Lajmi i publikuar nga Komuna e Prishtinës se me disa aktivitete do të përkujtohet mbarimi i Luftës së Parë Botërore, nxit jo vetëm dilema e huti, por edhe vë në pikëpyetje tërë historinë kombëtare të Shqiptarëve.
Si mund të festohet një përvjetor, i cili në nëntor të vitit 1918, legjitimoi copëtimin e trojeve të Shqipërisë dhe popullit shqiptar i kushtoi me 400 mijë të vrarë e të masakruar. Ky përvjetor sjellë në kujtesë krijimin e Jugosllavisë së Versajës, e cila i shkëputi Shqipërisë, Kosovën, Sanxhakun, Iliridën, Çamërinë dhe trojet e tjera historike.
Përkujtimi i këtij 100-vjetori është mohim i historisë kombëtare dhe fyerje e gjakut të 400.000 shqiptarëve, të vrarë të masakruar dhe të dëbuar dhunshëm për në Turqi.
Komuna e Prishtinës, apo zyrtarë të caktuar të kësaj komune mbase kanë nostalgji për krijimin e Jugosllavisë së Versajës, të para 100 viteve, por nëse vazhdohet me këtë logjikë duhet të përkujtohet edhe Jugosllavia e AVNOJ-it, edhe ditëlindja e Nikolla Pashiqit, Josip Broz Titos e pse jo edhe e kriminelëve të tjerë…
Do të duhej të ishte detyrë e Ministrisë së Arsimit, nëse kjo ministri ka fare dijeni për këtë aktivitet, të kërkojë nga arsimtarët që në orën e parë të mësimit të njoftohen nxënësit me tragjedinë e kombit shqiptar të para 100 viteve, me vendimin që ishte marrë për copëtimin e trojeve shqiptare, të cilat edhe sot pas 100 viteve kanë ngelur të ndarë në gjashtë shtete.