Më 29 dhe më 30 Prill në Uashington u mbajt konferenca dy ditore e organizuar nga Këshillit i Atlantikut për të përkujtuar disa përvjetorë me rëndësi jetikë për komunitetin trans-atlantik, përfshirë 25-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, 15-vjetorin e zgjërimit të parë të antarësimit në NATO pas mbarimit të luftës së ftohët, dhe 10-vjetorin e zgjërimit të madh të antarësimit të vendeve ish-komuniste në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës. E drejtuar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, demokrate, dhe nga ish-këshilltari i Presidentit George Bush, për çështje të Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, republikan — në konferencë morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Zëvendës Presidenti i Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe senatorë amerikanë dhe udhëheqës europianë. Qëllimi i konferencës, sipas Këshillit të Atlantikut, ishte për të venë në dukje transformimin e Europës deri tani, si dhe rëndësinë e këtyre përvjetorëve. Konferenca mundësoi gjithashtu zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e NATO-s dhe të Bashkimit Europian, dhe ishte një rast i mirë për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet e të ftuarve për përballjen e sfidave, drejtë një Europe të tërë dhe të lirë. Njëri prej folësve kryesorë të konferencës ishte Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), John Kerry, i cili iu bashkua një numëri ministrash të jashtëm nga Europa, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të celebruar, sipas DASH, “Këto arritje historike, si dhe vlerat e përbashkëta të cilat kanë forcuar dhe kalitur një komunitet trans-atlantik të fortë, demokratik dhe të begatë. Sekretari Amerikan i Shtetit ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë. Zoti Kerry nënvijoi mbështetjen e administratës së Presidentit Obama ndaj aleatëve të NATOs duke u thënë ministrave dhe diplomatëve europianë, se “Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar NATO-n që të mbrojë territorin e anëtarve të saj kundër ndonjë konflikti që mund të përhapet si përfundim i grabitjes së Krimesë nga Rusia, si dhe nga sulmet ruse në Ukrainën lindore.” Kryediplomati amerikan ritheksoi mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe kritikoi Rusinë se nuk ka marrë asnjë hap për të zbatuar marrveshjen e arritur këtë muaj në Gjenevë midis tij dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, marrveshje që kishte për qëllim të ulte tensionin e krizës. Ai u tha zyrtarëve, ekspertëve politikë dhe gazetarve të pranishëm në conference, se “ky konflikt është një alarm për ne dhe për aleancën e NATO-s”. Zoti Kerry tha se, “Ne gjëndemi para një momenti përcaktues historik për komunitetin trans-atlantik”, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen seriozisht, që gjatë pesë viteve të ardhëshëm, të cakëtojnë të pakën dy për qind të buxhetit të tyre të përgjithëshëm për nevojat e mbrojtjes. Zoti Kerry u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të NATO-s “që menjëherë të marrin masa urgjente për të siguruar që vendet europiane të mos jenë të varura nga Rusia për pjesën më të madhe të nevojave të tyre për energji”, dhe të përfundojnë bisedimet për një bashkpunim më të thellë ekonomik të komunitetit trans-atlantik. Ai shtoi se NATO duhet tani të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen europiane, pas disa vitesh që aleanca ishte e angazhuar në misione në Irak dhe në Afganistan, duke thënë se tani, “kriza në Ukrainë na thërret që t’i këthehemi rolit për të cilin ishte krijuar NATO, e që është mbrojtja e territorit të aleancës dhe të avancimit të sigurinë trans-atlantike.” Xhon Kerry përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ne duhet t’ia bëjmë absolutisht të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tij…” Menjëherë pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, konferenca e organizuar nga Këshilli i Atlantikut e titulluar, “Drejtë një Europe të tërë dhe të lirë”, zhvilloi edhe një sesion kushtuar Europës Jugore, me pjesmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrave të jashtëm të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Sipas Këshillit të Atlantikut, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri në dukje se Ballkani përballet gjithnjë me sfida të mëdha, duke theksuar ndër të tjera, çështjet kufitare, problemet e njohjeve dhe konflitet etnike. Ministri Bushati u citua të ketë thënë se, “Humbasin gjithnjë kohë se kush do ulet në tryezë, në vend që të përpiqemi të zgjidhim problemet për të ardhmen.” Në lidhje me antarësimin eventual të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian (BE), përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Ministri shqiptar i punëve të jashtëme, ndonëse pranoi se është shënuar përparim i madh drejtë BE-së, ai vërejti se reagimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Përendimor ka qenë kryesisht tepër i ngadalshëm për procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe se ekziston nevoja për marrjen e masave më të shpejta nga ana e BE-së. Ai shprehu mendimin e tij se, “Konsolidimi i vendeve të Europës Jugore është një proces sfidues dhe si i tillë nevojitë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara.” Kryediplomati shqiptar shprehu shqetsimin e tij se në mungesë të një interesimi më të madh mbi të ardhmen e Ballkanit nga BE-ja, procesi i përparimit në rajon mund të zgjasë indefinitivisht dhe mund të përfundojë në një fragmentim më të thellë të rajonit, me pasoja që askush nuk do t’i dëshironte. Ndërsa në lidhje me zgjërimin e antarësimit në NATO, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende këto që aspirojnë antarësimin në aleancën perëndimore, Zëvëndës-kryeministri dhe ministëri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiq shprehu shqetësimet e tija të thella me procesin e deritanishëm të antarësimit në NATO dhe shtoi se duhet të ketë një angazhim të qartë për antarësimin e vendeve të rajonit, si një kusht paraprak për një Europë stabile. Ministri malazez i tha konferencës se, Europa nuk mund të jetë e tërë, e lirë dhe në paqë, nëqoftse vendeve të Ballkanit perëndimor që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, nuk u jepet mundësia të bëhen pjesë e aleancës perëndimore.” Edhe Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki foli për ndihmën që vendi i tij u ka dhënë operacioneve të NATO-s megjithëse nuk është anëtare e aleancës dhe shtoi se NATO është forca kryesore shtytëse në procesin e reformave në Maqedoni. Ministrat e jashtëm të Ballkanit, sipas Këshillit të Atlantikut, theksuan gjithashtu natyrën ndërlidhëse të politikave rajonale, duke thënë se ngjarjet që mund të ndodhin në njërin prej vendeve të rajonit, mund të kenë efekte të drejta për drejta mbi stabilitetin rajonal në përgjithësi, dhe duke pasur parasyshë mjedisin politik në atë rajon, është e nevojshëme ruajtja e komunikimeve dhe përqëndrimi i përbashkët mbi zhvillimin e strategjive për sigurimin dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa Ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin tha, gjatë sesionit kushtuar Europës Jugore, se ashtu si Ukraina, edhe Ballkani gjëndet para një momenti historik vendimtar për të ardhmen e vet dhe si pasojë, është me rëndësi, shtoi ai, që vendimet të cilat do të merren në lidhje me këto vende, të jenë masa për të cilat ka nevojë stabiliteti dhe paqa në rajon. Konferenca përfundoi punimet me një fjalim nga Zëvendës-Presidenti amerikan Joe Biden, i cili njoftoi se në Qershor, Presidenti Obama do të vizitojë Poloninë me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të lira atje, zgjedhje të cilat shënuan shkëputjen e atij vendi nga qeverisja komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo vizitë po bëhet siç në duket, në përpjekje për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatët e tyre në Europën Qendore dhe Lindore, përballë ballafaqimit të komunitetit trans-atlantik me Rusinë, në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Kritikët e administratës së Presidentit Obama kanë komentuar në të kaluarën se ajo nuk ka provuar mbështetjen e nevojshme për aleatët amerikanë në Europën Qëndrore dhe Lindore. Këshilli i Atlantikut tha se kriza në Ukrainë përbën një rrezik serioz, ndaj përparimit të bërë deri tani drejtë një “Europe të tërë dhe të lirë”, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, prandaj edhe vendosi të organizonte këtë konferencë ku morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë, për të biseduar mbi gjetjen e mënyrave më të mira për ruajtjen dhe avancimin e përparimit të bërë deri më tani drejtë paqës dhe sigurisë në Europë, megjithë sfidën më serioze ndaj vizionit për një Europe të bashkuar dhe në paqë, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, pothuaj një çerek shekulli më parë. Këshilli i Atlantikut tha se e organizoi këtë konferencë të udhëheqsve trans-atlantikë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po hedhë poshtë këtë vizion dhe ndërsa ai po u bën presion dhe ndërmerr sulme ushtarake kundër vendeve fqinje të Rusisë, në përpjekje për të mos i lejuar ato që të vendosin vet nëse duan të bëhen pjesë e vizionit për një Europe të tërë dhe të lirë. Kjo konferencë, theksoi Këshilli i Atlantikut, është pjesë e një fushate që ka ndërmarrë për nxitjen e marrjes së masave për të siguruar se Ukraina mbijeton si shtet, dhe njëkohësisht për forcuar identitetin dhe rolin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe njëherazi edhe për të fuqizuar aleancën e NATO-s.
Frank Shkreli: Të mos i mbyllet fryma shtypit
Kjo javë është mbushur me aktivitete kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit që do të kulminojnë me Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit më 3 Maj, 2014. Aktivitetet filluan në Washington të organizuara nga Departmenti amerikan i Shtetit, nga Kombet e Bashkuara në New York, dhe UNESCO do të mbajë një konferencë ndërkombëtare dy ditore me 5 dhe 6 Maj në Paris. Ndërkohë, aktivitetet në mbrojtje të lirisë së shtypit gjatë kësaj jave, përfshijnë edhe mbledhjen këtë javë në kryeqytetin Tallin të Estonisë mbi lirinë e internetit, të organizuar nga qeveria estoneze.
Dita Ndërkombëtare kushtuar lirisë së shtypit është shpallur nga Asambaleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe është caktuar të shënohet çdo vit me 3 Maj. Kjo është një ditë kur në të gjithë botën festohet zbatimi i parimeve themelore të lirisë së shtypit, rëndësia e medias në një shoqëri të lirë dhe integriteti i vet gazetarisë, në zhvillimin e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, është një rast për të vlerësuar dhe për të komentuar mbi gjëndjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe është një ditë e caktuar kur liria e medias mbrohet nga sulmet ndaj pavarësisë së saj, ndërkohë që kujtohen dhe nderohen gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Tema e aktiviteteve të këtij viti është: Liria e medias për një të ardhëme më të mirë. Liria e fjalës, dhe rrjedhimisht liria e shtypit dhe medias në përgjithësi, është një e drejtë themelore e njeriut, siç përcaktohet qartë në artikullin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Zbatimi i këtyre parimeve bazë të lirisë së shtypit nga shtetet dhe qeveritë, të cilat kanë nënshkruar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nevojitë gjithashtu edhe gazetarë profesionistë të cilët e kryejnë punën e tyre duke u bazuar në standardet më të larta etike dhe profesionale të gazetarisë, duke botuar ose duke transmetuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, informacione të sakëta, të paanshme dhe objektive, duke paraqitur kështu edhe opinione të ndryshme për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria. Media, me të vërtetë e lirë dhe e pavarur, do të duhej të shërbente si një pasqyrë, jo vetëm për vet shoqërinë por për më tepër edhe për udhëheqsit politikë të cilët mund të kenë humbur lidhjet dhe komunikimin normal me njëri tjetrin, si dhe kontaktet me shoqërinë, interesat e të cilës ata janë zgjedhur t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë.
Këtu në Amerikë, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit, madje edhe nga nivelet më të larta të qeverisë. Edhe sivjet, sipas një njoftimi nga Departmenti Amerikan i Shtetit, (DASH) Shtetet e Bashkuara filluan aktivitetet e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të premtën më 25 Korrik, në Misionin e Amerikës pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në mbrojtje të gazetarve ose mediave që censurohen, që sulmohen, që kërcënohen ose veprimtaria e të cilëve shtypet. Me aktivitetet e tyre, përfaqsuesit amerikanë, përpiqen gjithashtu që të tërheqin vëmendjen e botës ndaj fatit të gazetarëve dhe për tu bërë thirrje qeverive që shtypin lirinë e gazetarëve, që të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtën universale të lirisë së fjalës, bazuar në angazhimet që ata kanë marrë me nënshkrimin e konventave ndërkombëtare. Në kuadër të aktiviteteve në mbrojtje të lirisë së shtypit që do të kulminojnë me 3 Maj, përfaqsuesja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, Samantha Powers, e cila ishte vet gazetare dhe si e tillë kishte mbuluar luftën në Bosnje, para se të emërohej krye-diplomatja e Shteteve të Bashkuara në OKB, të premtën mbajti një fjalim në ”Overseas Press Club” ku tha se, “Gazetaria e mirë dhe e dobishme — e bazuar në punë të rëndë dhe në standarde të larta etike të gazetarisë — shërben si një sitë ose filtër që na nevojitet të dallojmë gënjeshtrat nga realiteti.” Ajo tha se qeveritë që shtypin ose që përpiqen të pengojnë lirinë e medias, janë ato qeveri ose regjime që, “nuk kanë besim në legjitimitetin e tyre, ose të cilave në sytë e popullit u mungon kredibiliteti në politikat e tyre.” Andaj, për të ndaluar kritikat ndaj politikave të tyre, regjime të tilla, tha ajo, barazojnë — kundërshtimet ose kritikat legjitime ndaj politikave të pushtetarëve — me tradhëti ndaj vendit, dhe si përfundim përpiqen të kontrollojnë, të korruptojnë dhe të frikësojnë shtypin dhe gazetarët me lloj-lloj masash që qeveria ka në dispozicion. Ambasadorja amerikane theksoi gjithashtu se disa qeveri bëjnë ç’mos që të manipulojnë shtypin, duke paguar ose duke kufizuar botimin e gazetave, ose duke manipuluar me lejet e transmetimit dhe të botimit, duke ua dhënë ato një numëri të preferuar miqësh dhe përkrahsish të tyre. Ajo përmendi rastin e Turqisë, e cila sipas ambasadores amerikane, “megjithëse mban zgjedhje të lira, lajmi i kohëve të fundit për përpjekjet e qeverisë turke për të kufizuar veprimtarinë e internetit dhe vendimi i asaj për të ndaluar ”Twitter”, u përhap anë e mbanë botës. Por ajo shtoi se — më pak është i njohur fakti se, sipas Organizatës për Mbrojtjen e Gazetarve, vitin e kaluar, tha ajo, Turqia ishte në vendin e parë me numrin më të madh të gazetarve të burgosur në botë”. Edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kohët e fundit ka marrë masa të jashtzakonshme për të shtypur lirinë e fjalës në vendin e tij, ndër të tjera, duke ndaluar transmetimet perëndimore dhe duke u përpjekur të bllokojë edhe internetin. Nga ana e saj, Ambasadorja amerikane pranë OKB-së, Samantha Powers ritheksoi përkrahjen e administratës së Presidentit Obama ndaj lirisë së shtypit si një pjesë përbërse dhe e vazhdueshme e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se, “Çdo ditë, diplomatët tanë demonstrojnë mbështetjen e tyre për të drejtën që njerëzit kudo,duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, të jenë të lirë të botojnë dhe të transemtojnë pa frikë, se do të ndëshkohen si përfundim i veprimtarisë së tyre gazetareske.”
Përfaqsuesja amerikane tha para “Overseas Press Club” në New York” se, “Çdo demokraci — përfshirë edhe demokracinë tonë — përballet me sfida, por ndryshimi është se demokracia posedon mbrenda sistemit të saj mjetet për tu përballur me zgjidhjen e problemeve nepërmjet alternativash të ndryshme, (përfshirë shtypin e lirë e të pavarur)….ndërsa autokratët mund të ofrojnë vetëm ruajtjen e status quosë, të interesave dhe privilegjeve të tyre, si dhe të miqëve dhe të bashkpuntorëve të tyre të ngushtë”. Ajo tha se ne besojmë se, heret ose vonë, gënjeshtrat e diktatorëve do të zbulohen nga gazetarët të cilët nuk duhet të pushojnë së kërkuari të vërtetën. Ambasadorja Samantha Powers përfundoi fjalimin e saj kushtuar Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit në botë, duke cituar Winston Churchillin, i cili ka thënë se, “Shtypi i lirë është roja vigjilente e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, të drejta të cilat çmohen dhe respektohen nga njerëzimi”. Liria e shtypit, sipas Churchillit, “është armikja më e rrezikshme e tiranisë.”
Rëndësia e lirisë së shtypit është sot aq e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishme, se sa ka qenë ndonjëherë më parë. Shumë qeveri anë e mbanë botës, ndonëse shtihen si mbrojtëse të lirisë së medias, vazhdojnë të shtypin ose të pengojnë lirinë e fjalës dhe të abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe të gazetarëve duke përdorur lloj-lloj taktikash, përfshirë tatimet. Nuk jam në dijeni të ndonjë aktiviteti, zyrtar ose jo-zyrtar, në Shqipëri ose në Kosovë për të shënuar këtë ditë, por në kontekstin shqiptar, dje lexova një kryeartikull të gazetës Telegraf të Tiranës, në të cilin thuhej se ditët e fundit, qeveria shqiptare paska marrë një vendim të bërë publik nga ministri i Financave, nepërmjet të cilit u bënë publike rregullat e tatimit mbi vlerën e shtuar apo si njihet atje shkurt me termin, TVSH, që prekë rëndë median. Autori e akuzon vendimin e qeverisë si një masë që “kërkon të falimentojë mediat që po nxjerrin çdo ditë lakuriqësinë dhe babëzinë tuaj.” Dashtë Zoti që kjo të mos jetë një masë presioni apo frikësimi nga ana e qeverisë ndaj lirisë së medias në Shqipëri dhe ndaj botuesve dhe gazetarëve që mundohen – nën rrethana edhe ashtu shumë të vështira — sado pak të ruajnë parimet e gazetarisë së lirë e të pavarur, pa i komprometuar ato? Vall, mos është kjo një masë e tërthortë, por e qëllimshme për t’i bërë presion medias dhe lirisë së veprimit të saj, duke e bërë punën e gazetave edhe më të vështirë se ç’është tani? A nuk mund të ishte ky një vendim pak më i favorshëm për median? Andaj, përballë këtij vendimi të ministrit shqiptar të Financave të njoftuar para disa ditësh, a mund të thuhet në këtë përvjetor të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit, që po shënohet në më shumë se 100-vende të botës – se qeveria shqiptare është me të vërtetë dhe sinqerisht e vendosur, që në përputhje me konventat ndërkombëtare, po mbështetë fjalën e lirë dhe lirinë shtypit — si në parim, ashtu edhe në praktikë?
F. Shkreli: Nga historia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, themelimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”
Ishte viti 1956. Lufta e ftohët midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik po ashpërsohej çdo ditë. Shqipëria e asaj kohe sundohej nga regjimi i Enver Hoxhës që po bëhej gjithnjë më i egër karshi kundërshtarëve të mbrendshëm, si dhe ndaj botës së jashtme. Që atëherë shiheshin shënja ksenofobike të regjimit enverist ndaj botës, sa që një gazetar i gazetës zvicerane, Neue Zuercher Zeitung e datës 7 Prill, 1957, shkruante pas një vizite në Shqipëri se, “Asnjë nga shtetet komuniste satellite qyshë prej mbarimit të luftës nuk e ka izoluar veten nga bota e jashtme aq heremetikisht sa Shqipëria e vogël”.
Përballë një regjimi komunist shtypës mbrenda vendit dhe tepër armiqësor karshi botës, sidomos asaj perëndimore në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti – komuniteti shqiptaro-amerikan ndjente nevojën për themelimin e një organizate që nuk do të varej prej asnjë nga partitë politike shqiptare që vepronin në Perëndim në atë kohë. Njehej nevoja urgjente për një organizatë e cila do të shërbente jo vetëm si zëdhënse e komunitetit shqiptaro-amerikan, por e cila njëkohësisht do të shërbente gjatë viteve dhe dekadave të mëvonshme edhe si ndërlidhëse me autoritetet qeveritare të Shteteve të Bashkuara, sidomos Departmenti Amerikan i Shtetit, i cili më në fund filloi edhe të financonte Komitetin dhe veprimtarinë e organizatës së re “Shqipëria e Lirë”. Themelimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” po plotësonte një boshllëk që ekzistonte në atë kohë, zëri i të cilit nevojitej të dëgjohej, sidomos në Amerikë, por edhe në organizatat ndërkombëtare të kohës në SHBA dhe në Europë, ku ishin mësuar që versioni i ngjarjeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të paraqitej vetëm nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kjo situatë ndryshoi kur në Nëntor të vitit 1956, pas këshillimesh me autoritetet amerikane dhe midis një numri shqiptarësh të dalluar, themelohet Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili, në një mënyrë ose një tjetër, do vazhdonte veprimtarinë e vet deri në fund të 90-ave, madje edhe me botimin e organit të saj “Shqiptari i Lirë”. Kështuqë atë vit u vendos të krijohej, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, e që i kishte venë vetes detyrën madhore për të punuar për, “Çlirimin e Shqipërisë, për sigurimin e integritetit tokësor të saj dhe për vendosjen e një demokracie të vërtetë në Atdhe, me anë zgjedhjesh të lira dhe të fshehta.”
Me atë rast u vendos që Komiteti “Shqipëria e Lirë” të vendosej në New York, pasi aty jetonte shumica e shqiptarëve. Si anëtarë të parë të Komitetit “Shqipëria e Lirë” — sipas organit të parë të Komitetit, “Albanian News Bulletin”, që ishte para-ardhësi i gazetës “Shqiptari i Lirë” – u zgjodhën Zotërnjtë Sotir Avrami, Vasil Gërmenji, Ndue Gjomarkaj, Dr. Rexhep Krasniqi dhe Nexhat Peshkëpia. Duke vendosur që antarësia dhe udhëheqja të ishin sa më demokratike, kishin vendosur që udhëheqja e Komitetit të ndërrohej çdo muaj dhe sipas emërit në përputhje me rendin alfabetik, por më vonë u vendos që kryetari të zgjidhej me shumicë votash, për një mandat prej një viti.
Duke marrë parasyshë situatën kombëtare dhe ndërkombëtare të kohës, u vendos që njeërzit që duheshin ngarkuar me këtë veprimtari me përgjegjësira kombëtare, të kishin aftësitë dhe zotësitë si dhe edukatën e lartë akademike dhe politike për të përfaqësuar shqiptarët me një organizatë të denjë edhe në bashkrendim dhe në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare europiane nga shtetet komuniste, që bënin pjesë në “Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Europës”. Qe marrë gjithashtu vendimi shumë i mençur, që anëtarët edhe udhëheqja e Komitetit, “Shqipëria e Lirë”, të mos i përkisnin asnjë partie politike, që siç duket ishte edhe një kërkesë dhe kusht i autoriteteve amerikane – ashtuqë të evitoheshin grindjet politike në radhët e anëtarve të Komitetit të ri, “Shqipëria e Lirë”. Ishte pra kjo një organizatë e pavarur, e cila kërkonte përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe zotohej se do të bashkpunonte me të gjithë – por e kishte përcaktuar veten si “një organizatë që qëndron mbi çdo çështje partiake dhe që sheh qëllimet kombëtare si të vetmen detyrë”, ndërsa ka theksuar gatishmërinë dhe bashkpunimin me të gjithë ata të cilëve u “dhimbset Shqipëria.”
Për më tepër, themeluesit e Komitetit “Shqipëria e Lirë” patën deklaruar se ndonëse do të punonin me të gjitha mundësitë e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, ata nuk po e bënin këtë me qëllim interesash personale që të drejtojnë punët në një Shqipëri eventualisht të liruar na komunizmi ndërkombëtar. Qeverisja e Shqipërisë, “Do të jetë” — kanë thanë ata me rastin e themelimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, — e drejta dhe privilegji i atyre që vuajnë dhe punojnë në Atdhe dhe jashtë.” Ndërkohë që ata u angazhuan se do të bënin çdo gjë që të jetë e mundur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për të çliruar Shqipërinë, ata kishin shpallur me atë rast edhe mbarimin e misionit të punës së tyre dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, duke deklaraur se, “Detyra e Komitetit “Shqipëria e Lirë” do të mbarojë posa që Kombi Shqiptar të ketë rifituar lirinë që t’a shprehë vullnetin e vet me anë zgjedhjesh të lira.”
Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është shtuar në numër dhe përfaqësohet nga shumë organizata. Kohërat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe situata në trojet tona në Ballkan, natyrisht për më mirë, në krahasim me vitet 1950-ave të shekullit të kaluar. Tani u takon këtyre organizatave të reja e të vjetëra që të vazhdojnë punën dhe veprimtarinë e filluar nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, në mbështetje të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në mbështetje të përhershme të interesave kombëtare të shqiptarëve kudo, sidomos para autoriteteve amerikane, ne vendet ku jetojmë në këtë shtet të madh, por edhe në rajon dhe në arenën më të gjërë ndërkombëtare. Organizimi i sotëm dhe veprimtaria e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan megjithë të metat që ka, nuk kanë lindur nga ndonjë boshllëk ose mos veprimtari e gjeneratave të kaluara, por e kanë bazën në rrënjët e një historie të gjatë, burrash e grashë shqiptare, të dedikuar ndaj mbështetjes së interesave të kombit shqiptar, burra e gra, pjesëtarë të një komuniteti të hershëm shqiptaro-amerikan dhe të organizatave të krijuara prej tij, siç ishte Komiteti, “Shqipëria e Lirë”.
Frank Shkreli: Rusia e Re si Rusia e Vjetër
Derisa gjendja në Ukrainë sa vjen e keqësohet dita ditës, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një raport që botoi të martën mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe në Krime — e cila deri muajin e kaluar ishte një rajon autonom i Ukrainës — bëri thirrje për marrjen e masave për të kundërshtuar urgjentisht mbjelljen e urrejtjes dhe përhapjen e informacionit jo të saktë, e të cilat në situatën e tanishme në Ukrainë, sipas OKB-së përdoret si propagandë e njëanëshme për të shkaktuar rrëmujë e dhunë. “Është e doemosdoshme që të vendoset se cilat janë faktet e vërteta mbi ato që po ndodhin në Ukrainë, me qëllim që të mënjanohen interpretimet radikale të gjëndjes së krijuar e të cilat po përdoren për qëllime politike”, tha Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay. Ajo shtoi se, “njerëzit kanë nevojë për lajme dhe informacion të besueshëm për të kundërshtuar informacionet e rreme si dhe deklaratat plotë urrejtje të cilat nxisin armiqësitë në baza kombëtare, fetare dhe raciale.” Kësaj fushate informacioni të rremë, sipas gazetës New York Times, iu bashkua edhe Presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cila dy ditë më parë ka shkruar në faqen e tij elektronike se, “Në Ukrainë, përsëri po derdhet gjaku” dhe paralajmëron se Ukraina po “kërcënohet me luftë civile.”
Për vërejtësit e politikës ruse, nuk është koincidencë njoftimi kohët e fundit nga regjimi i Kremlinit për të ndaluar transmetimet e lajmeve nga perëndimi, përfshirë edhe transmetimet e Zërit të Amerikës në gjuhën rusisht, vendim ky që e kam pasqyruar më heret në shkrimin me titull: “E vërteta është gjithmonë viktima e parë”. Dihej se diçka po vlon, se diçka po përgatitej aty. Kjo është një shenjë e keqe se nëqoftse agresioni i Putinit kundër Ukrianës del me sukses në planet e tija djallëzore në Ukrainë realizohen – me luftë ose me kërcënime — ai nuk do të ndalet me aq.
Ja tani, Kombet e Bashkuara me raportin e tyre të ditëve të fundit vërtetojnë fushatën e keq-informimit të ndërmarrë nga autoritetet e Moskës mbi ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë propagandën e urrejtjes. Kështu pra, siç thotë edhe gazeta New York Times, për autoritetet ruse fillon edhe një ditë tjetër informacioni të rremë, ekzagjerimesh dhe teorishë konspirative, retorikash hiperbolike dhe shpesh përhapje të drejtë për drejta gënjeshtrash mbi krizën politike dhe gjëndjen në Ukrainë, fushatë kjo e drejtuar dhe e koordinuar nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore të Kremlinit, duke përdorur rrjetin televiziv shtetëror të Rusisë dhe media të tjera nën kontrollin e tyre, që orë pas ore, ditë pas dite dhe javë pas jave, t’ua mbushur mendjen rusëve me versionin e tyre të ngjarjeve se ata janë të kërcënuar.
Por, ndryshe nga ato që pretendon Moska, raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u botua të martën, thotë se korrupcioni, mungesa e pavarësisë së gjykatave dhe zgjedhjet jo të lira, janë arsyet kryesore që çuan në protestat popullore — që tani Kremlini po i përdor për qëllime të veta — e të cilat përfshinë Ukraininën nga Nëntori i vitit të kaluar e deri në Shkurt të këtij viti, dhe nuk u shkatuan trajtimi i keq i pakicës ruse nga autoritetet ukrainase. Në raport theksohet se gjatë atyre protestave mbetën të vrarë 121 veta, numër i cili, sipas raportit mund të shkojë deri në 150, shumica prej tyre protestues, ndërkohë që sipas raportit, ka patur edhe shumë raste ku protestuesit ukrainas janë torturuar dhe trajtuar shumë keq, ndërsa qindra të tjerë janë detyruar të shtroheshin në spital nga plagët që kanë marrë nga policia, disa prej të cilëve janë në gjëndje tepër serioze.
Raporti i OKB-së u njoftua gjatë një jave takimesh dhe kontaktesh diplomatike në përpjekje për të qetësuar gjëndjen dhe për të ulur tensionet në Ukrainë, duke filluar me takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të djelën që kaloi, ku Ndihmës Sekretari i Përtgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Oscar Fernandez-Taranco paralajmëroi se Ukraina përballet me një përkeqësim serioz të situates, ndërsa grupe të armatosura ruse, të mirë organizuara dhe të koordinuara, tha ai, po marrin nën kontroll ndërtesat qeveritare në qytetet anë e mbanë Ukrainës lindore. Edhe Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, sipas një njoftimi për median të OKB-së, pati një bisedë me Vladimir Putinin gjatë së cilës ai i shprehu atij shqetësimet e tija të thella mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainën lindore, duke i theksuar se çdo përkeqësim i krizës atje është i dëmshëm për të gjithë dhe se është detyrë e të gjithëve për të vepruar për uljen e tensionit I ka thënë Ban Ki Moon udhëheqsit rus. Edhe presidenti Obama, gjatë një bisede telefonike me Putinin të hënën, sipas Shtëpisë së Bardhë, i ka shprehur atij shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara mbi agresionin rus në Ukrainë, ndërkohë që është njoftuar se Nënpresidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës më 22 prill. Ndërkohë që, gjatë ditëve të fundit në kryeqytete të ndryshme u zhvilluan përgatitjet për bisedime të ënjtën në Gjenevë, në të cilat pritej të merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Deshchytsia dhe Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Vërejtsit diplomatikë dhe ushtarakë nuk presin ndonjë përparim në bisedimet e Gjenevës për uljen e tensioneve në Ukrainë, sepse sipas tyre, Putini tani e kontrollon situatën dhe e drejton si të dojë vetë. Madje gjenerali amerikan në pension Montgomery Meigs i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se megjithse Putini ka vendosur rreth 40.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën, ai nuk do t’i përdor ato, pasi Kremlini, sipas tij, po realizon objektivat e veta duke shkaktuar frikë e kaos me forca speciale dhe militantë pro-rus që i ka futur në Ukrainë.
Mendohej se shekulli i kaluar i luftërave më të përgjakshme në historinë e njerëzimit u mbyllë me shpresën se po fillonte një shekull i ri me norma dhe standarde të reja në marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në marrëdhënjet shtet me shtet, duke shpresuar se normat e vjetra dhe luftërat në Europë do i përkisnin një periudhe tjetër. Madje ish-presidenti amerikan George Bush me euforinë e tij, pas rënjes së komunizmit në kontinentin europian, paralajmëroi për një Europë të re, të tërë e të bashkuar, në paqë.
Por kujt do ia merrte mendja se pak më shumë se 20 vjet pas rënjes së komunizmit dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, megjithë vuajtjet e shkaktuara nga regjimet totalitare të shekullit të kaluar, ja sot Europa dhe bota gjënden përballë një agresioni dhe një lufte tjetër të mundshme, drejtuar nga një pinjoll i atij regjimi komunist që robëroi kombet europiane për më shumë se një gjysëm shekulli. Paqa në Europë po kërcënohet edhe njëherë nga një diktator — pjellë dhe ish agjent i një sistemi komunist i cili me dekada skllavëroi popullin e vet dhe robëroi e nënshtroi edhe popujt e tjerë europianë — tani po kërkon të përsërisë historinë dhe të rivendosë famën dhe të lartësojë lavdinë e Rusisë së madhe, në kurriz të popujve të tjerë europianë. Për ata që e dinë historinë e Europës, në këtë mes nuk ka asgjë të re, sepse Rusia e re vetëm po sillet si Rusia e vjetër sovjetike.
Frank Shkreli: Cilat ishin krimet çnjerëzore në Kosovë dhe kush ishin kriminelët që i bënë ato?
Ishte kulmi i luftës në Kosovë. Periudha Mars-Qershor, 1999 ishte periudha e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë. Por mbi të gjitha, ishte edhe kulmi i krimeve të luftës më barbare kundër popullit shqiptar në Kosovë, krime të papara dhe të pa jetuara deri më atëherë, ç’ prej Luftës së Dytë Botërore. Këto krime çnjerëzore kundër shqiptarëve nga forcat terroriste serbe, të drejtuara nga kancelaritë më të larta shtetërore serbe, janë dokumentuar mirë nga një numër raportesh kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë raportet e Departmentit Amerikan të Shtetit dhe të një numër organizatash të ndryshme amerikane që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.
Andaj, ndërsa po flitet për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe për krijimin e një Tribunali, ia vlenë që në këtë 15-vjetor të luftës për çlirimin e Kosovës nga forcat terroriste serbe të Millosheviqit, të sjellim ndër mend se cilat ishin krimet e vërteta të asaj lufte dhe se kush ishin kriminelët që i bënë ato krime. Këto krime ishin rezultat i një dhune të sponsorizuar dhe të mbështetur nga të gjtiha instancat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve, të cilët në atë kohë ishin ende qytetarë të shtetit artificial, që quhej Jugosllavi. Ishte kjo një fushatë e mirë-koordinuar dhe e planifikuar në hollësi që më kohë nga aparatet kriminele të sigurimit serb, shumë më heret se të ndërhynte NATO-ja. Krimet kundër popullësisë civile shqiptare ishin të mëdha dhe të panumërta, shumë prej të cilave kam drojë se nuk do të zbulohen kurrë. Ishin këto krime në shkelje flagrante të të gjitha normave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës.
Krimet serbe kulmuan me dëbimin me forcë të më shumë se 850,000 shqiptarëve në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa me qindra mijëra shqiptarë të tjerë ishin ç’vendosur mbrenda Kosovës. Përveç dëbimit masiv të shqiptarëve drejtë vendeve fqinje me qëllim të spastrimit etnik fizikisht dhe gjeografikisht të Kosovës, forcat kriminele serbe kishin edhe një plan tjetër anti-shqptar për t’a venë në veprim, e ai ishte edhe “spastrimi i identitetit”, siç e cilësuan në atë kohë organizata të ndryshme humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ishte kjo një praktikë ku forcat policore dhe ushtarake serbe të ndihmuar edhe nga civilët e armatosur serbë, dhe nga forcat paramilitare të huaja si ato ruse, në mënyrë sistematike dhe të organizuar konfiskonin dokumentet personale të shqiptarëve, përfshirë letrat e njoftimit dhe targat e makinave, me qëllim për të mos i lejuar ata të ktheheshin më në Kosovë.
Për më tepër, numëri i shqiptarëve të vrarë, sipas burimeve të Departmentit amerikan të Shtetit dhe burimeve të Kombeve të Bashkuara mund të ketë arritur gjatë konfliktit deri në 11,000 veta të hedhur në 529 varrezat masive që diheshin deri atëherë , por numrë i cili nuk përfshinë trupat e djegur të shumë shqiptarve, identiteti dhe fati i të cilëve nuk dihet as sot. Ka pasë të dhëna edhe për ekzekutime në masë të shqiptarëve, në rreth 500 vende anë e mbanë Kosovës. Ndër krimet e tjera të luftës në Kosovë përfshiheshin edhe përdhunimi horror i femërave shqiptare nga forcat terroriste serbe, që mund të jetë një ndër krimet, përmasat e të cilit për arsye të natyrës së krimit, nuk do të dihen kurrë. Si dhe vjedhjet e plaçkitjet e banesave dhe pasurisë së shqiptarëve nga gangsterët dhe vrasësit serbë, të sanksionuar nga udhëheqja serbo-jugosllave. Grupet e të drejtave të njeriut njoftonin në atë kohë, se forcat serbe në fushatën e tyre të pamëshirshme anti-shqiptare, sulmonin mjekët shqiptarë dhe qendrat shëndetsore që frekvetoheshin nga shqiptarët dhe përdorshin qëndra të tilla për aktivitetet e tyre ushtarake, në kundërshtim të plotë me rregullat ndërkombëtare të luftës.
Ishte kjo pra, një përpjekje kriminale e sponsorizuar nga Beogradi zyrtar dhe udhëheqsit e saj më të lartë, jo vetëm për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët, duke spastruar njëherazi edhe identitetin e shqiptarëve, por ishte një ndërmarrje masive e Serbisë për të ndryshuar historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit në përgjithësi, në favor të Serbisë, në përpjekje për të zhdukur njëherë e mirë gjurmët e historisë së kombit shqiptar në Kosovën dardane. Duke shkatërruar gjithëçka që ishte shqiptare, forcat serbe donin që në të vërtetë të shkatërronin identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve. Ky ka qenë historikisht qëllimi i Serbisë, ky është gjithnjë qëllimi i saj.
Të gjithë ata që kanë bërë krime lufte dhe kanë shkelur normat ndërkombëtare të luftës duhet të përballen me drejtësinë. Por brutaliteti i forcave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, 15 vjetë më pare, ishte një fushatë e egër spastrimi etnik dhe krime lufte të përmasave të pa para në Europë ç’prej Luftës së Dytë botërore kundër një popullësie civile. Ishte kjo një politikë serbe e ndjekur historikisht për shfarosur kombin shqiptar, me të gjitha mjetet që Beogradi kishte në dispozicion, përfshirë edhe spastrimin etnik. Ishte kjo një përpjekje e dështuar e planifikuesve serbë — fal Zotit, NATOS dhe luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që sipas mendimit të tyre, për të zgjidhur njëherë e mirë “Albansko pitanje”, ose çështjen shqiptare duke e spastruar Kosovën nga shqiptarët. Urdhëri për dëbimin e pothuaj 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës 15 vjetë më parë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një rast historik, nga pikpamja e shovinistëve serbë, për të zhdukur gjurmët e kombit shiptar nga trojet e veta shekullore në Dardani. Dhe ata e bënë këtë, ditën për diell, pa u përpjekur aspak të mbulonin faktet.
Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një tragjedi, megjithse tragjedi kishte mjaftë personale, familjare dhe këmbëtare, por në të vërtetë ishte diçka më tepër, më djallëzore — ishte një plan për të zhdukur një komb nga faqja e dheut. Kjo gjeneratë e Serbisë është përgjegjëse për krimet që udhëheqsit e sajë kanë bërë kundër shqiptarëve të Kosovës. Krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë krahasuar me krimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj si të tilla, ato krime të luftës në Kosovë duhet të dënohen siç janë dënuar krimet e gjenocidit të Luftës së dytë Botërore dhe krim-bërsit serbë të mbahen përgjegjës. Ka ardhur koha që në 15-vjetorin e gjenocidit në Kosovë të mos bëhet politikë me krimet kundër njerëzimit dhe me vrasjet në masë të shqiptarëve.