RKL: Fitorja e Thaçit si fitorja e Pirros

Fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme të 8 qershorit, përgjithësisht ka qenë fitore e pritur, edhe pse është konstatuar me të drejtë se fitorja nuk do të jetë bindëse, por megjithatë është një fitore, e pranueshme dhe e  ligjshme, pavarësisht se u bënë përpjekje të pandershme nga organizata “Demokracia në Veprim” dhe nga partitë rivale  për ta devalvuar votën e elektoratit, sidomos në Drenicë, në bastionin tashmë të luhatur dhe jo unik të PDK-së.

Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me tri parti të vogla bëri që të kompensohet  elektorati, i cili ishte rreshtuar me partinë e re, NISMA për Kosovën.

Vështirësitë, që e presin formimin e një koalicioni qeveritar të PDK-së janë evidente dhe të pa parashikueshme, meqë, LDK-ja, Vetëvendosja dhe AAK-ja janë zotuar se nuk do të formojnë koalicion me PDK-në. Tani Thaçi nuk do ta ketë  më në kalkulimet e tij të preferuarin për allishverishe, Behxhet Pacolli i cili ngeli prapa pragut, edhe pse pati mundësi t’i bashkohet paraprakisht PDK-së, me që cilën do të fitonte, madje edhe më  shumë sa ka fituar në koalicionin tashmë të përfunduar. Me këtë rast Koalicioni i AKR-së me PDK-së do të kishte sjellë 36 për qind të votave.

Megjithatë, pazaret politike për formimin e koalicionit do të vazhdojnë dhe nuk do të habiteshim nëse LDK-ja dhe AAK-ja do të ndërronin qëndrimet. Vetëm Vetëvendosja, e cila ka fituar disa vende më tepër në Kuvend dhe është radhitur bindshëm si forca e tretë politike në vend, në asnjë rast nuk do të pranojë bashkëqeverisjen me PDK-në. Vetëm kjo formulë tash për tash përjashtohet, të gjitha formulat e tjera janë të mundshme.

 

Koalicioni krejt i mundshëm është: PDK-AAK-NISMA dhe minoritetet. Por është vështirë e besueshme, që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj të heq dorë nga posti i kryeministrit, i cili natyrshëm dhe ligjshëm i takon PDK-së. Në një rast të tillë, AAK-ja do të mjaftohej me postin e kryekuvendarit, për të cilin nuk ka treguar ndonjëherë interesim kryetari, Ramush Haradinaj.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA dhe minoritetet do të ishte po ashtu një zgjidhje parimore, një ta quajmë koalicion të “krahut” të luftës, i cili në tërësi do të gjendet në shënjestër të Gjykatës Speciale, meqë të dyshuar për krime të instruktuara të luftës, ka në mesin e  tri këtyre partive. Një koalicion i tillë, do ta kishte mbështetjen e fuqishme të krahut të luftës, por lënia anash e LDK-së, e cila dashur  pa dashur konsiderohet si pol tjetër, krejt natyrshëm do ta ballafaqonte këtë parti me të papritura dhe do ta rreshtonte si opozitë në të njëjtat qëndrime me pretendimet e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.

 

Formula PDK-LDK minoritetet do të ishte formula më e qëndrueshme, për faktin se kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi e pret “gijotina” e Dik Martit dhe e forcave inkuizicionale të Evropës “demokratike”. Një koalicion i tillë, do të garantonte një Qeveri stabile dhe kuvend stabil në periudhën e ardhshme katërvjeçare, që do të jetë shumë e rëndë për shqiptarët e Kosovës, të cilët do të demonizohen nga demonët e Evropës dhe nga qarqet e fuqishme proserbe të Evropës dhe të shumë vendeve të botës.

 

Koalicioni PDK-LDK-minoritetet, në kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodhet vendi do të ishte koalicioni më i arsyeshëm dhe më i pranueshëm, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ndërkombëtarët. Inatet personale apo inatet e militantëve të dy partive, nuk do të duhej të ishin pengesë për formimin e një koalicioni të tillë, sepse me një bashkim të tillë forcash fiton Kosova. Në rast se LDK-ja mbetet në opozitë, dashur pa dashur ajo do të llogaritet si forcë kundër PDK-UÇK-së dhe do të thellohen ndasitë tashme të panatyrshme mes këtyre dy forcave kryesore politike të vendit, në një kohë kur përçarja përbrenda shqiptarëve do ta ndihmonte shumë Gjykatën Speciale kundër UÇK-së.

Po kështu, në radhët e PDK-së tashmë janë në shumicë deputetët e prejardhur nga LDK-ja, ish LKJ dhe nga partitë pacifiste. Nuk ka ndryshime as në programet e këtyre dy partive, të cilat po ashtu pretendojnë se i takojnë bllokut të qendrës së djathtë. Në këtë drejtim, koalicioni i këtyre dy partive do të ishte krejt i qëndrueshëm dhe i pakundërshtueshëm qoftë në parim qoftë në përmbajtje, qoftë në qeverisje të njëjtë, gjithnjë të përfolur për korrupsion, trafiqe dhe krim të organizuar.

 

Hashim Thaçi, nëse vërtetë e do Kosovën, sikur trumbeton ditë për ditë, duhet t’ ia shtrijë dorën LDK-së dhe t’i ofrojë postin e kryeministrit, apo të kryekuvendarit. Vitet që po vinë, nuk durojnë përçarje mes shqiptarëve, sepse pretendimet për ta njollosur përfundimisht luftën fitimtare të UÇK-së, nuk janë pretendime të kota, sikur mendojnë me mendjelehtësi disa krerë PDK-së, por janë pretendime ogurzeza të Evropës për vazhdimin e kryqëzatës kundër shqiptarëve në përgjithësi, si  dhe kundër Kosovës në veçanti, sidomos tani në kohën kur Putini po i rikthen rolin dominues në Ballkan dhe në një pjesë të ish shteteve sovjetike të Evropës. Në kushte dhe rrethana të tilla, Serbia do të vazhdojë presionin për ta ndarë veriun dhe për ta neutralizuar shtetin e Kosovës.

 

Pavarësisht rrjedhave aspak të volitshme, pavarësisht përçarjeve që kanë eskaluar nga partitë,  para dhe gjatë fushatës zgjedhore, pavarësisht premtimeve krejt të paqëndrueshme, tani është koha të bëhen mirë hesapet dhe të mos bëhen gabime, që do të na kushtojnë të gjithëve.

PDK-ja zyrtarisht  është fituese e këtyre zgjedhjeve, por nuk e ka më luksin për të formuar një koalicionin tjetër me paterica, me 20 ministri me rreth 100 zëvendës-ministra dhe poste të tjera që rëndojnë buxhetin e vendit dhe nuk garantojnë kapacitete të nevojshme qeverisëse.

Të besojmë se nga gabimet e shumta dhe të një pas njëshme, krerët e PDK-së do të nxjerrin mësim. Dhe këtë mësim tashmë e kanë të freskët. Po të ishin sjellë  me përgjegjësi dhe maturi brenda partisë, krerët e PDK-së do të kishin me vete edhe votat e Nismës për Kosovën dhe kjo do të shënonte  një fitore e vërtetë dhe jo një fitore sikur ajo që quhet,  fitorja e Pirros.

Kontrolloni gjithashtu

Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka  akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …