Sylejman Abazi: Fytyra e vërtetë e “njeriut” të Zotit

Nga “incidentet” që ndodhën gjatë shenjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, na vijnë dy panorama që nuk mund të mos na lënë përshtypje. Së pari, kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, nuk pati kurajë dhe forcë morale e institucionale që të mbronte vlerat dhe dinjitetin kombëtar, por vetëm zbatoi protokollin e shpëlarë që nuk i hyn askujt në punë. Ndërsa deklarata demagogjike e Sali Berishës, mbi qëndrimin dhe deklaratën e Irinejit, nuk do të ishte e tillë, nëse kohë më parë, ai do t’i kishte parë ndryshe çështjet e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën dhe me Shqipërinë. Politikanë të tillë me dy fytyra nuk duhen dëgjuar më, por duhet të dalin në pension. Boll më!

 

Së dyti, kleriku serb, Irinej dhe ai grek, Janullatos, treguan thjesht një mosmirënjohje dhe fytyra e vërtet e njerëzve të Zotit, nuk ka asgjë të përbashkët në predikimet e tyre për të. Ajo çka tregoi Irineji, ishte fytyra e vërtetë e njerëzve të sëmurë, me mbingarkesa të forta politike, që i ngatërron punët e Zotit me punët e politikës dhe të shtetit. Ai nuk ia diti as për nder, lutjes që Janullatosi i bëri kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, që ta lejonte atë klerik gjakatar të vinte në Shqipëri, për hatër të grupimit të krerëve të lartë të ortodoksisë botërore. Këta të fundit, nuk janë mbledhur kurrë më parë ndonjëherë bashkë. Nderi që i bëri Rama këtij njeriu, nuk ka të paguar, por në anën tjetër, për atë që donte të realizonte e mori përgjigjen gjithsesi. Nëse raste të tilla kanë ndikime të fuqishme në opinionin publik shqiptar për njëmijë arsye të drejta, shteti dhe politika shqiptare, duke marrë kostot politike mbi veten e tyre, bënë më të mirën e mundshme në shërbim të politikës dhe bashkëjetesës fetare. Por këta njerëz të sëmurë, nuk dinë se çfarë është nderi; nuk dinë ta vlerësojnë atë dhe nuk dinë se çdo të thotë të fyesh të zotin e shtëpisë në konakun e tij.

 

Ata nuk arrijnë të kuptojnë, mbi të gjitha, kontradiktën e thellë që sjellin në deklarimet e tyre, duke u vërtetuar kështu botërisht, se janë vërtet të verbër, ultranacionalistë, kundër paqes dhe harmonisë fetare, duke i bërë një dëm të madh njerëzimit. Irinej mund të shkojë prapa Diellit, se shqiptarët ia njohin mirë fytyrën dhe ndërgjegjen e sakatosur prej erës së qelbur të krimit.

 

Nga ky qëndrim politik i qeverisë shqiptare, në shërbim të paqes dhe harmonisë, duhet të nxjerrë mësim edhe Janullatosi. Ai duhet ta ketë kuptuar tashmë, se nuk i përket këtij populli dhe Kishës Ortodokse shqiptare, ndaj duhet të ishte larguar me ndërgjegjen e tij kohë më parë. Nëse shteti shqiptar siguroi mbarëvajtjen e aktivitetit fetar në mes të Tiranës, Janullatosi dhe të tjerët duhet ta dinë se jashtë mureve të kishës, ka qenë i pranishëm, deri në Australinë e Largët, një opinion shqiptar krejt tjetër. Këtë s’duhet ta harrojnë. Mjaft na keni mbushur jetën me gënjeshtra në këta 23 vjet dhe keni diktuar duke shfrytëzuar tolerancën shqiptare. Mjaft më! Edhe durimi ka kufij. Mos harroni, kur shuplaka vjen nga një kryeministër i shqiptarëve, duhet ta imagjinoni se çfarë mund të bëjnë qytetarët në hallet e tyre.

 

Nuk duhet t’i dramatizojmë gjërat më shumë. Historinë e popullit shqiptar dhe rrjedhat e saj i keni të qarta. Megjithatë, dua t’i bëjë edhe një thirrje At Nikolla Markut dhe besimtarëve të tjerë ortodoksë shqiptarë. Ajo që u bë në Tiranë ishte thjesht inaugurimi i një prej tri kishave më të mëdha ortodokse në Evropë. Shenjtërimi i Kishës sonë Ortodokse është kryer në misionin e saj që në vitin 1923, këtë mos e harroni. Do të vijë edhe dita që në krye të kësaj kishe të jetë një Fan Nol i ri dhe këtë do ta zgjedhin vetë ortodoksët shqiptarë. Historia nuk ngec, por vetëm përsëritet. Duhet të kemi besim në rrugën tonë të zhvillimit kombëtar, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve që përjetojmë për shkak të konjukturave politike. Është koha e duhur për zgjimin e shqiptarëve nëpër botë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …