RKL: Prokuroria dhe gjykatat kanë funksionuar veçmas për dënimin e luftëtarëve të lirisë

Pretendimet e disa autoriteteve dhe analistëve, madje edhe të liderëve të opozitës se gjoja për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë  erdhi deri te themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, janë pretendime paushalle, të pabazuara në fakte dhe thjesht pretendime, pas të cilave fshihet politika e ditës për përfitime në prag të fushatës zgjedhore.

Në asnjë të dhënë  të faktuar dhe të argumentuar nuk mund të dëshmohet se nuk ka funksionuar  sistemi i drejtësisë, në Kosovë sidomos sa i përket arrestimit dhe dënimit të luftëtarëve të lirisë. Në këtë segment nuk konsiderohet se ka dështuar ndonjë gjykatë e vendit apo gjykatë ndërkombëtare, madje edhe kur  të akuzuarit pas tri, katër, apo pesë vitesh të mbajtjes në burg janë shpallur të pafajshëm, sikur është rasti me gjykimet kundër kreut të luftës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kundër komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj, kundër 13 shqiptarëve  të arrestuarve nga Kosova Lindore në një Gjykatë të Beogradit dhe shumë raste të tjera. Janë në evidencë edhe shumë raste, të mbajtjes me vjet të tëra nëpër burgje të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, të cilët pas disa vitesh janë shpallur të pafajshëm por shumica dërrmuese e tyre janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar prej 1 deri në 15 vjet burg. Në gjykatat e Serbisë, në mungesë, shumë eprorë dhe ushtarë të UÇK-së janë dënuar prej 5 deri në 40 vjet burg.

 

Sistemin e drejtësisë në Kosovës, (hetuesit, gjyqtarët, prokurorët) qysh në ditët e para të pasluftës e ka vënë në jetë administrata e UNMIK-ut,  së bashku me gjykatësit e prokurorët që kishin punuar në institucionet e KSAK-së, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për periudhën e Tranzicionit. Në sistemin e drejtësisë së protektuar nga UNMIK-u  u kthyen në punë edhe prokurorë e gjykatës të tillë që kishin punuar në kohën e regjimit të Milosheviqit, sidomos në gjykatat komunale.  Dënimet e para kundër luftëtarëve të lirisë janë shqiptuar qysh në korrik të vitit 1999 dhe kjo dëshmohet fare lehtë me lëndë të lëshuara asokohe nga gjykatësi, Arif Tuhina, prokurori Reshat Millaku, e shumë  të tjerë.

Nuk duhet harruar fakti se të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që ishin kthyer në punë, qysh në korrik, gusht të vitit 1999, dhe që paragjykonin  për veten e tyre se ishin të rrezikuar nga UÇK-ja, shoqëroheshin nga policët e UNMIK-ut dhe shumica syresh me veturat e kësaj administrate përcilleshin nga shtëpia në punë dhe anasjelltas. Po kështu, UNMIK-u kishte marrë në mbrojtje të gjithë milic-policët shqipfolës, të cilët paragjykonin për veten e tyre se rrezikoheshin nga sulmet e mundshme  të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Në muajt e parë pas luftës, kreu i LDK-së kishte themeluar një komision ilegal për evidentimin e krimeve të UÇK-së në bashkëpunim me misionin EULEX, e më vonë edhe në bashkëpunim me hetuesit e parë të Tribunalit të Hagës. 

Duke u mbështetur në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit, në akuzat që i kishte ngritur gjatë luftës  kundër UÇK-së, ministria e Drejtësisë e xhelatit serb dhe shërbimi sekret serb, si dhe në dosjet që LDK-ja ia dërgonte ilegalisht UNMIK-ut, u akuzuan, u shpallën fajtorë dhe u dënuan disa qindra luftëtarë të lirisë.

 

Edhe nëse ka ndodhur që gjatë një jave të mos jetë akuzuar apo të mos jetë arrestuar një luftëtar i lirisë, në Kosovë, kurrë nuk kanë kaluar dy javë, apo një muaj dhe  të mos jetë arrestuar apo dënuar një ish pjesëtar, apo një grup prej dy tre e më shumë të pandehurve nga radhët e ish-UÇK-së të demobilizuar në gusht të vitit 1999.

Qysh më 5 korrik të vitit 1999, LDK-ja kishte tubuar krerët e sapo kthyer nga Kukësi e Stankoveci dhe në mbledhjen e parë, të mbajtur pas luftës, kishin propozuar themelimin e një komisioni ilegal, i cili do të merrej me hulumtimin në terren të krimeve të kishte kryer UÇK-ja por edhe serbët.

 

 


 

 

(Këto shënime të shkëputura nga proces-verbali i mbledhjes së LDK-së me  5 gusht te vitit 1999, ia ka dërguar RKL-së, Mustafë Krasniqi)

 

Andaj, pretendimet se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe për këtë shkak u arsyetuaka themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, nuk kanë asnjë bazë reale dhe nuk mbështeten  në asnjë fakt relevant. Është për turp indiferenca krejtësisht e papërgjegjshme e zyrtarëve të lartë të pozitës dhe një pjese të opozitës që sillet në mënyrë konformiste dhe oportuniste, lidhur me sistemin e drejtësisë.

Ata zyrtarët të lartë të vendit, që për hir të ruajtjes së posteve të tyre në vazhdimësi kanë lëshuar pe mbi kurrizin e luftëtarëve të lirisë, dhe të cilët edhe e kanë ngritur zërin vetëm kur janë rrezikuar vetë, prej qershorit të vitit 1999 e deri tani  nuk kanë marrë asnjë masë ligjore, asnjë vendim të Qeveri apo në Kuvend ku do të sanksionohej ndjekja luftëtarëve të lirisë, sepse askund në botë nuk janë ndjekur çlirimtarët, por janë ndjekur dhe janë dënuar okupatorët, pushtuesit dhe spiunët e vënë në shërbim të armikut. Kështu ka ndodhë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë shtetet e Evropës, të cilat kanë dënuar fashistët dhe shërbëtorët e tyre.

 

Gjykatat e UNMIK-ut, të EULEX-it por edhe nga gjykatat e Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës të cilën e ka themeluar OKB-ja, kanë funksionuar pa ndërprerë prej vitit 1999 e deri tani.

Krijimin e një gjykate speciale ndërkombëtare, me tri qendra veprimi vetëm për krimet e supozuara të UÇK-së e ka vlerësuar të panevojshëm edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, e cila për më tepër ka treguar sheshit se nuk ka fakte as dëshmi që do të jenë të mjaftueshme për të ngritur akuza lidhur me pretendimet për trafikim të organeve. Ajo ishte prokurorja e parë që nxiti fushatën e “trafikimit” duke u mbështetur në dosjet e shërbimit sekret serb, dhe mbi pretendimet e saj u mbështet edhe senatori antishqiptar me origjinë serbe, Dik Martinoviq, i cili me ndihmën dhe sponzorimin e regjimit të Beogradit arriti ta bëjë çështje në Këshillin e Evropës.

 

Dorëzimi i krerëve tanë politikë e institucionalë para presionit të Brukselit është krejt i njëjtë me veprimet antikombëtare të ish-kreut politik, komunist të Kosovës, në gusht të vitit 1945, kur shkelën Rezolutën e Bujanit për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe nënshkruan bashkimin e Kosovës me Serbinë. Po të kërkohet nga Brukseli që Kosova të kthehet në një republikë autonome nën Serbinë, kjo klasë politike, tash për tash përveç Vetëvendosjes dhe pak deputetëve të partive të tjera, do ta nënshkruanin dhe do ta aprovonin edhe një vendim të tillë.

 

Duhet pasur para sysh faktin se inkriminimi dhe penalizmi i UÇK-së me themelimin e një gjykate speciale vetëm kundër shqiptarëve dhe kundër UÇK-së godet themelin e pavarësisë së Kosovës, godet gjakun e derdhur për liri të dëshmorëve e martirëve, godet dinjitetin e të gjithë veteranëve të luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …