Ministri Rrustem Berisha viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë

Ministri Rrustem Berisha viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha u prit sot në Shkup nga ministrja e  Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë zonja Radmilla Shekerinska. Ministri Berisha  në këtë vizitë  po shoqërohet nga drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane, z. Faruk Geci, këshilltari ushtarak nënkolonel Hisen Berisha dhe këshilltari i tij politik z. Ilir Murtezi.  Të dy ministrat, Berisha dhe Shekerisnka, në takimin e përbashkët biseduan për zhvillimet në Kosovë e Maqedoni, situatën e sigurisë, bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe për hapat që po ndërmarrin të dyja vendet për të qenë së ma afër realizimit të qëllimit për integrime euroatlantike. Gjithashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira ndërmjet  Kosovës e Maqedonisë si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fusha të ndryshme e me theks të veçantë në fushën  e mbrojtjes dhe atë të sigurisë. Krahas kësaj, ministri Berisha  e përgëzoi zonjën Shekerinska lidhur me proceset e fundit pozitive në Maqedoni: “Urova ministren Shekerinska për ratifikimin në Kuvend të Ligjit të marrëveshjes me Greqinë, ligj ky që i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian (BE) dhe organizmat tjerë ndërkombëtar’’.

Ministri Berisha, gjithashtu, e njoftoi ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë edhe për tri  ligjet  e miratuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat siç u shpreh ai i hapin rrugë tranzicionit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, për të arriturat e FSK-së, progresin a arritur në këtë proces si dhe për hapat që janë ndërmarrë në këtë fazë planifikimi të tranzicionit  të FSK-së. Ne, si Forcë e Sigurisë së Kosovës, jemi zotuar që do të jemi faktor stabiliteti dhe ofrues të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Synimi ynë është anëtarësimi përfundimtar në NATO.  Marrëdhëniet e shkëlqyera në mes Kosovës dhe Maqedonisë i konfirmon edhe vizita ime sot këtu. Maqedonia ka qenë gjithmonë dhe është partnerë i fuqishëm i Kosovës dhe jemi të sigurt se do të kemi përkrahjen e saj në rrugën e tranzicionit që e kemi përpara’’.

Ministri Rrustem Berisha dhe ministrja Radmilla Shekerinska diskutuan edhe për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy ministrive në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, stërvitjet e  përbashkëta, planifikimin, arsimimin, trajnimet  dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.

Në fund, Ministri Berisha ka falënderuar ministren Shekerinska për përkrahjen e saj  në shumë fusha, duke nënvizuar arsimimin e  kadetëve tanë në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë. Ndërkaq, ministrja Shekerinska u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo po ashtu shfaqi interesim lidhur me procesin e tranzicionit të  Forcës së Sigurisë së Kosovës,  si dhe shprehu dëshirën  për të vazhduar me traditën e takimeve të përbashkëta në mes dy ministrave përkatës të dy shteteve.

Gjatë qëndrimit në Shkup, ministri Berisha do të ketë takim të veçantë edhe me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë z. Talat Xhaferi.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …