leoni

Kuvendi i Kosoves

Si ndodhi që Kuvendi i Kosovës ia mori “bukën” Teatrit Kombëtar dhe disa TV-serive amorfe të humorit?

Duket paksa paradoksale, por skenat e përditshme që i shohin qytetarët e Kosovës gjatë seancave të Kuvendit, janë përplot me skeçe banale e arrogante, dhe, për nga gjuha e ndragur, nuk i gjen dot as në fjalorin e serive humoristike të tri televizioneve të Kosovës, ku aktorët,  në mungesë të talentit dhe dijes për humor, në mungesë të asaj që është esenciale, si tema dhe përmbajtja, ata efektet e përmbajtjet e tilla i mbulojnë ke gjeste kur  zgërdhihen, shtrembërojnë buzët, hapin sytë, lakuriqohen, zhvishen, ekspozojnë pjesët intime, shkapurisin flokët, bëjnë grimasa, flasin banalitete të pista,  shfaqin skena amorale, me qëllim për të qenë sa më bindës para shikuesve. Vetëm me efekte  të tilla ata shikohen nga prototipat, nga ata që argëtohen me banalitete ditore, të cilat i mbllaçitin si çamçakëzin.

Duke qenë se TV-të e Kosovës nuk kanë seri të mirëfilltë humoristike, sepse ato i kopjojnë nga televizionet e Serbisë, shumë syresh edhe duke i përkthyer, si nga seria “Kursistet”, “Familja jonë”, “Kafeneja jonë” e shumë të tjera,  Kuvendi i Kosovës e plotëson për mrekulli humorin, satirën, sharjen publike, sulmet live dhe  jo të improvizuara sikur bëjnë aktorët, duke i ilustruar mendimet me  fjalorin më të pistë të qymezeve të honeve publike.

Skenat banale në Kuvend janë shumë më të pranueshme për shikuesit, sepse ato janë të drejtpërdrejta dhe nuk kanë nevojë për aktorë të talentuar, qofshin ata edhe të nivelit të ndonjë aktori të njohur të Kosovës, nga të cilët njoh disa  dhe nuk dua t’ iu përmend emrat, por e them me skepsë se Kosova nuk ka aktor  që mund të mishërohet, ashtu si duhet,  me rolin e një deputeti të përdalë të kuvendit të Kosovës, që nuk lë fjalë të ndytë e të pistë pa e deklamuar qoftë drejtpërdrejt kundër kolegut, kundër kryekuvendarit, ministrit, por jo edhe kundër kryeministrit dhe ndonjë dinjitari të ish-UÇK-së, që nuk i duron “të dalat” dala nga goja e akëcilit deputet.

Me kot ankohen regjisorë të njohur të Teatrit se, as edhe në një premierë të një shfaqjeje, që kërkon një vit përgatitje, nuk mbushet salla me shikues. Madje ka ndodhur, që një pjesë teatrale për të cilën Ministria e Kulturës ka dhënë 25.000 euro, nuk është shfaqur premiera, sepse nuk ka pasur fare publik. Dhe, mjerisht,  kjo nuk ka ndodhur vetëm njëherë.

Këtë fenomen të humbjes për të mos thënë të mungesës së interesimit gati total të publikut për Teatrin, analistët, sociologët dhe hulumtuesit e opinionit publik, me siguri se do ta gjejnë edhe në këtë temë, të cilën po mundohem ta  trajtoj me fakte dhe realizëm.

Nuk ka teatër në Kosovë, as në Shqipëri që mund të ngrihet në nivelin e skenave banale teatrale, si ato  që opinioni i sheh për ditë në Kuvendin e Shqipërisë dhe të Kosovës. I vetmi program që ushqehet nga Kuvendi dhe nga prapësitë e turpet e qeverisjeve dhe që di të bëjë humor mbi humor, në kurriz të mostrave të përdala publike, është “Portokallia”, e cila në vitet e fundit edhe ka filluar të degjenerohet, pikërisht duke u ndikuar  për së tepërmi nga teatri i gjallë, politik dhe i përditshëm shqiptar.

Teatri live, i quajtur Kuvendi i Kosovës, është arenë gladiatorësh, që bërlyken si qetë në lamë, të shumtën e herëve me fjalë e batuta ndër më bajatet, ndonjëherë edhe me grushte, me shishe plastike, me tym helmues, shpeshherë duke hapur gjokset e duke u bërlykur si demat, sidomos ata që natyra i ka pajisur me muskuj e virulencë egërsie, arrogancë e banditizëm, në mungesë të edukatës familjare e shkollore dhe në mungesë të ligjit, i cili do të duhej të sanksiononte poshtërsinë njerëzore, të shprehur në publik, para syve të  atij  populli të mjerë që zgjedh këso përfaqësues të degjeneruar e të komprometuar.

Natyrisht se jo të gjithë deputetët janë të tillë, por kur ata të tjerët me gjuhë më të përmbajtur  pajtohen me gjuhën dhe sjelljet e veprimet e kolegëve, kjo ulë edhe autoritetin e tyre, sepse nuk kërkojnë sjellje të kulturuar, por rrinë urtë e butë, nganjëherë i zë gjumi gjatë seancave, nganjëherë për një mandat katërvjeçar nuk nxjerrin asnjë fjalë nga goja. Shkojnë për të marrë pagat e majme dhe kurrë nuk mungojnë, në seanca  sepse Zot e kanë paranë, sa për hallin e qytetarëve, që i kanë votuar, nuk di sesi mendojnë, le të mendojnë ata që i kanë votuar.

Edhe këta me sjelljet e tyre indiferente bëhen pjesë e Kuvendit-Teatër. Të paktën këta janë shikues, pa të cilët nuk do të kishte kuptim Teatri i tillë i përhershëm. Po kështu, ne, taksapaguesit e pagave të deputetëve të Kosovës, kemi qelepir ta përcjellim shfaqjen pa paguar  një biletë shtesë, edhe pse  bileta për të parë një pjesë teatrale nuk kushton më shumë se “pesë para” të dikurshme.

Andaj ky “teatër” ka edhe një kuptim,  sepse për një shtresë inteligjente të popullsisë, është një arenë nga ku mësohet, në mos më shumë mësohet se deri ku degjeneron njeriu që nuk ka edukatë, nuk ka frikë, nuk ka moral, të mos flasim për njerëzi e nder, kur një mostër  e tillë shprehet me fjalët  ndër më të pistat e pis-hanës, kundër një kolegeje femër, sepse një deputeti, mashkull, kurrë  nuk do të kishte guxim t ia drejtonte fjalën e tillë, kuptohet me ndonjë përjashtim. Por kjo nuk do të thotë se në Kuvendin e Kosovës nuk ka edhe femra me gjuhë të përdalë. Ka madje edhe nga ato që bëjnë garë në përdorim të fjalorit sa më të përçudnuar. Por megjithatë janë pak në krahasim me deputetët mujsharë të gjinisë së meshkujve.

Meshkujt e Kuvendit të Kosovës, disa syresh janë trima, sidomos kur duan t ia nxjerrin sytë njëri tjetrit, janë të kreshpëruar kur duan me çdo kush ta imponojnë mendimin  e tyre, gjithnjë me fjalë në “mbrojtje” të interesit të vendit, por nën maskën e partisë, sepse është partia ajo, e cila lufton për ta marrë pushtetin dhe kur e merr, lufton për të mos e lëshuar më. Aq shumë e duan popullin këta, sa krejt kjo  më kujton atë fjalinë  cinike, që serbët i kanë veshur në  gojë, Nikolla Pashiqit, i cili thuhet se ka thënë:  “O populli im, kafsha ime e zgjebosur”….

A thua e ka një mashkull deputet nga këta me gojën e ndragur, që ka lexuar Mishel Montenjin apo Erazmo Roterdamin, Volterin apo Didëronë.   I pari prej këtyre të katërve ka konstatuar se: “Sundimtarët janë të bindur se Zoti e ka krijuar tokën e njerëzimin, vetëm që ata ta qeverisin dhe askush tjetër”.   Ndërsa kur romakët kishin kapur për fyti Neronin dhe po e dërgonin për t’ ia prerë kokën, ai kishte shprehur një pikëllim të jashtëzakonshëm, jo për kokën që do ta humbiste, por për brengën e madhe se nuk do të gjendej  më njeri, në Romë, që do t’ i argëtonte romakët, në arenë, sikur i kishte argëtuar ai.

Për fund një anekdotë.

Një shtegtar  troket në dyer të një shtëpie dhe i del para një grua e moshuar.

Shtegtari i drejtohet me fjalët:

– A ke ndonjë burrë në shtëpi, oj hallë?

Gruaja, pak si me mëdyshje  i përgjigjet:

-Pasha hallën, nëse pyet për burrat, ja, atje janë, te ato muranat, i thotë duke bërë me dorë nga varrezat, e nëse po pyet  për meshkuj, ata janë në shtëpi dhe tash dalin.

Ahmet Qeriqi

1.11.2018

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …