Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Në 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Hyrja:

Serbia ka patur gjithmonë si objektiv të saj daljen në Durrës. Orekset e saj u shtuan akoma më shumë, duke patur parasysh nxitjen dhe mbështetjen nga ana e Rusisë. Në qershor të vitit 1915, ushtria serbe ishte në Durrës. Perandoria Austro-Hungareze dhe Gjermania nuk mund ta pranonin daljen në Durrës të Serbisë. Kemi disa paralajmërime të ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë, Graf Bertholdt për Pashiqin që të tërhiqej sa më parë nga pushtimi i Shqipërisë, si më 9 tetor 1915, 18 tetor 1915 (Alfred Rapapport, Rrjedha e punëve në Shqipëri, Tiranë 1999, f. 56-57).

Justifikimi serb ishte: pushtimi është i përkohshëm, do të tërhiqemi dhe do të zbatojmë vendimet e Konferencës së Londrës. Tërheqja nuk po bëhej… Atëherë nuk mbetej tjetër, veç paralajmërimit të fundit, më datë 18 tetor 1915 që Serbia të tërhiqej brenda 8 ditëve, në të kundërt do të sulmohej ushtarakisht.

    Urdhëri i Komandës Supreme Serbe me mbretin Pjetër në krye, më 4 nëntor 1915 për tërheqjen e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri.

Më 26 tetor 1915 ushtria e Austro-Hungarisë e sulmoi Serbinë në tre drejtime: nga ana e Drinës, Savës dhe Danubit.

Bombardoi edhe Beogradin (Millovan Sekuliç: “Kosovo ed 1912 do 1918 god” Prishtinë: 1980, f. 457). Humbjet ishin të mëdha.

Në ndihmë të ushtrisë austro-hungareze erdhi ushtria bullgare, e cila u fut në Luginën e Moravës, pushtoi Vranjën, duke mos lejuar tërheqjen e ushtrisë serbe nëpërmjet linjës hekurudhore Beograd-Selanik. E rrethuar nga ushtritë armike, Serbisë nuk i mbetej rrugë tjetër, veç kapitullimit dhe zënies rob të gjithë ushtrisë së saj ose ta largonte ushtrinë ë saj përkohësisht nga Serbia për t’u kthyer një ditë si fituese me ndihmën e Francës, Anglisë dhe Rusisë. Zgjodhi këtë të dytën…

Më 4 nëntor 1915 Komanda Supreme serbe me në krye Krajl Pjetrin vendosi tërheqjen nëpër Shqipëri. Nuk kishte shteg daljeje tjetër. Intenerari i saj do të jetë: Beograd-Rafsh i Dukagjinit- Alpet e Shqipërisë-Shëngjin-Durrës.

Ushtria serbe kishte një efektiv rreth 280 mijë vetë, sa gjysma e popullsisë e aftë për luftë (Ramiz Fiçorri, Ushtritë e huaja në Shqipëri, 1912-1922, Tiranë: Mokra, f. 152).

Gazeta “Dielli”, Boston, 4 dhjetor 1915 shkruante se humbjet e ushtrisë serbe gjatë tërheqjes ishin 100 mijë robër, të vrarë e të plagosur, gati 1/3 e ushtrisë serbe. Sipas burimeve historiografike humbjet nuk i kaluan 70 mijë vetë. Historiografia serbe i ka zmadhuar humbjet me qëllim që të përfitonte politikisht më shumë nga Antanta dhe ekonomikisht nga dëmshpërblimet për luftën.

Për herë të parë, ndoshta në historinë e shteteve kemi largimin e ushtrisë, qeverisë dhe të inteligjencës nga vendi i saj për të shpëtuar nga asgjesimi i plotë.

Vështirësitë e tërheqjes ishin të mëdha:

    Relievi ishte tepër i thyer dhe ushtrisë i duhej të udhëtonte edhe ditën, edhe natën.

    Ishte stina e dimrit me shira e dëborë në Alpet e Veriut, me temperatura të ulëta e ngrica.

    I druheshin hakmarrjes së popullsisë vendase, veçanërisht në Veri, ku serbët kishin vrarë, djegur shtëpi, kam parasysh krimet e saj në Rrafshin e Dukagjinit, Malësinë e Gjakovës dhe në Lumë.

Në vitet 1912-1913 u zhvilluan luftime të ashpra në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut midis ushtrisë serbe dhe forcave shqiptare, të cilat mbronin vendin e tyre. Shtypi i kohës njoftonte: “Të hanën e këtij muaji nisi pushka në Qafë të Morinës dhe të nesermen, të martën në Qafë të Prushit.  Të  hanën komita i ra me hov në Qafë të Morinës dhe e thyen tue vra nja 15 veta…Në Malësi të Gjakovës, në Padesh pushtuesi dogji mullar me sanë” (GazetaShqipnia e Re, 16 tetor1913).

Në shenjë hakmarrjeje pushtuesi serb dogji, më 21 tetor 1913 Malësinë e Gjakovës, duke e detyruar popullsinë e saj të largohej në Shkodër: “Ma tepër se 8000 shqiptarë të Malësisë së Gjakovës gjinden këtu, të ikur prej ndjekjeve të serbeve dhe të malazezeve… mbasi që panë 12 ditë luftë të ashpër e të përgjakshme iu desh me lanë votrat e tyre e me ikë në Shkodër. Numri i tyre është i madh e dita me ditë po shtohet” (Gazeta Shqipnia e Re, 26 tetor 1913).

Shtypi i huaj dhe vendas shkruan për barbarinë e ushtarëve të Krajl Pjetrit në Kosovë e Lumë, i cili nuk ka kufi as në mënyra as në masë. Në Qerret të Bytyçit në Qafë Gjone serbet vranë në tetor të vitit 1915 nga tri familje të fshatit Zherke 33 vetë.  Sipas një njoftimi nga Prizreni, më 18 tetor 1913 thuhet: “Kordoni ushtarak që ata kanë hequr kundra Shqipërisë shtrihet tashti nga nga Qafa e Morinës në Vaun Spas e që këtej deri tek Ura e Vezirit” (AIH, Dosja 23-32-3222).  I veçova këto raste për të theksuar idenë se popullsia e këtyre krahinave nuk mund ta harronte kaq shpejt terrorin serb e t’i priste krahapur ata kur do të kalonin në vitin 2015 nëpër Shqipëri.

Kështu ndodhi realisht në terrenin e luftimeve. U sulmunan edhe për hakmarrje, edhe si ushtri pushtuese, pavarësisht nga propaganda e tyre dhe e tellallëve mbështetës në Shqipëri se ishte një kalim i përkohshëm. Nga grupe të veçanta ushtria serbe, e cila kaloi nëpër Shqipëri u sulmua për t’i marrë armët, pajimet dhe ushqimet.

Është kjo arsyeja që ata hartuan një plan veprimi për të izoluar prijësit antiserbë dhe për të bashkëpunuar e hyrë në marrëveshje me krerët proserbë shqiptarë, siç është rasti i Esad pashë Toptanit. Qëllimi ishte: të siguronin vendkalimet e rrezikshme në Drinin e Zi (tek Ura e Vezirit), në Vau Spas, Vau i Reçit.

    Marrëveshja e Pashiçit me Esad pashë Toptanin, ndihma që ai i dha ushtrisë serbe

Esad pashë Toptani dhe kryeministri serb Nikola Pashiç nënshkruan Marrëveshjen e Nishit, më 17 shtator 1914. Pikat kryesore të saj janë:

    Krijimi i institucioneve të përbashkëta politike dhe ushtarake.

    Aleancë ushtarake Serbi-Shqipëri.

    Ndërtimi i linjës së Adrtiatikut nga serbia në Durrës.

    Me ftesë të Esadit Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur regjimin e tij.

    Kufiri midis të dy vendeve do të vendosej nga një komision i posaçëm serbo-shqiptar.

    Serbia do të furnizonte me pajisje ushtarake ushtrinë e Esad pashë Toptanit, duke paguar 50 mijë dinarë në muaj.

    Qeveria serbe me kërkesën e esad pashë toptanit do të vinte në dispozicion e kspertët më të mirë për të zbatuar dhe përsosur organizimin e qeverisjes.

    Ndihma që qeveria serbe i kishte dhënë e do t’i jepte Esad Pashës shkonte në llogari të borxheve të Shqipërisë.

Më 28 qershor 1915 në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje tjetër nga Esad pashë Toptani me ministrin e brenbdshëm të Serbisë, Lubomir Jovanoviç, ku :

    Institucionet e përbashkëta përfshinin ushtrinë, doganat, Bankën kombëtare, diplomacinë.

    Me ndihmën e Serbisë, Esad Pasha do të bëhej princi i Shqipërisë.

    Ushtria serbe do të qëndronte në disa qytete të Shqipërisë për të ndjekur dhe shkatëruar armikun e përbashkët (Sheradin Berisha “Veprimtaria antikombëtare e Esad pashë Toptanit, 1912-1920”, http://sites,google.com ose gazeta “Info press”, 5 shtator 2017. Titulli: “Shqiptari që dha jetën për Serbinë”.

Siç e parashtruam edhe më lart, tërheqja e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri ishte me probleme dhe e rrezikshme. Qeveria serbe për të patur sa më pak humbje njerëzore ndoqi dy taktika:

    Mori masa për të izoluar prijësit shqiptarë antiserbë.

    Hynë në marrëveshje me Esad pashë Toptanin e Bibë Dodën, duke iu dhënë edhe para. Esadit i dhanë 150 mijë dinarë ari për t’i përcjellë me mercenarët e tij nëpër Shqipëri (Xh. Shala “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918”. IAP, 1990, f. 279).

Me Bibë Dodën lidhën një marrëveshje për të mos u konfrontuar me njëri-tjetrin. Mirdita të ruante asnjanësinë, ndërsa ushtria serbe të kalonte pa prekur asgjë (Gazeta “Dielli”, Boston, 3 tetor 1915).

Më 7 nëntor 1915, konsulli serb Gavrilloviç dhe koloneli Mishkoviç biseduan me Esad Pashën që ushtria e tij të ishte një bazë e sigurtë gjatë kalimit të forcave serbe nëpër Shqipëri. Esadi premtoi ndihmë të pakursyer për ushtrinë serbe për të siguruar rrugën Vau Spas- Pukë-Shkodër. Gjithashtu, Esadi do të siguronte edhe ngarkesat e miellit, të dërguara nga aleatët për ushtrinë serbe (AS-MID-PO 1915, Fasc. VII-Dos, XXIX-P.m).

Ato ditë, Gavrilloviçi i telegrafonte Pashiçit për disponimin e Esad pashës karshi Qeverisë serbe dhe e “siguronte” se mund të hynte lirisht në Shqipëri (Xh. Sala “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, 1912-1919”, f. 276).

Shpërblimet për mercenarët e Esad Pashës nga qeveria serbe ishin të majme. Më 28 nëntor 1915, Esadi dërgoi në Lezhë dhe në Shkodër Ahmet Gjulin që të merrte paratë nga qeveria serbe për t’ua shpërndarë mercenarëve të vet. Po atë ditë, Esadi së bashku me Gavrilloviçin kërkuan që për shkak të lëvizjeve të disa grupeve shqiptare në Mirditë, të dërgohet një batalion ushtarësh serbë në Orosh për ta qetësuar situatën dhe për ta bërë të mundshme tërheqjen sa më lehtë të ushtrisë. U kërkua që edhe në Lezhë të dërgohet një batalion ushtarësh serbë për t’u siguruar rruga Shkodër-Durrës.

Hyrja e ushtrisë austro-hungareze dhe asaj bullgare në Shqipëri, afrimi i tyre në drejtim të Durrësit rrezikonte asgjesimin e ushtrisë serbe në Durrës. Është kjo arsyeja që qeveria serbe kërkonte 20 mijë forca nga aleatët për të ardhur sa më shpejt në Durrës dhe largimi i forcave serbe prej aty të bëhej sa më parë, pa zbarkuar forcat armike në Durrës. Më 18 dhjetor 1915 erdhi vendimi nga Parisi për fillimin e operacionit të largimit të ushtrisë serbe në vendin e caktuar Korfuz. Edhe Esad Pasha vendosi të largohej bashkë me ushtrinë serbe. Mirëpo, Pashiçi i kujtoi Esadit se ka obligim moral ta mbrojë ushtrinë serbe gjatë tërheqjes dhe nuk duhet ta dorëzojë Durrësin pa luftë. Ai u largua në janar 1916 nga Durrësi. Arriti në Korfuz, pastaj shkoi në Itali e në Paris. Prej këtej në Selanik, ku iu bë një pritje madhështore nga gjenerali francez Serali. Në pritje kishte dalë edhe mbreti Aleksandri i Parë i Serbisë. Pritja e përzemërt lidhej me shërbimet e çmuara që u kishte bërë Serbisë dhe Francës.

Qeveria serbe vazhdonte ta paguante Esad Pashën sepse i duhej përsëri për të finalizuar planin e saj ogurzi për Shqipërinë. Vetëm prej muajit mars-dhjetor 1916, qeveria serbe pagoi në adresë të Esad Pashës 420 mijë franga. Në Paris iu dorëzuan 240 mijë, ndërsa në Selanik 180 mijë franga (DASSIP-AO 1916, FN-D.X-br..46).

    Ditari i historianit serb Jov Haxhi Vasiljeviç për kalimin e Divizionit “Morava” nëpër Shqipëri.

Tërheqja e ushtrisë serbe u bë në drejtimet:

    Rrafshi i Kosovës – Pejë – Deçan – Gjakovë – Qafë e Prushit – Vau i Spasit – Shkodër – Lezhë – Durrës.

    Rrafshi i Kosovës – Prizren – Lumë – Ura e Vezirit – Mirditë – Durrës.

    Strugë – Elbasan, Dibër – Elbasan – Tiranë – Durrës.

Divizioni Morava u tërhoq në drejtimin e parë.

Historiani serb Jov Haxhi Vasiljeviç ka mbajtur një ditar të hollësishëm për kalimin e tij nëpër Shqipëri (Arkivi i Institutit të Historisë Shqipëri. P-49). Komandant divizioni ishte Guro Dokiç. Nisja ëështë bërë, më 10 nëntor 1915 ( f. 11).

Sipas historianit, fshati Prush mbante emrin serb “Zhërekova” që do të thotë zjarr dhe në shqip është përkthyer prush. Këtë fshat ia dhuroi Krajl Stefani i Deçanit Manastirit të Deçanit. Nga Qafa e Prushit, divizioni ka kaluar në Vau Spas. Spas në serbisht do të thotë shpëtim. Këtu u zhvilluan, më 19 nëntor 1915 luftime me forcat vendase. U vranë 11 oficerë dhe mëse 100 nënoficerë dhe ushtarë serbë (f. 26). Prandaj e kanë emertuar Spas – shpëtim.

Luftime pati edhe në Lajthizë, më 21 nëntor, ku u plagosën 4 ushtarë dhe u vranë 3 ushtarë serbë (f.31).

Pukën, qëndër e Dukagjinit, me 400 shtëpi, të cilës i thoshnin “Varrosh” (Qytezë) e quan një vend të shkretë cubash. “Për ne tani – shkruan në ditarin e tij – është siç është Smolenski për francezët kur po ktheheshin prej Moskes, më 1812”. (f. 35, 37).

Gjëndja psikologjike ishte rënduar: “ Është i zemëruar ushtari ynë dhe shan në mënyrën më të ndyrë dhe më banale, haptazi, edhe përpara oficerëve dhe përpara secilit epror tjetër. Tashmë porsa ka filluar të mbizotërojë lëshimi i vetvetes në mëshirën e fatit sa ku s’vete më. Çdo ushtar fliste haptazi. Përse duhet të jetoj ndërsa nuk kam asgjë dhe as që do të kem gjë? Për ringjalljen e Serbisë nuk e humbi shpresën, por druhej se nuk do ta arrinte kthimin në atdhe” (f.42).

Më 26 nëntor 1915 divizioni ndodhet 5-6 km afër Shkodrës, pranë rrugës në fshatin Dushe e Poshtme (f. 43),  më 30 nëntor 1915 kaloi në Luginën e Gjadrit (f. 44), më 17 dhjetor 1915 në Mamuras (f. 48). Më 19 dhjetor 1915 doli në rrugën Tiranë- Durrës dhe më 20 dhjetor arriti në pazarin e Shijakut (f. 49). Krishtlindjet i kaluan në Rashbull (f.50).

Më 3 janar 1916, në mjediset e regjimentit të tretë u zhvillua një përshpirtje për oficerët dhe ushtarët që ranë në Vau Spas dhe nëpër Shqipëri (f. 51). Evakuimi i ushtrisë filloi më 14 janar dhe zgjati deri në 19 shkurt 19169 dhe një total i evakuar përreth 151,000 ushtarë dhe pothuajse 15,000 refugjatë. Deri në fund të janarit 1916 në Durrës kishte 100 mijë ushtarë serbë të paevakuar. Çdo ditë nga Durrësi për në Korfuz largoheshin 5 mijë vetë. Transporti i ushtarëve serbë vazhdoi intensivisht gjatë janarit dhe shkurtit. Në fund të muajit shkurt në Durrës kishte akoma edhe 40 mijë ushtaë serbë. Largimi i ushtrisë serbe përfundoi, më 5 prill 1916 (Revista “Buletini dhe e përkohëshmja ushtarake”, 1932).

Në Korfuz u zbarkuan rreth 140 mijë ushtarë serbë, afro 10 mijë të plagosur e të sëmurë u dërguan në Bizerta të Tunizisë e në Francë për shërim (Aleks Stojçeviç “Istori nash Ratova 1912-1916”, Beograd, 1932). Rreth 4 mijë fëmijë serbë u shkolluan në Francë, pastaj erdhën për të drejtuar në sektorë të ndryshëm në Serbi. Pothuaj të gjithë filofrancezë, punuan për Francën dhe mbrojtën interesat e Francës.

Në ditarin e tij historiani serb analizon qytetin e Gjakovës, i cili sipas tij ka qenë gjithmonë qëndra shqiptare e lëvizjeve politike. Askund si në Gjakovë nuk ka qenë e vështirë gjendja për serbët. Ka patur shkrimtarë tanë (Iv. S. Jastrebov), të cilët para 50 vjetësh kanë parashikuar se do të zhdukeshin serbët në Gjakovë, por edhe pse me mundime, ata janë mbajtur deri në ditët tona (f. 7).

Ushtarakë, historianë, studiues serbë kanë trajtuar në librat dhe punimet e tyre tërheqjen e ushtrisë serbe në vitin 1915. Interpretimet dhe përfundimet janë të ndryshme, kryesisht nisur nga interesat e shtetit serb. Nuk mungojnë emërtimet “Galgota shqiptare”, “Katastrofa shqiptare”. Terreni malazez quhej “miqësor”, kurse terreni shqiptar “armiqësor”. Sipas tyre shqiptarët i kishin sulmuar, u kishin zënë prita, veçanërisht në Veri, nuk u kishin dhënë ushqime etj (AIH a IV74. Milan Nediç “Srebska Vojska Albansku golgoti”, Beograd, 1937).

Mendim tjetër ka Edit’h Durham, e cila shkruan: “Serbët morën arratinë nëpër male, kur shqiptarët që kishin hequr të zitë e ullirit nga ata dy vjet të shkuara, mund t’i kishin dërmuar, por duke besuar në ndershmërinë e Anglisë dhe të Aleatëve, u lanë rrugë të lirë kalimi, bile i mbajtën edhe me bukë (Edit’h Durham “Brenga e Ballkanit” Tiranë, 1991, f. 424).

Riorganizimi i ushtrisë serbe u bë në Selanik në tri Armata. Gjithsej 147 mijë trupa. U çlodhën, u përgatitën, u pajisën me armatime dhe pajime nga aleatët dhe u futën në përbërje të forcave Anglo-Franceze në korrik- gusht 1916. Antanta kishte 20 divizione: tetë franceze, 4 angleze, 7 serbe, 1 italian dhe 2 batalione shqiptarësh nën komandën e Esad pashë Toptanit. Përballë kishin 16 divizione këmbësorie dhe 1 kalorësie të Fuqive të Shteteve Qndrore: 1 divizion gjerman, 2 divizione austro-hungareze, 13 divizione bullgare dhe një divizion kalorësie. Luftimet e mëdha dhe që përcaktuan fituesin u zhvilluan në vjeshtën e vitit 1918. Në tetor ushtria franceze u fut në Serbi. Ushtria serbe pushtoi për herë të dytë Kosovën me ndihmën e francezëve që i tradhëtuan shqiptarët e Kosovës. Kështu mori fund kalvari i mundimeve të ushtrisë serbe dhe ajo u kthye përsëri në vendin e saj. Filloi kalvari i torturave, i vrasjeve të shqiptarëve, djegia e shtëpive të tyre dhe shpërngulja me dhunë nga trojet e tyre shekullore. Vazhdoi në Jugosllavinë e Vjetër e të Re deri në vitin 1999 kur Kosova u çlirua nga NATO dhe UÇK.

Përfundime

Lufta e Parë Botërore, në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë, përfundoi në nëntor 1918. Ajo i kushtoi botës 10 milionë të vrarë, 20 milionë të plagosur. Duke llogaritur edhe të vdekurit nga epidemitë, plagët dhe të vdekurit nga uria humbjet janë rreth 20 milionë të vdekur dhe po aq të plagosur (Historia e Shqipërisë, v. II. bot USHT 1956, f. 459).

Pasqyra e humbjeve është si më poshtë:

 

Serbia nga 450 mijë trupa që mobilizoi, humbi rreth 26% të tyre.

 

Franca nga 3 milionë e 800 mijë trupa që mobilizoi, humbi rreth 16.8%.

 

Gjermania nga 3 milionë e 350 mijë trupa që mobilizoi, humbi rret 15.4%.

 

Britania e Madhe nga 700 mijë trupa që mobilizoi, humbi rreth 12.5%.

 

Rusia nga 5 milionë e 500 mijë trupa që mobilizoi, humbi rreth 11.5%.

 

Italia humbi rreth 10.3% të forcave të veta ushtarake.

 

SHBA humbi rreth 2% të forcave të veta ushtarake (Ramiz Fiçorri “ Ushtritë e huaja në Shqipëri, 1912-1922” Tiranë: Mokra. 2002, f.167).

 

Rrjedhojë e Luftës së Parë Botërore ishte shkatërrimi i Perandorisë së Austro-Hungarisë. U krijuan dy shtetet: Austria dhe Hungaria. Sllovenët, boshnjakët, kroatët, malazezët dhe serbët krijuan Mbretërinë Serbo – Kroate – Sllovene.

 

Anglia, Franca dhe Italia, në vazhdim të Konferëncës së Paqes në Paris vendosën ta copëtojnë Shqipërinë midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë. Por ky projekt u kundërshtua nga Presidenti amerikan Willson, i cili deklaroi: “Qeverimi i popujve duhet të mbështetet mbi dëshirën dhe lejen e tyre, kështu që asnjë qeveri nuk ka të drejtë t’i dorëzojë një qeverie tjetër një komb pa dashjen e pa lejen e tij, sepse kombet nuk janë mall i qeverive” (Gazeta “Albania”, nr. 1, datë 28.02.1919. New York, f.2).

  1.   Autori i studimit është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …