Ka kohë që qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me një propagandë të të gjitha partive politike se sa të keqe ua kanë bërë jetën partitë rivale të tyre dhe se sa të mirë do ta kenë jetën nëse ata vijnë në pushtet. Të mbushet mendja se Kosova do të bëhet parajsë vetëm me kusht që të fitoj iks partia, në të kundërt ajo do të bëhet ferr. Askush nuk qanë kokën se ku mund të shpie një logjikë e tillë! Është interesant se kundërshtarët politikë që i drejtonin kritika të ashpra njëri tjetrit për haraç, korrupsion, prejardhje komuniste e etiketime të tjera, pas një apo dy ditësh i sheh të bashkuar dhe të përqafuar në krahët e njëri tjetrit sikur çiftet që kanë rënë në dashuri për herë të parë! Por, përderisa çiftet e dashuruar për herë të parë kanë respekt, vlerësim dhe dashuri të çiltër për njëri tjetrin dhe dashurinë e kanë si qëllim, politikanët bëjnë të kundërtën, ata dashurinë e kanë jo qëllim por mjet për të arritur në pushtet dhe që sundimin mbi qytetar dhe pasurimin marramendës ta ambalazhojnë me qeverisjen e tyre në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve! Është marrëzi t’i besoj njeriu atij që para dite shanë, fyen dhe kritikon rivalët e tij mandej pas dite të njëjtit ia zgjatë dorën e bashkëpunimit sepse shtrëngimi i dorës dhe bashkëpunimi me atë ia mundëson ta realizoj qëllimin e tij të vërtet – pushtetin, e pushteti i sjell privilegje dhe jetë përrallore.
Nuk kam dëgjuar njeri të mos jetë kritik ndaj Nikolla Makiavellit i cili konsiderohet themelues i politikës moderne. Ai konstatonte se politika dhe morali janë dy botë të ndara, që nuk shkojnë bashkë me njëra tjetrën dhe klasa e politikanëve në Kosovë është dëshmia më e mirë si ai kishte plotësisht të drejt. Ai në mes tjerash konstatonte se në politikë është gjithçka e lejueshme nëse të shpie drejt realizimit të qëllimit- pushtetit. Pavarësisht kritikave hipokrite që i bëhen Makiavelit, ne jemi dëshmitar se eksponentë të të gjitha partive politike të Kosovës ndonëse para publikut hiqen si të moralshëm duke kritikuar rivalët e tyre për keq qeverisje, të njëjtit janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ata që i kritikuan nëse kjo do të ju bënte të mundur për të arritur në pushtet! Është marrëzi e shkuar marrëzisë nëse ju besohet të tillëve se qëllimi i tyre është përparimi dhe zhvillimi i Kosovës dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të saj. Duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se alfa dhe omega e politikanëve të tillë hipokrit është pushteti dhe se për ta arritur këtë, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me djallin! Thuhet së për të arritur qëllimet e tij djalli është i gatshëm ta citoj edhe Biblen edhe Kurëanin ndërsa klasa e politikanëve tonë për të arritur në pushtet janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me djallin!
Pëveç Nikolla Makiavelit, është edhe një filozof tjetër, Fridrih Niçe, për të cilin disa flasin me përbuzje pasi ai kishte paralajmëruar dekadencën e Evropës dhe kishte demaskuar më së miri “moralin” e të pamoralshmëve. Pas meditimeve të shumta për natyrën e njeriut dhe motiveve më të fuqishme të tij, ai kishte ardhur në përfundim se nuk është mendja që e kontroll vullnetin por është vullneti që e përdor mendjen si mjet për realizimin e qëllimit të tij. Niçja saktësonte më tutje se qëllimi final i vullnetit është pushteti dhe se për ta plotësuar këtë qëllim, njeriu është i gatshëm të bëjë edhe gjërat më të paarsyeshme dhe se kjo bënë që të demaskohet morali i shtirur i njeriut. Pavarësisht kritika të ashpra që i bëhen Niçes, këto konstatime të tij të bënë të mendosh sikur Niçja është duke jetuar në mesin tonë dhe se ai këto konstatime i ka bërë pas vëzhgimit sistematik dhe analizës së veprimtarisë së politikanëve tonë të obsesionuar marrëzisht pas pushtetit ! ! !
Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë vend që i jep të drejt Makialevlit dhe Niçes sikur Kosova apo thënë saktësisht, klasa politike e saj e djeshme dhe e sotshme. Uroj që në të ardhmen Kosova të drejtohet nga qeveritar që e përgënjeshtrojnë Makiavelin, Niçen, Hobsin e mendimtarë të tjerë të cilët as sot e kësaj dite nuk kuptohen nga politikë bërësit të cilët nuk dinë të bëjnë dallimin në mes të konstatimit dhe propagandës.
Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë vend në botë ku ka politikanë me shumicë sikur ka vendi ynë të cilit pas dite e bëjnë të kundërtën e asaj që e kanë deklaruar para dite. Qasja e tillë hipokrite është fyerje për qytetarët që konsiderohen si njerëz me tru peshku, duke i trajtuar ata sikur harrojnë se çka kanë thënë politikanët para dite përderisa bëjnë të kundërtën pasdite. Kjo mbase shpjegon më së miri se pse ka një abstenim nga procesi i votimit të shumicës së popullsisë, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve e dinë mjaftë mirë se pretendentët për të qenë në shërbim të popullit nëpërmjet uljes në kolltuqet e Kuvendit të Kosovës, të cilat ju sjellin privilegje të shumta, nuk kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve por se nëpërmjet kësaj propagande ata kanë për qëllim stërpërmirësimin e jetës së vet, familjarëve dhe lajkatarëve të tyre. Me sjellje të tilla, klasa politike e Kosovës ka bërë që fjala politikan të asociojë në mashtrues, egoist, amoral e epitete të tjera të shumta negative por asnjëherë person që angazhohet për të mirën e përgjithshme sikur do të duhej të ishte dhe është në vendet vërtet demokratike.
Por kjo nuk është më e keqja. E keqja është se me këtë qasje për të marrë me çdo kusht pushtetin do t’i shtyjë njerëzit të mendojnë se cili ishte qëllimi i vërtet dhe ideali më i lartë i atyre që drejtuan luftën çlirimtare? Dëbimi i forcave vrastare serbe nga Kosova dhe përmirësimi i jetës së të gjithë qytetarëve të vendit apo sundimi me Kosovën dhe krijimin e pasurisë përrallore? A kanë luftuar për shtet apo për pushtet !? A e kanë përdorur luftën për realizimin e idealeve më të larta apo idealet më të larta i kanë shfrytëzuar si mjet për të arritur në majat e pushtetit !?
Është interesant se pak vite më parë partitë politike opozitare kanë shfaqur rezerva dhe kritika për bisedimet Kosovë – Serbi por si duket interesimi i faktorit ndërkombëtar do të demaskoj edhe këtë qasje të tyre. Këtë e tregon më së mirë interesimi që kanë shfaqur diplomatët e akredituar në Prishtinë. Gjatë bisedimit me pretendentin për krijimin e Qeverisë së re, Ramush Haradinaj, ata kanë shfaqur interesimin e tyre se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë së re ndaj dialogut me Serbinë apo thënë më mirë dhe më saktë, negociatat me Serbinë. Interesim të tillë ka shfaqur edhe zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian, Keterine Eshton me kryeministrin Hashim Thaçi. Të dy pretendentët për të drejtuar Qeverinë, i kanë garantuar bashkëbiseduesit se bisedimet – sikur thonë ata, apo negociatat – sikur duhet thënë, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Kjo tregon më së miri se cili është dallimi në mes të drejtuesve të koalicioneve apo partive politike në raport me Kosovën dhe raportet e saj me Serbinë. Fatkeqësisht dallime nuk ka. Për dallim nga subjektet e tjera politike, është Vetëvendosja e cila mund të aktroj se për dallim nga partitë e tjera, ajo është kundër zhvillimit të negociatave me Serbinë. Me këtë qasje edhe ky subjekt politik po i trajton qytetarët e Kosovës si njerëz me tru peshku të cilët kanë harruar se ishte Vetëvendosja qe ka përshëndetur koalicionin LDK- AAK- Nisma, për të krijuar Qeverinë për të cilën e kanë mandatar, Ramush Haradinaj ndërsa ai gjatë takimit me ambasadorë të akredituar në Prishtinë ka thënë se Qeveria e re do të vazhdojë të zhvilloi bisedime me Serbinë, e cila asnjëherë nuk bëri të paktën atë që duhej bërë qeveria e çdo vendi që dëshiron të shkëputet nga e kaluara kriminale – të paktën të kërkoj falje për krimet dhe gjenocidin që ka bërë Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Është për keqardhje që klasa politike në vend se të gjithë energjinë ta drejtojnë kundër Serbisë e cila ende vazhdon të manifestojë pretendimet e saj ndaj Kosovës, këta, gjatë luftës për pushtet, gjithë energjinë dhe vëmendjen e tyre e kanë përqendruar kundër njëri – tjetrit dhe më të interesuar janë që të kenë raporte të mira dhe të vihen në shërbim të eksponentëve ndërkombëtar se sa të qytetarëve të tyre prej kontributeve të të cilëve marrin nga disa paga e dhjetëra mëditje me anë të të cilave kanë krijuar pasuri përrallore! Dhe për të mos e zgjatur më shumë janë pagat e majme, privilegjet dhe mëditjet e shumta që po i shtyjnë këta të obsesionuar pas pushtetit të merren me politikë dhe të arrijnë majat e pushtetit e jo sikur deklarojnë këta hipokrit, përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës por është shpresëdhënës fakti se rreth 60 % e qytetarëve e kanë kuptuar këtë marifet të tyre.
Rasti i Kosovës duket se do të dëshmojë se besimi në sistemet demokratike ku qeverisë shumica, është hipokrizi. Në Kosovë shumica e qytetarëve, rreth 60 % , nuk ka dalë fare në zgjedhje ndërsa në rast se formohet Qeveria, cilado qoftë ajo, ajo nuk mund të quhet Qeveri e shumicës, ndonëse kështu do të mundohen të na bindin. Është marrëzi të besosh se kemi Qeveri të shumicës kur dihet se ajo ka mbështetjen e rreth 40 % të elektoratit.