Nëse më kujdes vëzhgohet debati i shoqërisë së Kosovës, në mesin e shqiptarëve, nuk është aspak vështirë të vërehet se debati është tepër i dobët, i pa përmbajtje, i pa gjak, i pa vizion, intelektualisht tepër i dobët, kombëtarisht tepër i mjerueshëm, përmbajtësisht i korruptueshëm deri në palcë. Me ketë nivel të korruptimit politik e moral, intelektual, shoqëror e medial, nuk ka shans të krijohet një perspektivë e sundimit të rendit e të ligjit, nuk ka perspektivë për një zhvillim shoqëror e ekonomik, e pak mundësi për një arsim e shëndetësi publike të mirëqenë, nuk ka shans për një integrim në institucionet euro-atlantike. Në një situatë të tillë, natyrshëm lind pyetja: Kush në ketë vend duhet ta orienton debatin politik, demokratik në interes të kombit në ketë vend?
Pse ndodh kjo? Ndodh kjo se në Kosovë nuk ka debat të mirëfilltë në jetën politike, nuk ka debat në jetën institucionale siç është Kuvendi i Kosovës, institucioni më i lartë i shtetit, nuk ka debat politik në jetën intelektuale për fenomenet shoqërore e politike, madje nuk ka debat as në jetën shkencore e kulturore, nuk ka debat në jetën mediale, përkundrazi debati që do të duhej të organizohet në pushtetin e katërtë (siç konsiderohet pushteti i medieve), është më tepër se i korruptuar, mashtrues dhe i shpifur. Atëherë kush duhet t’i jep rrugë debatit në shoqërinë tonë? Nëse debati nuk zhvillohet ne partitë politike që duhet të udhëheqin me institucionet e shtetit, nëse debati nuk zhvillohet në institucionet kryesore të intelektualizmit (në Universitet, në Akademi të Shkencave e Arteve të Kosovës e institutet tjera shkencore), nëse debati korruptohet në pushtetin e katërtë, ku duhet të zhvillohet ai? Ky debat nuk mund të zhvillohet në ekzekutiv e as nga ekzekutivi i cili ka përgjegjësi për jetësimin e politikave zhvillimore të vendit. Nëse ekzekutivi orienton debatin shoqëror, debati është i korruptuar, politikat zhvillimore në segmentet kryesore janë të dështuara, korrupsioni mbulon çdo segment të shoqërisë. Veç kësaj që u tha, nëse qeveria dirigjon debatin shoqëror, debati zhvendoset nga problemet kryesore e reale të vendit për shkak te impotencës në qeverisjen e vendit, ne një situatë të tillë debati orientohet në problemet e dorës së tretë ose në fushat e tjera të pa rëndësishme të jetës sonë. Në situata të tilla debati është tërësisht i degjeneruar, bash ashtu siç është tek ne.
Ketë fenomen e kemi parë shumë herë gjatë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë, e sidomos gjatë viteve të legjislaturës së katërt, ku temë kryesore kanë qenë Bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Gjatë këtyre viteve, ka pasur shumë tema te shpifura, por njëra nga temat e shpifura ka qenë: temat që kanë problematizuar punën e Kuvendit të Kosovës edhe pse ky institucion nga të gjitha raportet e Auditorit të Përgjithshëm, ka qenë institucioni më i rregullt në nivel vendi në shfrytëzimin e parasë publike dhe institucioni më i vlerësuar pozitivisht nga Raportet e Progresit për Kosovën. Gjithashtu, sidomos gjatë legjislaturës së katërtë, deputetët e këtij Kuvendi janë akuzuar për shpenzimet e shumta, më shumë sesa i gjithë ekzekutivi, ani pse Kuvendi nuk merrte pjesë as një për qind në Buxhetin e Kosovës ( i cili kapte shumën mbi 1 miliard e 500 milion euro), nga kjo shumë pjesëmarrja e Kuvendit ishte rreth nëntë milion euro. Me gjasë, as kjo legjislaturë nuk do të merret me problemet reale te qytetarëve tanë, apo këto probleme do të mbesin për një kohë tjetër.
Çka me shtyri t’i them të gjitha këto çështje që i nënvizova? Lajmi që u dha me 3 nëntor se deputetet po marrin paga pa punuar, por kjo nuk u tha vetëm më 3 nëntor edhe më herë për ketë gjë është shkruar në mediet tona. Sigurisht që nuk është punë e mirë pse Kuvendi ynë nuk po e kryen përgjegjësinë e tij kryesore që e ka marrë nga qytetarët, nuk po e kryen detyrën që e ka me kushtetutën e vendit. Po sa janë përgjegjës deputetet pse nuk po funksionon institucioni më i lartë i vendit? Pse nuk po e orientojmë problemin aty ku është? Çka do të ndodhte me pacientin nëse mjeku ia jep diagnozën gabimisht? A mund të shërohet ai? Pse nuk po themi, pse Kuvendi si institucioni më i lartë i vendit është suspenduar nga një institucion kushtetues, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Gjykata Kushtetuese jo vetëm që e ka suspenduar punën e Kuvendit, por ka bërë edhe një shkelje Kushtetuese, duke e len Kuvendin pa Kryetar, me çka ka bërë një shkelje Kushtetuese, pasi Kushtetuta e njeh Kryetarin e Kuvendit deri sa të zgjidhet Kryetari i ri. Çka sikur të kishim një situatë hipotetike, kur Presidentja nuk mund ta ushtronte detyrën e saj, apo kushtimisht vendi të mbetej pa Kryetaren e shtetit, kush do të zëvendësonte atë? Kushtetuta e ka len vetëm një zgjedhje, Kryetarin e shtetit mund ta zëvendësoi vetëm Kryetari i Kuvendit. Pastaj shumë nga ministrat e qeverisë dhe vet Kryeministri në detyrë, janë deputetë, ndërsa Kushtetuta nuk e lejon që deputetet të jenë pjesë e ekzekutivit? Kur kësaj i shtojmë edhe vendimet e shumta të qeverisë në detyrë që nuk kanë ndonjë bazë ligjore, kush e ka përgjegjësinë për të gjitha këto pa ligjësi? Në një situatë të tillë, mendja e shendosh dhe e pa korruptuar s’ka si mos të pyet: pse po heshtën gjithë këto probleme nga shoqëria dhe shumica e medieve tona të “pavarura”? Natyrisht që është në interesin e çdo qeverie, që debati të zhvendoset nga problemet reale te qytetarëve!
Të përfundojmë. Ky nivel i debatit që kemi ne sot do t’i shkonte despotizmit të botës bizantine e tek e shumta te botës arabo-aziatike, por assesi të debatit të botës euro-atlantike ku pretendojmë të jemi, ose të jemi aty ku na orientuan baballarët e kombit që nga Dhaskal Thodhëri, Naum Veçilharxhi e deri të Sami Frashëri, të cilët na orientuan aty ku duhej të ishte vendi ynë, në Evropë, sot në BE.