Dritan Hila

Dritan Hila: Pse duhet diskutuar për Mit’hatin?

Në fillim të vitit 2014, qeveria krijoi një grup pune ndër-ministror që do të merrej me përkujtimin e 70 vjetorit të çlirimit të atdheut.

Unë përfaqësoja ministrinë e mbrojtjes. Organizatorët dhe ideatorët,  që në përgjithësi janë  tipa që, siç i ka qejf Rama, janë sipërfaqësorë dhe jashtë profilit, propozuan që mos të përmendej pikërisht kjo luftë dhe kontributi i shqiptarëve, por kontributi i popujve në përgjithësi, duke përfshirë edhe Luftë e Parë Botërore.

Kundërshtova duke thënë se edhe Kina ka kontribuar me 100 mijë kinezë në hapjen e llogoreve, por është ndryshe çmimi i gjakut që ne kemi dhënë.

Ishte prezent edhe Rustem Peçi, kryetari i atëhershëm dhe aktual i Organizatës së Veteranëve të LANÇ i cili u ankua se qeveria Berisha i kishte dhënë tre herë më shumë buxhet ngase po i jepte qeveria e “majtë” për përkujtimet e nevojshme. Dhe iku nga mbledhja. Berisha ishte ai që i futi babanë në burg. Ndërsa “të majtët” e sotëm po i shembin shtëpinë tek pularia. Nejse. Për fat, qeveria përkujtoi luftën e shqiptarëve dhe jo kontributin e kinezëve.

Gjithë këtë parashtrim e bëra thjesht për të hyrë në temë dhe argumentuar për  aktin e qeverisë Rama për të sjellë në atdhe eshtrat e Mit’hat Frashërit, si një aksion që nuk ka lidhje fare me seriozitetin e një shteti ndaj të shkuarës dhe së tashmes.

Zakonisht, hapa të tillë ndërmerren pas ngritjes së një grupi pune me historianë që diskutojnë pozitivet dhe negativet e një personazhi dhe pastaj ndërmerren hapat dhe shkalla e nderimit. Nuk më rezulton që për pinjollin e Frashërllinjve të jetë bërë diçka e tillë. Si çdo gjë voluntariste që bën kryeministri ynë, jam i bindur që hapi është ndërmarrë nga enturazhi i Ramës, që në përgjithësi janë njerëz jashtë profileve, një mishelë mes jokompetencës dhe dijeve sipërfaqësore, që diskutojnë për historinë, ekonominë, politikën  dhe trashëgiminë me citate të peshkuara lart e poshtë apo gojëdhëna folklorike. Ky besoj është edhe rasti i Mit’hatit. Dhe ndoshta nuk do ja vlente zgjatja, nëse kjo nuk ka të bëjë me një relativizim të historisë sonë dhe si po e gjykojmë atë.

Nuk jam historian që të klasifikoj qëndrimet ndaj figurave, por besoj se vlen thënia e Kristo Frashërit që duhet parë raporti i tyre me atdheun. Dhe nga ky pikëvështrim, qasja e shqiptarëve ndaj personazheve të historisë po shkon drejt banalizimit komplet. Pjesëmarrësve në delegacionin e bashkimit me Italinë, me kontribute në pavarësimin e vendit, i është harruar tërësisht akti i dorëzimit të kurorës së Skënderbeut, Mbretit Emanual i III-të pas pushtimit të vendit. Harrojmë se ishte ky akt ku bazohet Greqia në mbajtjen e Ligjit të Luftës dhe që për pak na rrezikoi rreshtimin në fuqitë humbëse të Luftës së Dytë Botërore në Konferencën e Paqes në Paris. Po harrohen qëndrimet e dhjetëra figurave që firmosën pavarësinë por për inat të Zogut, fjetën me Italinë fashiste e më pas Gjermaninë. Harrohet se këta përveç firmosjes së pavarësisë, kanë firmosur edhe përndjekjen dhe vrasjen e luftëtarëve të lirisë. Justifikohemi me tezën idiote se nazifashizmi, nëse fitonte do na bashkëngjiste Kosovën (nga budallallëku apo injoranca nuk përmendin se do ishte pa Çamërinë, Mitrovicën apo Iliridën), duke harruar se nazifashizmi ishte edhe një armik jo vetëm i komunizmit por edhe i vlerave bazike të drejtave të njeriut. Dhe këtë e thonë pikërisht ata që shajnë komunizmin si shkelës së këtyre të drejtave (çka vërtet ishte).

Në gjykimin dhe vlerësimin e figurave të periudhës nga shpallja e pavarësisë e deri në nëntor ’44, ajo që ne duhet të gjykojmë duhet të ketë lidhje pikërisht sesi u sollën këta njerëz në aktin final të jetës së tyre. Sepse nëse nuk e bëjmë këtë vlerësim, askush më vonë nuk ka pse sakrifikon për këtë vend dhe mbrojë sovranitetin e tij. Nëse ne nuk jemi të qartë që bashkëpunimi me nazifashizmin ishte një ndër aktet e pafalshme të njerëzve, akt që nuk është parashkruar as sot e kësaj dite nga bota e qytetëruar, atëhere gjykimi ynë ndaj vlerave të njerëzimit dhe historisë sonë, mbetet primitiv dhe tribal.

Mit’hat Frashëri, e shumë të tjerë që më pas bashkëpunuan apo flirtuan me pushtuesin, mund të kenë bërë për Shqipërinë, dhe duhen respektuar për atë që kanë bërë si poete, filatesliste apo librashites, megjithëse e bënë si ajo lopa që i bie me shkelm kovës që mbush me qumësht. Por nuk mund t’iu bëhet ceremoni shtetërore, nuk mund të vendosen në altarin e atyre që bënë gjithçka dhe pa kompromis me askënd për Shqipërinë. Përndryshe çfarë u kuptua.(dritare.net)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …