Ariola Molla: Mbi 300 mijë shqiptarë ortodoksë me identitet të mohuar në Maqedoni

Njëri ndër lajmet më të rëndësishme për konfliktin shqiptaro-maqedonas, ishte  ai i botuar ditët e fundit në faqen e internetit The Albanian mbi praninë e një komuniteti prej 300 mijë shqiptarësh ortodoksë me identitet të mohuar në Maqedoni.

 

Përpos dhembjes për asimilimin e dhunshëm dhe harresën historike të këtij komuniteti, më duket mua kjo ishte karta e munguar që përcakton dorën fituese në përpjekjet dypalëshe për portretizimin e konfliktit dhe trajtimin e tij.

Për dy arsye: e para, ndërsa spektri panshqiptar Tiranë – Kosovë – Maqedoni mbron tezën se revoltat e kohëve të fundit janë rrjedhojë e pashmangshme e dhunimit sistematik të të drejtave politike, kulturore, ekonomike dhe sociale të popullsisë shqiptare në Maqedoni (mosrespektimi i Marrëveshjes së Ohrit paraqitet si argument de facto në këtë diskutim), pala qeveritare maqedonase e ravijëzon konfliktin thjesht dhe vetëm si aktivizim të radikalizmit islam, ndërsa garanton publikisht kundërpërgjigje me forcën maksimale të shtetit. Jashtë radikalizmit, pohon pala maqedonase, komuniteti shqiptar gëzon të drejta të barabarta me popullsinë maqedonase.

 

Informacioni i ri mbi komunitetin shqiptar ortodoks në Maqedoni dhe asimilimin e tij të dhunshëm – nëse kjo provohet përtej dyshimit të arsyeshëm siç do të argumentoj më poshtë – delegjitimon pretendimet e palës maqedonase, rrëzon argumentet e saj ekskluzive fetare dhe e ridimensionon konfliktin në përmasa kryesisht etnike. Nuk është më një betejë e sotme me elementë radikalë fetarë shqiptarë, por një luftë e kahershme me të gjithë etninë shqiptare pa dallim feje që jeton në Maqedoni.

Përmenda më lart ‘kryesisht’ dhe jo ‘konflikt tërësisht etnik’, pasi një pjesë e këtij konflikti në mënyrë të pashmangshme duket se do të cilësohet si përplasje me elementë fondamentalistë, meqenëse për fat të keq, depërtimi i këtyre elementeve në radhët e komunitetit shqiptar dhe nxitja e dhunës fetare sporadike tashmë janë fakte që nëse nuk konfrontohen sot, prodhojnë nesër një realitet të rrezikshëm që minon sigurinë dhe vlerat demokratike. Ishte e dhembshme për mua të shihja flamuj kombëtarë ngatërruar me flamuj dhe parulla islame në protestën e shqiptarëve.

 

Pse dhe si kanë depërtuar elementë fondamentalistë, është një pyetje tjetër përtej këtij titulli. Megjithatë, në të njëjtën linjë me praktikën e ndjekur nga fondamentalistët në vende të Lindjes së Mesme, është e thjeshtë të konkludohet se një politikë e vazhdueshme e marxhinalizimit të grupeve të caktuara të shoqërisë përbën torfën e duhur për të mbjellë aksione radikale që luajnë me kartën e viktimizimit për të nxitur urrejtje dhe përplasje fetare. Për shembull, qysh në fillimet e veta, Osama Bin Laden i referohej poshtërimit të myslimanëve nga perëndimorët dhe u bënte thirrje pasuesve të tij për rivënie në vend të dinjitetit, si njerëzit e zgjedhur të zotit. Të njëjtat tema përdor sot ISIS në Irak për të nxitur urrejtjen e popullsisë suni ndaj qeverisë kryesisht shia. Shkurt, ekstremizmi në mbrojtje të Islamit tërheq ato grupe shoqërore që ndihen e janë lënë pas dore e jashtë zhvillimi dhe kërkojnë të rikonfirmojnë identitetin dhe vlerat e tyre. Unë shpresoj shumë që shqiptarët e të gjitha trevave do të munden të mos bien në këtë grackë jo vetëm duke u distancuar nga radikalizmi, por idealisht duke çrrënjosur përfundimisht dëmin e deritanishëm.

 

Së dyti, lajmi mbi shqiptarët ortodoksë në Maqedoni m’u duk i rëndësishëm, për shkak të numrave që servirte. Z. Branko Manojlovski pohon se ky komunitet, i cili ndodhet në zonën e Rekës së Epërme me 17 katunde kryesisht shqiptare ortodokse përmban më shumë se 250 mijë shqiptarë të besimit ortodoks. Teorikisht, nëse do ia shtosh këtë numër shifrës aktuale të 509 083 ose 25.2% shqiptarëve, do të thotë që Republika e Maqedonisë me një përbërje prej 2 022 547 sipas censusit të fundit të vitit 2002 ka aktualisht 37,53% shqiptarë. Nëse kjo provohet, i rëni i parë në këtë betejë duhet të jetë përcaktimi apo epiteti ‘minoritet shqiptar’ dhe i dyti, përqindjet e përfaqësimit shqiptar sipas Marrëveshjes së Ohrit. Flas përsëri ‘teorikisht’, sepse jam e vetëdijshme që shifrat më lart e kanë të pamundur t’i përgjigjen realitetit sot, kur pas një periudhe të gjatë 70-vjeçare harrese të detyruar numri i njerëzve që vullnetarisht deklarohen ortodoksë shqiptarë sot është larg këtij pretendimi.

E vetmja pikë diskutimi mbetet autoriteti i lajmit, vërtetësia e tij, dhe mbi të gjitha si mund të fillojë procesi i rizgjimit kombëtar të kësaj popullsie. Në fund, çdo gjë do të varet nga vetidentifikimi vullnetar i kësaj popullate si shqiptarë. Ekzistenca e popullsisë ortodokse shqiptare në Maqedoni është fakt historik. Një kërkim i thjeshtë në Google prodhoi disa artikuj mbi asimilimin e dhunshëm të shqiptarëve ortodoksë dhe si ata janë detyruar të ndërrojnë mbiemrat dhe deklarohen maqedonas ndër vite. Lexova dhe histori personale të disa personaliteteve të inteligjencës maqedonase. Duket gjithashtu se z. Manojlovski ka raportuar për fenomenin në një takim në Muzeun e Holokaustit në Çikago, ku është vendosur fillimisht të punohet për të siguruar një dëshmi në Kongresin Amerikan në Uashington për njohjen e identitetit të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Së fundmi, sipas artikullit të Albanian, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, është takuar me z. Manojlovski, dhe e ka cilësuar atë si misionarin e ringjalljes kombëtare ndër shqiptarët ortodoksë në Maqedoni.

Ky është vetëm fillimi i një aksioni të madh dhe të gjatë politik. Aksion që lyp angazhimin serioz të të gjithë aktorëve të politikës shqiptare për rizgjimin dhe njohjen e identitetit të mohuar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë. Mbi të gjitha është gur prove për nacionalizmin shqiptar. Nacionalizmi si sentiment lind nga mospërputhja midis kufijve etnikë, kulturorë dhe atyre shtetërorë. Çdo përpjekje me flamurin e nacionalizmit shqiptar duhet të kalojë përmes shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë dhe të trokasë në çdo derë të tyren për të rizgjuar kombin tek ata dhe për të provuar se kufijtë e kulturës dhe identitetit shqiptar nuk identifikohen me një fe të vetme. Shqiptarizmi është dhe duhet të qëndrojë mbi fetë e shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …