Dr. Sylejman Rexhepi: Kur është në pyetje kombi mbarë paria fetare duhet të jetë unike

Gjatë mandatit presidencial të Sulejman Demirelit, në Turqi po mbahej një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Shura Euro-aziatike, në të cilën merrnin pjesë liderët fetar nga vendet ballkanike dhe të Azisë Qendrore. Protokolli i konferencës kishte paraparë, veç të tjerash, edhe një takim me presidentin e Turqisë, z. Demirel. Takimi u realizua në kabinetin presidencial ku z. Demirel na mbajti një fjalim shumë të përzemërt, me ç’rast theks të veçantë vuri mbi domosdoshmërinë për veprimtari konstuktive të komuniteteve fetare, mbi sfidat në perspektivë si dhe mbi amanetin dhe rolin historik që peshon mbi supet e parisë fetare islame gjithandej nëpër botë.

Në notesin e shënimeve, nga fjalimi i presidentit turk, z. Demirel, kisha shkoqitur këto fjali: “Para pak kohësh, pata rastin që të jem mysafir i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Nga kjo vizitë kam kujtim të freskët takimin me adashin tim (duke aluduar në mua, S. R.), me të cilin në një nga xhamitë representative të Shkupit falëm namazin e xhumasë. Që nga fillimi i ritit fetar e deri në përfundim të tij ndjeva një kënaqësi të posaçme, një ndjesi shumë pozitive. Pastaj nga adashi im mësova mbi rendin dhe funksionimin e Bashkësisë Islame në Maqedoni. Prijës të nderuar, më lejoni që t’ua sugjeroj për model funksionimi pikërisht këtë Bashkësi fetare. Sa i përket BFI të Turqisë – Dijanetit, më lejoni që t’ju them se ky institucion i vetëm fetar islam në shtetin tonë, është një servis ekskluziv për të mirën e islamit dhe të myslimanëve të vendit tim dhe më gjerë. Momentalisht, në këtë Institucion fetar islam janë të punësuar 72 mijë vetë, përfshirë këtu imamë, vaizë-ligjërues, mualimë-mësues të edukatës islame për parashkollorët, muezinët, koordinatorët, eprorë të ndryshëm fetarë. Paramendoni se çka do të ndodhte sikur BFI e Turqisë të mos e kishte normativën e veprimit të saj. Çka do të ndodhte me këtë institucion sikur të mos e kishte hierarkinë e mbrojtur me ligj, sikur të mos kishte rend e disiplinë institucionale! Të jeni të sigurt që për 24 orë Turqia do të ishte e copëtuar në 72 mijë pjesë. Pra, jo që nuk do të ekzistonte institucioni fetar islam, por do të zhdukej edhe shteti turk. Vëllezër të mi, jo rastësisht islami është, mbi të gjitha, rend!”

 

Natyrisht, shtetin e fortë e bën uniteti i kombit, në çfarëdo situate, si në pajtueshmëri ashtu edhe në kompromise, si në qasje ashtu edhe në zgjidhje të problemeve, si në luftë ashtu edhe në paqe. Është mrekulli më vete se si shqiptarët këtë unitet e kanë kultivuar, e kanë ruajtur dhe akoma e demonstrojnë në rrafshin fetar! Gjithsesi, BFI e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë janë institucione legale islame me karakter multinacional. Po, në këto dy shtete, shumica absolute e pjesëtarëve të islamit i përkasin etnisë shqiptare, ndaj dhe, në viset etnike shqiptare, çështjet fetare islame gjithnjë kanë qenë në një vijë me çështjet kombëtare shqiptare.

 

Historia jonë dëshmon se kur ka qenë në pyetje kombi, mbarë paria fetare, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, kanë qenë tok dhe në krah të kombit. Kleri katolik shqiptar ka zënë vend në faqet e historisë sonë si faktor iluminizmi kombëtar (prej Buzukut, Budit e deri te Fishta e At Zef Pëllumbi), kleri ortodoks shqiptar (Topulli, Noli etj.) si luftëtar i paepur në sendërtimin e pavarësisë dhe në avancimin e shtetësisë shqiptare, intelektualët mysliman shqiptar (Vëllezërit Naim e Sami Frashëri, Abdyl Frashëri si bartës i projektit të përjetshëm që del nga Lidhja e Prizrenit, Sait Najdeni, Vebi Dibra, kryetar i parë i Senatit shqiptar, Hoxhë Voka e një dyzinë emrash të pakontestueshëm) dhanë kontribut të pamohueshëm në rrafshin e rilindjes kombëtare, në luftërat deri në çlirim kombëtar nga pushtues e xhelatë të ndryshëm.

 

Pra, është çështja kombëtare ajo që i ka motivuar krerët e komuniteteve fetare që pandërprerë dhe fuqishëm të angazhohen për unitetin kombëtar, jo vetëm duke u angazhuar në luftë për liri por edhe në predikime fetare autoktone. Pa dyshim, ka pasur edhe shkarje nga boshti fetar autokton. Fatkeqësisht, ato shkarje në breg të thatë kanë nxjerrë kërma tradhëtarësh e mercenarësh.

 

Në asnjë vend të botës nuk ekziston liri absolute. Çdo liri, çdo e drejtë që nuk përcaktohet me ligj dhe që nuk mbrohet prej tij, është inekzistent. Liria pa kufi është baras me anarkinë. Islami nuk e pranon anarkinë, e lufton atë deri në çrrënjosje. Ne, pjesëtarët e islamit, në asnjë mënyrë nuk guxojmë t’i jepemi anarkisë. Nëpër xhamitë tona duhet të ketë rend dhe atë rend duhet ta ruajmë më shumë se sytë e ballit. Veprimet e BFI-ve tona duhet të jenë në përputhje absolute me normativat e mirëfillta islame. BFI-të tona duhet të jenë të gatshme në çdo kohë që të përballen me sfidat e ndryshme; duhet të jenë mirë të sistemuara, me një hierarki të fuqishme dhe të respektueshme, e cila, në rrethanat tona, duhet të konceptohet si i vetmi mekanizëm që e ruan dhe që e mbron autoritetin e subjektit juridik të quajtur bashkësi apo komunitet islam.

 

Bashkësia Islame e Kosovës, si institucion fetar shumëshekullor, si asnjëherë më parë ka nevojë për mbrojtje dhe përkrahje juridike, ka nevojë që statusi i saj të garantohet me norma ligjore. Institucionet më të larta të Republikës së Kosovës sa më parë duhet që të sjellin dhe të miratojnë ligjin mbi pozitat juridike të bashkësive fetare, status këtë të cilin BIK deri më sot e ka kërkuar në mënyrë të pareshtur. Mungesa e një ligji të këtillë, druaj se, mund të krijojë hapësira për anarki dhe antivlera.

 

Si prijës fetar i komunitetit mysliman në Maqedoni, në asnjë mënyrë nuk mund të pranoj që nëpër xhamitë tona që janë pronë e BFI-ve të ketë aktivitete për të cilat nuk do të jenë në dijeni institucionet tona të vetme fetare. Në Turqinë tetëdhjetëmilionëshe, me një Dijanet tashmë me 140 mijë të punësuar, për asnjë moment nuk mund të ndodhë ndonjë gjë pa qenë e njohtuar paraprakisht Dijaneti.

 

Ne, paria fetare, kemi një konstatim tradicional të cilin tashmë e kemi edhe si moto jete: “Pa vatan, nuk ka iman”, apo “Pa fe nuk ka atdhe”. Besimet dhe praktikat fetare të shqiptarëve janë të njohura, siç janë të njohura edhe vatanet shqiptare! Atdhe i shqiptarëve të Shqipërisë administrative është Shqipëria e sotshme. Atdhe i shqiptarëve të Kosovës është Kosova, i shqiptarëve të Maqedonisë është Maqedonia, i atyre nga Mali i Zi është po ky shtet, i shqiptarëve të Luginës është Presheva, Bujanoci, Medvegja! Kur trojet tona kanë qenë në rrezik, nuk ka patur shqiptar që nuk i është përgjigjur ftesës së atdheut për luftë e liri.

 

Të gjithë ata që luftojnë me vullnet të plotë nëpër vatra të krizave të ndryshme në botë, të tillët, nuk e bëjnë as për humanizëm, as për fe dhe as për atdhe. Nisen në luftëra të huaja sepse, fillimisht janë arratisur nga vetvetja, pastaj kanë ikur nga identiteti duke i ngulfatur të gjitha kodet morale, kombëtare e fetare dhe, fare në fund, të tillët dëshmojnë se kanë lajthitur nga trutë. Në këtë gjendje shpirtërore e mentale, ata paraqesin rrezik, janë të pavlerë dhe të kotë. Prezenca e tyre paraqet rrezikshmëri të lartë në çdo mes shoqëror, pavarësisht se ku gjenden. Po kaq të rrezikshëm janë edhe motivuesit, nxitësit, “lidhja” e këtyre të mjerëve me vatrat potenciale për t’u vrarë pa fije qëllimi. Të parët do t’i quajmë mercenarë, të dytit, pra nxitësit, motivuesit, do t’i quanim “shpërndarës të mjegullës”, matrapazë, trafikantë të vlerave dhe të identitetit kombëtar. Pa dyshim që, fundi i të dy palëve është i trishtueshëm.

 

Fatmirësisht, si çdo komb tjetër, edhe kombi shqiptar i ka rojtarët e shtetit, rojtarët e pathyeshëm të vlerave kombëtare e fetare, rojtarët e përjetshëm të sigurisë dhe të rendit kombëtar: ushtrinë, policinë dhe strukturat e tyre mbështetëse. Këta “rojtarë”, krenaria e kombit shqiptar, këto ditë, anekënd Kosovës ndërmorën një aksion me ç’rast vunë në pranga 40 persona të dyshuar si pjesëmarrës në luftërat në Siri e Irak. Një aksion i tillë i përmasave paksa më të vogla ndodhi edhe në Shqipëri me ç’rast u burgosën dy-tre të vetëshpallur imamë në “xhamitë” e tyre. Këto vatra krizash, duhet kuptuar si procese në vijim të “Pranverës arabe”, e cila, në asnjë moment, me asgjë, nuk i tangon shqiptarët. Ndaj, fatmirësisht, institucionet tona fetare pandërprerë kemi apeluar tek xhematet tona që me asnjë çmim mos t’i afrohen këtyre vatrave të luftërave, sepse nuk janë as çëshje kombëtare dhe as që shkojnë në interesin tonë as kombëtar por as fetar.

 

Përgjithësisht, kombi shqiptar dhe, në veçanti komunitetet myslimane të këtyre shteteve e kanë përkrahur dhe përshëndetur aksionin policor kundër këtyre mercenarëve dhe “kontaminuesve” të shoqërisë shqiptare. Natyrisht, në rastin e fundit, hala nuk e kanë thënë fjalën e vet organet e hetuesisë, gjyqësori i Kosovës.

 

Gjithsesi, duhet të pranojmë se na është krijuar një situatë e palakmueshme, një situatë nga e cila na duhet një mësim përfundimtar. Deshëm apo jo, përpara na kanë dalë shumë dilema, të natyrës:

 

– a duhet që gjithmonë të digjemi nga qumështi që më pas t’i fryejmë kosit;

 

– a duhet që shtetet shqiptare të mos solidarizohen me brengat dhe shqetësimet fetare e kombëtare të bashkësive fetare islame respektive;

 

– a duhet që shtetet shqiptare në emër të demokracisë të lejojnë anarki në mesin e komuniteteve fetare duke lejuar “ojq”-sekte;

 

– a duhet që shtetet shqiptare të tolerojnë interpretime fetare joinstitucionale;

 

– a duhet që shtetet shqiptare të rrinë kaq indiferente kundër politikave shtetërore të shteteve ku shtrihen viset etnike shqiptare, me qëllim të futjes së përçarjes, të shkatërrimit të jetës fetare institucionale dhe të deformimit të pasqyrës së vërtetë dhe autoktone të besimtarëve tanë etj.

 

Pothuajse në të gjitha viset tona shqiptare funksionojnë edhe shkollat e mesme si dhe fakultetet fetare respektive. Këto institucione arsimore, është e vërtetë se mbahen me lekët e popullit shqiptar dhe, ky kontribut duhet t’i kthehet po këtij populli duke ia ruajtur rehatinë, qetësinë shpirtërore si dhe devotshmërinë i cili, si popull, na bën unik në botë. Pra, institucionalisht ne krijojmë kuadro për nevojat shpirtërore e morale të popullit tonë. Së këndejmi, a janë të arsyeshme “përgjumjet” e shteteve tona karshi “aktiviteteve fetare” të “ojq”-ve si dhe të individëve të dyshimtë, aktivitete këto paralele me ato të Institucioneve zyrtare e kombëtare. Për shembull çka paraqet FRI (Forumi Rinor Islam!!!), nëse jo tendencë për fragmentarizim dhe sektarizim të shoqërisë sonë. Dikush (një dorë e zezë) e themeloi këtë “forum”! I dha detyrë konkrete dhe, po ky forum duhet t’i shërbejë atij “punëdhënësi të mistershëm”, shërbimeve sekrete, që nuk ia donë të mirën unitetit musliman si dhe vetë fesë islame.

 

Pra, ky “forum” prej bastardi, nuk mund t’i shërbejë një populli i cili, për nevojat e veta fetare, qysh para gjashtë shekujsh themeloi Institucionin e vet, Bashkësinë Islame. Një kontigjent i konsiderueshëm mi të rinjve tanë shkollohen nëpër institucionet tona shkollore, nën mbikëqyrjen e BFI-së. Krijohet, bashkë me një numër syresh që kthehen nga universitetet islamike botërore, një kuadër i mirëfilltë dhe i mjaftueshëm për nevojat fetare te ne. Por, fatkeqësisht, po nga këta institucione arsimore del edhe ndonjë grupth që humbin rrugën në mes të oborrit. Të tillët gjasojnë në “virusa” dhe nuk shkojnë larg, sepse për çdo virus gjithnjë gjendet nga një vaksinë.

 

Jeta fetare nuk guxon të futet në shabllonet e “tregut të lirë dhe konkurrencës”, sepse, shpirtin tonë unik do të na e kaplojë një anarki totale e cila do të na shpërfytyrojë në popull të prishur, terrorist, therës, vrasës etj. Thënë shkurt:

 

1. Shtetet shqiptare duhet të marrin urgjentisht masa parandaluese. Këto masa janë të padobishme nëse shteti nuk e ngre në nivel të interesit kombëtar bashkëpunimin e ngushtë me komunitetet fetare si dhe nëse ekskluzivisht nuk ua mban anën këtyre institucioneve.

 

2. Kur komunitetet fetare profilizojnë një person, një situatë, një fraksion, një lëvizje, një rrebelizëm, ky profilizim duhet të jetë sinjal për veprim për shtetin ndaj “elementëve toksik” të shoqërisë, gjithnjë në të mirë të interesit kombëtar. Interpretimet paralele fetare nuk e demokratizojnë shtetin por ngjallin anarkinë, rrebelizmin dhe djallëzojnë të gjithë ata që ua mësyjnë përfitimeve në emër të feve.

 

3. Për të mirën e kombit, shtetet shqiptare duhet të insistojnë në krijimin e një zyre kombëtare, konkretisht të komunitetit mysliman mbarëshqiptar, i cili do t’i koordinonte punët në dhënien e interpretimeve autentike, burimore, identike dhe të vlefshme në të gjitha viset etnike.

 

4. Komunitetet fetare myslimane, në bashkëpunim me organet shtetërore respektive, duhet të hartojnë platformë kombëtare e cila do t’i bashkërendonte veprimet institucionale të komuniteteve tona fetare. Të hartojnë listë të përbashkët përmes së cilës do të koordinoheshin imamët për ta mbajtur hutben e njëjtë në të njëjtën ditë, në të gjitha xhamitë si brenda viseve etnike ashtu edhe në xhamitë e diasporës.

 

5. Shtetet shqiptare të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetet fetare në aspekt të ruajtjes së identitetit kulturor e fetar të kombit tonë përmes praktikimit dhe kultivimit autokton të feve qiellore.

 

6. Të ushtrohet një kontroll i përbashkët shtete-institucione fetare mbi literaturën dhe materialet e ndryshme që plasohen kaq lirshëm në emër të feve.

 

7. Dhe, e fundit dhe më e rëndësishmja: Shtetet tona duhet të kultivojnë në mënyrë institucionale një respekt të pamohueshëm kundrejt institucioneve tona fetare. Duhet t’i eliminojnë njëherë e mirë të gjitha rezervat për bashkëpunim institucional dhe, duhet që t’i trajtojnë këta komunitete si organe jetike për kombin dhe shtetin.

 

Kur Shqipëria dhe Kosova do të shprehnin interesin nacional përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe institucional me komunitetet fetare respektive, atëherë ky angazhim nacional, kjo përkujdesje shtetërore, do të reflektohet edhe ndër shqiptarët që jetojnë nëpër viset e tjera etnike. Me këtë rast edhe politikat e ulëta dhe tendencioze për t’i shpërfytyruar shqiptarët në “komb problematik” do të pikin përdhe. Kombi shqiptar si asnjëherë më shumë ka nevojë për një platformë të përbashkët që do ta siguronte një jetë fetare të shëndoshë, sado që këtë e garantojnë edhe ligjet respektive. Megjithatë, rregullat e veprimit që mbrojnë interesin nacional shpesh shkojnë përtej ligjeve ekzistuese, arrijnë majat e kulturave të krijimit, të mbrojtjes si dhe të shprehjes së identitetit kombëtar. Ligjet ndërrohen, identiteti duhet të mbetet i përjetshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …