Mr. Lulzim A. Beqiri

Mr. Lulzim A. Beqiri: Kursimet e qytetarëve të Kosovës

Ekonomia e Kosovës funksionon sipas ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj edhe sektori i bankave komerciale ka një kontribut të patjetërsueshëm në procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ndonëse ka operuar me kamata enorme prapëseprapë duhet të respektohet lidhur me kontributin e tij. Siç dihet sektori bankar në Kosovë është promotori i ekonomisë kosovare, burim dominues i punësimit dhe një faktor i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin ekonomik në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës vlera e depozitave deri në tetor të këtij viti ka arritur në 3 miliardë euro, 2.2 miliardë euro para të thata janë kursyer nga ekonomitë familjare, diçka e pa imagjinueshme nëse analizohet situata ekonomike në vend, nga ana tjetër ndërmarrjet kosovare kanë të depozituara mbi 750 milionë euro, gjithashtu janë edhe 145 milionë euro vlera të valutave tjera të kursyera nga kosovaret “ milionerë”.

Në Republikën e Kosovës operojnë 10 banka komerciale, prej tyre 8 kanë kapital të huaj dhe dy banka kanë kapital vendor, këto banka kanë gjithsej 1.2 milionë klientë dhe 382 mijë qytetar janë borxhli ndaj bankave komerciale, duke mos harruar se borxhi total është 2.2 miliardë, prej tyre 1.7 miliardë euro nga ndërmarrjet dhe 958 milionë euro borxhe nga ekonomit familjare.

Bankat Komerciale në Kosovë nuk vlerësojnë sa duhet hipotekat e qytetarëve kosovar, në momentin që një qytetar kosovar merr kredi ai duhet të lerë hipotekë pasuri të paluajtshme, sipas raportit të BQK-së vlera e hipotekave ka arritur mbi 4 miliardë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, interesi për depozitat është vetëm 1.5 për qind, derisa kamatat për kredi sillen nga 6 deri në 7.7 për qind, varësisht nga lloji i kredisë dhe banka komerciale, në vendet normale prioritet iu jepet depozitave në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të depozitojnë në banka parat e fituara nga aktiviteti i tyre.

Një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit është përhapja e ekonomisë joformale. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale.  Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale.

Autorë dhe publikime të ndryshëm kanë përllogaritur se ekonomia joformale e Kosovës vlerësohet të jetë në mes të 40% – 60%, duke përdorë tregues sikurse janë numri i të punësuarve në ekonominë formale dhe joformale, numri i ndërmarrjeve të cilat punojnë në lëmin formal dhe joformal si dhe shifrat krahasuese të shteteve tjera.

Siç dihet edhe korrupsioni shkakton shumë dëme të konsiderueshme si në aspektin shoqëror, ekonomik, social e politik. Mbetet sfidë e madhe për krerët e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmasimin e kësaj dukurie që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht institucionet ekonomike dhe shtetërore siç janë: PTK-ja,  doganat, universitetet, organet komunale, administratat dhe institucionet tjera vendimmarrëse shtetërore.  Rritja e madhe e kësaj sëmundjeje mund të shërbejë  si shtrat i ngrohet për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi e posaçërisht për rinin e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re,  si një shembull jo i mirë për të ardhmen e tyre, andaj edhe rritja e depozitave në mbi 3 miliardë euro përderisa buxheti i shtetit është ende 1.8 miliardë euro lenë shumë për të dëshiruar.

Republika e Kosovës po ballafaqohet me shumë sfida, e në mesin e sfidave kryesore është edhe papunësia, mirëpo opinioni publik po manipulohet nga statistika që nuk përkojnë me realitetin, statistika që opinionit po i ofrohen janë statistika që janë të porositura nga politikan që të paraqiten sa më mirë para qytetarëve dhe votuesve të vet, mirëpo nëse analizojmë drejt situatën papunësia ka mbet ende e lartë si pasoj e politikave jo të duhura ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Republikën e Kosovës tash e 19 vite.

Shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35,3%, ose 176,743 persona, për vitin 2015 ishte 32,9%, ose 145,776 persona, ndërsa për vitin 2016 ishte 27,5%, ose 126,070 persona, edhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30,5%, ose 156,583 persona.

Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që ti rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë.

Sipas ASK-së në vitin 2014 Republika e Kosovës kishte rreth 323,508 persona të punësuar, pastaj në vitin 2015 kishte rënie të të punësuarve 296,940 persona, punësimi për vitin 2016 ishte 331,761 persona dhe viti 2017 357,095 persona, pra nga gjithsej 375 mijë qytetar të punësuar dhe depozita 2.1 miliardë euro kjo nuk ka kuptim as teori ekonomike që mund të zbërthejë këtë fenomen.

Bankat në Kosovë po vazhdojnë të sjellin fitime marramendëse, në vitin 2014 bankat arritën profit rreth 60.5 milionë euro, gjithashtu edhe në vitin 2015 kishte një fitim prej 94 milionë e 700 mijë euro , pra edhe në vitet tjera bankat kanë vazhduar avazin e tyre të profitit enorm.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kreditë e sektorit bankar përshpejtuan rritjen vjetore në 11.5 përqind. Deri në dhjetor 2017, vlera e gjithsej kredive arriti në 2.49 miliardë euro. Faktorët që ndikuan në rritjen e kreditimit në vitin 2017 ishin rritja e kërkesës për kredi dhe përmirësimi i ofertës kreditore nga bankat kryesisht përmes uljes së normës mesatare të interesit në kredi dhe zgjatjes së maturitetit të kredive.

Sipas BQK-së kreditë ndaj ekonomive familjare ishin kategoria që shënuan normën më të lartë të rritjes vjetore prej 12.7 përqind. Gjithashtu edhe kreditë e reja ndaj ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 15.0 përqind në vitin 2017. Ngjashëm me kreditë për ekonomitë familjare edhe kreditë ndaj ndërmarrjeve shënuan rritje vjetore dyshifrore prej 10.7 përqind në vitin 2017. Po ashtu, kreditë e reja ndaj ndërmarrjeve në vitin 2017 shënuan rritje vjetore të theksuar prej 34.7 përqind. Struktura e kredive të ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike vazhdon të mbetet e dominuar nga kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë, pasuar nga ato për prodhimtari dhe ndërtimtari.

Ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës. Rreth 40% llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk iu bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe hulumtimi ynë ka nxjerrë në pah këtë shqetësim të bizneseve me rastin e anketimit tonë, pasi që 143 afaristë, nga gjithsej 250 sa janë anketuar, këtë e shohin si pengesë dhe rreth 57.2% e tyre, e ndajnë këtë mendim, ndërsa relativit mendojnë 17.2% dhe ka ndikim 25.2% kjo do të thotë se ekonomia informale është prezente me të madhe në territorin e Kosovës edhe pas 10 vjetësh të shtetësisë.

 Bizneset e anketuara në regjionin e Prishtinës shprehen se ekonomia informale ka ndikim të madh dhe këtë mendim e kanë rreth 80 përfaqësues të bizneseve ; 24 të tjerë shprehen se ka ndikim dhe 16 thonë se ka relativisht ndikim; pastaj në Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Podujevë ndikimi i ekonomisë informale del të jetë i njëjtë dhe ka shqetësim të theksuar të bizneseve për këtë dukuri negative që po e shoqëron vazhdimisht Republikën e Kosovës.

Pra Administrata Tatimore e Kosovës duhet të jetë vigjilente lidhur me deponimet e bizneseve dhe qytetarëve, sepse është e pa mundur që të jenë rreth 3 miliardë euro depozita, përderisa paga mesatare në Kosovë nuk e kalon as 300 euron, papunësia ende enorme, ekonomia informale etj.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …