Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave të ditëve të fundit në mediat serbe janë: “Daçiç kërcënon Uglaninin: “Mos luaj me shtetin e Serbisë!”; “Vuqiq – Çfarë do të thoshte Uglanini për “Republikën Serbe “, e cila i ka 61 komuna?”; “Sanxhaku dhe Kosova nuk mund të krahasohen!”; “Paralajmërim për Uglaninin “ambiciet e Tirolit”; ”Uglanin dhe myftiu ndezin Sanxhakun”; ”Uglanin përsëri vizaton kufij”; ” Uglanin dëshiron të shkëputë Sanxhakun nga Serbia!”; ”Krerët e shtetit paralajmërojnë Uglaninin”; “Nëse shkohet në krijimin e autonomisë së Sanxhakut, ne do të formojmë komunat serbe në Pazar, Sjenicë …” etj. Këta kryetituj tregojnë se në çfarë sikleti janë mediat dhe opinioni serb, e mos të flasim për qeverinë serbe.
Këtyre ditëve, Partia e Aksionit Demokratik, lider i së cilës është Sulejman Uglanini, ka lëshuar një komunikatë në të cilën janë kumtuar detyrimet për të cilat duhet të angazhohen kandidatët që do të garojnë për Këshillin Kombëtar Boshnjak. Detyrë e patjetërsueshme është respektimi i rezultateve të referendumit për autonomi të mbajtur në vitin 1991.
Në faqen e internetit të Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut janë publikuar kriteret që duhet të përmbushen nga boshnjakët të cilët dëshirojnë që më 26 tetor, në zgjedhjet për KKB, të jenë në listën “Për unitetin boshnjak” të cilën do ta udhëheqë lideri i kësaj partie dhe deputeti i Kuvendit të Serbisë – Sulejman Uglanini.
Përveç “Kushteve të përgjithshme” – që të jetë i regjistruar si boshnjak, besimi i tij duhet të jetë Islami, ndërsa gjuha boshnjake, ti festojë festat boshnjake dhe respekton stemën boshnjake, të pranohet flamuri dhe himni “unë jam biri yt”, i cili është i ngjashëm me himnin boshnjak të Bosnjës. Kandidatët, të cilët duan të jenë në “listën gjithëpërfshirëse” të Uglaninit, duhet ti përmbushin edhe disa “kushte të veçanta”.
Ndër të tjera, “janë të detyruar” t’i njohin dhe t’i respektojnë rezultatet e referendumit për autonomi të Sanxhakut, i cili në vitin 1991 është bërë në ilegalitet të cilin e ka organizuar Këshilli Kombëtar i Sanxhakut, nëse zgjidhen si këshilltar, janë të detyruar të angazhohen për të drejtën e boshnjakëve për vetëvendosje.
Ju përkujtojmë se KKB dhe PAD-i në vitin 1991 publikuan se myslimanët -boshnjakët, pothuajse njëqind për qind votuan për autonomi të Sanxhakut. Përveç në Sanxhakun verior (pjesën nën Serbi), në atë kohë është votuar edhe në Mal të Zi. Rezultatet e këtij referendumi nuk u njohën as nga ana e Serbisë e as nga Mali i Zi. Për një kohë të gjatë, sidomos deri sa ishte në pozita të larta në Qeverinë e Serbisë, në këtë referendum nuk ishte thirrur as vet Sulejman Uglanin.
Zgjedhjet për BNV deri më tani janë mbajtur me shumë tensione dhe fushata ka qenë më intensive se që ishte në zgjedhjet lokale dhe republikane. Për shkak se në lojë kanë mbetur dy kandidatë të fortë, Uglanin dhe Zukorliç, të cilët janë në bisedime për të dalë së bashku në këto zgjedhje, është e mundur që këto zgjedhje të kalojnë në atmosferë diç më të qetë.
Zëvendës kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Srbisë, Ivica Daçiç, i cili ndodhet në Nju Jork ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka deklaruar se “askush nuk mund të luaj me shtetin dhe me kufijtë e Serbisë dhe se këto deklarata shfrytëzohen për qëllime politike dhe personale”.
Daçiç ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së PAD për autonominë e Sanxhakut, në një intervistë telefonike për të përditshmen Beogradase “Vecernje Novosti”, tha se deklaratat për autonominë si e drejtë kushtetuese e qytetarëve, në të vërtetë ngacmon tensionet në trevën e Rashkës dhe Sanxhakut.
Partia e Aksionit Demokratik, lider i së cilës është Sulejman Uglanin, ka propozuar që në Sanxhak të zbatohet modeli i Tirolit Jugor të Italisë, ku qeverisja e Tirolit praktikisht është sovrane. Shefi i diplomacisë serbe, Daçiç, theksoi se nuk duhet që me deklarata të panevojshme të nxiten tensione të mëtutjeshme, siç po veprojnë anëtarët e PAD-it të cilët në fushatën për zgjedhjet e këshillave kombëtare po flasim për autonominë e Sanxhakut, por duhet të veprojnë në qetësimin e situatës në Serbinë jug-perëndimore.
Enis Imamoviq nënkryetar i PAD-it, dhe deputet në parlamentin serb, pas një vizite në Tirolin Jugor, ku është diskutuar për “bashkëpunimin në përcaktimin e autonomisë së Sanxhakut, si një rajon evropian kufitare midis Serbisë dhe Malit të Zi,” tha se një shkallë e lartë e autonomisë është mënyra më e mirë që në Sanxhak “njerëzit e pasur të jetojnë të lirë dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre , sipas Kushtetutës, ligjeve vendore dhe normave ndërkombëtare dhe të operojnë me sistemin në të cilin ata jetojnë. “
“Në qoftë se autonomia është, sipas mendimit të përfaqësuesve të lartë të autoriteteve serbe, një model i mirë për serbët në Kosovë, mund të jetë edhe për të gjithë qytetarët e Sanxhakut”, vlerësoi Imamoviq në një intervistë me “Politika”.
“Me sa kemi mundë të vërejmë, tema e autonomisë është e afërt me ate të presidentit Tomislav Nikoliç, kryeministrit Aleksandar Vuçiç, zëvendëskryeministrit të parë, Ivica Daçiç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë dhe institucionet që kërkojnë autonomi për Bashkësinë e komunave serbe të Kosovës. Në qoftë se ky është një model i mirë për serbët në Kosovë, nuk shoh pse kjo nuk do të ishte për të gjithë qytetarët e Sanxhak, “tha Imamoviq.
Ai shtoi se në Sanxhak nuk mbështesin idenë që rajonet të përcaktohen në baza etnike siq propozohet për bashkësitë e komunave serbe, sepse Sanxhaku është “mjedis multietnik në të cilin jetojnë në marrëdhëniet shumë të mira boshnjakët, shqiptarët, serbët, malazezët dhe të tjerët”.
Në anën tjetër shoqata serbe e ashtuquajtur “ Ras”, reagon ashpër nga paniku. “Çfarë Tiroli, ato janë përralla për fëmijë të vegjël. Uglanin që nga themelimi i SDA thërret për separatizëm dhe kërkon autonomi. Një kohë, ai i kërkoi shtetin e Sanxhakut” – thotë, Dr. Dobrosav Nikodinoviq, president i Shoqatës “Ras” me seli në Pazarin e Ri. Ai vë në dukje se gjysma e popullsisë në rajonin e Sanxhakut janë serbë të cilët janë shumicë në disa komuna, si Priboj dhe Nova Varosh.
“Serbët në rajonin e Rashkës ( siç e quan ai Sanxhakun) kurrë nuk do të pajtohen që të jetojnë në Sanxhakun autonom edhe nëse ai është sipas modelit të Tirolit. Në çdo përpjekje të tillë konkrete ne do të përgjigjemi duke formuar komunat serbe në Novi Pazar, Tutin dhe Sjenicë “- thotë Nikodinović dhe thekson se të gjitha këtyre iniciativave i ka kontribuar qeveria inerte në Beograd, e cila inkurajon separatistët me pasivitetin e sajë.
Një të vërtet nuk duhet harruar. Sanxhakut i është suprimuar autonomia historike të cilën e ka pasur. Beogradi përsëri ka paralajmëruar masa represive ndej secilit që përmendë autonominë. A do të duhej që si për të kaluarën edhe për të ardhmen t’i dërgohej ftesë Bashkësisë Ndërkombëtare që ti dërgoj vëzhguesit e vet. Një gjë është e sigurt se politika nacionale në Sanxhak ka shënuar kthesë. Vetëdija e Boshnjakëve kaherë është zgjuar.
Si do që të jetë grupet politike në Sanxhak po shkojnë drejt një unifikimi dhe drejt krijimit të një autonomie, të cilën e kanë kërkuar kaherë, ndërsa me veprimet e tyre janë duke e jetësuar këtë platformë të tyre politike.