Me organizim të Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri, sot në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës filloi punimet Konferenca e 9-të dy ditore ,,FSK dhe Partnerët’’ ku po marrin pjesë ambasadorë dhe atashe të shteteve partnere të akredituar në vendin tonë, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Mali i Zi, Sllovenia, Italia, Çekisë, Francës etj.
Në hapje të Konferencës morën pjesë; Kryeparlamentari z. Kadri Veseli, Kryeministri z. Ramush Haradinaj, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, zëvendësministrat a. Agim Çeku dhe z. Burim Ramadani, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, Sekretari i përgjithshëm Z. Shkëlzen Sylaj, gjeneralë të FSK-së, atashetë e FSK-së, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral Reinhard Ruckenstuhl, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për MFSK/FSK, gjeneral Uwe Becker si dhe ambasadorë dhe atashe të shteteve mike dhe partnere nga rajoni, Bashkimi Evropian, shteteteve anëtare të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, fjalën e hapjes e mbajti, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha i cili fillimisht falënderoj përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në Konferencën “FSK dhe Partnerët” për një bashkëpunim të shkëlqyer dhe gatishmërinë e vazhdueshme për harmonizim e aktiviteteve të përbashkëta dhe mbështetjen e pakursyer që shtetet mike dhe partnere i kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për FSK-në.
Përgjatë këtyre viteve Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka zhvilluar partneritet të fuqishëm dhe të sinqertë me NATO-n përmes KFOR-it dhe NALT-it’’.
,,Tani jemi në fazën e vendimmarrjes politike për fillimin e procesit e tranzicionit, proces ky i cili është duke ndodhur pikërisht në dhjetë vjetorin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Procesi i tranzicionit i cili do të jetë proces gradual dhe do të zhvillohet sipas rekomandimeve të dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë’’.
Në fund të fjalës së tij, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha shprehu zotimin e tij se së shpejti FSK-ja do të jetë kontribuese për paqen ,,Ne jemi zotuar për tu bërë ofrues i sigurisë e jo vetë konsumues i saj, duke përfshirë këtu edhe qëllimin e shtetit të Kosovës për anëtarësim përfundimtarë në NATO’’.
Kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj duke çmuar lartë rolin e shteteve partnere të FSK-së u shpreh: ,,Tranzicioni i FSK-së, si proces legjitim, është në përputhje me interesin e komuniteteve jo shumicë për më shumë siguri, garanton shumë-etnicitet e profesionalizëm, partneritet të qëndrueshëm me KFOR-in dhe NATO-n, dhe gatishmërinë e plotë për të marrë pjesë në ruajtjen e paqes dhe lirisë çdo kund në botë. Kosova, si anëtar aktiv i koalicionit global kundër terrorizmit, në rrugë të anëtarësimit në Interpol dhe me synimin për t’u bërë anëtar i NATO-s, do të jetë partner kredibil përkrah aleatëve strategjikë të saj, në ofrimin e sigurisë rajonale dhe globale’’.
Nga ana e tij, kryeparlamentari z. Kadri Veseli ka treguar punën që ka bërë në këtë temë institucioni me të cilin ai udhëheq. “Ne në kuvend tani më kemi proceduar tre ligjet e nevojshme, do të lëvizim bashkërisht dhe në partneritet. Ne do të jemi me ju, FSK do të jetë krahë i fuqishëm për juve. FSK për ne është krenaria e Kosovës. Kjo do të jetë edhe në të ardhmen, paqja dhe partneriteti”, tha Veseli.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke iu drejtuar të pranishmëve tha: “Bashkëpunimi bilateral është jetik për FSK. Ne jemi në procesin e tranzicionit, çdo gjë është në harmoni me kushtetutën. Ju sigurojmë që FSK është një organizatë profesionale. Jemi duke punuar për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë. FSK sot qëndron e gatshme për të marrë pjesë në misione për paqe. Ne do të jemi një storie suksesi për Kosovën. Ne kemi filluar me ju dhe do të vazhdojmë me ju”, ka thënë ai.
Gjithashtu edhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr u shpreh se bashkëpunimi dhe partneriteti me FSK-në do të vazhdojë dhe do të intensifikohet në të ardhmen dhe se ashtu siç disa prej ushtrive të shteteve të Ballkanit morën pjesë në misione paqësore së bashku me shtetet nga SHBA, pra në kuadër të kontingjenteve të tyre ashtu edhe FSK-ja do të jetë së bashku me Gardën e Ajovës.
Në Konferencë folën gjithashtu edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral Reinhard Ruckenstuhl, pastaj drejtori i NALT-it, gjeneral Uwe Becker. Ndërsa pas prezantimit të Kolonel Jeton Dreshaj për procesin e tranzicionit të MFSK dhe FSK, me nga një fjalë audiencës iu drejtuan edhe ambasadroja e Republikës së Turqisë, zonja Kivilcim Kiliç, ambasadori i Malit të Zi zotëri Ferhat Dinosha si dhe ambasadorë tjerë pjesëmarrës në konferencë. Konferenca e 9-të ,,FSK dhe Partnerë do të vazhdoj punimet me takimet bilaterale të FSK-së dhe delegacioneve nga shtetet partnere të FSK-së, ku do të diskutohen aktivitetet si dhe do të harmonizohen planet bilaterale.