Nexhmije Hoxha

Rrustem Peçi: Dëbimi nga banesa i Nexhmije Hoxhës, në moshën 98-vjeçare është akt fashist

Rustem Peçi, aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, i cili banon në të njëjtën godinë është dhe më i ashpër në reagimin e tij. Ai ka shkruar: Nexhmije Hoxha  ka të drejtë, këto janë fashistë. Meritojnë etiketime më të rënda se kaq. Kjo është një qeveri që ka dëshmuar se i mungon dhembshuria veçanërisht për ata më të dobëtit. Po janë ata që ia kanë dhënë votat Edi Ramës. Mirëpo ta di mirë se ai që të ngre, edhe të rrëzon. Janë treguar shumë hipokritë, veçanërisht me ne. Si mund të veprohet në mënyrë të tillë? Disa na përmendin Bllokun dhe privilegjet e dikurshme. Im atë, Shefqet Peçi, pavarësisht meritave që kishte për kohën e luftës dhe më pas, nuk ka jetuar asnjëherë në ish-bllokun e famshëm. Edhe tani nuk po kërkojmë të kthehemi as në atë bllok dhe as në blloqet e rinj me vila luksi që kanë ndërtuar për veten milionerët  pushtetarë dhe oborrtarët e tyre. Nuk mjafton që shpenzohen paratë tona dhe durimi ynë me muze antikombëtarë dhe kampe gënjeshtrash, nuk mjafton balta që hidhet mbi luftën dhe heronjtë e dëshmorët e saj. Do na flakin dhe në rrugë tani, në këtë moshë? Këto veprime janë neofashizëm i kulluar, ka shkruar Rrustem Peçi

Lajmi i djeshëm se bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija, dhe djali i Heroit të popullit Shefqet Peçi, Rustem Peçi do të nxirren nga banesat ku jetojnë pas viteve 90 ka ngjallur habi të madhe dhe indinjatë, vecanërisht tek veteranët e Luftës për mënyrën si po veprohet nga ARRSH.

Prej më shumë një çerek shekulli ata jetojnë në ish-Pularinë e Laprakës, në disa ish-zyra që me kalimin e viteve u përshtatën në shtëpi banimi. Rustem Peçi jeton në katin e parë të asaj ngrehine, ndërsa Nexhmije Hoxha, vajza e saj, Pranvera, si dhe djali i saj Iliri me Teutën, jetojnë në katin e dytë. Gjatë bisedës së djeshme me Nexhmije Hoxhën, ajo më tregoi se banon në shtëpinë e dhëndrit të saj, Klemit dhe Pranverës, pasi asaj nuk i dhanë në atë kohë asnjë hapësirë banimi.

Në atë banesë të Pularisë së Laprakës e arrestuan Shefqet Peçin dhe e transportuan me barrelë për në burg ku edhe vdiq. Në të vërtetë qeveria e një çerek shekulli më parë, me këtë gjest, në vend të fitonte pikë, humbi maksimalisht. Duket sikur historia po përsëritet pas 25 vjetësh me një shembull të ngjashëm.

Hoxhajt dhe Peçët i kanë blerë dhe hipotekuar këto hyrje, pra i kanë pronë private dhe megjithëse bëhet fjalë për një godinë të përshtatur dhe arnuar, duket se ishin ambientuar me këtë gjendje. Jetojnë në kushte skajshmërisht të vobekta dhe kush i ka parë apo vizituar është bindur për këtë edhe nëse ka qenë skeptik.

Në fakt, janë me dhjetëra familje të asaj zone që janë ngritur në protestë prej disa ditësh. Është një protestë që nuk mund ta kontestojë askush: Edhe kuadri ligjor garanton që kush ka një pronë, një shtëpi dhe ia prishin për prjekte të tilla publike, nuk mund të dëbohet në mënyrë arbitrare pa i dhënë asnjë alternativë apo dëmshpërblim.

Në shkrimin e tij të djeshëm në DITA, avokati Idajet Beqiri theksonte faktin se “projekti duhet t’u bëhet i ditur atyre që u preken pasuritë e paluajtshme, posaçërisht shtëpitë e banimit. Organet kompetente që e bëjnë këtë investim diskutojnë dhe i njoftojnë me  kohë ata që preken, u japin vendimin përkatës me të drejtë ankimi në Gjykatën administrative,  u japin ofertën përkatëse të dëmshpërblimit për shpronësimin që do të bëjnë, u ofrojnë zgjidhjen e problemit të strehimit, duke u dhënë së paku aq sipërfaqe banimi, sa duan t’ju marrin për ndërtimin e rrugës etj.”

Në rastin konkret të familjeve Hoxha dhe Peçi konteksti rëndohet pasi dëbimi vjen pas një serie urdhërash dhe veprimesh shumë të debatueshme të qeverisë së majtë ndaj Luftës dhe përfaqësuesve të saj.

Janë një sërë shembuj të njëpasnjëshëm që I kanë bërë veteranët në tërësi të mendojnë se më shumë privilegje dhe favorizime po gëzojnë ish-bashkëpunëtorët e fashizmit se sa ata që luftuan për çlirimin e vendit nga çizmja e pushtuesit.

Unë kontaktova dje me familjet Hoxha dhe Peçi dhe ata më shprehën thuajse të njëjtin mendim.

Nuk janë kundër projekteve zhvillimore të kryeqytetit, por mënyra se si po veprohet është arbitrare. Nexhmije Hoxha më tha:

“Rruga të bëhet, ne nuk jemi kundër punëve si kjo, mjafton të bëhen vërtet e të mos bëhen vetëm për spektakël e për vota. Por si mund të merren vendime të tilla pa na dhënë asnjë mundësi, asnjë alternativë? Çfarë do të bëjmë ne në këto kushte, ku të shkojmë ne, ku të sistemohemi? Na thonë që duhet të zgjidhim trafikun e makinave në Tiranë. Patjetër të zgjidhet po jo kështu. Më duket një veprim tipik fashist dhe banorët këtu që po protestojnë kanë plotësisht të drejtë. Por meqë përmendet emri im, po ju them se kam edhe problemin e ruajtjes së asaj pak trashëgimie që më ka mbetur nga Enveri, që mezi e mblodha kur na degdisën këtu”.

Gjeneral Rustem Peçi, aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, është dhe më i ashpër në reagimin e tij:

– Nexhmija ka të drejtë, këto janë fashistë, janë hipokritë, hipokritë të mëdhenj. Meritojnë etiketime më të rënda se kaq. Kjo është një qeveri që ka dëshmuar se i mungon dhembshuria vecanërisht për ata më të dobëtit. Po janë ata që ia kanë dhënë votat Edi Ramës. Mirëpo ta di mirë se ai që të ngre, edhe të rrëzon. Janë treguar shumë hipokritë, vecanërisht me ne. Si mund të veprohet në mënyrë të tillë? Disa na përmendin Bllokun dhe privilegjet e dikurshme. Im atë, Shefqet Peçi, pavarësisht meritave që kishte për kohën e luftës dhe më pas, nuk ka jetuar asnjëherë në ish-bllokun e famshëm. Edhe tani nuk po kërkojmë të kthehemi as në atë bllok dhe as në blloqet e rinj që kanë ndërtuar për veten milionerët  pushtetarë dhe oborrtarët e tyre. Nuk mjafton që shpenzohen paratë tona dhe durimi ynë me muzera antikombëtarë dhe kampe gënjeshtrash, nuk mjafton balta që hidhet mbi luftën dhe heronjtë e dëshmorët e saj. Do na flakin dhe në rrugë tani, në këtë moshë? Këto veprime janë neofashizëm i kulluar. Kemi disa ditë që protestojmë. Janë qindra banorë këtu, unë jam vetëm një prej tyre. Ku janë deputetët socialistë dhe përfaqësuesit e bashkisë që u kemi dhënë votën? Asnjë prej tyre nuk ka ardhur të takohet me ne, pale të bashkohet në protestë”.

Kjo është gjendja në Laprakë. Në pamje të parë duket një problem i vogël kur mendon se bëhet fjalë për një projekt të madh që do të lehtësojë trafikun super të ngarkuar të kryeqytetit. Patjetër që duhen zgjidhje për trafikun, por jo pa shqyrtuar dhe diskutuar këtë problem me banorët e kësaj zone e për t’u dhënë atyre atë që u takon me ligj. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001

Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos  përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi  në Parlament dhe në …