Frank Shkreli

Frank Shkreli: 25 vjet të revistës Kuq e Zi ( tetor 1993-2018)

Fund javën që kaloi, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë organizoi takimin me shkrimtarin dhe botuesin Lek Pervizi, me rastin e 25–vjetorit të revistës kulturore euro–shqiptare, “Kuq e Zi” dhe botimit të dy librave: “Gjenerali” dhe “Odiseja e pafajsisë”.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në Evropën lindore, qindra mijëra qindëra mijëra shqiptarë janë larguar nga Atdheu për në vendet perëndimore. Aty ku janë vendosur shqiptarët për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjet e tyre, janë shtuar edhe gazetat, portalet e revistat në gjuhën shqipe. Intelektualë, gazetarë individë ose grupe individësh drejtojnë ente të tilla mediatike anë e mbanë diasporës shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Njëri prej tyre, Z. Lek Previzi, i njohur gjithashtu edhe si — “Piktori i kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës” — është një i ish-përndjekur dhe vuajtës i kampeve të internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ç’prej vitit 1993, boton në Bruksel revistën “Kuq e Zi”, e cila këtë vit shënon 25-vjetorin e botimit të saj në internet.

Është një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Previzi, ku thoshte se revista Kuq e Zi do të synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëmë shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.” Siç dihet, jo të gjithë ata që ishin të dënuar në ato kampe, patën fatin të dilnin të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën Lindore. Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi, pikërisht botuesi i revistës Kuq e Zi, një nga vuajtësit dhe dëshmitarë të jetës në ato ato kampe dhe siç thotë edhe ai vet, një prej, “Përjetuesve të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën. Këto iu nënshtruen falsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijëravjeçare”, ka shkruar ai një editorial të revistës, Kuq e Zi.

Është kjo revistë pra, përvjetorin e të cilës shënuan antarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, të shtunën që kaloi. Revista Kuq e Zi është një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi.  Lek Previzi, me sakrifica personale ia del, për një çerek shekulli tashti, të përgatisë botimin e revistës Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet shqiptare të ditës.  Unë kam pas fatin të jem “ndeshë” në këtë portal para disa viteve dhe kam venë re se secili numër është më i pasur dhe më interesant se tjetri.

Botimi i revistës Kuq e Zi ka filluar pra të botohej në Bruksel tetorin e vitit 1993, nga Lek Previzi, ky ish i burgosur politik, i cili pas shembjes së komunizmit doli nga burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ishte diçka e rastit, sipas Z. Previzi.  Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit, ai shprehet se “Revista Kuq e Zi, s’u krijue kot pse mu tek mue, por pse unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të madh. Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të përmbushja. Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuem, nga ndikimi i shtypjës së diktaturës. Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.

Kështuqë, me gjithë problemet dhe sfidat fillestare, sidomos ato financiare, Leka ai doli, ja arrijti që më në fund në Bruksel, siç thotë edhe ai vet, “Po ripërtrihej nisma e Faik Konicës, pas rreth 100 vjet, jo me titullin “Albania” por Kuq e Zi”.   Kjo u bë e mundur, shkruan Previzi, me ndihmën dhe me inkurajimin e disa miqëve të tij të dalluar si, Mikel Koliqi, Guljelm Deda, Mitat Araniti, Lazër Radi, Arshi Pipa, Nermin Vlora, Renzo Falaski, Injaz Zamputi, Mark Dema, Zef Pllumi, Nikoll Mazrreku, Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch, Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa, etj., prej të cilëve erdhën përgëzime dhe urime dhe të cilët, fatkeqësisht, nuk jetojnë më.

Por me kohë, nisma modeste e botimit të kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës.  Përballë mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit.  Z. Previzi thotë se kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e tanishëm 126, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës, ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera.

Revista Kuq e Zi, kushtar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Lek Previzi shkruan se ai, në të vërtetë, ia ka kushtuar gjithë numërat e këtij viti të revistës, 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

file:///C:/Users/fgshkreli/AppData/Local/Packages/microsoft.windowscommunicationsapps_8wekyb3d8bbwe/LocalState/Files/S0/30630/Revista%20nr.%20126[56291].p

Lek Previzi është gjithashtu edhe përkthyes nga italishtja e vjetër i librit, “Veprat e lavdishme të Skenderbeut”, të Dhimitër Frangut, që konsiderohet edhe si libri i parë i shkruar për Gjergj Kastriotin Skenderbeu, një libër sipas tij i haruar nga historianët e ish-regjimit komunist, për të mos thënë i humbur.  Libri “Vepra të famshme të Skenderbeut” i vitit 1480, jo shumë e njohur ndër shqiptarë, por i vlerësuar nga të huajt, shkruar latinisht nga At Dhimitër Frangu, e përkthyer nga Previzi, cilësohet në parathënien e tij si një, “…Libër që ashtë shkrue latinisht me dorë prej Dhimitër Frangut, i cili ishte i pranishëm personalisht dhe i mirë informuem për të gjitha betejat e veprat e atij Princi.”

Në një intervistë, Lek Previzi shprehet se respekti i tij për Heroin Kombëtar ishte ç’prej rinisë dhe se kjo figurë i ndjekë të gjithë shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre.  Por, atij pas 40-vjet burgjesh e kampesh përqëndrimi – ku nuk kishte as të drejtë dhe as mundësi – më në fund iu dha mundësia që të jepte kontributin e vet në fushën e kulturës dhe historisë shqiptare, përfshirë edhe jetën dhe veprimtarinë e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu – veçanërisht në këtë 550-vjetor të Tij dhe me rastin e 25-vjetorit të botimit të revistës Kuq e Zi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …