Halil Ibrahimi: Arrestimet, radikalizmi dhe shteti i devesë së Nastradinit

Veprimet politike, fetare dhe sociale të viteve të
fundit në Kosovë me përdorime të Gjykatës Kushtetuese, krijim agjencish kundër
korrupsionit e përndjekje kundër gjuhës urrejtëse ekstremiste fetare, të para
nga jashtë të japin përshtypjen e një shteti ligjor që lufton denjësisht
padrejtësitë shoqërore dhe hyjnizon lartë humanitetin dhe barazinë absolute.
Edhe arrestimet e ditëve të fundit përfshirë politikanë e hoxhallarë për nxitje
të urrejtjes fetare e pjesëmarrje në veprime terroriste në Siri do ti dukeshin
dikujt se e kanë po këtë qëllim. Por a është në fakt kështu? Hulumtimi më i
thjeshtë nën dysheme e tregon një realitet krejt tjetër. Përbri hundës e mbi
hundë valëviten politikanë të cilët për pak vite u bënë milionerë pa djersë,
përditë jemi të rrethuar me familjarizim banal në të gjitha fushat e jetës,
krime ekonomike e financiare, dhunim të sistemit të shëndetit, arsimit e
kulturës, zhveshje e zhvatje të gjithçkaje njerëzore nga ky vend.

 

Qëllimi i arrestimeve të mëparshme dhe i atyre të
tanishme është i shumëfishtë. Pikë së pari me këtë veprim dëshirohet t’u
tregohet shqiptarëve myslimanë në Kosovë se meqenëse ata nuk e kanë një
mbrojtës ndërkombëtar si Vatikani apo Rusia, shteti i korruptuar i përdorë ata
kurdo që ti teket si show mediatik për ti mbuluar të palarat e tij. Si
përkujtim kjo nuk do të guxonte të ndodhte kurrë, as edhe në rastin e sharjes
së vetë (Naltmadhënisë së Saj) Presidentes nga ndonjë prift katolik apo
ortodoks e lere më të sharjes  a
ofendimit të miletit të thjeshtë të Kosovës. Për shembull shteti i Vatikanit
reagoi për një copë toke që sipas tyre qenkësh dashur ti takojë Katedrales në
Prishtinë dhe krejt shteti i Kosovës, përfshirë edhe gjyqësorin e pavarur (eh!)
i kthej mbrapshtë të gjitha ligjet e verdiktet e drejtësisë për ti dalë ballë
kësaj kërkese.

 Qëllimi i këtyre arrestimeve nuk është as luftimi i
gjuhës së urrejtjes ndërfetare sepse po të ishte ky qëllim do të arrestoheshin
shumë më herët priftërinjtë katolikë si Anton Kqira e Shan Zefi të cilët e
bëjnë ispat me gojën e vet si të drejtë masakrimin e mijëra myslimanëve nga
Millosheviqi, i quajnë shqiptarët myslimanë tradhtarë të përdalë e inferiorë.
Po të ishte ky qëllim do të arrestoheshin kaherë një dyzinë priftërinjsh
ortodoksë të cilët e sfidojnë dhe etiketojnë çdo të shenjtë të këtij shteti e
populli për çdo ditë të lume. Se qëllimi i këtyre arrestimeve nuk është
definitivisht gjuha urrejtëse e raciste e tregon edhe fakti se një mori
gazetarucësh e politikanësh shqiptarë në Kosovë në kontinuitet vjellin helm e
vrer kundër shqiptarëve myslimanë, arabëve, turqve, palestinezëve, pastaj i
përkrahin veprimet gjenocidale të akëcilit shtet ndaj ndonjë prej grupeve të
përmendura. Dhe asgjë nuk ndodhë!
 

Qëllimi i këtyre arrestimeve dhe fushatave të
shpeshta sipërfaqësore mediatike nuk është as të luftuarit e nxitjes për të
shkuar në luftën e Sirisë apo gjuhës urrejtëse kundër alevive, përkatësisht
shiave atje! Qëllimi është mu e kundërta e kësaj. Me anë të këtyre veprimeve
dëshirohet që retorika Siriane të sforcohet edhe më shumë në mënyrë që
shqiptarët myslimanë të merren sa më tepër me punët e dynjasë, të dreqit e të
birit në fund të botës dhe kështu punët e shtëpisë t’ia lënë stihisë, llupësisë
së politikës aktuale të krimbur dhe pangopshmërisë së tyre morale. Dhe kjo
fatkeqësisht po ka sukses! Shqiptarët myslimanë të rënë në këtë grackë
vazhdojnë përditë të merren me shiat e alevitë, armikun e tyre të imagjinuar,
të cilin me gjasë nuk e kanë takuar kurrë në jetën e tyre e as që do ta takojnë
ndonjëherë, kurse armiqtë e vërtetë të tyre që janë politikanët e korruptuar,
vjedhësit e tyre, mbretërit e nepotizmit, protointelektualët misionarë të
dekulturimit e shfarosjes së identitetit të tyre fetar, kulturor e kombëtar
janë të amnistuar nga një retorikë e tillë! Shteti dhe politika e prishur e
Kosovës përnjëmend me këto veprime dëshiron që shqiptarët myslimanë ti demotivojë
dhe ti bëjë të mendojnë vetëm për xhenetin e botës së përtejme kurse këtë tokë
t’ia lënë qejfit dhe pangopshmërisë së tyre. Të tjerët e miletit gënjehen me
ndërtime rrugicash, kanalizime kutërbuese, ura pa lumenj apo punësime të
miliona njerëzve dhe kështu shteti i qelbur vazhdon të mbijetojë. Këto veprime
boshe kundër terrorizmit dhe ekstremizmit pikërisht qëllim final të tyre
prandaj e kanë krijimin e një trualli të përshtatshëm për vazhdimin e një
injorance të tillë. Këto veprime duan ta fshehin prej njerëzve të thjeshtë se
xhihadi (përpjekja) më i madh sot për myslimanët shqiptarë është të luftuarit
me të gjitha mjetet e mundshme ligjore shtetin e korruptuar, të rrëzuarit e
vjedhësve, nepotistëve, shembjen e klikave të politikanëve oligarkë e servilë,
demitizimin dhe deklasimin e intelektualizmit të rremë në Kosovë që myslimanët
i sheh si ardhacakë e qytetarë të rendit të dytë. Po të mos harxhohej gjithë
ajo energji për Sirinë dhe dynjanë, ashtu qysh dëshiron kjo klikë e korruptuar
e shtetit dhe politikës aktuale, këto detyra të shtëpisë do të ishin shumë më
të realizueshme kaherë.

Prandaj jemi për një shtet që e lufton urrejtjen
fetare, kombëtare e racore por të jetë e tillë njëmend dhe për të gjithë
njësoj. Por paraprakisht, përpara kësaj jemi shumë më të interesuar që tu
gjendet filli vjedhjeve milionëshe nga politikanët, tu jepet fund
familjarizmave edhe dallavereve që qëndrojnë në themele të këtij shteti, ti
jepet fund pasurimit në kurriz të popullit të varfër, të sillen përpara
drejtësisë autorët e qindra vrasjeve politike të pasluftës. Të gjitha këto i
prekin dy milion banorët e Kosovës në mish e asht çdo ditë shumë më tepër se
një i krisur që i është mbushur mendja t’ia marrë vetes dhe tjetrit jetën në
Siri. Vetëm atëherë do të bindemi se shteti njëmend e lufton dhunën, racizmin
dhe ekstremizmin. Në të kundërtën ky shtet është shtet i deveve fluturuese të
Nastradinit.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …