Fushata e partive politike për zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme të 8 qershorit po manifestohet si rëndom me një entuziazëm dhe eufori, që aspak nuk i korrespondon gjendjes së mjerë me të cilën po ballafaqohemi në Kosovë, me premtime krejtësisht pa mbulesë, për gjoja mirëqenie, begati, pasuri.
Çuditërisht, këtyre premtimeve në dukje nuk iu beson askush, aq më pak iu besojnë ata që i japin, ata që përditë e zërojnë dhe i përhapin fuqishëm me tërë pompozitet dhe me një intensitet të çuditshëm.
Kryetarët e partive politike premtojnë vende të reja të punës, ndërkohë që papunësia ka shënuar rritje, premtojnë lëmoshë për veteranët, me qëllim për të mos lejuar zemërimin e tyre të pakontrolluar, premtojnë rritje pagash, të cilat në një masë edhe i ka realizuar partia në pushtet, e cila tani premton edhe më shumë. Nuk ngelin prapa me premtime as partitë e tjera, të cilat po ashtu tregohen shumë dorëlirë në derdhjen e parasë publike, të parasë që nuk është pronë e tyre, por që do ta “menaxhojnë”, sikur të ishte pronë private e tyre, gjatë kohës sa do të qëndrojnë në pushtet.
Lista e premtimeve nuk ka të sosur. Numri i atyre që u beson këtyre premtimeve nuk dihet, por është edhe një e vërtetë tjetër. Përfitues të parasë publike do të ketë edhe në të ardhmen dhe paraja e tillë i takon në radhë të parë fituesit në zgjedhje, apo dy tre fituesve në koalicion. Ata, do të marrin çelësat e Arkës së Buxhetit dhe do të realizojnë jo premtimet për vende pune, për investime për mirëqene e begati të përgjithshme. Premtimet do t’i realizojnë në radhë të parë në adresë të militantëve, të atyre që u kanë ndihmuar në zgjedhje.
Po bëhen 15 vjet prej mbarimit të luftës në Kosovë. Lufta solli shkatërrimin e zonave fshatare dhe qyteteve të vogla, që i kishte përfshirë zjarri piroman dhe sodomist i Serbisë. Shumica e qyteteve nuk u dogjën dhe përnjëherë, që në vitin e parë të pas luftës, pikërisht në qytetet, të cilat nuk kishin pësuar nga lufta filloi të grumbullohet kapitali dhe të ngrihet mirëqenia e banorëve.
Fshatrat u mjaftuan me ndërtimin e shtëpive, të djegura nga barbarët dhe me ndihmat që shpërndanin organizatat e ndryshme humanitare.
Ndihma e vetme për varfanjakët dhe klasën e mesme, që dita ditës po rrëshqet kah varfëria realizohet nga remitencat, nga paratë që ua dërgojnë të afërmve të tyre, punëtorët e zënë me punë në botën e jashtme. Remitencat edhe aktualisht janë mbështetja e vetme për qindra mijëra familje, që jetojnë sa për të jetuar, por me ndihmën që marrin nga familjarët në kurbet nuk arrijnë të hapin firma dobisjellëse, as të bëjnë ndonjë investim për të qenë. Ato u mjaftojnë sa për t’u mbajtur në një nivel ekzistencial.
Gjatë viteve të fundit të “zhvillimit” të Kosovës nuk mund të mohohen të arriturat e caktuara në infrastrukturën rrugore, as në skemat sociale, të cilat sado- kudo kishin zbutur dhe po e zbusin varfërinë ekstreme.
Nuk mohohet as ndërtimi i shkollave dhe i objekteve të ndryshme arsimore, madje edhe i disa shkollave të nivelit evropian, edhe pse shumica e shkollave del të jetë ndërtuar nga donatorët e jashtëm, vende-vende edhe me kontribute mikste. Nuk mohohet as ngritja e shumë kapaciteteve qeverisëse, edhe pse ajo ka qenë dhe po mbetet, qeverisje tipike burokratike, me përjashtime të rralla. Kosova me 2 milionë banorë ka 18 ministri, ka një administratë super të ngarkuar, ka mbi vete gungën e madhe të pushtetit, nga e cila nuk fiton asgjë, por pa të cilën nuk mundet.
Nuk mohohen dot as rritjet e pagave po thuajse në të gjithë sektorët, edhe pse dallimet sociale nga viti në vit janë thelluar, sepse ai që ka fiton më shumë. Ai që ka shumë, fiton edhe më shumë, ndërsa ai që nuk ka nuk fiton asgjë, me faktin se nuk është në punë dhe nuk realizon dot të ardhura minimale për ekzistencë. Klasa e tillë sociale merr 85 euro në muaj, qoftë edhe familje me shumë anëtarë.
Por merita e këtij ta quajmë “progresi”, ecjeje përpara qoftë edhe me hap breshke, nuk është meritë vetëm e një individi, e një kryeministri apo kryetari, e një apo dy partive, por është meritë në radhë të parë e taksapaguesve të vendit, të cilët derdhin paratë e tyre në buxhetin e Kosovës.
Shpërndarja e parasë publike nuk është meritë e shpërndarësit, është vetëm menaxhimi i saj, orientimi, se ku dhe si duhet të shpërndahet ajo, duke u bazuar në prioritete të caktuara. Dhe kjo shpërndarje megjithatë kërkon një konsensus, që asnjëherë nuk është përfillur, meqë partia apo koalicioni në pushtet e mbivoton opozitën edhe kur ajo ka të drejtë. E tillë është “loja” në demokraci. Mjafton ta marrësh shumicën në zgjedhje dhe bën çka të duash me pakicën, kjo është “deviza” e demokracisë kapitaliste, ky është rendi, ky është realiteti.
Të rrahësh gjoks se ke bërë ndërtime, ke rritur pagat në arsim, shëndetësi, polici e administratë, ke dhënë miliona shpërblime për bizneset dhe fermat e fshatrave apo fshatarëve të caktuar, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se kujt ia ke adresuar shpërblimet (grantet), cilit klan apo grup interesi, cilit fshat apo krahinë, cilës familje të madhe që mendohet se sjellë vota, cilit mik apo kumbarë…
Kjo formë prtekcioniste e shpërndarjes së parasë publike, mbi baza të përkatësisë politike-partiake, është dhe do të mbetet orientimi kryesor i çdo partie, që vjen në pushtet, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i ushqyer, ata që të përkrahin. Ky është zhvillimi aktual kapitalist, ku partia grumbullon vota, i financon partiakët u ndanë grante, i ndihmon në çdo mënyrë, me qëllim që sa më gjatë të qëndrojë në pushtet. Dhe, partia në pushtet gjithnjë i ka gjasat për të fituar, sepse e ka paranë në dorë, ka vendet e punës, ka militantët, sekserët, trafikantët e të gjitha llojeve të bizneseve jo të pastra, ka blerësit e perfeksionuar të votave, ka edhe ndihmën e protektorëve, sundimtarëve ndërkombëtarë, të cilët, me qëllim për ta ruajtur qetësinë, status-quonë, përkrahin sidomos politikanët e shantazhuar dhe ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, meqë të tillë për të ruajtur favoret, janë të gjendje të bëjnë çdo lloj kompromisi.
Gjendja, në të cilët ndodhet sot Kosova nuk është e kënaqshme, është shumë larg normalitetit social, shumë larg normalitetit politik, larg normalitetit për të ecur vetë, pa paterica, madje shumë larg nga ajo që pretendojnë premtuesit. Kjo gjendje nuk do të përmirësohet me plane e programe të reja e me përmbajtje të vjetra. Nuk realizohet asnjë Mision i Ri, apo Drejtim i Ri me faktin se është emërtuar si i tillë. Ky është vetëm një karrem për të peshkuar elektoratin entuziast, i cili u beson premtimeve, sepse secili pretendon të fitojë diçka nga kulaçi i madh, që quhet Buxhet i Kosovës dhe që është aq i madh sa nuk arrin dot as buxhetin e një futbollisti, jo edhe aq të njohur në botë se lërë më të barazohet me të ardhurat vjetore të një kompanie dobisjellëse të ndonjë vendi ballkanik.
Premtimet, tashmë e kanë humbur vlerën dhe kredibilitetin, mirëpo po nuk premtove, po u tregove realist, nuk të beson kush dhe ngel me gishta në gojë. Kështu që kemi ardhur në pozitë se kush do të premtojë më shumë, ai do të fitojë në zgjedhje. Pastaj, pasi një parti fiton në zgjedhje nuk ngutet për të realizuar premtimet, sepse nuk thuhet kot, “nga e thëna në të bërë, është plot një det me rërë”. Koha e premtimeve do të kalojë për dy javë. Do të mbesin katër vjet për t i realizuar apo për të mos i realizuar, derisa të fillojë të përsëritet e njëjta.
Dhe nuk na mbetet tjetër vetëm të këndojmë:
Nga zgjedhjet vijmë në zgjedhje shkojmë,
Plot premtime na u mbush kjo jetë.
S’ është me rëndësi se çka fitojmë,
Fitues e humbës, gjithmonë do të ketë.