leoni

Ministri Shala takoi afaristët nga Turqia, i fton për të investuar në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatës së afaristëve “RUMELİSİAD”, nga qyteti i Bursës në Turqi. Ministri Shala theksoi se është i përkushtuar që t’iu krijojë kushte të mira investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë ta investojnë kapitalin e tyre. “Përkushtimi im dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që investitorëve t’u ofrojmë të gjitha lehtësirat që ata ta kenë sa më të mundshme të bërit biznes në Kosovë.  Unë ju falënderoj dhe jemi të kënaqur që bizneset nga Bursa janë të interesuar për të investuar në Kosovë”, tha ministri Shala. Ministri tregoi se ministria që e drejton e ka sponsorizuar Ligjin për Investime Strategjike, që iu krijon lehtësira  të jashtëzakonshme investitorëve të huaj. “Në Kosovë tashmë kemi Ligjin për Investime Strategjike, e që ne jemi përgjegjës për implementim e tij.  Ky ligj është mundësi e jashtëzakonshme për bizneset që investojnë në Kosovë, sepse ofron lehtësira të pakrahasueshme me vendet e rajonit. Unë jam i gatshëm t’ju qëndrojë prapa në çdo hap tuajin që do ta bëni për të investuar në Kosovë. Do t’ua garantoj të gjitha lehtësirat dhe mundësitë që investimi juaj në Kosovë të jetë edhe i sigurt, por edhe i suksesshëm”, tha ministri Shala. Omer Kumova, kryetar i shoqatës së afaristëve nga Bursa “RUMELİSİAD”, tha se janë të interesuar që të investojnë në Kosovë dhe ta bëjnë lidhjen në mes bizneseve të Turqisë dhe Kosovës. Kumova tha se janë disa fusha që janë të interesuar për të investuar në Kosovë. “Deri më tani kemi bërë disa investime në Ballkan dhe po mendojmë të investojmë sërish dhe kemi disa projekte konkrete”, tha Kumova. Anëtarët e organizatës “RUMELİSİAD” janë sipërmarrës në Bursa të Turqisë dhe një pjesë e tyre kanë prejardhje nga vendet e Ballkanit. Delegacioni përbëhet nga 11 biznesmenë, që po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Kosovë në fusha të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …