Shukri Klinaku: Mosnjohja e plotë dhe dinjitoze e rezultatit të zgjedhjeve – fillimi i krizës

Konsideroj se kriza e ndërtimit të institucioneve, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, filloi si pasojë e mosnjohjes së plotë të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga ana e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe NISMA-së. Pse? Le të shtrohet pyetja: cila parti/ koalicion, në ditën e leximit të rezultatit zgjedhor, ka “mandatin” t’i thërras partitë/ koalicionet tjera për marrëveshje rreth ndërtimit të institucioneve? Pa lexuar ligj, as kushtetutë, përgjigja do të ishte: partia/ koalicioni që ka më së shumti vota të qytetarëve. Tash, ta lexojmë kushtetutën tonë për këtë çështje: aty për konstituim të kuvendit lihet si e nënkuptuar procedura dhe nuk shihet si problematike (pra, nuk thuhet decidivisht çka ndodhë me moszgjedhjen e kryetarit të kuvendit); mirëpo, te nominimi i mandatarit për kryeministër thuhet, se kryetari i vendit mandaton atë kandidat që pritet se do të ketë shumicën në parlament. Çështja është se, nuk ka mekanizëm ligjor, as kushtetues i cili do t’i dëftonte krytarit të vendit se cili mandatar do të siguronte shumicën në parlament; nuk ka “zile” tjetër kushtetuese që i dëfton kryetarit për këtë, pos rezultatit zgjedhor. Prandaj, rezultati zgjedhor tregon se cili subjekt politik zgjedhor fillon me ndërtim të institucioneve. Kryetarët e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe NISMA-së, duke ditur se, në asnjërin variant nuk u takon atyre të marrin rolin udhëheqës për ndërtimin e institucioneve, u mblodhën dhe thanë: ne jemi “shumica parlamentare”. Faktin se deputetët e këtyre partive paraqesin shumicë parlamentare nuk është duke e mohuar askush; as koalicioni rreth PDK-së, as Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, këtu vie keqkuptimi: fakti se këto parti (LDK, VV, AAK dhe NISMA) përbëjnë shumicë parlamanetare, nuk ka impakt në rezultatin zgjedhor dhe në kushtetutë. Rezultati zgjedhor thotë se koalicioni rreth PDK-së është i pari, ndërsa kushtetuta thotë se, kryetarin dhe kryeministrin e jep partia me potencë më të madhe për krijim të shumicës. Është e vërtetë se partia/ koalicioni fitues i zgjedhjeve duhet ta provoj në praktikë se mund, apo jo, ta krijoj shumicën. Por, LDK-ja, VV-ja, AAK-ja dhe NISMA as që ia njohën këtë rol koalicionit të PDK-së. Në këtë kuptim, esencialisht, partitë e bllokut nuk e njohën rezultatin zgjedhor. Ata njohën vetëm disa aspekte të rezultatit zgjedhor: njohën mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, njohën shifrat, njohën emrat e deputetëve, por nuk njohën fituesin dhe atributet e fituesit të zgjedhjeve. Këto parti u mblodhën, e thanë: fituesi jemi ne. Kjo është tentim për grabitje të pushtetit.

 

 Për çka mund të shërbej “shumica parlamentare” deri në konstituim të organeve?

 

 Argumenti më i dëgjuar i partive të bllokut është: ne kemi shumicën parlamentare! Në gropën e këtij argumenti, kush me dëshirë, e kush me pahirë kanë rënë edhe shumë juristë, profesorë të shkencave juridike dhe analistë politikë. Madje buçasin: hej, këtu po ndodhë katastrofa; nuk njihet parimi i shumicës! Ndërsa, e vërteta është se shumica e vërtetë parlamentare nuk ka respektuar dhe nuk po i respekton rregullat e konstituimit të organeve që dalin nga kushtetuta dhe nga rezultati zgjedhor. Vetëm pas implementimit të rezultatit zgjedhor, shumica parlamentare merr rolin shumicës që merr vendime parlamanetare. Por, thonë partitë e bllokut: për zgjedhjen e organeve duhet votuar me shumicë parlamentare; ose “PDK-ja nuk i ka numrat”! E tash del në të vërtetë vlera e shumicës parlamentare e partive të bllokut edhe në këtë fazë. Çfarë vlere ka shumica parlamentare (pa partinë/ koalicionin fitues) në implementim të rezultatit zgjedhor? Ka vlerë të madhe, por jo deri aty se në kundërshtim me partinë/ koalicionin fitues të marrë përsipër ndërtimin e  institucioneve; këtë e thotë kushtetuta (ose së paku vendimi i kushtetueses). Shumica parlamentare në fazën e implementimit të rezultatit zgjedhor ka këto vlera: e para, që të përzgjedhë kryetarin e kuvendit dhe kryeminstrin nga radhët e të propozuarve nga fituesi i zgjedhjeve; e dyta, duke u rreshtuar në një anë kundër secilit kandidat të sjellur në kuvend, ta dërgoj vendin në zgjedhje të reja; dhe e treta, ky rreshtim kundër, i shumicës parlamnetare krijon rastin e përmirësimit të gabimit që kanë bërë në zgjedhjet e kaluara (duke hyrë individualisht në zgjedhje). Pra, shumica parlamentare ka vlerë të madhe edhe në fazën e ndërtimit të institucioneve – deri aty, sa me rrugë demokratike mund t’i provokoj zgjedhjet e jashtëzakonshme.

 

Krahasimet me vendet tjera

 

 Partitë e bllokut përmendin për krahasim edhe praktikat e formimit të institucioneve në vendet tjera (Gjermani, Luksemburg, Slloveni etj.), në të cilat partia fituese nuk qeverisur apo nuk qeverisë vendin, si shembull i demokracisë. Mirëpo, kjo demokraci e treguar në këto vende gjatë ndërtimit të institucioneve nuk është në favor të partive të bllokut; përkundrazi, e sheshon veprimin antidemokratik të partive të bllokut. Pse? Sepse në ato vende demokratike, së pari, fituesit i janë njohur atributet që dalin nga zgjedhjet; së dyti, fituesi për shkaqe programore, pas bisedimeve ndërpartiake; pas bisedimeve normale; ka përfunduar se nuk është në gjendje të formoj institucionet dhe ka lëshuar rrugë për subjektin e dytë me radhë. Këtu te ne ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Janë çuar në këmbë subjektet që nuk janë fituese të zgjedhjeve dhe kanë filluar të ndajnë postet; dhe atë, duke përjashtuar fituesin dhe në kundërshtim me vullnetin e tij. Kjo nuk mund të quhet ndryshe, pos tentim-grabitje e pushtetit. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet me të cilat i përmendin partitë e bllokut. As një!

 

 Mbi qartësinë e vendimit të dytë të kushtetueses lidhur me krizën për ndërtim të institucioneve

 

 Politikanët dhe analistët që thonë se vendimi i kushtetueses për çështjen e konstituimit të kuvendit është i paqartë dhe nuk ofron zgjidhje, nuk paraqesin gjë tjetër pos zëdhënësin e “liderëve të papërgjegjshëm”. Pse? Sepse, këta as që ndalen ta kuptojnë vendimin në tërësinë e tij, por vetëm flasin në favor të liderit të dashur. Ndryshe, vendimi i kushtetueses mund të ketë dobësi tjera, por cilësinë e parë – që është qartësia, e ka në komplet. Këtë do ta krahasoj me një barcoletë që ka të bëjë me rregullimin e raportit ndërmjet shefit dhe punëtorit: Shefi ia ofron punëtorit rregullat e kontratës, të cilat ishin dy: e para, shefi ka gjithnjë të drejtë dhe e dyta, në rastin kur punëtori ka të drejtë, atëherë vlenë rregulla e parë. Me fjalë tjera, neni 127 i vendimit nuk i jep të drejtë partive të bllokut, por ua përkujton atyre përgjegjësinë se duhet t’i respektojnë dhe të reflektojnë për nenet e mëparshme të vendimit, rezultatin zgjedhor, gjendjen e krijuar me vonim të konstituimit të institucioneve etj.

 

 Përgjegjësia e disa politikanëve dhe “analistëve të pavarur”

 

 Një person, i cili e quan veten analistë politik, në momentin kur lëshon argumentet dhe anon për një subjekt politik, ai nuk është më i tillë. Jemi dëshmitarë se disa të tillë janë rreshtuar qartë, pa argumente në anën e partive të bllokut. E them këtë, sepse këta analistë kanë dhënë prova më herët se kanë kapacitet t’i rendisin argumentet për një çështje tjetër, mirëpo kësaj radhe i anashkalojnë edhe ato më të thjeshtat dhe më të dukshmet. Për shembull, këto tri argumente analistët që mbajnë anën e bllokut nuk është dashur t’i anashkalojnë: i pari, leximi i rezultatit zgjedhor (disa analistë e shpikën leximin, sipas të cilit koalicioni i PDK-së është humbës, se nuk fitoi mbi 50%!!!); i dyti, edhe pas rezulatit zgjedhor u morën me fushatë kundër PDK-së, sikurse që pa të drejtë e bënin të njëjtën edhe partitë e bllokut (analistët e dinë se pas rezultatit të zgjedhjeve, deri në ndërtim të institucioneve nuk ka më fushatë, sepse kemi votat e qytetarëve); i treti, analistët e dinë se politikanët e bllokut nuk janë më të pastër në raport me akuzat që i bëjnë në drejtim të PDK-së në këtë fushatë të pakohë (ose, ndryshe, nëse me anë të fushatës ndërtohen institucionet, atëherë ta shpallim zyrtarisht fushatën për këtë gjë). Më vie keq, por disa analistë nuk janë treguar të përgjegjshëm dhe kanë kontribuar në thellim të krizës.

 

Nuk ka përparim të shtetit dhe përparim qytetar me sharje, fyerje, kërcënime e ekskluzivitete. Një politikan që është deklaruar për rend kushtetues dhe demokratik – edhe mjetet për luftim të së keqes duhet t’i ketë kushtetuese dhe demokratike. Akuzat nëpër foltore dhe media për “kapje shteti”, “mafi”, “hajni” etj. , mund të vijnë prej ndonjë individi të papërgjegjshëm, por nuk duhet në asnjë çast të vijnë prej një politikani të përgjegjshëm, aq më pak prej një deputeti. Politikanët, aq më parë deputetët kur flasin për “kapje shteti”, “mafi”, e “hajni” , fillimisht duhet të shohin se mos këto të zeza, janë praktikë edhe e tij, apo të subjektit të tij; pastaj duhet t’i deponojnë në institucionet përkatëse; dhe krejt në fund, me kujdes t’i bëjnë publike këto deponime. Në të kundërtën, jam i bindur se këta politikanë, nuk kanë qëllim forcimin e shtetit, as përparimin qytetar.  Politikani dhe analisti që shërbehet me fjalor të rrugës, banal dhe fyes për rivalin, është ai politikan dhe analist i cili nuk ka argumente dhe, çka është më e keqja, nuk ka përgjegjësi për atë që thotë dhe për atë që mund të prodhojë ajo që ai thotë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …