leoni

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Gjatë vizitës së paralajmëruar në fillim të tetorit 2018, Nexhmije Hoxhën e gjetëm në familje, ku jeton me djalin, Ilirin dhe Teutën, në një banesë të një ndërtese të vjetër e të lënë në mëshirë të kohës. Për vitet dhe tërë atë që ka përjetuar në jetë, ajo duket për mrekulli. Flet, uron, jep gjykime të qëndrueshme e realiste, jeton me kujtimen për kosovarët, të cilët e kanë vizituar dhe e vizitojnë. Dhe përveç familjes,  mbase janë të vetmit ata që ia hapin derën, qoftë kur shkojnë nergut për vizitë, por edhe kur kanë ndonjë punë. Ata nuk i kanë munguar kurrë. E kishin vizituar edhe luftëtarët e UÇK-së. I kujtohen disa nga ata që i  kishte parë edhe me plagë të lidhura, kur ishin mjekuar në Spitalet e Tiranës, disa nga ata i kishte parë për herë të fundit, meqë  kishin rënë për çlirimin e Kosovës… Nexhmije Hoxha ende lexon, shkruan, jeton pleqërinë e   thellë  me botën e saj me familjen dhe me kosovaret…

 

TV-Dielli: Shumë e respektuar dhe e nderuar zonja, Nexhmije Hoxha, fillimisht ju sjellim një përshëndetje të veçantë nderimi e respekti nga stafi i Radios Kosova e Lirë dhe TV Dielli duke ju dëshiruar jetë të gjatë sa malet. Ju falënderojmë nga zemra që na pranuat për vizitë dhe për këtë bisedë.

Nexhmije Hoxha: Ju faleminderit Juve që më vizituat dhe më kërkuat këtë fjalë të shkurtër, e përshëndes edhe stafin e TV Diellit, që fatkeqësisht neve nuk e shohim këtu.

 

TV-Dielli: Jeni e lindur në qytetin e alfabetit të gjuhës shqipe, jeni shkolluar në Tiranë, jeni e veja e  Enver Hoxhës, ish prijësit të Shqipërisë në kohën e socializmit, keni qenë njëra ndër gratë e arsimuara, më të dashura, më të   përkushtuara për kombin e atdheun, keni përjetuar kohën e Monarkisë zogiste, luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare pjesëtare e së cilës keni qenë që nga fillimi, keni marrë pjesë aktive në ndërtimin socialist të vendit,  keni përjetuar vdekjen e bashkëshortit, rënien e regjimit, shkatërrimin brutal të një  shteti të ndërtuar me mundin e djersën e tërë një populli,  jeni dënuar me burg politik për shkak të pozitës shoqërore në kohën e komunizmit dhe si bashkëshorte e Enver Hoxhës, keni kaluar gati një shekull jetë duke qëndruar vertikalisht,  si ndiheni tani pas afër një shekulli jetë e luftë të pandërprerë për kombin e atdheun?

Nexhmije Hoxha: Falënderoj me gjithë zemër shqiptarët e Kosovës që përkujtojnë ngjarjet tona, siç është kjo që po bëni tani për 110-të  vjetorin e ditëlindjes së Enver Hoxhës, veçmas me këtë dokumentar. Kështu kanë bërë  shqiptarët e Kosovës edhe në 100-vjetorin e lindjes  së Enverit, që ftuan edhe nga Shqipëria një delegacion ndër të cilët ishte  Iliri me Teutën,  që përfaqësonin vetën e tyre, por më përfaqësonin edhe mua, sepse unë nuk guxoja të marr atë  udhëtim, sepse gjithmonë kam emocione të mëdha lidhur me Kosovën. Është për të ardhur keq por që shteti ynë, Shqipëria e sotme jo vetëm  që nuk përkujton këto data, por bënë çmos që gjatë këtyre viteve ta mohojë rolin dhe veprimtarinë e Enverit, gjatë luftës si komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional çlirimtare si  dhe gjatë 40-të,  viteve të ndërtimit të  Shqipërisë së Re dhe të luftës, për ndriçimin e shoqërisë dhe emancipimin e gruas, që veçanërisht ishim të interesuar. Por kjo nuk mjaftoi. Kur vdiq, ata i nxorën trupin  nga varri, një akt i pa parë, një barbarizëm të tillë që vetëm barbarët e  kanë bërë.

Por është e kotë të harrohet dhe të mohohet gjithë kontributi që ka dhënë Enver Hoxha gjatë atyre viteve, dhe kjo është jo vetëm pa kuptim, por është një qëndrim anti kombëtar dhe antihistorik.

Unë, tani me këtë rast,  po thyej vendimin që kam marrë në intervistën që bëra për 95, vjetorin e ditëlindjes sime, ngase mendova që kisha jetuar gjatë dhe u thashë njerëzve të mirë, Lamtumirë!.

Por ja që nuk ndodhi ashtu dhe unë gjithë këto vite kam vazhduar të punoj e të shkruaj dhe vazhdoj të shkruaj për Enverin dhe luftën tonë të lavdishme. Mua më ka rritur Shqipëria, ajo  me shkolloi dhe më bëri kjo që jam, kam luftuar e punuar në krah të Enverit, prandaj jam kjo që jam sot.

 

TV-Dielli: Përveç familjes dhe të afërmve kush ju ka mbështetur më shumë pas vdekjes së Enverit dhe rënies së regjimit?

Nexhmije Hoxha: Shqiptarët e Kosovës dhe emigrantet nga viset shqiptare. Kur familja ime u ndodh në të keq, kur unë u  burgosa janë ata nga Kosova të vetmit që më ndihmuan mua materialisht dhe shpirtërisht bashkë me disa miq të huaj  francezë dhe italianë. Nga ana tjetër shqiptarët e Kosovës kur ishin ende nën sundimin serb dhe ata megjithatë  mblodhën firmat dhe i bënë një peticion shtetit tonë për lirimin tim nga burgu. Edhe miqtë e huaj ishin ata që bënë peticione në shtyp dhe zyrtarisht iu drejtuan shtetit tonë të hiqnin vendimin që kishin marrë ndaj meje, por në fakt, ata  jo vetëm që nuk i morën parasysh  ato kërkesa por vazhduan persekutimin ndaj meje dhe unë bëra 5 vite burg duke kaluar në gjyqe e në tre katër burgje.

Kur dola nga burgu, erdha në këtë dhomë ku jeni edhe juve  sot, unë prapë kam gjetur kënaqësinë e madhe jo nga shqiptarët këtu brenda, ua  them me keqardhje por nga shqiptarë nga Kosova që vinin,  kalonin këndej  dhe shkonin në luftë. Disa nga ata i njoh, disa derdhën gjakun e tyre për Kosovën e lirë e të pavarur,  disa u plagosën, ata kuroheshin në spitalin ushtarak që e kam këtu pranë, dhe  pasi kuroheshin vinin te unë ashtu me fasho dhe më vizitonin.  Unë ndjehesha shumë e lumtur  se ishin gjallë.

 

TV-Dielli: Si e keni përjetuar luftën e UCK-së, veçmas në kohën e dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga regjimi serb i asaj kohe?

Nexhmije Hoxha: Kur ndodhi eksodi i tmerrshëm i pleqve, grave, fëmijëve që drejtoheshin drejt Atdheut të tyre, Shqipërisë, dhe linin prapa djemtë e burrat e tyre,  kushedi sa të vrarë, të  arrestuar dhe të burgosur ka pasur. Kjo  ishte një dhimbje e madhe, por familje të Kukësit, Tropojës dhe qendra  të tjera të Shqipërisë ne jug e në veri hapën dyert  për vëllezërit e tyre nga Kosova. Familja e ime natyrisht nuk kishte kushte për pritje në shtëpi, kështu që unë bashkë me Ilirin, ne vendosëm të shkruajmë.  Iliri përmblodhi dhe zgjodhi gjithë çfarë kishte thënë  Enveri për Kosovën dhe botoi Librin me titull: “Kosova është Shqipëri”.  Kurse unë ato ditë u sulmova edhe nga miqtë tonë të huaj që nuk e kuptonin dot luftën e drejtë  të popullit të Kosovës dhe  luftën e UÇK-së. Dhe unë jam përpjekur të flas për të drejtën e tyre për çlirim. Mblodha letrat e mija, letrat që kisha shkëmbyer, përcillja luftën  dhe shkrova librin: “Kosova e Lirë”, dhe pati shumë suksese. Ky libër   shpërndahet edhe sot.

 

TV-Dielli: Cili ka qenë kontributi i Enver Hoxhës për Kosovën  veçmas në vitin 1981 e më vonë deri në vdekjen e tij?

Nexhmije Hoxha: Veç kontributit zyrtar që dihet, sidomos në vitin 1981 kryesorja ishte se ai ndihmonte indirekt me shkrimet e artikujt e tija, ndër të tjera në prill e maj të vitit 1981 Enveri shkroi tre artikuj, që u botuan në “Zëri i Popullit”, por ai nuk i firmosi vetë.  Nga ana tjetër, ajo qe ka rëndësi të theksohet  mendoj është  që Enveri në tre amanete që ai nuk i quante amanete, por kur ai kishte përjetuar një krizë të fortë shëndetësore, më me porositi për tre gjëra, ai më tha, ruajeni unitetin, kini kujdes për rininë se ajo është e ardhmja e Shqipërisë dhe e treta ishte që tha: Më vjen keq që nuk bëra dot më shumë për Kosovën. Dhe kjo mua më ka mbetur më shumë në kujtesë. E  kujtova këtë dhe kur ai vdiq, unë i vura flamurin me shqiponjën, që ma kishin sjellë shqiptarët e Kosovës. Si Enveri edhe unë gjithë jetën tonë kemi ëndërruar që të realizohet bashkimi i kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Dhe, kjo  një ditë do të realizohet vetëm në rrethana të përshtatshme të jashtme dhe kur populli dhe pjesët përbërëse të këtij populli do ta kërkojnë.

 

TV-Dielli: Çka do të na thoni në fund të kësaj bisede ndonjë porosi, ndonjë urim ndonjë këshillë…

Nexhmije Hoxha: Në këtë përvjetor të Enverit do të doja të bëj një urim të veçantë për fëmijët, të cilët ai i donte shumë. Me ketë rast i përqafoj fëmijët e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të gjithë shqiptarëve të rritën të gëzuar, vajzat dhe djemtë tanë të mbajnë lart emrin e shqiptarit, ashtu sikur u mbajt  gjatë historisë, të ndjekin shembullin  e stërgjyshërve dhe gjyshërve të tyre, që janë dalluar për trimëri dhe dituri.

Edhe njëherë ju falënderoj për  këtë përkujtim juve stafin e TV-Diellit. Me nderuat shumë. Mirupafshim. Unë vazhdimisht pothuaj çdo ditë, sidomos gjatë verës jam me kosovarët.  Ata që vijnë në Shqipëri për verime, më vizitojnë edhe mua, disa syresh edhe  familjarisht.  Ky është gëzimi dhe nderi më i madh që më bëhet, që më mbanë mua këtu në këtë dhomë në periferi të Tiranës.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …