leoni

Frank Shkreli: Dekoratë ndërkombëtare për tolerancën fetare ndër-shqiptare

Frank Shkreli: Dekoratë ndërkombëtare për tolerancën fetare ndër-shqiptare

Më 25 Tetor, në qytetin Krakovë të Polonisë u zhvillua një ceremoni gjatë të cilës, me nismën e Shoqatës Villa Decius, iu dorëzua Çmimi, “Sérgio Vieira de Mello”, për vitin 2018, Këshillit të autoriteteve më të larta fetare të Shqipërisë, për punën e tij shembullore në fushën e bashkëjetesës paqësore dhe të bashkpunimit midis komuniteteve fetare në Shqipëri, me motivacionin, “Për Vëllazëri Ndër-Fetare në Shqipëri”.

Çmimi ndërkombëtar “Sergio Vieira De Mellon” i të drejtave të njeriut, është themeluar në vitin 2002, me qëllim të promovimit të drejtave të njeriut, demokracisë dhe tolerancës. Ç’prej vitit 2011 kjo dekoratë thirret, “Çmimi Polak Sergio Vierira de Mello, Komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (2002-2003)”.

Çmimi jepet një herë në vit dhe shpërndahet në dy kategori: i jepet një personi dhe një organizate jo-qeveritare nga mbarë bota. Individët dhe organizatat jo-qeveritare konkuruese për këtë çmim, përzgjidhen nga një grup personalitetesh të dalluara ndërkombëtare, përfshirë Presidentin e Polonisë, Komisionerin e lartë të OKB-së për Refugjatët, Ambasadorin e Brazilit në Poloni, Ambasadorin e Suedisë në Poloni, Ministrinë e Jashmte të Polonisë, Institutin e Kujtesës Kombëtare Polake, Komisionerin Polak për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ambasada, konsullata dhe fondacione që mbështesin Shoqatën Villa Decius, në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, përfshirë themeluesit e këtij Çmimi dhe Drejtorin e Villa Decius.

 “Kam nderin t’i dorëzojë Çmimin në kategorinë e organizatës jo-qeveritare, Komunitetit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili me qëndrimet e tija, përfaqëson dimensionin praktik të dialogut ndërfetar.  Shqipëria është tani një vend-shembull ku zhvillohet në harmoni, bashkpunimi midis komuniteteve të ndryshme fetare, dhe ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre pesë bashkësi fetare në Shqipëri: Mysliman, Katolik, Ortodoks, Protestan dhe Bektashij”, ka thënë në fjalën e tij përfaqsuesi i Shoqatës Villa Decius, duke i dorëzuar Çmimin, “Sérgio Vieira de Mello” për vitin 2018, Këshillit Ndërfetar të autoriteteve më të larta fetare të Shqipërisë.  Ai ka shtuar se bashkpunimi ndërfetar në Shqipëri është një model që duhet të përdoret si shembull bashkjetese në komunitete të ndryshme të botës, të prekura nga konfliktet fetare dhe etnike.

Si shpërblim, laureatëve u dorëzohet një statujë e Sergio Vieria de Mello-s, e punuar nga artisti i njohur polak Andrzej Renes, si dhe një diplomë personale. Ndodhë që dekorata të ketë edhe një komponent financiar, sipas organizatës në fjalë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet çdo vit në tetor, në kuadër të konferencave ndërkombëtare, kushtuar idesë së lirisë, që organizohen nga Shoqata Villa Decius, në Krakovë të Polonisë.

Kush ishte Sergio Vieria De Mello: Një mbrojtës i dalluar i të drejtave të njeriut dhe diplomat i njohur Brazilian, është lindur në Rio De Janeiro më 1948. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Sorbonës. Gjithë jetën e tij ai ka punuar pranë Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe gjatë viteve të karierës së tij ai ka marrë pjesë në misione të ndryshëme humanitare dhe paqësore, anë e mbanë botës.  Përveç detyrave të shumta në mbarë botën, ai ka shërbyer në një numër vendesh si përfaqsues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë ish-Jugosllavinë dhe ka shërbyer edhe si Përfaqsues i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara edhe në Kosovë. Sergio Vieria de Mello ka siguruar respektin e botës për punën e tij në fushën e programeve humanitare dhe politike dhe ka vepruar në vendet e përfshira nga kriza politike dhe ushtarake, përfshirë edhe Kosovën. Detyra e tij e fundit ishte si përfaqsues i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Irak, ku edhe është vrarë në një sulm terrorist me bombë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Bagdad, më 19 gusht, 2003.

Këshilli Ndërfetar në Shqipëri është themeluar në vitin 2007 nga Haxhi Selim Muça, Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi.  Në këtë këshill sot bën pjesë edhe Pastori Dr. Ylli H. Doçi, përfaqsues i protestantëve shqiptarë.

      Katër themeluesit e Këshillit Ndërfetar më 2007, Haxhi Selim Muça, Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi.

Natyrisht, se të gjithë shqiptarët kudo që janë, janë krenarë me reputacionin e tyre si model praktik të bashkjetesës në përgjithësi dhe bashkpunimit midis komuniteteve të ndryshme fetare në veçanti, ashtu siç janë edhe për ndarjen e këtij çmimi ndërkombëtar Këshillit ndërfetar shqiptar. Por edhe kjo bashkjetesë dhe bashkpunim, megjithë qëllimet e mira të përfaqsuesve më të lartë fetarë shqiptarë, nganjëherë nuk duhet të merret si diçka e kryer dhe si diçka që nuk ka nevojë për tu kultivuar dhe për tu promovuar nga një brez në tjerin. Ditët e fundit Zëri i Amerikës, raportoi se në Tiranë u mbajtë një konferencë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i cili botoi një studim mbi “Ekstremizmin e Dhunshëm”.  Sipas korrespondentit të VOA-s shqip në Tiranë, Ilirian Agolli, “Studiues, zyrtarë dhe diplomatë pohuan se megjithë vlerat e rralla të Shqipërisë, si toleranca fetare, masa shtesë nevojiten për t’u përballur me sfidën e ekstremizmit, sidomos në fushën social-ekonomike”.

Në takimin me rastin e publikimit të raportit vjetor të Institutit për Demokraci dhe Ndërmejtësim, foli edhe e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses Ones, e cila citohet të ketë thënë se, “Nxitësit kryesorë të ekstremizmit të dhunshëm janë shkaqet social-ekonomike, politike, kulturore, arsimore, ndaj kjo është një sfidë që duhet përballuar” ka thënë ajo duke shtuar se, “Ju e kuptoni se jemi në një betejë midis ideologjive; njëra që ofron vlerat tona, pluralizmin dhe pranimin e tjetrit, kundër ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm. Një nga gjërat që vlerësoj më shumë si shtyllë qendrore e identitetit shqiptar është pranimi i tjetrit, që është shumë pranë me tolerancën. Kjo betejë e ideve është pjesa themelore e një lufte botërore, që ne duhet ta fitojmë”, tha e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses Ones. Ajo nënvijoi gjithashtu se “mbi të gjitha, në Shqipëri mbizotëron toleranca fetare”, por studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thekson raporti i VOA-s, “vlerëson se Shqipëria ofron mundësi për ideologjitë ekstremiste dhe që grupet e ekstremizmit të dhunshëm të depërtojnë tek komunitetet lokale për të rekrutuar pasues, sidomos në zonat e pazhvilluara dhe periferitë e qendrave urbane me shumë banorë.  Të rinjtë me probleme të theksuara social-ekonomike bien pre e kumarit, drogave dhe sjelljeve të rrezikshme, papunësisë dhe zhgënjimit”, thuhet në raportin e Zërit të Amerikës.

Është kjo një fushë që nevojitë kujdesin e jo vetëm udhëheqësve fetarë dhe të autoriteteve qeveritare, por duhet të shqetësoj mbarë shoqërinë shqiptare.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …