeveritarët.  Ardian Gjini nga AAK tha se kjo rritje po bëhet për shkak të fushatës zgjedhore dhe se nuk është e drejt që qytetarëve t’i rritet paga për fushatë dhe pastaj të jetojnë në mjerim për katër vitet e ardhshme. Ai nuk deklaroi se do ta marrë apo jo rritjen, Vetëm deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, të cilës i bie që rritja prej 25 %, t’i rritët paga për 300 euro, tha se nga ky moment tërhiqet nga kjo rritje e padrejtë. Kryeministri Thaçi u ka thënë deputetëve se nëse ka vullnet nga Kuvendi që të hiqet rritja e pagave për qeveritarët, deputetët edhe Kryetaren e vendit, e cila me rritje merr hiq më pak se 4000 euro në muaj, ai  do të pranojë ta tërheq këtë vendim.  “Sa i përket rritjes së pagave për deputetët dhe zyrtarët tjerë, nga ajo që kuptova sot Kuvendi u deklarua se nuk e dëshiron, edhe Qeveria mund të hiqet dhe rritjen ta bëjë vetëm për sektorët tjerë. Mirëpo, Kuvendi shpesh ia ka rrit vetit pagat pa hutueshëm”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.  Rritjen e pagave  të shërbyesve civilë e ka kundërshtuar edhe Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i cili ka thënë se kjo rritje nuk është dashur të ndodh në këtë kohë. As ky shef nuk ka bërë me dije se do ta marrë apo jo rritjen 300 euro. Ndërkohë, deputeti Visar Imeri nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se rritja e inflacionit e ulë vlerën e pagës që marrin punëtorët. Mirëpo  shefi i deputetëve të PDK-së Adem Grabovci tha se kjo nuk është rritja e parë e pagave, e kjo rritje ka ndikuar në rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve. Rritja e pagave është bërë  në përputhshmëri me mundësit që ka Qeveria.


 


Pavarësisht çka thanë deputetët është e sigurt se pas debatit, të gjithë do të harrojnë çfarë kanë thënë dhe si pa të keq do t’i marrin pagat me rritje, madje do të kërkojnë edhe rritje dhe benificione të tjera. Me siguri se rritjen do ta pranojnë edhe kritikuesit, përveç ndoshta një deputeteje, e cila e tha botërisht se nuk do ta marrë 25 përqindëshin e rritjes së pagës.


 


Debati në Kuvend edhe kësaj radhe nxori në sipërfaqe hipokrizinë, moralin e dyfishtë të  deputetëve dhe të gjithë qeveritarëve pa dallim, sepse asnjëri nuk arriti ta adresojë atje ku duhet problemin e rritjes së pagave. Ata e dinë fare mirë se të gjitha qeveritë e pas luftës, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në rajon, pagat i rrisin para fushatave zgjedhore. Gjatë fushatave premtohen rritje të reja dhe kjo nuk është ndonjë shpikje e kryeministrit, Hashim Thaçi, as ndonjë super dije e Ardian Gjinit, aq më pak ndonjë hezitim i zyrtarëve dhe deputetëve, për të mos pranuar rritjen e pagave. Pavarësisht zhurmës dhe maskës për ta mbuluar fytyrën gjatë debatit në Kuvend, rritjen do ta marrin të gjithë, madje edhe deputetët e Vetëvendosjes, të cilët kanë propozuar uljen e pagave dhe benificioneve të përjetshme të deputetëve.


 


Asnjëri prej deputetëve nuk propozoi që kjo rritje të shkojë në adresë të shkollimit të talenteve të familjeve skamnore, apo në adresë të veteranëve, invalidëve, familjarëve të dëshmorëve, apo në adresë të atyre që marrin minimumin ekzistencial, apo në adresë të ndonjë institucioni bamirësie, apo në adresë të ushtrisë së ardhme të Kosovës.


Deputetët e opozitës janë mllefosur pse rritja po bëhet në prag të fushatës, meqë mendojnë se Thaçi po fiton besimin e qytetarëve, edhe pse të gjithë këta deputetë e dinë mirëfilli se pikërisht kjo Qeveria i ka rritur pagat dy tri herë, ndërsa qeveritë paraprake nuk i kanë rritur fare, sepse as ka pasur buxhet për rritje pagash.


 


Mospranimi i rritjes së pagave nga deputetët, edhe po të ndodh, do të bëhet për përfitim të besimit të elektoratit, për reklamë dhe fushatë zgjedhore, sepse kur e ke pagën mujore 1400 euro dhe 500 të tjera benificione, madje as edhe atëherë  kur gjatë tërë mandatit nuk paraqitesh qoftë  edhe njëherë të vetme në foltore, kjo është pozitë e favorizuar dhe super luks. Akëcili deputet nuk rrezikon shumë nëse nuk ia shton vetes edhe 300 euro shpërblim nga Qeveria, të cilën në anën tjetër jo vetëm e kritikon por edhe e shan dhe e fyen. Ky është morali i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kjo është vetëdija e tyre, ky është patriotizmi i tyre, ky është “mundi dhe djersa”, që ata derdhin për këtë popull, kjo është sakrifica e tyre për të mirën e Kosovës, kjo është dhurata  e tyre si njerëz që i ka zgjedhur populli, të cilin aq fort e duan, por jo më shumë sesa pagën e tyre të majme, jo më shumë sesa shtëpinë pallat, veturën e blinduar që kushton dhjetëra madje edhe qindra mijëra euro, pushimoren në bregdetin e Shqipërisë, villen malore në parqet kombëtare të vendit, biznesin privat në emër të djalit, bashkëshortes apo nipit, parat e deponuara në bankat e Zvicrës apo të shteteve të tjera.


 


Deputetët nuk rrezikohen edhe po të japin 50 për qind nga pagat e tyre për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës, sikur bëri ish i përndjekuri politik, Hysen Gega  që ka mbajtur 13 vjet burg për çlirim nga robëria  dhe ka marrë pjesë aktive në frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. Ai ka premtuar 10.000 euro për Forcat e armatosura të Kosovës, nëse e merr zhdëmtimin e premtuar nga Qeveria si i dënuar politik.


 


Po Hysen burri nuk është deputet, as qeveritar, as ambasador, madje as rojtar në ndonjë institucion. Ai është një qytetar shembull i Kosovës me merita më të mëdha për çlirimin e vendit se çdo deputet në Kuvend, me merita më të mëdha se çdo ministër,  me merita shumë më të mëdha sesa ish-policja, kryetare e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …